Aleatët: dum prap protesta

Në selinë blu të Partisë Demokratike, kreu i saj Luzlim Basha ka zhvilluar një takim me aleatët. Takimi vjen një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilën opozita refuzoi të merrte pjesë. Basha ka zhvilluar takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili, kreu i PAA, Agron Duka dhe Kreu i PR, Fatmir Mediu dhe anëtaren e Kryesisë së PDIU, Mesila Doda. Takimi mendohet se vjen për të diskutuar në lidhje me aksionin dhe qëndrimin që do të mbajë opozita pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

E para që doli nga takimi ishte Kryemadhi, e cila nuk tha asgjë në lidhje me skenarin e opozitës se çfarë do të ndodhë më tej, por shtoi se çdo gjë do të ndodhë hap pas hapi. “Të gjitha do të vijnë hap pas hapi, e rëndësishme është që 85% e shqiptarëve i thanë jo Edi Ramës. Çdo gjë ka rënë, çdo gjë është ilegjitime”.

Pas saj doli Mesila Doda e cila tha se zgjedhjet e 30 qershorin vërtetuan atë që opozita kishte thënë prej kohësh. Ndërsa e pyetur nga gazetarët nëse opozita do të dal sërish në protesta, Doda tha se protestat nuk kanë ndaluar kurrë. “Zgjedhjet e kësaj radhe vërtetuan qëndrimin tonë prej kohësh. Do nisni protestat? Besoj se kjo është një nga vendimet që do të merret në vijim, por protestat nuk janë ndalur kurrë.”

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha para mediat se raporti paraprak  i OSBE/ODIHR tregoi  se në zgjedhjet e së dielës asnjë nga kushtet nuk është plotësuar. “ Raporti i OSBE tregon se nuk është plotësuar asnjë kusht. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur . Shqiptarët refuzuan qeverisjen e korruptuar dhe zgjedhjet farsë. ” – tha Mediu

Lidhur me kontradiktat e shifrave që ka dhënë KQZ-ja, Mediu u shpreh se çdo gjë që i shërben procesit dhe bën transparencë. “Nuk më ka shkuar mendja tek hapja e kutive. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur dhe mendoj se kjo është detyra e opozitës dhe forcave të opozitës për të parë realisht se çfarë ka ndodhur në mënyrë që ne të garantojmë elementë për zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Mediu.

Pas përfundimit të votimeve, ditën e diel, Basha doli në një konferencë për shtyp duke e cilësuar atë si fitore të demokracisë pasi “85 % e qytetarëve i bojkotuan zgjedhjet farsë dhe monopartiake të Kryeministrit Rama.”  Vetëm 2 minuta pasi Basha mbaroi fjalën e tij për mediat të dielën në mbrëmje, Kryeministri Rama i bëri ftesë duke i shtrirë dorën për arritjen e një marrëveshje pa kushte, për të ardhmen e vendit. Të gjithë tashmë janë në pritje të qëndrimit të kryedemokratit Basha.

Basha për Al Jazeera: Të tronditur nga mosreagimi i ndërkombëtarëve

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një intervistë për Al Jazeera të transmetuar të dielën (30 qershor) ka sulmuar faktorin ndërkombëtar që edhe pse u publikuan përgjimet e BILD nuk i dënoi lidhjet e qeverisë me krimin. Basha thotë se kjo situatë e rrezikshme çon në trazira civile në Shqipëri.

“Shqipëria është e tronditur nga mosreagimi i ndërkombëtarëve për provat që lidhin Ramën  me krimin e organizuar përmes së cilëve ai rifitoi pushtetin në vitin 2017. Kjo është një situatë e rrezikshme, që çon në trazira civile, trazira sociale, nëse nuk ka një dënim të qartë të farsës e cila tashmë ka ndodhur” – shprehet Lulzim Basha për Al Jazeera.

Në fakt ndërkombëtarët, në rast se i referohemi deklaratës së zv. Ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Palmer ka thënë se përgjimet të hetohen nga institucionet e drejtësisë shqiptare dhe të akuzuarit të vendosen para ligjit.

