Petrelë, Veliaj “sulm” nga kalaja: Basha vendos për dhunën. Protesta në paqe e provoi”

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vazhdoi të shtunën fushatën elektorale duke zhvilluar një takim banorët e Petrelës, Krrabës dhe Bërzhitës, nga ku komentoi protestën e së premtes të opozitës.

“Dje pashë protestën e tyre. Falë ndërhyrjes energjike të SHBA, BE, OSBE dhe vendeve anëtare, protesta nuk degjeneroi në dhunë. Ndaj, urime Lulit, do të thotë që e paskan mundësinë të sillen si njerëz, e paskan aftësinë të sillen si qytetarë, e paskan të gjithë shansin që njerëzit e tyre të mos i trajtojnë si një kope që thotë: Skape kryeministrin, skape Parlamentin, skape Bashkinë! Pra, Partia Demokratike ka fuqi t’i trajtojë njerëzit me dinjitet. Një parti që për 9 protesta me radhë i trajtonte njerëzit si Balo dhe Lordi, skape Balo, skape Lordi! Në PS i trajtojmë njerëzit si njerëz dhe jo si kope për t’iu sulur godinave, jo si kope për të shkatërruar pronën publike, jo si kope për të djegur shkollat. Në momentin që i shikon njerëzit si të lidhur me litar, skape Lordi, skape Balo, skape Xhina, do të thotë që s’ke respekt për njerëzit. Fakti që një ditë u thua, nesër do ju shqyejmë dhe pastaj kur dikush bërtet i lidh me zinxhirë, do të thotë që i trajton njerëzit si të dorës së dytë, si mjete, si vegla për të kapur ti pushtetin, por jo për t’i respektuar, se një lider politik nuk u thotë njerëzve skape për institucionet. Për të gjithë ju, që sot keni lënë partinë e Balos, Lordit, Xhinës dhe keni ardhur në një parti ku njerëzit nuk trajtohen si qenë, por trajtohen me respect, mirëserdhët në familjen socialiste!”, u shpreh Veliaj.

Me pak fjalë Veliaj thotë se dhuna në protestat e kaluara të opozitës është bërë me bekimin e Bashës dhe drejtuesve të tjerë të opozitës, por mesa duket tani ndërkombëtarët nuk do të lejojnë përsëritjen e të tilla skenave.

Tërheqja e opozitës ndodhi pas reagimit të ashpër të SHBA dhe BE të cilët bënë apel që të shmangen aktet e dhunës, ndryshe organizatorët e protestës do të mbajnë përgjegjësi. Madje më herët ambasada amerikane ka përmendur dhe një listë të zezë për të gjithë ata persona që sulmojnë institucionet, dhe protestojnë përmes dhunës. Presioni i fortë ndërkombëtarë bëri që opozita të zhvillonte një protestë paqësore pas 5 muaj dhune me molotov e shashka.

Plani i ri i PD, pas sulmeve në KZAZ: tani revokim të listave të zgjedhësve

Opozita zhvilloi të premten në mbrëmje protestën e saj të 9 e cila ndryshe nga të tjerat ishte paqësore duke mos pasur molotovë, shashka apo tymuese, fiks ashtu sikurse e kishte premtuar kreu i PD-së, Basha, çka tregon se nëse liderët duan, gjithçka është e mundur të kontrollohet.

Por pavarësisht se gjithçka shkoi qetë, i vetmi që dukej agresiv në sheshin e ndriçuar me dritat e “shpresës”, ishte kreu i saj Basha. Teksa të gjithë prisnin një tërheqje apo zbulimin e një strategjie për t’i dhënë zgjidhje krizës, Basha u shfaq me një retorikë agresive që të kujtonte paraardhësin e tij Berishën.

Nuk dihet ende se pse Basha nga thirrjet për paqe e marshim të njerëzve të lirë, ndryshoi strategji dhe bëri thirrje për betejë deri në fund.

