Atentati me snajper në burgun e Vaqarrit, lirohet Ergys Kolaveri

Vetëm pak ditë nga vendimi i Gjykatës së Krujës, që la të lirë Endrit Doklen anëtarin e Bandës së Durrësit, Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi të lirojë një tjetër të dënuar me 20 vite burg. Ergys Kolaveri, i dënuar për veprën e penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, do të lërë ambientet e burgut për të vuajtur një dënim më të lehtë, pasi do të vijojë të jetë në “arrest shtëpie”. Ergys Kolaveri ishte dënuar me 20 vite burgim në 16 nëntor të vitit 2017 nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Vrasje e mbetur në tentativë” ndaj Gazmir Dacit, me të cilin kishte hasmëri.

Familja Kolaveri dhe familja Daci nisën historinë e hasmërisë mes tyre ne vitin 2015, kur Gazmir Daci vrau vëllain e Ergysit, Valmir Kolaverin dhe plagosi rëndë tjetrin, Robert Kolaverin. Vëllezërit Kolaveri kishin dhunuar në bodrumin e një banese në Francë Elson dacin, vëllain e Gazmirit pasi ky po u prishte pazaret e transportit të klandestinëve dhe po u merrte klientët. Ndërkohë, kur u kthye në Shqipëri, Gazmir Daci pati një sherr me vëllezërit Kolaveri në një lokal, që përfundoi me vrasje dhe plagosje.

Ai u arrestua dhe u dënua me 35 vite burg për vrasje dhe plagosje. Mirëpo, Ergys Kolaveri, vëllai më i vogël i dy vëllezëve Kolaveri, nuk e la me kaq. Ai tentoi të vrsite me snajper Gazmir Dacin gjatë kohës që ai ishte në ajërim në burgun e “Vaqarrit”. Por nuk arriti të gjuante në shenjë, duke lënë të plagosur një shtetas kosovar.

Ergys Kolaverit iu gjet në automjet një dylbi, por jo arma me të cilin tentoi të vrasë Gazmir Dacin. Megjithatë, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi atë me 20 vite burgim. Por, Gjykata e Posaçme e Apelit e lehtësoi Ergys Kolaverin nga dënimi, duke ndryshuar masën në “arrest shtëpie”. Tashmë, Ergys Kolaveri do të vuajë “arrestin e shtëpisë” nën mbikëqyrje të lartë sigurie.

Sokol Balla: Të gjithë bashkë, në një makinë

Nuk ka përkufizim më të saktë të Shqipërisë dhe të situatës së drejtësisë dhe raportit të saj të sëmurë me politikën, sesa ngjarja e të premtes në plazhin e Durrësit, kur një mjet i prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, po me pasagjer jo vetëm atë, por edhe një personazh të botës së errët, u godit me armë, në një atentat mesa duket të mirëmenduar, po ku pati vetëm të plagosur dhe shumë dilema të lëna pas. Prokurori akuzohej pak javë më parë nga qeveria për bashkëpunim me kriminelë për tjetërsim pronash, ndërsa personazhi tjetër akuzohet nga opozita, po për tjetërsim pronash, në kurriz të një biznesnmeni të madh të huaj, të dhunuar, si pasojë më pas i larguar nga Shqipëria.

Në këto kushte është thuajse e pamundur të kuptosh, nëse atentati kishte për qëllim të njëjtë sulmi të dy, secilin veç e veç apo të dy bashkë. Eshtë e pamundur shkencërisht të provosh nëse prokurori u godit pasi u ekspozua nga sulmi i kryeministrit dhe zëvendësit të tij, apo nëse u godit pasi akuzat ndaj tij janë të vërteta. Sa për bashkëudhëtarin e tij, nga mënyra sesi atentati është zhvilluar, duket se ai mund të ketë qenë objektivi i vërtetë, dhe kjo sigurisht s`ka lidhje me ekspozimin që mund t`i ketë bërë opozita, sesa me aktivitetin e tij të larmishëm në kronikën e zezë. Por e frikshme ama është të mendosh, se autorët nuk janë shqetësuar të ruajnë shënjestrën, dhe kanë goditur të gjithë. Çka të shtyn të mendosh se prokurori është quajtur në rastin më të mirë një dëm anësor i parëndësishëm, ose edhe më keq: i konsideruar me indiferencë pjesë e një larjeje hesapesh në parim, mes vjedhësve të mëdhenj të  pronave.

