Bashës dhe aleatëve u hiqet pasaporta diplomatike

AKTUALITET


Krerët e opozitës jo parlamentare duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, për ndryshe do të ndalohet në pikat kufitare nga policia. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i PDK Nard Ndoka, kreu i LZHK Dashamir Shehi, kreu i PAA Agron Duka dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule nuk kanë të drejtë më të pajisen me pasaporta diplomatike. Kështu parashikon vendimi i qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019 për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në 14 qershor, duke hyrë në fuqi. Vendimi ndryshon kategoritë personave që kanë të drejtë të pajisen dhe të mbajnë pasaportë diplomatike.

Shqiptarja.com ka identifikuar të gjitha kategoritë e funksionarëve, politikanëve dhe familjarëve të tyre, të cilëve u hiqet e drejta për t’u pajisur me pasaportë diplomatike. Nga lista e re që ka hyrë në fuqi janë hequr edhe kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend apo në qeveri. Vendimi i 1997 parashikonte që pajisen me pasaporta diplomatike edhe “kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Popullor ose në Këshillin e Ministrave”.


Në vendimin e ri është hequr kjo kategori, ndonëse krerët e opozitës e humbën këtë privilegj që kur ‘dogjën’ mandatet, duke i kthyer partitë e tyre politike në jo parlamentare. Gjithashtu me vendimin e ri janë hequr edhe ish-ministrat, duke bërë që Lulzim Basha të humbasë këtë privilegj. Basha e humbet këtë privilegj edhe si ish-ministër, por edhe si kryetar partie. Një privilegj të tillë e humbet edhe Ditmir Bushati dhe të gjithë ish-ministret e Jashtëm. Pasaporta diplomatike u hiqet edhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, bashkëshortëve të ministrave, bashkëshorteve të zëvendëskryetarëve të Kuvendit, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës së Lartë, bashkëshortes/it së Prokurorit të përgjithshëm, bashkëshortes së kryetarit të KLSH etj.

Shpëtojnë Berisha dhe Kryemadhi

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike sipas vendimit të fundit të qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019. Berisha pajiset për shkak të statusit të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit. Sipas vendimit të ri, ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit mund të pajisen me pasaporta diplomatike. Në listën e re, përpos kategorive të tjera, është përfshirë bashkëshortja e Presidentit, duke bërë që këtë privilegj ta gëzojë Monika Kryemadhi. Kjo e fundit e humbet këtë privilegj si kryetare e LSI, por përfiton për shkak se është bashkëshortja e Ilir Metës. Sipas vendimit, mund të pajisjen me pasaportë diplomatike bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit./Shqiptarja.com




Skip to toolbar