SHBA tjetër goditje Metës, merr në “mbrojtje” Borchardt dhe Kushtetuesen

Bernd Borchardt, paraqiti të enjten përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin vjetor të veprimtarisë së kësaj organizate në Shqipëri. Ndonëse ky raport nuk mund të publikohet, ambasadat përkatëse në Këshillin e Përhershëm, japin konsideratat e tyre në lidhje me punën e Prezencës së OSBE në Tiranë. Misioni Amerikan në OSBE, publikoi konsideratën e tij në lidhje me raportin e Bernd Borchardt.

“Prania e OSBE-së në Shqipëri ka qenë e domosdoshme për përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimit të gjyqësorit dhe mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ne e vlerësojmë raportin tuaj të detajuar”, thuhet në krye të deklaratë. Në fakt, duket një mesazh mbështetës i SHBA dhe Misionit të OSBE-së ndaj ambasadorit Borchardt, që është vënë në qendër të kritikave nga Presidenti Ilir Meta. Duke falënderuar punën e misionit të OSBE në Shqipëri, SHBA shprehet se Prezenca është e rëndësishme për të bashkuar politikanët shqiptarë për reformën zgjedhore.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se Prezenca ka një mundësi unike për të bashkuar politikanë dhe liderët në Shqipëri për të arritur një reformë të rëndësishme zgjedhore”, thuhet në komunikatën e Misionit Amerikan në OSBE. Ndërkohë, SHBA shpreh vlerësimin për Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore, që është duke punuar mbi rekomandimet e OSBE. “Jemi të kënaqur që Komisioni parlamentar “ad hoc” për Reformën Zgjedhore pranoi rekomandimet e ODIHR, ndërsa kërkon të përmirësojë sistemin zgjedhor. Shqipëria dha shembull për shtetet e tjera anëtare, duke përfshirë rekomandimet e OSBE-së. Ne presim që Shqipëria të vazhdojë të japë shembull, pasi do të ketë Kryesinë e OSBE-së për vitin 2020”.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet reformës në sistemin e drejtësisë dhe ngritjes së Gjykatës Kushtetutese, që së fundi është në ngërç. Së pari, SHBA shprehet se: “Reforma gjyqësore është thelbësore për përparaimin demokratik të Shqipërisë dhe krijon një bazë të fortë nga e cila Shqipëria mund të nxisë qeverisjen e mirë, të luftojë ekstremizmin e dhunshëm, korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”, thuhet në vlerësimin e SHBA.

Më tej, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë emërimin e anëtarëve të parë të Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur se duhet të punohet për plotësimin e kuorumit në këtë Gjykatë, me qëllim që të ketë mundësi të shqyrtojë çështjet. “Shtetet e Bashkuara u kënaqën kur dëgjuan përparimin në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Është një hap pozitiv në rikthimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, puna mbetet, për të arritur kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështjet”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu, SHBA vlerëson punën e Prezencës së OSBE për “rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të KLGJ dhe KLP përmes mbështetjes teknike dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal. Ne i bëjmë thirrje Prezencës të ndihmojë Shqipërinë të zbatojë reforma shtesë”. Duke u ndalur te sfidat e Shqipërisë, deklarata e Misionit Diplomatik të SHBA në OSBE, zbulon edhe një detaj, që lidhet me krijimin e një programi master për kriminologji në Universitetin e Tiranës, që do të përgatisë ekspert për luftën kundër korrupsionit.

“Ne e vlerësojmë bashkëpunimin e Prezencës me institucionet shqiptare, autoritetet lokale dhe aktorët ndërkombëtarë për të ofruar trajnime dhe asistencë teknike për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara janë duke bërë pjesën e tyre, duke përfshirë kontributin në projektin jopublik të zyrës tuaj për të krijuar një program master për kriminologji në Universitetin e Tiranës”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen se “Shqipëria ka qenë një aleat i qëndrueshëm kur bëhet fjalë për adresimin e shqetësimeve të sigurisë me të cilat përballet Evropa. Duke marrë rolin e Kryetarit të Zyrës, Shqipëria ka shfrytëzuar mundësinë për të vërtetuar potencialin e saj drejtues në rajon, si dhe të demonstrojë aftësinë e saj për të qëndruar e fortë kundër ndikimeve malinje”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. /Realstory.al/

“Borchardt non-grata”, Topollaj: Meta ka probleme me të huajt

Të hënën pasdite, Ilir Meta bëri një akt të paprecedentë: me anë të një letre, shpalli “non grata” për Presidencën ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, anëtari i Bindjes Demokratike dhe ekspert i të drejtës kushtetuese, Fabian Topollaj u shpreh se Meta ka probleme me të gjithë ndërkombëtarët, jo vetëm me Borchardt.

A duhet ndërruar Kushtetuta për të kufizuar Presidentin?

“Unë mendoj se ka dy arsye. Mendoj se arsyeja e parë është preteks, pasi ambasadori ishte i detyruar të pranonte procesin e 30 qershorit. Arsyeja e dytë, unë mendoj se nuk ia vlen të ndalemi shumë sepse është vetë Bernd Borchardt ka kërkuar ndjesë. Mua më duket se Meta nuk ka probleme vetëm me një zyrtar të huaj në Shqipëri. Ai ka probleme shumë të gjera. Në dy muajit e fundit ai e ka prezent sulmin ndaj diplomatëve të huaj në Shqipëri”, tha Topollaj.

