Negociatat në tetor, Rama: Lajm shumë pozitiv nga Europa

Kryeministri Edi Rama e sheh si një lajm shumë pozitiv vlerësimin që Këshilli i Europës i ka bërë rekomandimit të Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të kushteve për çeljen e negociatave me BE. Në një postim në “Twitter” Rama shkruan se Shqipëria do ti rezistojë deri në fund ofensivës së sharjeve, kërcënimeve, molotovëve dhe përgjimeve baltosëse.

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave, pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes,që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës,për të bllokuar negociatat me sharje,kërcënime,molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston. Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30qershor.’ – shkruan Rama

Akuza e Euractiv: Meta dhe Basha po e nxjerrin Shqipërinë nga binarët (europianë)

Prestigjiozja Euractiv që shkruan kryesisht për zhvillimet në BE, këtë herë i ka dedikuar një artikull shpresave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave në BE. Por ajo që bie në sy është analiza e situatës aktuale politike në vendin tonë. Euractiv shkruan se “presidenti i Shqipërisë po bën më të mirën për të nxjerrë Shqipërinë nga binarët e anëtarësimit në BE”, si dhe shpjegon bashkëpunimin e Metës me Bashën, ndërsa të dy i cilëson aleatë.

Më poshtë lexoni artikullin e plotë të përkthyer nga Euractiv.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të takohen këtë javë, më 18 qershor, dhe sërish Ballkani do të jetë një temë e nxehtë në axhendën e takimit, pasi shumica e politikanëve kundërshtarë e kanë të pamundur të mos e dëmtojnë njëri-tjetrin.

Në një shembull të rrallë zgjidhjeje serioze diplomatike, dy kryeministra të rinj të majtë në Athinë dhe Shkup realizuan këtë vit atë që dukej një mision krejt i pamundur, kur Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev ranë dakord t’i jepnin fund një ngërçi 30-vjeçar lidhur me emrin e vendit në veri të Greqisë, i njohur si Maqedonia që prej viteve 1990.

Shkupi ra dakord t’i jepte një emër të ri vendit duke e quajtur Maqedonia e Veriut për të kënaqur qëndrimin e Greqisë që rajoni i saj i Maqedonisë, me territor dhe popullatë më të madhe sesa dy milionë banorët e vendit me popullsi sllavo-shqiptare,  nuk duhet të mbajë të njëjtin emër si fqinji i saj verior.

Në këmbim, Greqia ra dakord që mbështeste hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Europian. Diplomatët grekë kanë mbështetur gjithashtu në heshtje anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe udhëheqësit politikë të Tiranës dhe Shkupit pritet të hapin bisedimet e anëtarësimit në vjeshtë.

Pranimi i dy fqinjëve të saj si vende anëtare të BE-së zgjeron mundësitë ekonomike të Greqisë. Së paku 650 mijë shqiparë punojnë në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe shërbimeve të Greqisë.

Njëlloj sikurse anëtarësimi i Polonisë dhe shteteve të Europës lindore në BE i ka ndihmuar këto vende të rrisin ekonomitë e tyre dhe të hapin vende pune, efekti përhapës i BE-së për rritjen e standarteve në biznes, shtetin e së drejtës, apo të drejtat e njeriut shpresohet të funksionojë edhe Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.

Lënia e vendeve të varfëra ballkanike të përkeqësohen edhe më tej jashtë BE-së do të nxiste popullatën e tyre drejt emigrimit të paligjshëm dhe kriminalitetit për shkak të pamundësisë për të hyrë në tregun e BE-së, fondet për investime në infrastrukturë, ndërkohë që politika e korruptuar dhe klanore do ta demoralizonte shoqërinë civile.

Ekziston një kundërshtim në vendet e Europës veriore, veçanërisht nga politikanët nacionalistë dhe myslimano-fobë, të cilët kundërshtojnë faktin se shumica fetare e Shqipërisë është Islami tolerant i epokës otomane. 25% e popullsisë së Maqedonisë së Veriut  janë shqiptarë me trashëgimi myslimane europiane.

