Kushtetuesja njeh vettingun, zhduk Muçin nga faqja

Gjykata Kushtetuese njeh vendimin e KPA për shkarkimin e Besnik Muçit si dhe i kthen në të njëjtën kohë përgjigje të menjëhershme kërkesës së tij, ku përmes një letre i kërkonte të bënte një vlerësim të përfundimit të mandatit të tij. Vettingu është një vendim kushtetues me zbatim të menjëhershëm dhe Kushtetuesja zgjodhi të fliste duke larguar emrin e Besnik Muçit nga faqja e web-it të saj.

Vendimi për fshirjen e emrit të Besnik Muçit erdhi vetëm pak minuta pas takimit të tij me Presidentin Meta, i cili i kërkoi të rishikojë kërkesën e tij “për të mos liruar zyrën” dhe ka kërkuar shpalljen sa më shpejt të vakancës së tij.

Aktualisht në faqen zyrtare rezultojnë të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari si edhe Fiona Papajorgji.

Të njëjtën rrugë për të folur përmes Web-it të saj, Kushtetuesja ndoqi edhe me emërimin e Marsida Xhaferllarit, duke shkruajtur emrin e saj në listën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe largoi atë të Arta Vorpsit.

Muçi nuk heq dorë, letër “Kushtetueses”: Në zyrë deri sa të vendosni ju

Besnik Muçi, jo që nuk e njeh shkarkimin e tij nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, por ka vendosur të qëndrojë në zyrë deri sa të flasë vetë Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht nuk e ka kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështjet në themel.

Përmes një letre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Muçi kërkon që ajo të rishqyrtojë rastin e tij dhe të nis procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deri sa të flasë kjo gjykatë, Muçi ka vendosur të qëndrojë në zyrën e tij dhe të “vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore”. Pra Besnik Muçi, anëtari i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur nga presidenti Meta, jo që nuk e njeh vendimin e KPA, por sipas tij ajo duhet ta kishte ndërprerë rivlerësimin që në momentin që ai bëri betimin si anëtar i Kushtetueses. Ai pretendon në letër se vendimi i vettingut nuk është i mbështetur në referencë ligjore ose kushtetuese dhe se menjëherë pas betimit të tij në Presidencë, KLP-ja duhet të hiqte statusin e magjistratit dhe Kolegji të ndërpriste hetimin, pasi nuk mund t’i shtrijë kompetencat mbi anëtarët e Kushtetueses.

“Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të parashikuara në nenin 127 të Kushtetutës dhe nenin 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “ “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur.

Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore” shkruhet në letrën e Muçit për Gjykatën Kushtetuese.

Kjo duket se sjell një ngërç të ri në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo gjykatë nuk ka kuorumin e duhur për të marrë vendime të tilla. Gjithashtu edhe pse Besnik Muçi pretendon se Vettingu nuk mund t’i shtrijë kompetencat e tij mbi anëtarët e Kushtetueses, në ligj nuk thuhet kështu.

Sipas Nenit 179/b/3 i Kushtetutës së Shqipërisë, thuhet: “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”,  ndërsa Nenin 7/a për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në pikën “dh” thuhet: “Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit”.

Lexoni letrën e plotë

Më datën 21.11.2019 më është njoftuar vendimi, me arsyetim të përmbledhur vendimi Nr. 32, datë 21.11.2019 i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me objekt shqyrtimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim është dërguar zyrtarisht dhe në Gjykatën Kushtetuese. Në pjesën urdhëruese Kolegji është shprehur:

“Ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Muçi, Prokuror në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, në momentin e shpalljes së këtij vendimi. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”. Konstatoj që pjesa urdhëruese e këtij vendimi lidhur me shkarkimit nga detyra si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk është e mbështetur në asnjë referencë ligjore ose kushtetuese. Nga viti 2008 deri më datë 18 tetor 2019 kam mbajtur detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës për Krimet e Rënda.

Më datë 15.11.2019 jam dekretuar Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kam bërë betimin para Presidentit të Republikës më datë 18.11.2019. Bazuar në nenin 130 të Kushtetutës, i cili parashikon se: “Qenia si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër…shtetërore…” , dhe në nenin 64/b të Ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Statusi i magjistratit mbaron në rastet kur: b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit…” statusi im i Prokurorit rezulton se ka përfunduar që prej datës 18 tetor 2019, moment ky kur unë kam filluar të ushtroj detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Emërimi im në Gjykatën Kushtetuese është bërë në 15 tetor 2019, pra 3-vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 76 të vitit 2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417 datë 21/10/2008, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”. Për pasojë sipas nenit 179/b, pika 3 të Kushtetutës unë nuk përfshihem si subjekt i rivlerësimit ex officio për shkak të funksionit të Gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, pasi këtë funksion unë nuk e kam pasur në momentin e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 76 të vitit 2016.

