Në zgjedhjet parlamentare të së dielës,
ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz kryeson sondazhet. Skandali i
ish-partnerit të tij, FPÖ nuk e ka dëmtuar Kurz. Por a do të hidhet ai sërish
në një shtrat me djathtistët?
Pak ditë para zgjedhjeve të dielën,
parlamenti austriak shpalli emergjencën, jo atë politike, por të klimës. Me
këtë aksion simbolik të gjitha partitë, përveç FPÖ-së, duan të japin një sinjal
në një fushatë zgjedhore zvarritëse. Lufta kundër ngrohjes globlale është në
modë tani. Edhe kandidati për kancelar, Sebastian Kurz e ka zbuluar këtë temë.
Në fund të fundit, ish-kancelari i rrëzuar, Kurz, 33 vjeçar nuk mund të flasë
gjithmonë për pengimin e migracionit në republikën e alpeve. Populistët e
djathtë janë të vetmit që e quajnë histeri kufizimin e emetimit të CO2-it.
Norbert Hofer, fytyra e re të djathtëve, e quan ndryshimin e klimës si Donald
Trump apo kolegët e partisë populistë gjermane, AfD një gënjeshtër të fryrë tej
mase.
Skandali “Ibiza” e rrëzoi
koalicionin
Skandali i ish-kryetarit të partisë, FPÖ,
Heinz-Christian Strache, që i ofroi favore një mbese të një gjoja oligarku rus,
nuk luajti rol parësor në fushatë. Videoja e regjistruar në fshehtësi në Ibiza
shkaktoi një tronditje të madhe në Austri duke sjellë rrëzimin e koalicionit të
konservatorëve me populistët nën Sebastian Kurz. Pas skandalit, Kurz u detyrua
të largojë edhe ministrin e Brendshëm të FPÖ, Herbert Kickl. Pas kësaj, FPÖ u
hakmorr duke kërkuar një mocion mosbesimi për kancelarin, gjë që solli rrëzimin
e tij dhe hapi rrugën për zgjedhje të reja. Partia populiste e djathtë e sheh
veten si viktimë të një „bande kriminale”. Lidhur me skandalin e
regjistrimit të videos qarkullojnë disa teori konspirative.
Kurz kryeson
Fundi jo i lavdishëm i koalicionit të partisë
konservatore, ÖVP dhe djathtistëve të FPÖ nuk e ka dëmtuar ish-partnerin
konservator. Sipas sondazheve të fundit, Sebastian Kurz me një ÖVP të prerë si
me masë për të, kap vlerat e 33-35 %. Ai me gjasë ka për të marrë më shumë vota
se në zgjedhjet e fundit, dhe mund të bëhet me distancë forca kryesore. FPÖ që
ende duhet të luftojë me veten, nëse duhet ta nxjerrë jashtë delen e zezë me
emrin, Heinz-Christian Strache mund të kapë 21-23%. Asaj i duhet të luftojë me
socialdemokratët, që në sondazhe renditen me 25-23%, për të zënë vendin e dytë.
Akuza të reja kundër Strache
Ndërkohë po zhvillohen hetime kundër
ish-kryetarit të përfshirë në skandal, FPÖ, Heinz-Christian Strache. Dyshohet,
se ai së bashku me gruan, sekretaren dhe truprojën e tij kanë keqpërdorur fonde
dhe kanë marrë para nga oligarkë të dyshimtë nga Europa Lindore. Truproja e tij
ka pranuar të flasë dhe madje luan rol edhe në aferën e Ibizas. Megjithëse
brenda FPÖ-së tani po nxirren në shesh shumë të palara, kryesia mbetet e qetë.
„Ne kemi shumë votues tradicionalë që mbeten besnik”, tha një funksionare
e lartë së fundmi.
Mes partive të vogla mund të gëzohen Të
Gjelbrit. Ata pritet të kapërcejnë këtë herë pengesën e 4% dhe të futen në
parlament, në të cilin ishin pjesë deri në vitin 2017. Kjo falë temës qendrore
të ndryshimit të klimës, thotë kreu i të Gjelbërve austriakë, Werner Kogler.
Slloganet e fushatës
Duelet televizive gjatë fushatës
përgjithësisht ishin paqësore. Kreu i ÖVP-së, Sebastian Kurz i dha vetes
imazhin e djalit të thjeshtë nga fshati. Ai nuk harronte të përmendte, se tek
gjyshërit në një zonë fshatare me dëshirë ka përkëdhelur dhitë. Dikur ishte e
rëndësishme për të, të theksonte, si ishte rritur në një lagje punëtorësh në
Vjenë. Por në këtë fushatë bëhet fjalë për vendin, identitetin dhe distancimin
populist nga të ashtuquajturat elita. Slogani i fushatës zgjedhore të ÖVP-së
ishte „Ne duam sërish kancelarin tonë!” Austria me sa duket do atë që
njeh, nuk do eksperimente.
Në një duel të drejtpërdrejë me Sebastian
Kurz, kandidatja kryesore e socialdemokratëve, SPÖ, Pamela Rendi-Wagner u tall
me ndryshimin e imazhit të Kurz. Ai ia ktheu, se njeriu mund të rritet në dy
vende. Kandidatja socialdemokrate megjithëse është larg ÖVP-së me vota, vendos
optimizimin si kredo të fushatës. Sllogani i socialdemokratëve : “Yes, we
Pam!”
Koaltion mes konservatorëve dhe populistëve
të djathtë?
Sebastian Kurz para zgjedhjeve nuk ka bërë
asnjë premtim për koalicion. Nga qarqet e tij thuhet, se bashkëpunimi me FPÖ
është shumë i vështirë për të, pasi është personalisht i zhgënjyer. Por krijimi
i një koalicioni tjetër duhet të jetë po ashtu i vështirë. Një rifreskim të
aleancës dhjetëravjeçare ÖVP me SPÖ nuk e do asnjë palë. Për një mazhorancë me
Të Gjelbrit, të cilin Sebastian Kurz mund ta përfytyronte, nuk do të mjaftonte.
Me ndoshta një rezultat 8% ambientalistët janë shumë të dobët. Kurz madje ka
pranuar, se mund të arrihet edhe tek një qeveri e drejtuar nga
socialdemokratët, nëse partitë e vogla, Të Gjelbrit, partia liberale Neos,
Lista Pilz dhe SPÖ shtojnë votat në këto zgjedhje.
Nga ana përmbajtësore, Sebastian Kurz nuk do
kishte shumë rezerva të bënte koalicion me populistët e djathtë. Në çështjen e
migracionit të dyja partitë janë të një mendimi: Bëhet fjalë për dashurinë për
vendin, për identitetin austriak. Këto fjalë nuk janë të huaja për Sebastian
Kurz. Por ai sheh disa pjesë të FPÖ-së si shumë të afërt me grupime ekstremiste
të djathta, si lëvizja identitare. Kreu i FPÖ-së i mohon lidhje të tilla dhe i
relativizon ato. Po ashtu për Sebastian Kurz është një halë në sy edhe
ish-ministri i Brendshëm, Herbert Kickl. Ai është nr 2 tek populistët dhe në
një parlament të ri mund të bëhet kryetar i grupit parlamentar. Kurz duhet
pastaj të bashkëpunonte me të. „A do të bënit koalicion me blutë (simboli i
partisë FPÖ, shën.red.), nëse Kickl nuk do të ishte”, e pyeti një
moderatore e televizionit Puls, ish-kancelarin. Përgjigja e tij ishte: „Në
fillim votohet, pastaj të shohim.”/DW/