Të gjitha këto probleme janë të menaxhueshme, por presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duket se po bëjnë më të mirën e tyre për të nxjerrë nga binarët shpresat e anëtarësimit në BE.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski erdhi në Bruksel javën e kaluar dhe tha që Shqipëria duhej veçuar nga Maqedonia e Veriut në mënyrë që vetëm Shkupi të priviligjohej për të nisur bisedimet e anëtarësimit.

Duke pasur parasysh faktin se kryeministri socialist i shkolluar në Francë, Edi Rama i ka mbështetur fuqimisht përpjekjet e social demokratëve të Shkupit në garën përballë  ultra-nacionalistit Nikola Gruevski, i cili e mbushi Shkupin me statuja madhështore të Aleksandrit të Madh sikur heroi i antikitetit grek të  ishte një sllav i Ballkanit, thirrja e Pendarovskit për të anashkaluar Tiranën ishte një akt  mosmirënjohjeje politike edhe për normat e Ballkanit.

Megjithatë, ai ka edhe ndihmën e kolegut të tij, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Dikur ai ishte mik i Edi Ramës si një nga reformatorët e rinj të partisë socialiste të Shqipërisë të cilët kundërshtuan hapur konservatorin Sali Berisha, i cili ishte ideatori i skandalit të skemës piramidale që shkatërroi kursimet e shumë shqiptarëve dhe bëri shumë pak përpjekje për të luftuar korrupsionin kronik në gjyqësor dhe  biznes që mbizotëroi në Shqipërinë postkomuniste për 20 vite me rradhë.

Por Meta krijoi partinë e tij – tani e udhëhequr nga bashkëshortja e tij – dhe iu desh të dorëhiqej më turp si zëvendëskryeministër në vitin 2010 lidhur me akuzat – të cilat ai i mohon – në lidhje me një bisedë për një pagesë jo të rregullut prej 800,000 €. Rama shpresonte se  duke e bërë  shokun e tij të vjetër president – një pozicion i zgjedhur nga parlamenti – në 2017 do të kishte një aleat pasi Meta ka qenë gjithmonë shumë i angazhuar në integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike si BE dhe NATO.

Megjithatë, Meta ka vendosur të bëhet aleat me Partinë Demokratike në opozitë e drejtuar nga krahu i djathtë i Berishës, Lulzim Basha. Në një përditësim klasik të strategjisë së vjetër të tensionit politik, Basha udhëhoqi deputetët e tij në bojkotin e parlamentit në shkurt dhe organizoi protesta në rrugë, të cilat në disa raste ishin edhe të dhunshme.

Bashkëshortja e presidentit së bashku me partinë e vogël të themeluar nga bashkëshorti i saj mbështeti këtë përpjekje primitive  për të destabilizuar qeverinë. Që nga shkurti Basha ka organizuar protesta të pafundme në rrugët e Tiranës si përpjekje për të treguar se Shqipëria nuk është më nën kontrollin e qeverisë.

Basha akuzoi edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, se po flet gjepura kur ajo u bën thirrje  deputetëve shqiptarë për të miratuar reforma për rivlerësimin e gjyqtarëve në kuadrin e përgatitjeve për anëtarësim në BE.

Basha gëzon mbështetjen e të djathës ekstreme në SHBA dhe përdor një foto të tijën me Donald Trump në të gjitha mediat sociale, si dhe të kujton sulmet alla- Trump ndaj  çdo media në Shqipëri që guxon ta kritikojnë atë. Prokurorët në Tiranë nisën një hetim për një pagesë misterioze prej 625,000 dollarësh që Basha i ka paguar lobistëve amerikanë për një shtërngim duarsh me Trump.

Meta mbështeti strategjinë e tensionit të Bashës duke njoftuar se, si president do të pezullojë zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në fund të qershorit. Arsyeja që ai dha është se partitë e opozitës, përfshirë atë të drejtuar nga bashkëshortja e tij, do t’i bojkotojnë ato.