Ajo çka e rëndon situatën, janë veprime të tjera para kësaj ngjarjeje, që vejnë fokusin dhe njëherë në tokat e gjera të ultësirës mes Durrësit dhe Ishmit, pronësia e të cilave nuk u zgjidh kurrë dhe si e tillë u la në dorë të bandave dhe drejtësisë së korruptuar dhe përfundoi në rastin më të mirë, në toka për mbjellje hashashi dhe aeropista të sajuara për trafik kanabisi. Vetëm pak ditë para atentatit gjyqtarja e durrësit Joana Qeleshi, autorja e vendimit të gjykatës që ka ngjallur sherrin mes personazhit të errët që udhëtonte me prokurorin dhe një pale tjetër në fshatin Draç të Ishmit, dha dorëheqjen dhe u fut në punësim privat. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Sikur asgjë të mos ndodhte pak ditë më vonë, sigurisht edhe si pasojë e atij vendimi. A është ky shembulli më i fundit i aktivitetit kriminal më të organizuar në vend, dhe a kishte të drejtë Adriatik Llalla, kur e quante Durrësin kryeqytetin e krimit të organizuar në vend?

Mesa duket po. Dhe e pamë dhe e përjetuam të gjithë, kur u mor vesh atentati ndaj makinës së Ndojit. Krimi, Drejtësia, Politika: të gjithë në një makinë. Me emëruesin e përbashkët: Vjedhjen. Tjetërsimin. Grabitjen. Në emër të Ligjit, por edhe me forcën e Armëve. Lajmi i mirë i vetëm është së paku Vettingu do të kursejë shpenzime në shqyrtimin e Ndojit. Siç vetë e ka pranuar, me personazhin në makinë e lidhte njohje e vjetër dhe kaq mjafton, që ai të shkarkohet. Lajmi i keq është se Adriatik Llalla paska pasur të drejtë dhe se Vettingu nuk do mjaftojë për të shpleksur një lëmsh interesash, që nuk dihet akoma se ku e ka lidhur cepin e tij të parë. /Realstory.al/

Kallashnikovët te makina e braktisur, u përdorën ndaj prokurorit Ndoja

Detaje të reja zbardhen nga hetimet për atentatin mafioz në drejtim të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe dy personave të tjerë që ndodheshin në makinë, shoferi Andi Maloku dhe miku i tij Aleksandër Laho, person me precedent penal i njohur dhe me nofkën “Rrumi”.

Nga analizimi i armëve të gjetura në makinën e autorëve të braktisur në Shkafanë të Ishmit, u pa se ka një përputhje të madhe me armët e përdorura në vendngjarje ku u qëllua ndaj prokurorit Ndoja. Ekspertët balistik thanë se ka përputhje të lartë ndërmjet gëzhojave të gjetura në vendin e atentatit dhe armëve të sekuestruara në automjetin e braktisur nga autorët në Ishëm. Madje është bërë edhe një krahasim i dytë për të hequr çdo dyshim duke analizuar përputhshmërinë e gjilpërës së automatikut Kallashnikov model 56 dhe shenjës së lënë në kapsollën e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas ABC News, policia ka kryer edhe analizimin e gjurmëve papilare që janë gjetur në shishen e benzinës, me të cilën do të digjnin mjetin, por edhe fijeve të flokut të gjetura në makinë, në maskat e përdorura etj.

Nëpërmjet analizave të AND-së, Laboratori i Policisë Shkencore do bëjë një krahasim edhe me arkivat e Interpolit, për profilin gjenetik të autorëve, të cilët mund të rezultojnë të dënuar në vendet e Bashkimit Europian.

Makina “Mercedes Benz” me targa AA 342 LM ishte vjedhur në Tiranë dy javë më parë, dhe është burimi i provave më të mëdha për prokurorët, ku fatmirësisht autorët nuk arritën dot në kohë t’i shkatërronin.

