Palmer e thotë prerë: Shqipëria në BE, prioritet i SHBA

Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, ka zhvilluar një vizitë në Malin e Zi. Ai ka takuar, në shtetin fqinj të Shqipërisë, disa zyrtarë të lartë të vendit, përfshi presidentin Milo Gjukanoviç dhe Kryeministrin Dushko Markoviç. Palmer ka folur për zhvillimet në rajon me drejtuesit më të lartë të shtetit malazez, ndërsa fokusi kryesor i bisedimeve ka qenë anëtarësimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. Ndërkohë, në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Presidenti i Malit të Zi, është zbuluar edhe një nga objektivat kryesor të Palmer si përfaqësues i posaçëm i SHBA në Rajon.

Sipas deklartës së shpërndarë nga zyra e shtypit e Presidentit të Malit të Zi, mësohet se Mathew Palmer i ka konfirmuar Milo Gjukanoviç, se përparësi e tij në rajon, është mbështetja për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. “Palmer shprehu kënaqësinë e tij për takimin, duke theksuar se nuk është rastësi që Mali i Zi është destinacioni i parë që viziton në fillim të mandatit të tij si përfaqësues i SHBA për Ballkanin Perëndimor. Ai informoi Presidentin (Milo Gjukanoviç) se përparësitë e misionit të tij janë: inkurajimi i hapjes së negociatave të pranimit në BE për Tiranën dhe Shkupin, kthimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe kërkimin e zgjidhjeve për funksionalitetin e Bosnje-Hercegovinës”, mësohet të ketë thënë Palmer.

Kjo deklaratë e Përfaqësuesit të Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, është inkurajuese për Shqipërinë, e cila pret çeljen e negociatave për anëtarësim me BE në muajin tetor. Në fakt, roli i SHBA në këtë proces po konfirmohet nga dita në ditë, aq sa pas takimit që Lulzim Basha pati me zyrtarin e DASH, David Kostelancik, ka nisur të lobojë për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fakt, roli i SHBA si ‘Partner Strategjik’ i Shqipërisë po konfirmohet nga dita në ditë, e cila tashmë duket më e angazhuar se kurrë për të mos lejuar vendin tonë të jetë preh e influencës ruse në rajon. Për këtë qëllim, pak ditë më parë, Drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, i cili kishte mision ‘influencën ruse’ në vendin tonë. /Realstory.al/

Shqipëria thyen rekord në Europë, vendi me besimin më të lartë në BE

Shqiptarët janë populli që ka besimin me të lartë në BE dhe institucionet e saj. Sipas një sondazhi të Eurostat, 80 % e popullsisë shqiptare kishte besimin më të madh në BE, shifra më e lartë e arritur në krahasim me vendet e tjera të Europës. Shqipëria kishte besimin më të lartë në BE edhe në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, teksa Serbia dhe Turqia paraqiten me besimin më të ulët.

Pas Shqipërisë, renditej Suedia, Belgjika, Finlanda, Holanda, Danimarka etj, ndërsa vendet me besimin të ulët ishin Britania e Madhe, Greqia, Spanja, Çekia, Sllovenia, Franca etj.

Ky besim i lartë i shqiptarëve te BE reflektohet edhe në përdorimin e lartë të euros si monedhë për transaksione. Kjo vërteton se shqiptarët e duan integrimin evropian dhe janë pro europianë.

Meta dekoron ambasadoren greke, Greqia vë veton për negociatat me BE

E ndërsa presidenti Meta dekoroi të mërkurën me titullin më të lartë, ambasadoren greke në Tiranë, me motivacionin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kryeministri grek nga ana tjetër vendos kushte për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Micotaqis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Këtë kreu i qeverisë greke e ka shkruar në një letër dërguar shoqatës së minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA.

Në letër kryeministri grek thekson edhe një herë përkushtimin e shtetit fqinj dhe të tijin personal për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek. Micotaqis ka theksuar se të drejtat e minoritet grek dhe e pronës së tyre nga shteti shqiptar përbëjnë kusht paraprak për hapjen e negociatave me BE.

“Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak për hapjen e negociatave të integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri i Greqisë.

Në fund të letrës Micotaqis thekson se Greqia do të jetë gjithmonë në krah të minoritetit helen duke e mbështetur atë por edhe për të përmirësuar marrëdhëniet greko-shqiptare në përgjithësi.

Duket se ambasadorja greke në Tiranë nuk është se ka ndikuar dhe aq shumë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në një kohë kur shteti fqinj vendos kushte të tillë në prag të çeljes së negociatave dhe dekorata e dhënë të mërkurën nga presidenti duket qartë se ishte një përpjekje e tij për të fituar sa do pak mbështetje ndërkombëtare në verën e vetmisë së madhe, sikurse njoftoi më herët realstory./realstory.al

25 mijë të vdekur për një vit, rrugët më të rrezikshme në BE janë në…Ballkan

Vendet e Evropës Lindor kanë numrin më të madh të viktimave nga aksidentet rrugore për frymë në të gjithë Bashkimin Evropian, zbulojnë të dhënat. Por numri i përgjithshëm i vdekjeve në të gjithë bllokun është përgjysmuar në dy dekadat e fundit, raporton Euroneës. Pak më shumë se 25.000 njerëz humbën jetën në rrugët e Bashkimit Europian gjatë vitit të kaluar, sipas shifrave të publikuara nga Këshilli Evropian i Sigurisë së Transportit. Në vitin 2001, më shumë se 55 mijë persona vdiqën në aksidente rrugore në rrugët e BE.

Në atë kohë, vendet e Balltikut ishin veçanërisht të rrezikshme me Lituaninë dhe Letoninë që regjistruan 236 dhe 202 vdekje për një milion banorë, shifrat më të larta në bllok. Por pas 17 vjetësh, dyshja e vendeve Balltike ka bërë përparime, duke ulur numrin e vdekjeve në BE. Përmirësimi i madh Letonez ishte i mjaftushëm për ta larguar vendin nga lista e zezë e vdekjeve të aksidenteve rrugore.

Këtë rekord e mori Bullgaria me 87 vdekje për një milion banorë, ndërsa Rumania është dhe më keë, me 96 persona të vdekur në aksidente për një milion banorë. Megjithatë, edhe këto vende kanë bërë përmirësime të dukshme vitetet e fundit. Anglia ka ulur ndjeshëm numrin e viktimave në rrugë, duke u bërë një nga vendet më të sigurta në BE, shprehet raporti.

Vitin e kaluar, Britania kishte 28 vdekje për 1 milion banorë, ndërsa Suedia 32, krahasuar me nga 61 vdekje për Britaninë në vitin 2011, dhe 60 për Suedinë. Ishulli i vogël i Maltës, është i vetmi vend i BE, që ka rritje në raportin e viktimave të aksidenteve rrugore. Përgjatë periudhës 2001-2018, nurmi i viktimave në aksidentet rrugore në Maltë është rritur me 12.5%. Vitin e kaluar vdiqn 18 persona në rrugët e Maltës, ose mesatarisht 38 persona për një milion banorë, duke u bërë vendi i pestë më i sigurt i bllokut.

Forcohet besimi te BE, arrin rezultatet më të mira në 5 vjet

Një studim i ri Eurobarometër i publikuar më 5 gusht tregon një rritje të fortë të perceptimit pozitiv të qytetarëve për Bashkimin Evropian në të gjithë bordin, nga ekonomia në shtetin e demokracisë. Këto janë rezultatet më të mira që nga sondazhi i Eurobarometrit në qershor 2014, i bërë para se Komisioneri Juncker të merrte detyrën. Studim i fundit standard i Eurobarometrit u krye pas zgjedhjeve evropiane, midis 7 qershorit dhe 1 korrikut 2019 në të 28 vendet e BE-së dhe pesë vendet kandidate.