Kronika e Al Jazeera përfshin edhe një intervistë me kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mzium, që i përket PD-së. Mziu thotë se e vetmja gjë që mund ta nxjerrë atë nga zyra është vota e shqiptarëve dhe jo vendimet e PS-së.

 “E vetmja gjë që mund të më lëvizë nga zyra, është vota e njerëzve dhe jo vendimi i një partie politike.  Ne nuk jemi në Korenë e Veriut dhe nuk jemi më në komunizëm. Unë nuk do të njoh këto zgjedhje”-shprehet kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu për gazetarin e Al Jazeera.

Më tej në kronikë sqarohet se PD ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk merr pjesë në to, ndërkohë që presidenti e ka çdekretuar këtë datë.

Mësohet se kreu i PD-së ka qenë gjatë gjithë ditës së diel në zyrën e tij në selinë blu, megjithëse nuk ka patur asnjë prononcim për mediat.

Akuzat e PD për Dibrën, gati paditë për Bashën dhe Gjunkshin

Akuzat e hedhura nga kreu i PD-së, Luzlim Basha dhe ish deputeti i PD-së Xhemal Gjunkshi, ditën e mërkurës, se në Dibër janë duke u blerë vota dhe se janë shpërndarë armë në qytet duket se do t’i kushtojë të dyve. Ministra e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Policia e Shtetit, kanë vendosur që t’i padisin për shpifje  dhe t’i nxjerrin para gjykatës.

Basha tha se Ministrja e Mbrojtjes se është duke blerë vota në Dibër, duke shpërndarë para me makinat e ushtrisë me targa false. Përmes një deklarate në Facebook, ministrja Xhaçka bëri të qartë se çdo shpifje ka një çmim dhe Basha do të mbajë përgjegjësi për këtë.

“Që Lulzim Basha nuk i mendon e as i kupton pasojat e veprimeve që bën, këtë e mësuam të gjithë, ditën që dogji mandatet dhe e la PD rrugëve. Por, le ta mësojë që veprimet kanë kosto, shpifjet kanë një çmim, kur të shkojë përpara gjykatës për të sqaruar llumin që nxjerr nga goja.”  –  shkruan Xhaçka

Të njëjtat akuza i hodhi edhe ish deputeti  i PD-së Xhemal Gjunkshi, ku aludonte se Policia e Dibrës ka shpërndarë armë në qytet. Në rastin e tij, padia do të bëhet nga Policia e Shtetit, e cila i ka cilësuar fake news dhe do të përballet me Gjunkshin në gjykatë.

“Kjo deklaratë është krejtësisht një shpifje e ulët dhe plotësisht e fabrikuar. Policia e Shtetit e hedh poshtë me përbuzje një deklarim të tillë, që në fakt të vetmin reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë. Aty ai do të duhet që përpara ligjit të sqarojë motivet e kësaj insinuate të ulët.” –  shkruhet në reagimin e Policisë.

Basha e Balla përplasen për vëzhguesit e KiE. Nuk kanë ardhur as në zgjedhjet e 2017

Tërheqja e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së nga zgjedhjet e 30 qershorit, shikohet nga kreu i PD-së, si një sinjal i ndërkombëtarëve se këto zgjedhje janë të paligjshme. Por ndryshe shprehet kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i cili thotë se KiE nuk ka pasur vëzhgues as në zgjedhjet e 2017 dhe mosprania e tyre nuk ndikon aspak në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-së që është edhe institucioni më i lartë i monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve.

“Sot bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.

Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Basha në një deklaratë për mediat të mërkurën. Deklaratë kjo që u zhvlerësua menjëherë nga kreu i deputetëve të PS-së, Balla i cili tha se Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE është një strukturë e Këshillit të Evropës dhe nuk është i gjithë Këshilli dhe se ata nuk kanë pasur vëzhgues as në zgjedhjet e vitit 2017. “Është një strukturë e KE por jo e gjithë KE. Vendimi nuk prek raportin përfundimtar të OSBE-së. OSBE, zonja Glover ndodhet në Shqipëri në krye të misionit të vëzhguesve. Raporti i OSBE ka rëndësi për monitorimin e zgjedhjeve”, tha Balla.

