U vetëplagos me armë, fierakun e gjen ‘belaja’ me policinë

Një 38-vjeçar përfundoi në pranga pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Arrestimi nga policia u bë pas vetëplagosjes së tij në mënyrë aksidentale në dorë. I riu po qëndronte në një lokal në lagjen “29 Nëntori” në Fier, kur arma iu shkrep në dorë.

Kjo solli reagimin e menjëhershëm të policisë, ku i gjetën 38-vjeçarit me iniciale E.N., një pistoletë tip TT dhe 7 fishekë.

Arma iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 38-vjeçari pas marrjes së ndihmës mjekësore u arrestua dhe do të përballet me veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje”.

“Denoncove të vramë”, dhunuan shokun e tyre, arrestohen dy vëllezër

Dy vëllezër nga Pogradeci përfunduan në pranga, pasi dy muaj më parë dhunuan fizikisht dhe më pas kërcënuan me jetë shokun e tyre, për të mos i denoncuar në polici. Vëllezërit me iniciale E.M, 29 vjeç dhe D.M., 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, patën një konflikt fizik me mikun e tyre 21-vjeçar.

Pas dhunës fizike ndaj 21-vjeçarit ndodhur në zonën e Tushemishtit në muajin shtator, të rinjtë i shkatërruan makinën të riut dhe më pas e kërcënuan me vdekje nëse do të denonconte rastin në polici.

21-vjeçari ka bërë denoncimin pas dy muajsh, ndërsa policia arrestoi dy vëllezërit që pritet të përballen me akuzat e shkatërrimit të pronës private, dhunë fizike e psikologjike dhe kërcënim me jetë.

Me kokainë dhe pa patentë, pranga për lushnjarin

Një 24-vjeçar u arrestua pasi u kap duke lëvizur me makinë pa leje drejtimi dhe gjatë kontrollit iu gjetën dhe disa doza lënde narkotike. I riu u ndalua gjatë një kontrolli rutinë të policisë, por rezultoi se ai drejtonte mjetin “Toyota” pa patentë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të makinës iu gjetën edhe 2 doza të vogla kokaine. Kjo bëri që 24-vjeçari me iniciale V.D, të vihej në pranga nga efektivët e policisë.

Trafikantët humbasin 20 mijë euro kokainë. Fajtorë…derrat e egër

Një grup trafikantësh të lëndëve narkotike u zbulua falë derrave të egër në pyll. 3 shqiptarë dhe një italian përfunduan në pranga pas përgjimeve se u kishte humbur kokaina në pyll. Gjatë diskutimeve të përgjuara mes tyre, ndër të tjera thuhej se ato humbën rreth 20 mijë euro kokainë, pasi ishte ngrënë nga derrat e egër dhe shpërndarë nëpër pyll. Kokaina ishte e cilësisë së parë, ku një gram i saj kushtonte 99 euro.

Trafikantët kishin groposur kokainë në një pyll në Toskana, në mënyrë që të ishte e sigurt dhe të mos binin në sy të policisë, por duket se nuk kishin marrë parasysh faktin e derrave të egër në zonë, të cilët e hëngrën dhe shpërndanë atë në të gjithë zonën. Derrat gërmuan kokainën dhe çanë qeset e tyre duke konsumuar një pjesë të mirë të saj.

Policia nisi përgjimet e tyre pas kodeve të përdorura si “aperitiv”, “verë” dhe “kafe” për veprimtarinë kriminale, por mes të tjerave ato ankoheshin se “një sasi e madhe e drogës ishte zhdukur, ku një pjesë e saj ishte ngrënë nga kafshët dhe pjesa tjetër ishte shpërndarë nëpër pemët e pyllit.

Një milion euro drogë në garazh, arrestohet shqiptari

Një 32-vjeçar shqiptar u arrestua, pasi në garazhin që ndodhej në pronësi të tij u gjetën dhe sekuestruan një sasi droge prej 72 kilogramë marijuanë. Droga po të dilte në treg kapte vlerën e 900 mijë eurove, ndërsa po të shitej me pakicë shkonte në rreth 1 milionë euro.