Besimi në BE është në nivelin e tij më të lartë që nga viti 2014 dhe është rritur në 20 shtete anëtare, me rezultatet më të larta në Lituani, Danimarkë dhe Estoni.

Që nga sondazhi i fundit i Eurobarometrit Standard në vjeshtë 2018, përqindja e të anketuarve që kanë një imazh pozitiv të BE-së është rritur në 23 shtete anëtare të BE-së, kryesisht në Qipro, Hungari, Greqi, Rumani dhe Portugali. Një rritje me 2 % është regjistruar që nga vjeshta e vitit 2018 duke arritur nivelin e saj më të lartë ndonjëherë për 10 vitet e fundit. Ajo që vihet re është edhe ulja e imazhit negativ ndaj Bashkimit Europian , ku më pak se 1/5 shprehen se kanë një imazh negativ, rezultati më i ulët në 10 vjet.

Një shumicë e evropianëve janë optimistë për të ardhmen e BE-së ose 61% duke u rritur me 3 % nga 2018, ndërsa vetëm 34 % shprehen pesimistë duke pësuar një rënien me 3 % po krahasuar me 2018.  Optimizmi është më i larti vihet re në Irlandë, Danimarkë, Lituani dhe Poloni, ndërsa optimizmi është më pak i theksuar mbetet në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Francë.

Gjithashtu edhe mbështetja ndaj Euros është rritur duke kapur një rekord të ri të lartë 76%,  që do të thotë është rritur me 1 % nga 2018 dhe 9 % nga studimi i parë në 2014.

Në të 28 shtetet anëtare, më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se janë shtetas të BE-së. Në të gjithë BE-në në tërësi, 73% ndjehen në këtë mënyrë ose 2 % më shumë nga vjeshta 2018. Një shumicë e madhe e qytetarëve të BE mbështesin “lëvizjen e lirë të qytetarëve të BE-së që mund të jetojnë, punojnë, studiojnë dhe bëjnë biznes kudo në BE”.

Europa nuk po ndal dot të qeshurat prej Boris Johnson

Titulli “Çfarë???” që kishte zgjedhur gazeta gjermane “Stern” tregon më së miri reagimin që pati i gjithë Bashkimi Evropian pas zgjedhjes së Boris Johnson si kryeministër i Britanisë së Madhe.

Ndërkohë që amerikanët duken më pak të befasuar me kryeministrin e ri britanik (e kanë një të ngjashëm në shtëpi), evropianët nuk kishin as më të voglën ide se kush është me të vërtetë Johnson.

Në gjithë Evropën, reagimi ndaj ngjitjes së tij në zyrën më të lartë politike të Britanisë ka qenë shënuar më shumë nga humori sesa shqetësimi lidhur me atë që mund të sjellë mandati i tij. Nga Brukseli në Berlin, të gjithë duket se kanë një listë “me pamjet më qesharake të tij”.

Disa nga mediat madje bënë artikuj komplet jo relevant për ballinë, duke ironizuar keq me zgjedhjen e liderit të “pothuajse të divorcuarës”, Britanisë.

Ndërkohë që evropianët kanë qeshur pa masë me gafat e Donald Trump, ata respektuan (nga frika) fuqinë e zyrës së tij. Por askush nuk ka frikë nga Johnson.

Nuk është që nuk ka pasur të tillë edhe më parë. Evropa pati një peizazh politik të shtruar nga Silvio Berluskoni, dhe së fundmi Viktor Orban, një stil edhe më i egër se ai i Johnson-it.

Sfida e tij më e madhe përballë BE-së në javët dhe muajt e ardhshëm do të jetë prova vendimtare që do ta shfaqë edhe më shumë repertorin e tij.

Por meqë Johnson është person politik me përvojë prej dekadash, tallja ndaj Johnson mund të zbulojë së shpejti se objektivat e humorit të tij megjithatë nuk mund ta shkojnë përtej shakave. Brexit-i është shumë serioz.