E në fakt shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE në Tiranë, Glover ka vazhduar punën e saj për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Gjatë të mërkurës ajo ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PD-së, Basha, pavarësisht faktit se ai ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Gjithsesi ajo ka premtuar se do të raportojë në mënyrë teknike, të paanshme dhe pa ndikuar, të gjithë procesin zgjedhor.

Kush janë 3 kryebashkiakët e PD-së që kanë punuar, sipas Ramës

Sipas kryeministrit Rama, vendimin e saj për të mos u futur në garën e zgjedhjeve PD po lë pa të drejtë pa punë, 3 kryebashkiakë të saj që kanë bërë punë.

Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë takimit me banorët e Njësisë Administrative Nr. 5 në Tiranë, teksa tha se kryebashkiaku i Tropojës, i Devollit dhe i Përmetit duhet të ishin në garë.

“Kush i nxori këta nga zgjedhjet, ne i nxorëm. Ai Besniku në Tropojë ka punuar. Pse e nxore nga gara jepi përgjigje? Atij të Devollit, jepi përgjigj, atij të Përmetit pse e nxore nga gara. Është e pa imagjinueshme nuk konceptohet dot, shko pra futu në garë. Ata po lënë pa punë edhe presidentin, edhe ai po i bie këmbës ta heqin nga puna”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu i kërkoi Veliajt që të rikonstruktojë Kopshtin Zoologjik dhe teatrin e Kukullave gjatë mandatit të tij të dytë.

“Shiko, Kopsht Zoologjik, Teatrin e ri të Kukullave për fëmijë duhet t’i bësh. Piramida është duke u bërë”, theksoi kryeministri.

ERTV Live😊: Me banorët e Njësisë Administrative Nr.5 TIRANË #30QERSHOR🌹 ⭐BASHKIA QE DUAM⭐ SHQIPERIA🇦🇱QE🇪🇺DUAM

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 26. Juni 2019

Nga lufta me molotov te braktisja e zgjedhjeve, si u shfry Basha-Meta

Të gjithëve na kujtohen sesi nisën me molotov, shashka e tymuese protestat e opozitës. Na kujtohen edhe gishtat e këputur të polices Ina Nuka në protestën e nëntorit, e cila ndodhej në detyrë në mbrojtje të institucionit të parlamentit ku një protestues i opozitës i hodhi shashkën që i dogji gjysmën e dorës. Dhjetëra policë kanë mbetur të plagosur gjatë asaj proteste. Të gjithë mbajmë mend zjarrin mbi kryeministri në protestën e 16 shkurtit dhe protestuesit që u përpoqën të thyenin portën e blinduar.

Kështu nisën protestat e opozitës deri tek kjo e fundit (21 qershor), që u shndërrua në një shëtitje në bulevard.

Nga thirrjet për revolucion, cunam, mosbindje civile deri tek dorëzimi i së martës i presidentit i cili gati sa nuk ngriti duart lart, kur tha se “nuk kam çfarë t’i bëj 30 qershorit”, ndërsa në mbrëmje Basha bëri lutje për braktisje të zgjedhjeve.

“Mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, është braktisja e oborrit të tij të kriminelëve, të klientëve, shërbëtorëve dhe veglave të tij. Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht! Unë ju ftoj që t’i braktisni!

Ju ftoj që të mos dilni të mos bëheni pjesë e kësaj farse, e cila i shërben vetëm krimit dhe pushtetit personal të Edi Ramës. Ju ftoj edhe juve të bëni tuajën duke i braktisur”, kështu tha Basha të martën në mbrëmje, një fjalim që ngjante më shumë si lutje drejtuar shqiptarëve.