Sonte në “Real Story”: Anët e errëta të atentatit ndaj prokurorit Ndoja

Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla, trajton sonte në mbrëmje në News 24, “atentatin që tronditi opinionin në fundjavë: në makinë një prokuror i kontestuar nga Kryeministri dhe një individi i akuzuar nga opozita”. Sulmi ndaj Prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja që udhëtonte në makinë me një personazh të botës së errët të krimit, do të diskutohet nga gazetarët e kronikës në “Real Story”. Të ftuar në studio janë gazetarët e kronikës në vend, Roland Qafoku, Klodiana Lala, Basir Çollaku, Alfred Peza dhe ish-prokurori Shkëlqim Hajdari. Shumë pikëpyetje janë ngritur mbi këtë atentat.

Kush ishte porositësi i atentatit ndaj prokurorit të Durrësit, që më herët ishte akuzuar publikisht nga Kryeministri Edi Rama për lidhje me botën e errët të bandave?  Pse një zyrtar i lartë i shtetit,  udhëtonte në makinë me një personazh, që mund të ishte subjekt i punës së tij, dhe për më tepër i akuzuar? A lidhet atentati ndaj prokurorit me hetimin e dosjes së pronave në Durrës? Si u organizua atentati ndaj prokurorit?

A ishte ai shënjestra e atentatit, apo Landi Muharremi, personazhi i botës së krimit i akuzuar për shumë vepra penale në Durrës? Cilat janë zhvillimet e fundit nga grupi hetimor? Pistat ku po hetohet? Personat e shoqëruar? Këto dhe shumë pyetje do të trajtohen dhe marin përgjigje mbrëmjen e të hënës në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, sonte në orën 21:00 në News 24. Emisioni, veç ekranit të News 24, transmentohet live edhe në faqen zyrtare të Realstory.al në Facebook dhe www.realstory.al në web. /Realstory.al/

Atentati ndaj prokurorit, dinamika, pistat e hetimit dhe detajet e sulmit

Atentati me kallashnikov ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja zgjati jo më shumë se 60 sekonda në zonën e mbikalimit të Shkozetit. Në fuoristradën e prokurorit ndodhej shoferi i tij Andi Maloku dhe i “forti” i Sukthit, Landi Muharremi, ku të tre mbetën të plagosur gjatë sulmit me armë. Gjendja e Malokut është e rëndë dhe ndodhet në Tiranë për trajtim të specializuar, ndërsa prokurori Ndoja dhe personi me precedent penal i njohur si “i forti” i Sukthit Muharremi ndodhen jashtë rreziku për jetën.

Dy prokurorët, Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj nga Krimet e Rënda, po hetojnë atentatin në 4 pista të ndryshme. Ata e kanë përqendruar hetimin në pistën e konflikteve personale të personave si Ndoja, Muharremi apo Maloku; atentat për shkak të detyrës së prokurorit; përplasje të grupeve kriminale; konfliktet për pronat.

Vetë Ndoja ka dëshmuar se nuk është ai objektiv i sulmit, pasi nuk ka asnjë konflikt dhe ka refuzuar kategorikisht që të lidhë atentatin për shkak të detyrës së tij. Ndoja ka thënë se ka qenë duke drekuar në një restorant në Durrës kur në tryezë më pas janë ulur edhe Maloku dhe Muharremi.

Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Maloku e Muharremi e një tjetër dhe janë ulur në restorant. Më pas u nisëm drejt Tiranës. Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, ka dëshmuar Ndoja para kolegëve të tij që po hetojnë çështjen. Ndërsa Landi Muharremi nuk ka dhënë ende dëshminë e tij pasi plumbi e ka prekur në zonën e nofullës.

Autorët e atentatit patën nën vëzhgim shënjestrën e tyre gjatë gjithë paradites së të premtes dhe ndoqën çdo lëvizje të prokurorit derisa hapën zjarr me breshëri plumbash ndaj makinës së tij. Pamjet filmike në zonë tregojnë se në atentat ishin dy makina, ku njëra i preu rrugën makinës së Ndojës dhe tjetra hapi zjarr me breshëri kallashnikovi. Pamjet filmike fiksuan automjetin që ndjek nga pas në një distancë të shkurtër fuoristradën e prokurorit dhe më pas ecën paralelisht me makinën e Ndojës , e parakalon në anën e kundërt dhe hap zjarr. Ishin manovrat e shoferit Andi Maloku, që iu shpëtuan jetën Ndojës dhe Lahos, i cili spostoi makinë drejt një kanali, 20 metra larg vendit të sulmit. Në vendin e ngjarjes u gjetën 20 plumba, 6 prej të cilëve depërtuan makinë, duke plagosur 3 personat brenda.