Pas shumë vitesh qeshje me të, evropianët thjesht nuk e marrin Johnson seriozisht. Në këtë fazë, është e vështirë të imagjinohet se çfarë mund të ndryshojë mendjet e tyre.

Megjithëse Britania mbetet një lojtar kyç strategjik brenda Evropës, kjo mbështetje varet nga të dyja anët e Kanalit.

Pas konfiskimit të një tankeri të naftës me flamur britanik nga Irani javën e kaluar, për shembull, Britania u përgjigj duke thirrur për një forcë detare evropiane për të mbrojtur rrugët e detit në Ngushticën e Hormuzit. Pra, nuk qenka edhe aq “divorc”

Kur është fjala për ekonominë, Britania është shumë më e varur nga BE-ja sesa anasjelltas.

Kjo është arsyeja pse përgjigjja e Evropës ndaj kërcënimit të Johnson-it për të lënë BE ka qenë një “hidhërim i sjellshëm dhe i matur”.

Në mos për tjetër, zgjedhja e Johnsonit si kryeministër do të bëjë më të lehtë që udhëheqësit e BE-së që t’i përmbahen zotimeve, duke refuzuar të lëvizin nga kushtet e marrëveshjes që kanë negociuar me Theresa May, paraardhësen i tij.

Çfarëdo qofshin të metat e saj si kryeministër, May, ndryshe nga Johnson, gëzonte një reputacion në mesin e liderëve evropianë si një ndërmjetëse e ndershme dhe me parime.

Duke pasur parasysh rolin udhëheqës që Johnson e luajti në fushatën e Brexit dhe vazhdimin e tij të vazhdueshëm të BE-së, udhëheqësit evropian jo vetëm që nuk e besojnë kryeministrin e ri, por më shumë e përçmojnë atë.

Rreziku nga hendeku i kredibilitetit të Johnson mund të nxisë udhëheqësit e BE të nënvlerësojnë gatishmërinë e tij për të mbaruar punë me Brexit, duke shkaktuar një reaksion zinxhir, potencialisht katastrofal.

Përkrahësit e Johnson-it parashikojnë se ai do të ngrihet mbi sfidat historike me të cilat përballet Britania, ashtu si idhulli i tij, Winston Churchill. Ashtu si Johnson, Churchill u prit me skepticizëm të thellë kur u bë kryeministër. Ai shihej si një “send i lirë dhe i pamatur”.

Por as armiqtë politikë të Churchill nuk dyshuan bindjen e tij ndaj idealeve. Në rastin e Johnson, është e vështirë për të gjetur këdo që mendon se ai ka qoftë edhe një ideal.

Edhe nëse talenti prej humoristi i Johnson i ka sjellë atij vëmendjen dhe çelësat e Downing Street, liderët e Evropës janë të vendosur që të vazhdojnë të qeshin.

Me rrethanat në të cilat gjendet vendi, Evropa po qesh mirë, pasi po qesh e fundit! /Politico.eu

Nga emigrantë në shtetas të BE. 391 mijë shqiptarë me pasaportë evropiane

Dikur ata ishin thjesht emigrantë. Tashmë shumë prej të ikurve në fillim të viteve ’90, apo dhe më pas, janë bërë qytetarë me të drejta të plota në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Në total, nga viti 2002 deri në 2017-n janë dhënë gjithsej 391 mijë shtetësi për shqiptarët që jetojnë në vendet e BE-së. Nga rreth 1.2 milionë emigrantë që vlerësohet të kenë ikur deri në 2015-n (përpara se të fillonte cikli i ri i emigracionit), rezulton se rreth 305 e tyre e kanë marrë tashmë një pasaportë (këtu përfshihen në fakt dhe fëmijët që kanë lindur në një nga shtetet e BE-së)

Nga viti 2008, gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë arritur të marrin pasaportë, për të kulmuar në 2016-n, me 67.6 mijë dhe në 2017-n, me 58.9 mijë të tilla.