Siç realstory ka shkruar, presioni i fortë ndërkombëtar bëri që opozita dhe presidenti të zbuteshin dhe të ndryshonin qëndrim. Gjatë ditës së martë përfaqësuesja e lartë e SHBA dhe ambasadori i BE-së, Soreca qëndruan mbi 1 orë në zyrën e Bashës dhe ia bënë të qartë mesazhin: Në Shqipëri nuk ka më vend për luftë me molotov. Nuk mund të merret pushteti duke bërë njerëzit kamizakë. Në Shqipëri zgjedhjet do të bëhen ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe këtë e di shumë mirë tashmë si Basha ashtu dhe Meta të cilët e treguan me zë dhe me figurë se tashmë janë të dorëzuar./realstory.al

Rama i përgjigjet Bashës: Drejtësia do tregojë të vërtetën e çorbës që gatove

Kryeministri Rama i është përgjigjur kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili e akuzoi se ka marrë një nga avokatët më të shtrenjtë për padinë e tij kundër BILD duke e paguar me paratë e krimit. Në një deklaratë për mediat, mbrëmjen e së martës, Basha akuzoi kryeministrin Rama se me paratë e krimit do të padisë gazetarin gjerman Peter Tiede, pse i publikoi lidhjet e tij me krimin elektoral.

Përmes një reagimi në Twitter, Rama thotë se gjyqi do bëhet në Gjermani dhe se faturat do publikohen në Shqipëri. Rama tha se drejtësia do të nxjerrë të vërtetën për çorbën e prishur të përgjimeve që u gatua në selinë e PD.

Se kuptove kurrë o njish që është shah politika,jo kukamçefthi as topa luftash,po mos u mërzit! Gjyqi do bëhet në Gjermani,faturat do publikohen në Shqipëri dhe e vërteta për tërë atë çorbë të prishur që gatuat,për ta helmuar këtë vend e miqtë e tij,do dalë e plotë. Gjermanisht”

Gjithashtu Rama nuk la pa përmendur faktin se Basha në vend që të merret me “krimin që paguan avokatin gjerman” të ruaj vetën pasi është i pandehur për qindra-mijëra euro ruse.

“Artist,ti nuk zhgënjen kurrë,je njish!Je i pandehur për qindra-mijëra euro ruse a dreqi e di ç’janë,të cilat po dreqi e di sa versione do sajosh deri në gjyq për t’i justifikuar dhe del e bilbilon për krimin që do paguaka avokatin gjerman për të luftuar lirinë e medias në Gjermani.”

EXCLUSIVE/ PD, “paqe në 30 qershor”. Por problem mbetet Berisha…

Dita e zgjedhjeve do jetë një ditë e qetë, pavarësisht çfarë thotë Partia Demokratike me retorikë dhe shkresa. Selia Blu i ka dhënë garanci ndërkombëtarëve, që 30 qershori nuk do të ketë dhunë dhe incidente të shkaktuara prej saj. Megjithëse PD nuk heq dorë nga mospranimi i zgjedhjeve dhe ka mobilizuar gjithë kryetarët e bashkive të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor. Kreu i saj i ka dhënë garanci ambasadorëve Leyla Moses-Ones dhe Soreca që trokitën të martën në zyrën e tij. Por ambasadorët kanë patur edhe një mesazh për Ramën: jo festë e fishekzjarre të dielën dhe të hënën.

Të dy ambasadorët kanë shkuar te Rama e Basha pas takimit që u mbajt në orën tetë të mëngjesit të të martës, siç edhe Realstory.al kishte lajmëruar një ditë më parë. Ambasadorët e BE, OSBE, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë, janë takuar për më shumë se një orë në zyrën e ambasadorit britanik në Rrugën e Ambasadave. Takimi sipas burimeve brenda tij do të prodhojë një deklaratë të përbashkët, ku do t’i kërkohet palëve të sigurojnë zgjedhje të qeta në 30 qershor, një mesazh ky direkt për Bashën si dhe në funksion të paqes dhe qetësisë, jo festë e fishekzjarre nga pala tjetër, një mesazh ky për Ramën. Burime diplomatike i pohojnë Realstory.al se i vetmi qëndrim “ndryshe” ka qenë ai i Britanisë, i cili ka “kërcënuar” të tërheqë vëzhguesit britanikë nga Veriu i vendit, nëse nuk garantohet siguria e tyre.

