Ish-polici, hero që shmangu tragjedinë

AKTUALITET


Kavaja u trondit nga një ngjarje e rëndë të martën paradite, pasi një 31-vjeçar, Fitim Baboçi, qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të 53-vjeçarit Rexhep Tare, duke e lënë të plagosur. Ngjarja e të martës mund të kishte rezultuar tragjike, nëse nuk do të kishin qenë dy qytetarë të Kavajës, të cilët neutralizuan 31-vjeçarin në momentin kur ai ishte duke qëlluar me armë zjarri. Ngjarja duket si një skenë filmi.

Në çastin që Fitim Baboçi ka nisur të qëllojë në drejtim të dyqanit ku ndodhej 53-vjeçari Rexhep Tare, dy kalimtarë të rastit kanë parë skenën. Në vend që të largoheshin për t`i shpëtuar plumbave, ata kanë kryer aktin e guximshëm, duke u hedhur mbi 31-vjeçarin. Njëri prej tyre e ka kapur prej mesi, Fitim Baboçin, ndërsa tjetri i ka kapur armën duke e bllokuar. Në këtë mënyrë breshëritë e plumbave janë ndalur, duke shmangur një tragjedi, pasi në vendin e gjarjes ka pasur kalimtarë të rastit.


Në foto, ish-polici (personi me syeze) dhe personi tjetër me këmishë blu, që ndalojnë atentatorin Fitim Baboçi, duke i marrë armën kallashnikov.

Më pas mbërriti Policia e Kavajës, duke arrestuar në flagrancë autorin e plagosjes së kambistit 53-vjeçar, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, sipas Report Tv, një nga heronjtë që ndalin Fitim Baboçin, mësohet të ketë qenë një ish-polic, Ymer Xhafa.

Ish-efektivi i policisë, që ka shërbyer për 27 vjet në radhët e uniformave Blu, me aktin e të martës shfaqi reflekset e tij profesionale, duke kryer një akt heroik, që mund t`i kishte rrezikuar jetën. Ka qenë Ymer Xhafa, personi që ka shtrënguar në mes atentatorin Fitim Baboçi, ndërsa identiteti i personit tjetër, që i kapi armën e zjarrit 31-vjeçarit, ende nuk bëhet i ditur. Ky guxim i pashembullt i Ymer Xhafës dhe qytetarit tjetër të Kavajës, ka shmangur një tragjedi të vërtetë.




Skip to toolbar