Pas protestës ai mblodhi strukturat drejtuese të PD, kryesinë dhe ish grupin e deputetëve. Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se ai ka dhënë porosi për lëvizje të ashpra. Pra pas sulmeve të KZAZ-ve tani porosia për bashkitë e djathta është revokimi i listës së zgjedhësve.

Basha mësohet se ka kërkuar nga kryetarët e bashkive të drejtuara nga opozita që ditën e hënë të nxjerrin urdhrin për revokimin e listave të zgjedhësve në qendrat e votimit.

“Jemi më afër se kurrë largimit të Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze”, është shprehur ai në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Ndërkohë që një tjetër porosi është që Rama të mos lejohet të zhvillojë takimet elektorale në qytetet ku do të shkojë. Pra përsëritja e një skenari të ngjashëm me Shkodrën.

Ndoshta Basha priste një tërheqje të Ramës dhe kur ky i fundit tha se nuk negocion afatet kushtetuese, Basha ndryshoi qëndrim duke  vazhduar me skenarë dhune. Të presim të hënën për të parë lëvizjen e opozitës.

“Zjarr, zjarr” gjithë javës. Po sot çifti Basha në protestë “grurë, grurë”

Mbrëmjen e së premtes (sonte, 21 qershor), opozita do të zhvillojë në Tiranë protestën e radhës. Por ndryshe nga sa nisi kjo javë, me zjarr e sulme ndaj KZAZ-ve, protesta do të jetë paqësore. Të paktën kështu premtoi vetë kryetari i opozitës Lulzim Basha të enjten në mbrëmje, teksa deklaroi se ai vetë do të marrë pjesë në protestë së bashku me gruan dhe dy vajzat. Si për të dhënë garanci se nuk do të lejojë akte dhune.

Krejt ndryshe nga pamjet e së martës në Shkodër ku militantë të PD-së dhe punonjës bashkie i vunë flakën shkollës dhe materialeve zgjedhore për të kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.

Por çfarë e trembi Bashën? Pse u tërhoq lideri i opozitës nga sulmet me zjarr ndaj KZAZ-ve? Sigurisht që ndërkombëtarët.

Paraditen e së enjtes ai priti në zyrë ambasadorin britanik Duncan Normal me të cilin mësuam se ndenji jo pak por dy orë.

Megjithëse nuk pati asnjë reagim për mediat, me shumë gjasa palët kanë folur për situatën politike në vend dhe për thirrjen e pakompromistë të ndërkombëtarëve që t’i jepet fund akteve të dhunës.

Këtë e tha shumë qartë dhe ambasada amerikane mbrëmë në darkë. Në një deklaratë për mediat shumë pak minuta para se Basha të premtonte protestë paqësore, SHBA-të nxorrën deklaratën përmes të cilës i drejtuan gishtin organizatorëve të protestës që të mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen e saj.

“Iu bëjmë thirrje organizatorëve të protestës së nesërme që të mbajnë përgjegjësi përballë po të njëjtave parime, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”, mbyllte deklaratën ambasada.

Siç duket Basha e lexoi dhe e kuptoi drejtë deklaratën e SHBA-së. Të presim a do ta mbajë premtimin sonte.

Ambasadori britanik, në zyrën e Bashës një ditë para protestës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman zhvilloi paraditen së enjtes një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha në selinë blu.

Megjithëse nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me këtë takim, mendohet se në qendër të bisedës ka qenë situatë konfiktuale politike, qëndrimi i opozitës që ka nxitur sulmin e KZAZ-ve në bashkitë që drejtohet prej saj, por edhe protesta e së premtes e thirrur nga PD-LSI.

Ndërkombëtarët më herët kanë dënuar aktet e dhunës në protestat e kaluara të opozitës, ndërsa kanë bërë thirrje për zhvillimin e protestave paqësore.

Ambasada Amerikane por edhe prezenca e OSBE-së kanë bërë thirrje që të shmangen aktet e dhunës të cilat nuk janë shprehje të demokracisë. Mendohet se edhe ky takim i ambasadorit britanik me Bashën lidhet pikërisht me këtë qëndrim të ndërkombëtarëve.