Autorët, të pajisur me maska dhe armë, u larguan nga rruga e Ishmit, duke shmangur rrugët që monitorohen nga kamera sigurie apo bizneseve rrotull. Një nga makinat e autorëve tip “Benz”, ngjyrë gri me targa AA342 LM u gjet në Ishëm e pa djegur. Kjo ndodhi pasi një banorë i zonës aty iu foli autorëve duke thënë ‘se çfarë po bëjnë’. Kjo bëri që autorët të largohen me shpejtësi dhe të lënë brenda makinës gjurmë të shumta që do të ndihmojnë prokurorët të zbardhin autorët dhe ngjarjen e rëndë. Targa e makinës së autorëve, AA342 LM është e vjedhur në një qytet tjetër të Shqipërisë. Brenda automjetit të autorëve, u gjetën 9 gëzhoja, dy automatikë kallashnikov dhe një pistoletë 9 mm, 2 maska dhe 2 shishe benzinë. Këto prova janë dhe shpresa më e madhe e prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prokuroria thotë se atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova. Mbi 20 persona u shoqëruan në lidhje me zbulimin e detajeve mbi atentatin, mes tyre dhe anëtari i bandës së Lul Berishës, Julian Meçe, i cili u përfshi në një atentat në muajin qershor. Meçe u pyet nga grupi hetimor, si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe më pas u la i lirë.

Atentati, prokurori Ndoja shoqërohej nga i “forti” Shijakut?

Mbrëmjen e të premtes prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, iu bë atentat në afërsi të mbikalimit të Shkozetit në Durrës, gjatë kohës që ishte duke udhëtuar me tre persona të tjerë në makinë. Dyshimet e para janë se prokurori Ndoja ndodhej në makinë me dy shtetas, një prej të cilëve me precedentë të mëparshëm kriminal. Praprakisht dyshohet se një prej tyre është shtetasi Aleksandwr Laho apo i njohur si Landi Muharremi nga Shijaku, i njohur si i forti i “Shijakut”, raporton News 24.

Po kush është Landi Muharremi?

Ai është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, pasi disa vite më parë u përfshi në ngjarjen e rëndë të rrahjes barbare të biznesmenit Libanez, Fadi Mitri. Muharremi ishte një nga tre personat që dhunuan barbarisht biznesmenin Fadi Mitri, duke e detyruar që të largohet përfundimisht nga Shqipëria, si dhe duke u tërhequr nga një investim i një kompleksi turistik në bregdetin shqiptar.

Ndërkohë, prokurori Arjan Ndoja, që ishte duke udhëtuar me Landi Muharremin, u akuzua publikisht pak kohë më parë nga Kryeministri Edi Rama, se bashkëpunonte me bandat kriminale. Arjan Ndoja ishte prokurori që po hetonte dosjet e pronave në Durrës, teksa kërkoi arrestimin e Liridon Pulës, drejtorit të Kadastrës në Durrës. Gjithësesi pritet të konfirmohet zyrtarisht nëse personi Aleksandër Laho është i njëjti person me Landi Muharremin.

Landi Muharremi, i dyshuar si i plagosur mbremjen e te premtes me prokurorin Arjan Ndoja.

Ish-polici, hero që shmangu tragjedinë

Kavaja u trondit nga një ngjarje e rëndë të martën paradite, pasi një 31-vjeçar, Fitim Baboçi, qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të 53-vjeçarit Rexhep Tare, duke e lënë të plagosur. Ngjarja e të martës mund të kishte rezultuar tragjike, nëse nuk do të kishin qenë dy qytetarë të Kavajës, të cilët neutralizuan 31-vjeçarin në momentin kur ai ishte duke qëlluar me armë zjarri. Ngjarja duket si një skenë filmi.

Në çastin që Fitim Baboçi ka nisur të qëllojë në drejtim të dyqanit ku ndodhej 53-vjeçari Rexhep Tare, dy kalimtarë të rastit kanë parë skenën. Në vend që të largoheshin për t`i shpëtuar plumbave, ata kanë kryer aktin e guximshëm, duke u hedhur mbi 31-vjeçarin. Njëri prej tyre e ka kapur prej mesi, Fitim Baboçin, ndërsa tjetri i ka kapur armën duke e bllokuar. Në këtë mënyrë breshëritë e plumbave janë ndalur, duke shmangur një tragjedi, pasi në vendin e gjarjes ka pasur kalimtarë të rastit.