Më tej, lidhur me akuzat që Meta ka bërë ndaj ambasadorëve të huaj se disa prej tyre janë të korruptuar, Topallaj u shpreh se vetëm politikanët shqiptarë nuk duhet të bëjnë akuza të tilla. Sipas tij, politikanët shqiptarë s`kanë lënë gjë pa bërë, madje duke u dalë në video aktet e korrupsionit. Ndaj, Fabian Topollaj i quan deklaratat e Ilir Metës të dorës së dytë. /Realstory.al/

BE dhe OSBE: Politika të mos ndikojë në media

Ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca dhe ambasadori i OSBE Bernd Borchardt bënë thirrje që media të çlirohet nga ndikimi politik si dhe të krijohet një draft i ri anti-shpifje me rekomandimet e bëra në mënyrë që t’i jepet fund dezinformimit me lajme për opinionin publik.

Soreca theksoi rëndësinë e lirisë në media dhe dhënies fund ndikimit politik në media. Ambasadori tha se BE ofron mbështetje të pakushtëzuar në mënyrë që të forcohet gjithnjë e më shumë liria medias dhe kërkoi që shqetësimet e adresuara për paketën anti-shpifje të paraqiten në draftin e ri.

“Sundimi i ligjit në sektorin e medias është mjaft i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që t’i jepet fund ndikimit të politikës në media dhe mungesës së transparencës. Mbështetja jonë është e madhe ndaj lirisë së medias. BE ka bërë përpjekje për të mbështetur të gjitha shërbimet e medias. Kemi adresuar të gjitha shqetësimet tona, deri më tani nuk është arritur gjithçka që duam, por po përpiqemi për të ecur përpara. Komisioni Evropian i ka shprehur të gjitha shqetësimet lidhur me pasiguritë ligjore dhe për median audiovizive. Janë të rëndësishëm disa rregullatorë në media, dhe të gjitha këto në kuadër të lirisë së medias dhe të shprehjes. Informacionet false janë shumë të këqija dhe shkojnë në dëm të medias. Duhen ndjekur të gjitha parimet e lirisë së medias. Dizinformimi është gjithashtu në dëm të medias. Presim një draft të ri që të jetë pikërisht për këtë çështje. Duam një shoqëri që të informohet ashtu siç duhet nga media.” tha Soreca gjatë forumit për zhvillimin e Medias.

Edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt tha se disa portale abuzojnë me lirinë e të shprehurit duke shpërndarë informacione të pavërteta tek opinioni publik.

“Media on-line është zhvilluar shumë kohët e fundit. Në krahasim me vitet e kaluara dhe kemi vënë re një zhvillim të madh të medias online. Kemi projekte tona lidhur me median, projektet tona të fundit. Sa i përket progresit kanë qenë çështje të cilat duhet të adresohen dhe është e rëndësishme që duhet t’i jepet profesionalizmit. Kemi thirrur ekspertët për të dhënë rekomandimet për këtë çështje  sa i takon ndikimeve të medias,  ka disa faqe  në internet që përdorin informacion të ndikueshëm të anshëm dhe të pavërtetë dhe pronarët e tyre nuk dihen se kush janë.” tha Borchardt

Gratë e Unazës dhe anëtarja e PD protestë kundër Borschardt

Tryeza e OSBE për “Forumin për Zhvillimin e Medias” u shoqërua me një incident, që nisi sapo ambasadori i OSBE-së, Bernd Boshcardt mori fjalën e tij. Disa gra të Unazës, me në krye anëtaren e forumit të PD, Enxhi Turtulli, nxorrën disa pankarta në të cilat shkruhej, ‘Shame on you”, “Ik nga Shqipëria” apo edhe “Borschardt non grata”.

Edhe pse protesta zgjati disa minuta, ambasadori Boshcardt ka vijuar të flasë për problematikat e medias në Shqipëri, ndërsa theksoi se “do t’i injorojë skena të tilla”.

Boshcardt u përfshi në një incident pak ditë më parë me banorët e “Unazës së Re”, të cilët ndodheshin tek Drejtoria e Policisë së Tiranës ku u tregoi gishtin e mesit banorëve, veprim që nuk është pritur aspak mirë.

Përfaqësuesja e forumit të PD, Enxhi Turtuli është mjaft aktive në protestat dhe tubimet e organizuara nga pozita dhe shfaqet shpesh krah liderit demokrat Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ajo ka qenë mjaft e angazhuar edhe në protestën e Unazës së Re, krah Klevis Balliut.

Borchardt: Lufta kundër korrupsionit, Shqipëria është përkeqësuar

Ambasadori i OSBE në tiranë Bernd Borchardt ka deklaruar se lufta ndaj korrupsion është përkeqësuar në këto dy vitet e fundit në Shqipëri duke shënuar një rënie në Indeksin e Transparency International që prej 2016.

Borchardt vlerësoi përpjekjet e policisë dhe prokurorisë për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë gjatë viti të fundit, por kërkoi një qasje të shumanshme në këtë drejtim.

“Korrupsioni është një nga pikat kryesore të punës të Prezencës së OSBE-së. Shohim me keqardhje që Shqipëria ka pasur përkeqësim në këtë fushë gjatë dy viteve të shkuara. Shqipëria ka shënuar rënie në Indeksin e Transparency International që prej vitit 2016. Dimë që këtë vit janë bërë më shumë përpjekje nga policia, inspektimet dhe nga prokuroria për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë, por kjo është një çështje që kërkon një qasje të shumanshme.” tha Borchardt.

Këto komente ambasadori Borchardt i bëri gjatë çeljes së një ekspozite me teme korrupsioni në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Skip to toolbar