Russia Gate, Basha shkon me këmbët e veta, i pandehur para prokurorëve.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është paraqitur paraditen e së mërkurës në Prokurorinë e Tiranës për t’u njohur me akuzën për lobimin e PD-së me paratë ruse në SHBA. Afati i fundit i vënë nga prokuroria ishte data 20 qershor, pra dita e enjte dhe më pas ai do të merrej me forcë. Por kreu i PD-së vendosi të shkonte vetë dhe pasi u njoh me akuzën tha për mediat se prokuroria nuk ka asnjë provë kundër tij.

Basha gjithashtu kërcënoi qeverinë se do të publikohen nesër në BILD të tjera përgjime kundër saj.

“Arsyeja e vetme që unë jam këtu është që të shërbej si shpërqëndrim për ju për skandalet nga Bild  dhe ato që do plasin nesër. Kjo është arsyeja e vetme. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe, apo shtesë që nga 25 marsi kur unë isha këtu herën e fundit. Ma konfirmuan këtë zyrtarisht. Kjo akuzë është e montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës.

U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, asnjë transaksion parash për pastrim parash, nuk ka asnjë rus të vetëm. Është akuzë e formuluar me qëllim për të shpërqëndruar shqiptarët nga skandalet e BILD-it dhe skandalet që do plasin nesër po nga Bildi”, tha Basha pasi doli nga prokuroria.

Basha së bashku me dy zyrtarë të tjerë të PD-së, akuzohen për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.

Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.

Lobimi rus në SHBA, Arben Ristani paraqitet në Prokurori, ndryshe nga Basha

Ish sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani është paraqitur të martën në prokurorinë e Tiranës pas fletë-thirrjes për lobimin e PD-së me paratë ruse në SHBA.

Ristani i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së prokurorisë, dhe si jurist që është, duket se e lexon ndryshe nga Basha shkresën e prokurorisë. Ky i fundit refuzoi të hënën që të paraqitej në prokurori duke thënë se shkresa ishte në shkelje me ligjin.

Përmes një letre Basha tha se do të paraqitej në prokurori kur fletë-thirrja të ishte në përputhje me ligjin ndërsa përmendte dy nene që sipas tij, ai duhet të njihej edhe me faktet që disponon prokuroria për lobimin e tij në SHBA, në një kohë kur hetimi po kryhet në bashkëpunim me FBI-në.

Gjithësesi prokuroria reagoi sërish gjatë ditës së hënë duke i lënë afat Bashës deri më 20 qershor dhe në rast se nuk paraqitet sërish, do të përdorë forcën dhe mesa duket i vetmi që e lexon siç duhet këtë është Arben Ristani i cili është paraqitur të martën në prokurori.

Akuza e Euractiv: Meta dhe Basha po e nxjerrin Shqipërinë nga binarët (europianë)

Prestigjiozja Euractiv që shkruan kryesisht për zhvillimet në BE, këtë herë i ka dedikuar një artikull shpresave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave në BE. Por ajo që bie në sy është analiza e situatës aktuale politike në vendin tonë. Euractiv shkruan se “presidenti i Shqipërisë po bën më të mirën për të nxjerrë Shqipërinë nga binarët e anëtarësimit në BE”, si dhe shpjegon bashkëpunimin e Metës me Bashën, ndërsa të dy i cilëson aleatë.

Më poshtë lexoni artikullin e plotë të përkthyer nga Euractiv.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të takohen këtë javë, më 18 qershor, dhe sërish Ballkani do të jetë një temë e nxehtë në axhendën e takimit, pasi shumica e politikanëve kundërshtarë e kanë të pamundur të mos e dëmtojnë njëri-tjetrin.

Në një shembull të rrallë zgjidhjeje serioze diplomatike, dy kryeministra të rinj të majtë në Athinë dhe Shkup realizuan këtë vit atë që dukej një mision krejt i pamundur, kur Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev ranë dakord t’i jepnin fund një ngërçi 30-vjeçar lidhur me emrin e vendit në veri të Greqisë, i njohur si Maqedonia që prej viteve 1990.