Soreca më pas është bashkuar me zonjën Moses-Ones , (SHBA nuk janë bashkuar tryezës, pasi qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, për të mos pasur negociata, pa pasur një proces pa dhunë e incidente në 30 qershor), e më pas i janë drejtuar zyrave të Bashës e Ramës. Sipas burimeve diplomatike Basha i ka siguruar ambasadorët se e ka marrë mesazhin e qartë dhe se dhuna verbale e 24 orëve të fundit është “për të mos humbur entuziazmin e bazës”, e cila mund ta interpretojë si humbje, mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat u vetëpërjashtuan e që po mbahen me Ramën (akoma) kryeministër.

Por duket se shpresat për një dialog politik pas një 30 qershori të qetë, pa incidente e festa, janë shtuar. Ambasadorët kanë diskutuar sërish mundësinë e ardhjes pas zgjedhjeve të një të Dërguari të Posaçëm, i cili të nisë ndërmjetësinë mes palëve. Momenti më delikat është ai i një takimi Basha-Rama, pas refuzimit të prerë të të parit për të bërë një gjë të tillë, sa kohë Rama është kryeministër. Por duket se edhe këtu është gjetur një dakordësi “teknike”. Fillimisht do të realizohet takimi i Bashës me një politikan socialist të “pranueshëm” për të, e më pas edhe takimi me Ramën.

Dihet se Basha ka një miqësi me Pandi Majkon, me të cilin është takuar edhe në 2017, gjatë periudhës së çadrës në Rogner. A thua dhe pajtimi do kalojë sërish mes duarve të tij?

Rëndësi ka që pavarësisht çfarë thuhet e shkruhet, palët do përpiqen (s’kanë ku shkojnë) të sillen mire dhe urtë në 30 qershor, një datë që është e rëndësishme më shumë për ndërkombëtarët, sesa ata vetë. Puna më e madhe i mbetet Bashës, të cilit përveçse me të vërtetën si zakonisht, i duhet të përballet dhe me linjën e ashpër Brenda PD të përfaqësuar nga Berisha e që ka jo pak mbështetje. Burime diplomatike të konfirmuara edhe nga vetë Brenda PD, flasin se Basha e Berisha nuk përjetojnë ditët më të mira mes tyre. 30 qershori ndoshta do të jetë provë edhe për këtë: nëse Basha e ka apo jo në kontroll Partinë. Nëse s’ka incidente i bie që meqë s’mundi Ramën, së paku të mundë Berishën dhe tu tregojë ndërkombëtarëve se e “vrau” babën e vet. Nëse në 30 qershor në PD triumfon linja e dhunës dhe e forcës, atëherë Lulzim Bashën nuk ka askush që ta shpëtojë. As Berisha, as ndërkombëtarët dhe as Rama vetë!/ Realstory.al

Negociatat, ambasadori italian në zyrën e Bashës, një ditë pas protestës

Ambasadori italian, Alberto Cutillo mësohet se ka zhvilluar të shtunën një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Ky takim vjen një ditë pas protestës paqësore të PD-së. Por pavarësisht se protesta ishte paqësore Basha ishte agresiv në fjalën e tij duke bërë thirrje që beteja të vazhdojë dhe duke mos pranuar negociata me Ramën kryeministër.

Mendohet se ky takim i ambasadorit është në vazhdën e negociatave që pothuajse të gjithë ndërkombëtarët kanë ndërmarrë në vend për zgjidhjen e krizës, pavarësisht se takimet po zhvillohen larg syrit publik.