Aksioni i policisë u zhvillua në Torino, ndërsa vetë shqiptari tha para prokurorëve se “lënda narkotike nuk ishte e tij, por po e mbante atë për të tjerët deri për Krishtlindje.”

Pa patentë dhe i alkoolizuar, pranga 18-vjeçarit. I mori jetën dy 17-vjeçareve

18-vjeçari Françesk Shaba u arrestua si shkaktar i aksidentit tragjik në Bërzhitë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Ai ishte drejtuesi i mjetit, por nuk zotëronte leje drejtimi (patentë) dhe kishte konsumuar alkool, duke u bërë shkaktar i aksidentit në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.

Nga kontrollet e policisë 18-vjeçari u verifikua me aparatin alkool testues, ku rezultoi se sasia e alkooli në frymëmarrje ishte 0.17 mg/l, ndërsa nuk zotëronte as patentë për drejtimin e makinës. Këto arsye, shoqëruar edhe me lagështinë në rrugë dhe shpejtësinë e lartë çuan në aksidentin tragjik.

Nga aksidenti humbën jetën dy 17-vjeçaret Denada Tarja dhe Suada Serani, ndërsa mbetën të plagosur drejtuesi Françesk Shaba dhe dy 14-vjeçarë me iniciale O.M dhe L.M. Të rinjtë ktheheshin nga festa e ditëlindjes të njërit prej 14-vjeçarëve, që ndodheshin në makinë. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një pemë, që rezultoi fatale për dy 17-vjeçaret.

Turqi, arrestohen 17 militantë të ISIS

17 persona u arrestuan pasi dyshohet se janë të lidhur me ISIS. Sipas dyshimeve thuhet se militantët e ISIS planifikonin të kryenin sulme në shtetin turk.

Për arrestimin e 17 personave, reagoi edhe presidenti turk Erdogan i cili u shpreh se anëtarë të rrethit të Al-Baghdadit tentuan të hyjnë në Turqi, por u arrestuan në kohë.

Pas vrasjes së liderit të ISIS Al-Baghdadi , policia turke ka rritur operacionet por goditjen e këtyre militantëve, ku më herët arrestoi edhe motrën dhe gruan e Al-Baghdadit.

Shpërndante drogë me motor, arrestohet 21-vjeçari

Një shqiptar 21-vjeçar u arrestua pasi u kap me lëndë narkotike në shtetin grek. Policia ra në gjurmët e shqiptarit, pasi ai bënte shesh rrugë Shqipëri-Korfuz, nga ku transportonte dhe lëndën narkotik të llojit hashash. I riu pasi e çonte në Korfuz, bënte shpërndarjen e saj me motor te klientët që e kërkonin.

Pas monitorimit , i riu u arrestua, ndërsa policia sekuestroi drogën dhe mjetin e tij të shpërndarjes.

Aksion antidrogë, 3 në pranga, 4 nën hetim

3 persona u vunë në pranga gjatë aksioneve të ndryshme antidrogë në vend, ndërsa 4 të tjerë janë shoqëruar në polici dhe po procedohen penalisht për moskallëzim krimi.

Dy 18-vjeçar janë ndaluar në Rrëshen, pasi u kapën me një sasi lënde narkotike. Gjatë kontrollit të mjetit të tyre, policia zbuloi në sedijen e pasme të fshehur 500 gram kanabis sativa. Në pranga janë vënë shtetasit me iniciale F. N., 18 vjeç dhe B. S., 18 vjeç.

Ndërsa në fshatin Kuqan të Elbasanit u arrestua një 26-vjeçar me iniciale F.D., pasi u kap me 8 doza kanabis sativa, gati për t’i shitur. Në lidhje me rastin janë proceduar penalisht dhe 4 persona për moskallëzim krimi.

Tentuan të vrasin të riun, pranga dy shqiptarëve

Dy shqiptarë janë arrestuar pasi tentuan të vrasin me thikë një 30-vjeçar. Shqiptarët Arseld Hysaj dhe Dardan Dollapaj kanë sulmuar me thikë 30-vjeçarin në Londër, duke i shkaktuar plagë të rënda.

I plagosuri ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa arsyet e sulmit nuk dihen ende. Shqiptarët pritet të përballen në gjykatë për tentativë vrasje.

Skip to toolbar