Shkupi ra dakord t’i jepte një emër të ri vendit duke e quajtur Maqedonia e Veriut për të kënaqur qëndrimin e Greqisë që rajoni i saj i Maqedonisë, me territor dhe popullatë më të madhe sesa dy milionë banorët e vendit me popullsi sllavo-shqiptare,  nuk duhet të mbajë të njëjtin emër si fqinji i saj verior.

Në këmbim, Greqia ra dakord që mbështeste hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Europian. Diplomatët grekë kanë mbështetur gjithashtu në heshtje anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe udhëheqësit politikë të Tiranës dhe Shkupit pritet të hapin bisedimet e anëtarësimit në vjeshtë.

Pranimi i dy fqinjëve të saj si vende anëtare të BE-së zgjeron mundësitë ekonomike të Greqisë. Së paku 650 mijë shqiparë punojnë në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe shërbimeve të Greqisë.

Njëlloj sikurse anëtarësimi i Polonisë dhe shteteve të Europës lindore në BE i ka ndihmuar këto vende të rrisin ekonomitë e tyre dhe të hapin vende pune, efekti përhapës i BE-së për rritjen e standarteve në biznes, shtetin e së drejtës, apo të drejtat e njeriut shpresohet të funksionojë edhe Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Lënia e vendeve të varfëra ballkanike të përkeqësohen edhe më tej jashtë BE-së do të nxiste popullatën e tyre drejt emigrimit të paligjshëm dhe kriminalitetit për shkak të pamundësisë për të hyrë në tregun e BE-së, fondet për investime në infrastrukturë, ndërkohë që politika e korruptuar dhe klanore do ta demoralizonte shoqërinë civile.

Ekziston një kundërshtim në vendet e Europës veriore, veçanërisht nga politikanët nacionalistë dhe myslimano-fobë, të cilët kundërshtojnë faktin se shumica fetare e Shqipërisë është Islami tolerant i epokës otomane. 25% e popullsisë së Maqedonisë së Veriut  janë shqiptarë me trashëgimi myslimane europiane.

Të gjitha këto probleme janë të menaxhueshme, por presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duket se po bëjnë më të mirën e tyre për të nxjerrë nga binarët shpresat e anëtarësimit në BE.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski erdhi në Bruksel javën e kaluar dhe tha që Shqipëria duhej veçuar nga Maqedonia e Veriut në mënyrë që vetëm Shkupi të priviligjohej për të nisur bisedimet e anëtarësimit.

Duke pasur parasysh faktin se kryeministri socialist i shkolluar në Francë, Edi Rama i ka mbështetur fuqimisht përpjekjet e social demokratëve të Shkupit në garën përballë  ultra-nacionalistit Nikola Gruevski, i cili e mbushi Shkupin me statuja madhështore të Aleksandrit të Madh sikur heroi i antikitetit grek të  ishte një sllav i Ballkanit, thirrja e Pendarovskit për të anashkaluar Tiranën ishte një akt  mosmirënjohjeje politike edhe për normat e Ballkanit.

Megjithatë, ai ka edhe ndihmën e kolegut të tij, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Dikur ai ishte mik i Edi Ramës si një nga reformatorët e rinj të partisë socialiste të Shqipërisë të cilët kundërshtuan hapur konservatorin Sali Berisha, i cili ishte ideatori i skandalit të skemës piramidale që shkatërroi kursimet e shumë shqiptarëve dhe bëri shumë pak përpjekje për të luftuar korrupsionin kronik në gjyqësor dhe  biznes që mbizotëroi në Shqipërinë postkomuniste për 20 vite me rradhë.

Por Meta krijoi partinë e tij – tani e udhëhequr nga bashkëshortja e tij – dhe iu desh të dorëhiqej më turp si zëvendëskryeministër në vitin 2010 lidhur me akuzat – të cilat ai i mohon – në lidhje me një bisedë për një pagesë jo të rregullut prej 800,000 €. Rama shpresonte se  duke e bërë  shokun e tij të vjetër president – një pozicion i zgjedhur nga parlamenti – në 2017 do të kishte një aleat pasi Meta ka qenë gjithmonë shumë i angazhuar në integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike si BE dhe NATO.