Qëllimi ishte i qartë – të paraqiste një imazh të Shqipërisë si të paqëndrueshëm dhe të padenjë për t’u parë si një shtet anëtar i mundshëm i BE. Rusia është akuzuar për ndërhyrje për të ndaluar ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, gjë që çoi  Athinën në dëbimin e diplomatëve rusë. Gjëja e fundit që Kremlini dëshiron, është të shohë Ballkanin Perëndimor që të stabilizohet dhe të shndërrohet në vende të varfra, por normale të BE-së.

Rama po lëviz që parlamenti shqiptar ta heqë Metën nga posti i presidentit, pasi ai ka abuzuar ashpër me pushtetin e tij në mbështetje të një përpjekjeje partiake për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur. Por, tani, në këtë rrëmujë, është përfshirë presidenti i Maqedonisë Veriut me kërkesën që Brukseli ta shpërblejë politikën e Bashës për destabilizimin e Shqipërisë nëpërmjet një strategjie klasike të tensionit duke përdorur rrugën për të hedhur poshtë parlamentin e zgjedhur.

Pyetja tani është: A e mban fjalën e saj BE-ja ndaj Tiranës dhe Shkupit apo Brukseli – jo për herë të parë – do ta lerë Ballkanin Perëndimor pa dikë që ta ndihmojë?

KE vendos sot për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Këshilli i Ministrave të BE-së do të mblidhet të martën (sot, 18 qershor) në Luksemburg ku do të vendosë, nëse do të ndezë ose jo dritën jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Do të jenë liderët e 28 shteteve anëtare të BE-së ata që do të vendosin për fatin e dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pak javë më parë Komisioni i Europës bëri vlerësime pozitive në raportin e tij dhe rekomandoi çeljen e negociatave për të dy vendet, por fjala e fundit i mbetet Këshillit të Europës.

Kujtojmë se brenda unionit ka disa vende që janë kundër zgjerimit të BE-së, kryesisht Franca e Holanda, të cilët e konsiderojnë të parakohshme hapjen e negociatave.

Qershorin e kaluar vendimi u shty për 1 vit pas skepticizmit të tre vendeve, Holandës, Francës dhe Danimarkës.

Shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra, por gjithçka mbetet në dorë të vendeve anëtare.

Knut Fleckenstein komenton vendimin e Metës: Duhet ta marrim seriozisht situatën

 Në Bruksel po zhvillohet një takim me temë “E ardhmja e Shqipërisë është në BE”, ku raportuesi i Shqipërisë, Knut Fleckenstein ndërsa ka mbështetur propozimin për hapjen e negociatave dhe veçanërisht realizimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, ka komentuar edhe vendimin më të fundit të presidentit Meta.

 “Kam lexuar që Presidenti është i shqetësuar për situatën dhe se ajo mund të dalë jashtë kontrollit. Ne duhet ta marrim këtë seriozisht edhe pse ne nuk na takon që të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë”, mësohet të ketë thënë Fleckenstein gjatë këtij takimi.

Ndërsa Tanja Fajon ka bërë një twitter në të cilin shkruan se Grupit i Social Demokratëve në PE në union do të mbështesë çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Negociatat, zgjedhjet dhe presidenti, Rama në Bruksel, takime me krerët e BE. Zbardhet axhenda

Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar sot (e martë 11 qershor), një vizitë pune në Bruksel ku do të zhvilloje takime me krerët më të lartë të BE-së.

Në orën 17.00 Rama do të pritet në takim nga shefja e politikës së Jashtme, Frederica Mogherini, më pas në 18.50 do të takohet me kreun e Këshillit të Europës, Donald Tusk dhe në orën 19.00 Rama do të takohet me presidentin e KE-së, Juncer.