Greqia ka dhënë në periudhën 2002-2017 rreth 180 mijë pasaporta, ose 46% të totalit të dhënë nga gjithë BE në 15 vitet e fundit. Numri më i lartë i tyre është dhënë në 2016-2017, përkatësisht me 28.5 dhe 29.5 mijë.

Në vend të dytë, me 175.6 mijë pasaporta, ose 45% të totalit renditët Italia. Vetëm këto dy shtete kanë dhënë 91% të totalit të pasaportave për periudhën 2002-2015.

Italia ka dhënë më shumë pasaporta në vitet 2015-2016 (përkatësisht 35 dhe 37 mijë), ndërsa në 2017-n, numri i tyre ra ndjeshëm në 27 mijë, duke reflektuar një shtrëngim të dhënies së nënshtetësisë nga ky shtet.

Pas Greqisë dhe Italisë, shteti i tretë ku shqiptarët kanë arritur të marrin më shumë pasaporta është Mbretëria e Bashkuar, me 11.5 mijë, ose 2.9% të totalit. Ky shtet ka dhënë më shumë shtetësi në periudhën 2009-2012 (me rreth 1,200) dhe më pak numri i tyre ka rënë ndjeshëm, në rreth 315 në 2017-n.

Në vend të katërt është Gjermania, me rreth 6100 pasaporta, me rreth 350-350 pasaporta në vit. Interesat është fakti që Gjermania është vendi që akordoi më shumë shtetësi për shqiptarët në 2002, kur figurojnë dhe pasaportat e para, me 704 të tilla, e dyta pas Maqedonisë, që dha 904 pasaporta për shqiptarët në vitin 2002.

Belgjika renditet në vend të pestë me rreth 5600 pasaporta, me nivelin më të lartë që u arrin në 2017-n, me 571 të tilla.Franca, e gjashta, dha më shumë pasaporta në 2016-n (356) dhe i uli me 21% vitin në vijim. Në total ka dhënë rreth 3,700 të tilla.

Nga shtetet jo anëtare të BE-së, më shumë pasaporta për shqiptarët ka dhënë Maqedonia, me rreth 1300 të tilla, për periudhën 2002 deri në 2007-n, më pas numri i tyre është zero./Dita

Qeveria, gati për kapitullin 24, “nëse hapen negociatat”

Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas. Kjo është, jo vetëm një thirrje e përsëritur e ndërkombëtarëve, por edhe një qëndrim i qartë i qeverisë. Zëvendës ministrja e brendshme, Romina Kuko, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Grupit Ndërinstitucional të Punës ka njoftuar se qeveria po bën përgatitjet për hapjen e Kapitullit 24, në negociatat me BE-në.

Ky kapitull, i përmendur disa herë nga kryeministri Rama, është mjaft i rëndësishëm për ecurinë pa ndërprerje të Reformës në Drejtësi.

Kapitulli 24 ka të bëjë me “Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë” dhe është kapitulli i parë, së bashku me Kapitullin 23, që do të hapet në negociatat me Bashkimin Europian, pas marrjes së dritës jeshile nga Brukseli.

Në një postim në twitter, Kuko i referohet deklaratës së presidentes së re të Komisionit Europian, Ursula von det Leyen e cila u shpreh në mbështetje të çeljes së negociatave për Shqipërinë, ndërsa shkruan se edhe Shqipëria është gati për të gjithë procesin e negociatave.  

“Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von det Leyen është shprehur sërish pa asnjë ekuivok lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ministria e Brendshme, si institucioni lider për Kapitullin 24, më këmbë për përgatitjen e plotë të gjithë procesit

Sot në mbledhjen e Komitetit Drejtues dhe Grupit të Punës nga MB dhe PSH. Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” është kapitulli i parë (së bashku me Kap.23) që do të hapet në negociatat me BE

Fushat kryesore:  Lufta kundër krimit të organizuar; Migracioni, Azili, Kufijtë e jashtëm dhe politika e vizave; Lufta kundër terrorizmit; Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale&civile; Institucionet e përfshira:MD,MFE, Banka e Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme etj.