Megjithatë, Meta ka vendosur të bëhet aleat me Partinë Demokratike në opozitë e drejtuar nga krahu i djathtë i Berishës, Lulzim Basha. Në një përditësim klasik të strategjisë së vjetër të tensionit politik, Basha udhëhoqi deputetët e tij në bojkotin e parlamentit në shkurt dhe organizoi protesta në rrugë, të cilat në disa raste ishin edhe të dhunshme.

Bashkëshortja e presidentit së bashku me partinë e vogël të themeluar nga bashkëshorti i saj mbështeti këtë përpjekje primitive  për të destabilizuar qeverinë. Që nga shkurti Basha ka organizuar protesta të pafundme në rrugët e Tiranës si përpjekje për të treguar se Shqipëria nuk është më nën kontrollin e qeverisë.

Basha akuzoi edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, se po flet gjepura kur ajo u bën thirrje  deputetëve shqiptarë për të miratuar reforma për rivlerësimin e gjyqtarëve në kuadrin e përgatitjeve për anëtarësim në BE.

Basha gëzon mbështetjen e të djathës ekstreme në SHBA dhe përdor një foto të tijën me Donald Trump në të gjitha mediat sociale, si dhe të kujton sulmet alla- Trump ndaj  çdo media në Shqipëri që guxon ta kritikojnë atë. Prokurorët në Tiranë nisën një hetim për një pagesë misterioze prej 625,000 dollarësh që Basha i ka paguar lobistëve amerikanë për një shtërngim duarsh me Trump.

Meta mbështeti strategjinë e tensionit të Bashës duke njoftuar se, si president do të pezullojë zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në fund të qershorit. Arsyeja që ai dha është se partitë e opozitës, përfshirë atë të drejtuar nga bashkëshortja e tij, do t’i bojkotojnë ato.

Qëllimi ishte i qartë – të paraqiste një imazh të Shqipërisë si të paqëndrueshëm dhe të padenjë për t’u parë si një shtet anëtar i mundshëm i BE. Rusia është akuzuar për ndërhyrje për të ndaluar ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, gjë që çoi  Athinën në dëbimin e diplomatëve rusë. Gjëja e fundit që Kremlini dëshiron, është të shohë Ballkanin Perëndimor që të stabilizohet dhe të shndërrohet në vende të varfra, por normale të BE-së.

Rama po lëviz që parlamenti shqiptar ta heqë Metën nga posti i presidentit, pasi ai ka abuzuar ashpër me pushtetin e tij në mbështetje të një përpjekjeje partiake për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur. Por, tani, në këtë rrëmujë, është përfshirë presidenti i Maqedonisë Veriut me kërkesën që Brukseli ta shpërblejë politikën e Bashës për destabilizimin e Shqipërisë nëpërmjet një strategjie klasike të tensionit duke përdorur rrugën për të hedhur poshtë parlamentin e zgjedhur.

Pyetja tani është: A e mban fjalën e saj BE-ja ndaj Tiranës dhe Shkupit apo Brukseli – jo për herë të parë – do ta lerë Ballkanin Perëndimor pa dikë që ta ndihmojë?

Bashës dhe aleatëve u hiqet pasaporta diplomatike

Krerët e opozitës jo parlamentare duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, për ndryshe do të ndalohet në pikat kufitare nga policia. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i PDK Nard Ndoka, kreu i LZHK Dashamir Shehi, kreu i PAA Agron Duka dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule nuk kanë të drejtë më të pajisen me pasaporta diplomatike. Kështu parashikon vendimi i qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019 për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në 14 qershor, duke hyrë në fuqi. Vendimi ndryshon kategoritë personave që kanë të drejtë të pajisen dhe të mbajnë pasaportë diplomatike.