Këto takime vijnë në një moment kur pritet që Këshilli i Europës të mblidhet dhe të marrë  një vendim pas propozimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk dihet ende se cili do të jetë vendimi që do të marrë Këshilli i Europës, ndërkohë që disa shtete evropiane janë shprehur kundër çeljes së negociatave.

Nga ana tjetër edhe kriza politike në Shqipëri pritet të jetë pjesë e bisedimeve mes Ramës dhe krerëve të BE-së.

Të hënën zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançic në një deklaratë për mediat, dënoi vendimin e marrë nga presidenti Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve. Zëdhënësja e BE-së tha se duhet të respektohet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale. Pritet që edhe qëndrimi i krerëve të BE-së të jetë në të njejtën linjë.

Italia dhe 12 shtete të tjera, letër BE-së: Të mbështesim Shkupin dhe Tiranën

Trembëdhjetë shtete anëtare i kërkojnë BE-së që të respektojë zgjerimin dhe të mbështesë Shkupin dhe Tiranën.

Shumica e vendeve janë shtete të anëtarësuara rishtas në BE, përveç Italisë, Hungarisë dhe Austrisë.

Euractiv njofton se ato po hartojnë një letër që do t’i paraqitet të 28 shteteve të duke synuar vazhdimin e zgjerimit dhe pranimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në listën e 13 shteteve  bëjnë pjesë Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta. Letra duhet të paraqitet në një takim të ambasadorëve të BE në Bruksel të mërkurën.

“Ideja është të nisë një thirrje për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha për EURACTIV një diplomat nga një prej 13 vendeve.

“Kjo është gjithashtu një formë presioni. Pra dilema nëse kemi nevojë për zgjerimin e BE është artificiale dhe e gabuar. Nëse të dyja proceset nuk shkojnë së bashku, BE së shpejti do të përballet përsëri me Ballkanin Perëndimor, por fatkeqësisht në një mënyrë më kërkuese dhe të dhimbshme për të dyja palët”, tha diplomati.

Komisioni Evropian ka rekomanduar zyrtarisht hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, por vendimi duhet të konfirmohet nga të gjitha vendet anëtare në Këshill, ku Franca dhe Holanda udhëheqin opozitën.

“Është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për të kuptuar këtë dilemë artificiale, sepse ne po flasim për hapjen e negociatave dhe jo për zgjerimin aktual. Natyrisht, Perëndimi nuk mund ta kuptojë këtë”, citon EURACTIV diplomatin.

Në Gjermani, zgjerimi ka ndarë koalicionin e madh qeverisës. CDU / CSU kundërshton nisjen e negociatave. Gunther Krichbaum, kryetar i Komitetit të Europës në Bundestag tha se një vendim i tillë  nuk do të arrihet përpara tetorit.

Por Ministri i Shtetit Michael Roth i (SPD), dëshiron që negociatat të fillojnë menjëherë. “Tani është koha që BE të bëjë ofertën. Ne dhamë fjalën tonë dhe duhet të mbajmë premtimet tona”, shkroi Roth në një artikull për të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ministria e Jashtme e Çekisë konfirmoi se Çekia bën pjesë në 13 shtetet që kërkon në mënyrë të përsëritur një rol më aktiv në drejtim të rajonit. “Unë do të jem një mbështetës i fortë për dhënien e dritës së gjelbër për të dy vendet,” tha Petricek të premten në lidhje me nisjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

BE, “shuplakë” Metës: Të respektohet Kushtetuta, të realizohen zgjedhjet

Zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Kocijançiç ka deklaruar të hënën se qytetarëve shqiptarë duhet t’u jepet e drejta për të votuar për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale. Reagimi erdhi pas vendimit të presidenti Meta për dekretin e anulimit të zgjedhjeve më 30 qershor.

Kocijançiç përsëriti gjithashtu se opozita është zëvendësuar në parlament duke e bërë atë funksional, ndërsa bëri thirrje që  të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.