Ambasadori italian, Cutillo ka qenë në të njejtën linjë qëndrimi me ndërkombëtarët e tjerë. Ai ka bërë thirrje për protesta paqësore, distancim nga dhuna dhe ulje për dialog mes palëve.

“Ambasada e Italisë në Tiranë shpreh shqetësim të thellë për episodet e dhunës që kanë ndodhur së fundmi në disa rajone të Vendit. Çdo akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve për të garantuar që demonstrimet të zhvillohen në mënyrë të sigurtë, për pjesëmarrësit dhe për të gjithë qytetarët e Tiranës, si dhe për të shmangur çdo formë përshkallëzimi gjatë protestave. Përdorimi i lëndëve shpërthyese apo çfarëdo sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është absolutisht i papranueshëm. U bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të mbështetur e konsoliduar përparimin që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave”, shkruhet në deklaratën e ambasadës italiane para protestës.

Basha, 4 kushte. Por “Rama ik!” humb vendin e parë

Kreu i demokratëve Lulzim Basha pas fjalimit 40 minutësh në protestën e së premtes, e nisi këtë të shtunë duke përsëritur kushtet për zgjidhjen e krizës.

Ai ka postuar në Facebook fotot nga protesta e një nate më parë, ndërsa thekson se s’do bëjë pazare por të zgjidhur krizën, porse ajo do të zgjidhet vetëm mbi parime. Por parimet sipas tij janë 4: burg për hajdutët e votave, largimi i Ramës, reformë të thellë politike dhe zgjedhjet të lira e të ndershme.

“Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek ndryshimi që po vjen.

Kjo krizë do të zgjidhet jo mbi pazare, por mbi parime. Rruga për të dalë prej saj kalon përmes standardeve europiane: Para drejtësisë hajdutët e votave, largimi i Edi Ramës, reformë e thellë politike, dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

30 qershori është varreza politike e Edi Ramës dhe Organizatës Kriminale të Rilindjes. Largimi i tij është vetëm fillimi.

Ne duhet të ndryshojmë thellësisht politikën dhe ekonominë bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive të Perëndimit, që kurrë më, askush të mos marrë peng të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre duke shkrirë në një shtetin me krimin dhe oligarkinë.

Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë njëherë e përgjithmonë që Shqipëria të mos jetë më ajo që duan këta, Edi Rama, kriminelët, politikanët dhe oligarkët grabitqarë, por të jetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve” shkruan Basha një ditë pas protestës.

Bie në sy se ndryshe nga fjalori luftarak i të premtes në mbrëmje, kreu demokrat flet per marrëveshje dhe reforma. Ikja e Ramës vazhdon të konsiderohet kusht, por ka humbur vendin e parë në klasifikimin e kërkesave të Bashës. Me sa duket në tregun e presioneve politike, kjo është arma e vetme negociuese e kryeopozitarit, përballë këmbënguljes së Ramës për të mbajtur zgjedhjet në 30 qershor, pa pranuar qoftë edhe një shtyrje, sa për sy e faqe dy javore në 14 korrik.

Jo më kot Partia Demokratike “u kujdes” që të nxirrte të premten në mbrëmje ne media se “në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë dhe ish grupit parlamentar, Basha ka kërkuar që të merren masat dhe të mos lejohet zhvillimi i zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai u ka kërkuar kryetarëve të bashkive të djathta që të hënën të revokojnë listat e zgjedhësve. Por kështu mësohet se Basha ka kërkuar që të përsëritet skenari i Shkodrës dhe të ketë protesta në çdo takim elektoral të Ramës gjatë gjithë javës në vijim deri në zhvillimin  e zgjedhjeve në 30 qershor”.

Por ndërkohë LSI dhe Monika Kryemadhi u distancuan që para protestës nga dhuna mbi KZAZ. Skema e policit të mirë apo policit të keq, apo secili tani ka nisur pazarin e vet? /realstory.al/

Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek…

Gepostet von Lulzim Basha am Samstag, 22. Juni 2019
Skip to toolbar