Reforma në Drejtësi, holandezët skeptikë kërkojnë informacion në zyrën e Gjonajt

AKTUALITET


Holanda është një ndër shtetet më skeptike përsa i përket çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Një delegacion holandez ka mbërritur të martën në zyrën e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj ku ka marrë informacion të hollësishëm mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi si një ndër kushtet e BE-së për t’i ndezur dritën jeshile Shqipërisë.

Delegacioni përbëhej nga 15 përfaqësues të Qendrës për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (CILC),  me bazë në Holandë, pjesë e konsorciumit të organizatave që zbatojnë projektin EURALIUS në Shqipëri.


Gjatë bashkëbisedimit me delegacionin holandez, Gjonaj i bëri me dije se “reforma është një ndryshim i thellë, historik dhe i pakthyeshëm që po i bëhet sistemit të drejtësisë i cili do t’i shërbejë brezave në vazhdimësi. Ajo nuk është vetëm për qytetarët shqiptarë, pasi ky proces unikal i ofrohet si shembull pozitiv për t’u ndjekur edhe vendeve të tjera që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Njohja e rezultateve konkrete dhe vullnetit tonë politik për të ndërmarrë reforma të thella shtetformuese, është ndihmë e fortë që BE po na jep për të ecur përpara”.

Përmes këtij vështrimi objektiv, ministrja u shpreh se një vendim pozitiv në muajin tetor nga vendet e Bashkimit Evropian, do të jetë nxitja më e madhe për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ndërkohë, pjesëmarrësit përshëndetën rolin që po luan Ministria e Drejtësisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke vlerësuar veçanërisht ecurinë e reformës në Drejtësi.




Skip to toolbar