Proces intensiv i cili nuk konsiston vetëm në përafrim legjislacioni por në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë & zbatimit të ligjit si dhe rezultate konkrete nga operacionet. Drejtësia e re!”, shkruan Kuko.

Pra reforma në Drejtësi e kërkuar nga ndërkombëtarët nuk nënkupton vetëm ngritje të institucioneve të reja, por edhe rezultate konkrete ç’ka do të thotë shembuj konkretë arrestimesh dhe dënimesh të zyrtarëve të lartë, gjë e cila pritet të shkaktojë tërmet në politikën shqiptare.

E këto shembuj konkretë duhet të jepen sa më parë, me çeljen e negociatave në tetor. Shqipëria duhet t’i faktojë BE-së se funksionon Drejtësia e re dhe shteti ligjor dhe se para ligjit janë të gjithë të barabartë, ashtu sikurse ndodh në perëndim.

Bashkëpunimi për refugjatët, BE jep 1.41 miliardë euro për Turqinë

Bashkimi Europian do të ofrojë një ndihmë të re financiare për Turqinë në lidhje me marrëveshjen e saj për refugjatët në vitin 2016.

Komisioni Evropian miratoi të premten një paket të re të masave për ndihmë me vlerë 1,41 miliardë euro, përmes të cilës Turqia siguron strehimin, shëndetësinë, mbrojtjen, mbështetjen socio-ekonomike dhe infrastrukturën komunale për refugjatët. Bashkimi Europian ka dhënë më herë disa këste për Turqinë në lidhje me marrëveshjen që kanë lidhur për refugjatët dhe ndalimin e trafikimit të tyre. Në marrëveshjen e 2016, BE u zotua të ndihmojë Turqinë me 6 miliardë euro për miliona refugjatë të strehuar në vend.

Masat e reja janë pjesë e këstit të dytë të Lehtësimeve për Refugjatët në Turqi, duke e çuar shumën totale që tashmë është ndarë në 5,6 miliardë euro nga gjashtë miliardë eurot që nga viti 2016, me bilancin e mbetur që do të ndahet gjatë verës”, thuhet në deklaratën e Komisionit Europian.

Turqia aktualisht strehon më shumë se 4 milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Reforma në Drejtësi, holandezët skeptikë kërkojnë informacion në zyrën e Gjonajt

Holanda është një ndër shtetet më skeptike përsa i përket çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Një delegacion holandez ka mbërritur të martën në zyrën e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj ku ka marrë informacion të hollësishëm mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi si një ndër kushtet e BE-së për t’i ndezur dritën jeshile Shqipërisë.

Delegacioni përbëhej nga 15 përfaqësues të Qendrës për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (CILC),  me bazë në Holandë, pjesë e konsorciumit të organizatave që zbatojnë projektin EURALIUS në Shqipëri.

Gjatë bashkëbisedimit me delegacionin holandez, Gjonaj i bëri me dije se “reforma është një ndryshim i thellë, historik dhe i pakthyeshëm që po i bëhet sistemit të drejtësisë i cili do t’i shërbejë brezave në vazhdimësi. Ajo nuk është vetëm për qytetarët shqiptarë, pasi ky proces unikal i ofrohet si shembull pozitiv për t’u ndjekur edhe vendeve të tjera që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Njohja e rezultateve konkrete dhe vullnetit tonë politik për të ndërmarrë reforma të thella shtetformuese, është ndihmë e fortë që BE po na jep për të ecur përpara”.

Përmes këtij vështrimi objektiv, ministrja u shpreh se një vendim pozitiv në muajin tetor nga vendet e Bashkimit Evropian, do të jetë nxitja më e madhe për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ndërkohë, pjesëmarrësit përshëndetën rolin që po luan Ministria e Drejtësisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke vlerësuar veçanërisht ecurinë e reformës në Drejtësi.

Skip to toolbar