Në foto, ish-polici (personi me syeze) dhe personi tjetër me këmishë blu, që ndalojnë atentatorin Fitim Baboçi, duke i marrë armën kallashnikov.

Më pas mbërriti Policia e Kavajës, duke arrestuar në flagrancë autorin e plagosjes së kambistit 53-vjeçar, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, sipas Report Tv, një nga heronjtë që ndalin Fitim Baboçin, mësohet të ketë qenë një ish-polic, Ymer Xhafa.

Ish-efektivi i policisë, që ka shërbyer për 27 vjet në radhët e uniformave Blu, me aktin e të martës shfaqi reflekset e tij profesionale, duke kryer një akt heroik, që mund t`i kishte rrezikuar jetën. Ka qenë Ymer Xhafa, personi që ka shtrënguar në mes atentatorin Fitim Baboçi, ndërsa identiteti i personit tjetër, që i kapi armën e zjarrit 31-vjeçarit, ende nuk bëhet i ditur. Ky guxim i pashembullt i Ymer Xhafës dhe qytetarit tjetër të Kavajës, ka shmangur një tragjedi të vërtetë.

Dinamika e atentatit në Durrës, në sulmin ndaj Plaurent Dervishajt u përfshinë 5 persona

Janë zbardhur detaje të reja dhe dinamika e ngjarjes ku mbetën të plagosur  Plaurent Dervishaj, Julian Meçes dhe mikut të tyre Bashkim Haxhija. Sulmi ka ndodhur më 20 qershor 2019, nëse mendohet se në ngjarje janë përfshirë 5 persona, secili me një rol të mirëpërcaktuar. Autorët mendohet se janë paguar nga një grup kriminal i fuqishëm në Durrës, grup ky që ka si aktivitet parësor trafikun e heroinës. Sulmi i organizuar nga 5 personat dyshohet se janë nga Durrësi dhe Shijaku.

Atentati dyshohet se ka lidhje për një konflikt pronësie mes disa emrave të grupeve rivale në qytetin e Durrësit. Analizimi i të gjitha pamjeve filmike të sekuestruara në segmentin rrugor hedhin dritë se në atentatin mafioz kundër Plaurent Dervishaj, Julian Meçes dhe Bashkim Haxhija, kanë marrë pjesë pesë persona. Të 5 personat kanë pasur nga një detyrë të përcaktuar, që të gjithë me një rezultat final, eliminimin fizik të Plaurent Dervishaj dhe miqve të tij.

Në vendngjarje shfaqen 3 persona, ku dy prej të cilëve qëllojnë me plot 43 plumba kallashnikov në drejtim të makinës së “Range Rover”, ku ndodhej Dervishaj, Meçe dhe Haxhia. Ndërsa personi i tretë ishte drejtuesi i makinës së autorëve BMW, i cili i ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes. 

Personi i katërt sipas Shqiptarja.com ka mbikëqyrur të gjitha lëvizjet që ka bërë Plaurent Dervishaj, nga Durrësi deri në momentin e mbërritjes në vendi ku u sulmua. Roli i personit të katër ka qenë ai i survejuesit dhe informimit të autorëve që do të kryenin eliminimin fizik të Plaurent Dervishaj.

Ndërsa personi i pestë ka qenë një person që ka qëndruar në pritje të mbërritjes së BMW në autostradën Durrës-Tiranë, në rrugën dytësore, i cili do të bënte të mundur largimin e autorëve për të humbur gjurmët dhe gjetjen e tyre nga policia. Pasi BMW ka mbërritur i është vënë flaka në rrugën dytësore nga 3 autorët dhe më pas janë larguar me makinën që i priste personi i pestë.

Edhe pse policia zotëron materialet filmike, ende nuk është bërë arrestimi i tyre. Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare.   Plaurent Dervishaj, i cili është kunati i Lulzim Berishës, për më shumë se një dekadë ka qenë një nga personat më të kërkuar nga Interpoli.

Skip to toolbar