“Tani është koha për të finalizuar integrimin e Ballkanit në BE”

Në 15 vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, eurokomisioneri  Johannes Hahn ka postuar një mesazh optimist për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një postim në Twitter, Hahn shkruan se tani është koha që edhe Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së. Sipas tij, historia e suksesit të Europës do të shkruhet kur të bëhen bashkë Bashkimi evropian dhe Ballkani Perëndimor.

“Sot ne festojmë 15-vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Europian, një projekt ambicioz i bazuar në përpjekjet dhe vizionin e përbashkët: ribashkimin e kontinentit europian dhe mbrojtjen e paqes, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Bashkimit Europian.

Ky vizion u realizua dhe tani është koha për të hedhur vështrimin përpara dhe për të finalizuar projektin historik të unifikimit të europianëve duke integruar edhe Ballkanin Perëndimor.

Jam i sigurt se, me përpjekje të përbashkëta, kjo do të jetë një histori suksesi për të dyja palët, Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor: Jemi më të fortë së bashku”, shkruan Hahn.

Asgjë s’ka ndryshuar. BE e thotë qartë: Shqiptarët udhëtojnë pa viza

Megjithëse parlamenti holandez propozoi që Shqipërisë t’i kthehet regjimi i vizave, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka sqaruar njëherë e mirë se asgjë s’ka ndryshuar dhe se shqiptarët do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza.

Madje, Soreca ka theksuar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat në lidhje me vizat dhe se qeveria holandeze nuk është shprehur qartë.

“Asgjë nuk ka ndryshuar deri në këtë moment, vijon udhëtimi pa viza në zonën Shengen. Më lejoni që të them që kemi ftuar qeverinë shqiptare që të rrisë bashkëpunimin me Holandën për emigracionin e pa ligjshëm dhe lufta kundër krimit. Udhëtimi pa viza është një arritje fantastike për Shqipërinë, që do të thotë ka pasur një progres që prej vitit 2010. Ju e dini që kam qenë në krye të këtij procesi dhe jam i sigurt që Shqipëria do të marrin masat e duhura që të ruhet kjo arritje fantastike”, është shprehur ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. 

“Të tregojmë se kompromisi mund të arrihet”

Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS, Angelina Eichhorst ka qenë sot e pranishme në Tiranë ku ka marrë pjesë në  Forumin Ballkanik për Shoqërinë Civile. Në fjalën e saj ajo i ka bërë thirrje palëve për dialog, për gjetjen e një rruge kompromisi, ndërsa ka theksuar se bojkoti nuk i shërben askujt.

“Përmes dialogut dhe punës që ne kemi bërë sëbashku, mund të tregojmë se kompromisi mund të arrihet. Bojkoti nuk mund të jetë një instrument që duhet të përdoret. Është shumë negative të thuash ne nuk do jemi të pranishëm, ne nuk vijmë. Padyshim duhet kurajo për t’u bashkuar në tryezë, të diskutojmë dhe të ballafaqohemi me çështjet që duam të diskutojmë. Është pikërisht kjo, pse ne duhet të përdorim këto mekanizma që kanë në fokus debatin, dhe themi se debati nuk është rruga e duhur që duhet ndjekur. Kjo nuk të çon drejt standardeve demokratike. E rëndësishme është që të ketë debat në të gjitha nivelet”, tha Angelina Eichhorst.

I pranishëm në këtë forum ka qenë edhe kryebashkiaku Veliaj i cili se bashku me Drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS theksuan domosdoshmërinë për bashkimin mes palëve.

 “Siç e tha edhe Erioni, ka pak nervozizëm lidhur me punët që janë bërë, disa herë ka negativitet, dhe ne gjithmonë përpiqemi të shohim më të mirën. Është shumë gjë e mirë të shohim atë që vërtet ka ndodhur, të shohim pozitivitet. Ky është një mesazh gjithashtu për Ballkanin dhe BE. Ju jeni vërtet të bashkuar, jemi në një kontinent, ndaj është shumë e rëndësishme mënyra sesi ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një kontinent, në një union, në një familje. Kjo është busulla e punëve që ne duam të bëjmë sot dhe unë këtë e shoh qartësisht këtu në Ballkan.  Është e rëndësishme të shohim bashkëpunimin e thellë në të gjitha nivelet, sigurinë, politikat për fondet, edukimin, mjedisin, në të gjitha nivelet dhe unë e di që këtë do ta diskutojmë së bashku sot”, deklaroi  Angelina Eichhorst.

Brexit – BE “merr në mbrojtje” Irlandën

Bashkimi Europian “do të qëndrojë plotësisht pas Irlandës” pavaresisht se cfarë ndodh gjatë procesit të Brexit, deklaroi të hëhën Michel Barnier, negociuesi i BE-së për Brexit. Gjatë një konferencë në Dublin, Barnier pohoi se qëllim i BE është të “mbrojë Marrëveshjen e së Premtës së Madhe, paqen në këtë ishur dhe integritetin e tregut të vetëm”.

Barnier shkoi edhe më tej, duke sygjeruar një qasje “më ambicioze” për marrëdhëniet e ardhshme më Mbretërinë e Bashkuar, duke lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim doganor, por nga ana tjetër nuk do të ndodhtë të ketë bisedime mbi një marrëdhënie të ardhshme, tha ai “derisa të ketë një marrëveshje për Irlandën dhe Irlandën e Veriut”.

Ditë më parë BE-votoi një ligj që i garanton shtetasve të Britanisë së Madhe qarkullimin “visa free” në vendet e bllokut me kushtin që e njëjta qasje të zbatohet dhe nga Britania për shtetasit europianë.