“Ne po ndjekim zhvillimet. Kjo është një çështje që institucionet shqiptare duhet ta trajtojnë në përputhje me legjislacionin dhe jurisprudencën ekzistuese, në respekt të plotë të parimeve kushtetuese dhe demokratike.

Siç është thënë tashmë, ne konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Kjo ka qenë një zgjedhje e qëllimshme e partive opozitare. Përfaqësuesit e opozitës janë zëvendësuar në Parlament, i cili funksionon plotësisht.

Tani është thelbësore që të garantohet e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet lokale dhe për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale. Ne përsërisim thirrjen tonë nga të gjitha palët që të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”. – tha Kocijançiç në një deklaratë për A2 CNN.

Vendimi i Metës, Rama kërkon mbështetjen e ambasadorëve

Kjo e hënë nisi me zhvillime të rëndësishme vetëm pak pasi lindi dielli. Presidenti i Republikës Ilir Meta doli siç kishte parashikuar në konferencë për shtyp në orën 08:00, duke folur për më shumë se 40 minuta, kur renditi, sipas tij, argumentet kushtetues dhe moral, për shfuqizimin e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Direkt pas kësaj lëvizje, Kryeministri Rama, që gjithashtu ditën e ka nisur më herët se zakonisht këtë fillim jave, mblodhi në selinë Rozë Kryesinë e Partisë Socialiste, ku ndër pikat e diskutuara ishte pikërisht mbajtja e një seance të jashtëzakonshme paralamentare të enjten, ku do të diskutohet dhe nis procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Lajmin për këtë vendim e dha zëdhënsja e Qeverisë Elisa Spiropali, e cila konfirmoi se Ilir Meta nuk e meriton më të jetë në zyrën që ka. Më tej, Kreyministri Rama ka planifikuar një takim me ambasadorët e vendeve partnere, i cili do të mbahet në orën 11:00 në Kryeministri, ku padyshim, fokus do të jetë kriza politike në vend dhe lëvizja e paparashikuar e Ilir Metës. Sakaq, ambasadorët e vendeve anëtare të BE, do të zhvillojnë një takim paraprak me ambasadorin e BE Luigi Soreca.

Si ndërkombëtarët “qetësuan” Bashën para protestës

Pak para nisjes së protestës së 8 qershorit,  ambasada e Bashkimi Europian në Tiranë ka reaguar duke bërë thirrje që nuk do të tolerojnë asnjë lloj të dhunës apo përdorim të mjeteve që janë projektuar për të lënduar. Në një deklaratë për mediat, BE cilëson se nëse ka dhunë në protestë përgjegjës do të jenë vetëm drejtuesit e saj, ndërsa ka bërë thirrje për një dialog urgjent për të kapërcyer situatën aktuale politike.

“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.

Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.” shkruhet në deklaratën e BE.

Të njëjtën retorikë mbajti edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, ku bëri thirrje që drejtuesit e protestës të siguroheshin që nuk do të kishte përdorim dhune, ndërsa theksuan nevojën urgjente për tu ulur në tryezën e dialogu.

Deklaratë në prag të protestës së sotme, 8 qershor 2019Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të…

Gepostet von European Union in Albania am Samstag, 8. Juni 2019

Pas SHBA edhe BE i “tërheq veshin” Daçiç për retorikën fyese ndaj Kosovës

Pas kritikave që mori nga Ambasada Amerikane në Beograd, të njëjtën retorikë zgjodhi të mbante edhe Bashkimi Europain ndaj deklaratave fyese që ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç bën për Kosovën.

BE, përmes zëdhënëses së Shefes së Diplomacisë, Maja Kocijancic, e ka quajtur fyese dhe aspak bashkëpunuese fushatën në rrjetet sociale ku çdokush duhet të shkruaj mbi një kartëmonedhë “Kosova është Serbi”, pjesë e të cilës u bë edhe ministri Daçiç.

“Secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara. Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë haptazi se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.” ka thënë Kocijancic

Skip to toolbar