Italia dhe 12 shtete të tjera, letër BE-së: Të mbështesim Shkupin dhe Tiranën

AKTUALITET


Trembëdhjetë shtete anëtare i kërkojnë BE-së që të respektojë zgjerimin dhe të mbështesë Shkupin dhe Tiranën.

Shumica e vendeve janë shtete të anëtarësuara rishtas në BE, përveç Italisë, Hungarisë dhe Austrisë.


Euractiv njofton se ato po hartojnë një letër që do t’i paraqitet të 28 shteteve të duke synuar vazhdimin e zgjerimit dhe pranimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në listën e 13 shteteve  bëjnë pjesë Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta. Letra duhet të paraqitet në një takim të ambasadorëve të BE në Bruksel të mërkurën.

“Ideja është të nisë një thirrje për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha për EURACTIV një diplomat nga një prej 13 vendeve.

“Kjo është gjithashtu një formë presioni. Pra dilema nëse kemi nevojë për zgjerimin e BE është artificiale dhe e gabuar. Nëse të dyja proceset nuk shkojnë së bashku, BE së shpejti do të përballet përsëri me Ballkanin Perëndimor, por fatkeqësisht në një mënyrë më kërkuese dhe të dhimbshme për të dyja palët”, tha diplomati.

Komisioni Evropian ka rekomanduar zyrtarisht hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, por vendimi duhet të konfirmohet nga të gjitha vendet anëtare në Këshill, ku Franca dhe Holanda udhëheqin opozitën.

“Është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për të kuptuar këtë dilemë artificiale, sepse ne po flasim për hapjen e negociatave dhe jo për zgjerimin aktual. Natyrisht, Perëndimi nuk mund ta kuptojë këtë”, citon EURACTIV diplomatin.

Në Gjermani, zgjerimi ka ndarë koalicionin e madh qeverisës. CDU / CSU kundërshton nisjen e negociatave. Gunther Krichbaum, kryetar i Komitetit të Europës në Bundestag tha se një vendim i tillë  nuk do të arrihet përpara tetorit.

Por Ministri i Shtetit Michael Roth i (SPD), dëshiron që negociatat të fillojnë menjëherë. “Tani është koha që BE të bëjë ofertën. Ne dhamë fjalën tonë dhe duhet të mbajmë premtimet tona”, shkroi Roth në një artikull për të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ministria e Jashtme e Çekisë konfirmoi se Çekia bën pjesë në 13 shtetet që kërkon në mënyrë të përsëritur një rol më aktiv në drejtim të rajonit. “Unë do të jem një mbështetës i fortë për dhënien e dritës së gjelbër për të dy vendet,” tha Petricek të premten në lidhje me nisjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.




Skip to toolbar