BE përçahet për Kosovën, Kukan kritika Mogherinit

“BE ka treguar mungesë lidershipi në udhëheqjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”. Kështu është shprehur Shefi i delegacionit të BE-së, Eduard Kukan duke kritikuar ashpër shefen e politikës së jashtme në BE,  Federica Mogherini, e cila ka ndërmjetësuar dialogun mes dy shteteve.

“Kërkoj falje znj.Mogherini, por BE ka treguar qartë mungesë të lidershipit në dialog. Negociata të tilla mund të kenë sukses vetëm nëse tregoni se jeni të fortë si udhëheqje. BE-ja duhet të jetë më e fortë në dialog për të parashikuar mirë ngjarjet dhe reagimet ndaj tyre”, ka thënë Kukan.

Kukan është shprehur pesimist për arritjen e një marrëveshje të shpejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thekson se ajo tashmë do të varet nga administrata e re që do të vendoset në BE pas zgjedhjeve.

“Shumë do të varet nga personaliteti i përfaqësuesit të ri të lartë apo përfaqësueses, dhe se si do ta marr rolin e tij në dialog”, ka thënë Kukan i cili mbështet fuqishëm përfshirjen në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor nuk mund të flitet për të gjithë Evropën, por kjo nuk është edhe qëndrimi i shumë kolegëve të mi këtu në Parlament, si dhe shumë politikanëve kryesor në Evropën Perëndimore. Besoj se procesi i zgjerimit do të vazhdojë dhe kjo është e nevojshme. Sa i përket vendeve të rajonit, mesazhi im është që këto vende të luajnë rol shumë aktiv për të vendosur raporte të mira me Parlamentin Evropian, në mënyrë që deputetët të jenë të gatshëm për t’u angazhuar dhe mbështetur procesin”, ka thënë ndër të tjera Eduard Kukan.

Rama optimist: Në maj nisin negociatat me BE-në

Megjithë situatën politike në vend, kryeministri Rama është optimist përsa i përket hapjes së negociatave me BE-në. Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, Rama tha se negociatat do të nisin në fund të muajit maj, ndërsa theksoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të vazhduar procesin e integrimit evropian.

  “Shqipëria ka ecur para dhe progres raporti në fund të majit do të rekomandojë pa kushte hapjen e negociatave. Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete të thjeshtë: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim me BE. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se çelja e negociatave është një vendim që merret nga KiE. Nga Këshilli i përbërë prej të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtarë, bazuar në rekomandimin e komisionit por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme në vendet anëtare. Që do të thotë që nëse raporti i komisionit është një raport i cili ndërtohet mbi kritere ekskluzivisht teknike duke verifikuar kryerjen e të gjithë detyrave të përcaktuara për çeljen e negociatave, vendimmarrja në KE është rezultat i debatit të brendshëm në KiE që i kalon kriteret teknike dhe subjektiviteti i vendeve ka rolin e vet”, u shpreh Rama, ndërsa komentoi edhe situatën politike në vend, duke thënë se këtë pikë jemi më mbrapa se kurrë.

“Jemi sot në pikëpamjen e unitetit politik më mbrapa seç kemi qenë në të shkuarën ku sidoqoftë pavarësisht sherreve e debateve forcat politike kanë gjetur një pikë përputhshmërie e kanë qenë në funksion të këtij objektivi të palëvizshëm”, theksoi Rama.

Darka që do vendos për fatin e Brexit

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May është ende në pritje të një përgjigje nga BE në lidhjet me shtyrjen e Brexit për arritjen e një marrëveshje. Edhe pas takimeve individuale me Merkel dhe Macron, May ende nuk arriti të merrte një përgjigje në lidhje me të.

Udhëheqësit e BE po zhvillojnë një darkë në Bruksel ku do të diskutojnë dhe do të vendosin të ardhmen e saj.

Paaftësia e Britanisë së Madhe për të rënë dakord në nivel politik se si dëshiron të largohet nga BE ka shkaktuar që koha përfundimtare e Brexit, 12 prill, të shtyhej. May ka kërkuar 30 qershorin si afat përfundimtar, duke i lejuar Mbretërisë së Bashkuar pak më shumë kohë për t’u larguar me një marrëveshje.

Afati i fundit i Brexit, 12 prill, u vendos për shkak se është pika më e fundit në të cilën Mbretëria e Bashkuar duhet të deklarojë synimin e saj për të qëndruar në zgjedhjet parlamentare evropiane apo jo. Nëse Mbretëria e Bashkuar është ende një shtet anëtar i BE më 23 maj, atëherë ajo duhet të fusë kandidatët në atë sondazh dhe do të ketë të drejta të barabarta në çdo projekt të BE. Mirëpo kritikët e Brexit kanë thënë se nëse Britania e Madhe mbetet e mbërthyer në BE në këtë pikë, atëherë ajo do të “bëhet një kalë troje brenda BE-së”.

Ambasadori i BE kërkon takim Rama-Basha

“Është koha për kompromis”. Kështu është shprehur sot për gazetarët Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Ne kemi qenë të parët që kemi bërë ftesa për thirrje për dialog. Vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment dhe në çdo takim.  Është momenti për kompromis. Kompromisi do të thotë që Qeveria dhe Opozita takohen në mesin e urës. Unë mendoj se ura ekziston thjesht duhet gjendur”, tha ambasadori i BE-së, i cili ishte sot i pranishëm në aktivitetin për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë.

Në fjalën e tij ai theksoi nevojën për të luftuar korrupsionin në administratën shtetërore duke bërë të ditur se kjo vazhdon të mbetet një sfidë, por në këtë aspekt Shqipëria ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të  gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.

Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë.

Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm.

Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte.

Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE.

Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët.

Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE”, tha Soreca.

Prej muajsh tashmë vendi ndodhet në krizë politike, për shkak se deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë braktisur kuvendin, ndërkohë që përmes protestave kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Skip to toolbar