Shqiptarja.com ka identifikuar të gjitha kategoritë e funksionarëve, politikanëve dhe familjarëve të tyre, të cilëve u hiqet e drejta për t’u pajisur me pasaportë diplomatike. Nga lista e re që ka hyrë në fuqi janë hequr edhe kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend apo në qeveri. Vendimi i 1997 parashikonte që pajisen me pasaporta diplomatike edhe “kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Popullor ose në Këshillin e Ministrave”.

Në vendimin e ri është hequr kjo kategori, ndonëse krerët e opozitës e humbën këtë privilegj që kur ‘dogjën’ mandatet, duke i kthyer partitë e tyre politike në jo parlamentare. Gjithashtu me vendimin e ri janë hequr edhe ish-ministrat, duke bërë që Lulzim Basha të humbasë këtë privilegj. Basha e humbet këtë privilegj edhe si ish-ministër, por edhe si kryetar partie. Një privilegj të tillë e humbet edhe Ditmir Bushati dhe të gjithë ish-ministret e Jashtëm. Pasaporta diplomatike u hiqet edhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, bashkëshortëve të ministrave, bashkëshorteve të zëvendëskryetarëve të Kuvendit, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës së Lartë, bashkëshortes/it së Prokurorit të përgjithshëm, bashkëshortes së kryetarit të KLSH etj.

Shpëtojnë Berisha dhe Kryemadhi

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike sipas vendimit të fundit të qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019. Berisha pajiset për shkak të statusit të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit. Sipas vendimit të ri, ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit mund të pajisen me pasaporta diplomatike. Në listën e re, përpos kategorive të tjera, është përfshirë bashkëshortja e Presidentit, duke bërë që këtë privilegj ta gëzojë Monika Kryemadhi. Kjo e fundit e humbet këtë privilegj si kryetare e LSI, por përfiton për shkak se është bashkëshortja e Ilir Metës. Sipas vendimit, mund të pajisjen me pasaportë diplomatike bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit./Shqiptarja.com

Përgjimet e Bild, Basha: Prova se qeveria erdhi nga krimi dhe dhuna

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një konferencë për shtyp në lidhje me përgjimet e publikuara në Bild. Basha i ka cilësuar këto përgjime si provën më të madhe se kryeministri Edi Rama ka ardhur në pushtet nga krimi. “Sot, që çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës.”

Përgjimet e reja të BILD provojnë:

Në fjalën e tij Basha tha se ky rast e bëri të ndihej i trishtuar për dy arsye madhore, e para se ku kemi përfunduar si shoqëri dhe si popull, ku një votë kushton 4 mijë lekë dhe së dyti  se kriminelet dhe banditët kanë pushtuar institucionet e shteti duke dhunuar qytetarët.

“Unë sot ndjehem keq dhe i trishtuar. Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull. Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë. Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë.  Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci.

Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve: Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur. Në këtë shtet edhe nëse ka njerëz të ndershëm –  ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë.’ – tha Basha

Sa vite burg rrezikon Basha për akuzat e prokurorisë

Kreu i PD-së e refuzoi sërish thirrjen e prokurorisë për t’u njohur me akuzat e saj për paratë e përdorura nga PD për lobimin në SHBA.

Lulzim Basha dhe dy funksionarë të lartë të PD-së siç është ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi akuzohen për disa vepra të rënda penale siç janë “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë me mbi 5 vite burg.

Kjo është e parashikuar në nenin 287 dhe 190 të Kodit Penal:

Kodi Penal

Neni 287

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë Kriminale”

ç)kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 190/3

“Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Prokuroria shqiptare u ndihmua me informacion nga FBI-ja për këtë çështje. I gjithë hetimi ka nisur pasi u publikua investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ku ngriheshin dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Menjëherë pas këtij publikimi nisën tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive. Prokuroria shqiptare nëpërmjet letër-porosive kërkoi ndihmë nga SHBA dhe Skocia nga ku përfitoi shumë informacione të vlefshme.

Ditën e hënë më datë 17 qershor, Lulzim Basha duhej të paraqitej në prokurorinë e Tiranës, por ai e refuzoi sërish thirrjen e prokurorisë duke e cilësuar atë në shkelje të ligjit.

Skip to toolbar