Procesi i rivlerësimit tim ka filluar ex officio për shkak të funksionit të Prokurorit që unë kam mbajtur deri më datë 18 tetor 2019. Me përfundimin e këtij statusi, sikurse parashtrova më sipër, objekti për të cilin ka filluar procedura e rivlerësimit apo qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur. Në këto kushte procesi i rivlerësimit i nisur ex-officio në statusin dhe për funksionin e Prokurorit, nuk mund të vazhdonte dhe vendimi i Kolegjit të Apelimit nuk mund të ketë efekt ndaj funksionit dhe mandatit aktual të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Shtrirja e efekteve të vendimit të Kolegjit automatikisht mbi funksionin e Anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vendosur shkarkimin, është jo vetëm i paargumentuar dhe pa referencë ligjore por është në kundërshtim me nenin 127/2 të Kushtetutës.

Po ashtu nuk rezulton që në ngarkimin tim të ketë ndonjë proces disiplinor për të cilin sipas nenit 128 e 179/7 të Kushtetutës Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka juridiksion. Në këto kushte i kam kërkuar Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, që në bazë të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9.2 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të inicioni procedurën e verifikimit të mbarimit të mandatit tim si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese në zbatim të nenit 127.2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nëse verifikohen nga ana e Gjykatës Kushtetuese kushtet e mbarimit të mandatit tim si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të parashikuara në nenin 127 të Kushtetutës dhe nenin 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “ “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur. Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore.

Ju faleminderit.

Kushtetuta s’lejon “Nikin” të hyjë në zyrë

Anëtari i zgjedhur nga Presidenti për vakancën e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, u shkarkua të enjten nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ish-prokurori i zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese pak javë më parë, nuk e kaloi një nga kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë. Megjithatë, Besnik Muçi u shpreh se nuk e njeh vendimin e KPA, pasi sipas tij në çastin që u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese humbi statusin e prokurorit. Dhe për Besnik Muçin fakti që  humbi statusin e prokurorit, i krijon atij mburojën nga Vettingu.

Por a qëndron kështu e vërteta? Pra a është subjekt i rivlerësimit, anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi?

Po, ai është subjekt i rivlerësimit. Këtë e përcakton qartë Neni 179/b/3 i Kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet: “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”, thuhet në Kushtetutë. Këtu bie pretendimi i parë i Besnik Muçit se për të duhet të ishte ndërprerë Vettingu në çastin që u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përcakton qartë në Nenin 7/a mbi kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në pikën “dh” të këtij neni thuhet: “Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit”.

Në fakt, kjo pikë do të duhet të kishte fuqi vepruese përpara se Besnik Muçi të zgjidhej anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pra, Presidenti, në çastin që kishte përpara listën e kandidatëve për të zgjedhur një emër për vakancën e Gjykatës Kushtetuese, duhet t`i ishte referuar kësaj pike, duke mos dekretuar Besnik Muçin anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte ende në proces rivlerësimi. Megjithatë, ky është një tjetër diskutim.

Besnik Muçi është shprehur se ai nuk e njeh vendimin e Kolegjit të Apelimit, duke thënë se do të vijojë punën si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Por, edhe në këtë pikë, ligji është i qartë. Sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar”, në Nenin 66 për Vendimin e Kolegjit të Apelimit, në pikën 3 thuhet: “Vendimi i Kolegjit të Apelimit, që vendos shkarkimin nga detyra, ka efekt të menjëhershëm ex lege”. Pra, Besnik Muçi s`mund të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej ditës së sotme. Ndërkohë, nëse ai do të tentojë të mos zbatojë këtë vendim, do të përballet me shkelje ligjore. Konkretisht, është Kodi Penal ai që parashikon masat ndëshkimore për funksionarët publik.

Në Nenin 246 të këtij Kodi, ku flitet për Përvetësimin  e titullit apo detyrës shtetërore, thuhet: “Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, thuhet në Kodin Penal./Realstory.al/

PS për Muçin: Shejtani të lirojë zyrën

Kryetari i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla tha se vendimi i KPA për shkarkimin e Besnik Muçit është një vendim kushtetues, që vetëm zbatohet dhe jo të diskutohet e aq më tepër të vihet në diskutim zbatimi i saj. Pas shkarkimit, Besnik Muçi tha se nuk do të lirojë zyrën e tij në Gjykatën Kushtetuese, pasi atë e ka dekretuar Presidenti Meta. Balla tha se Gjykata Kushtetuese më mirë të rrijë më 4 anëtarë se sa me “shejtanin” brenda dhe se askush nuk mund të rrijë në detyrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

“Vendimet e komisionit të vlerësimit janë të autoriteteve kushtetuese dhe nuk mund të kenë asnjë lloj atakim politik. Nuk komentoj vendimet e drejtësisë, ato janë të zbatueshme. Të gjithë e dinë se qasja e legjislativit ndaj vendimeve fundore të vettingut. Kjo është qesharake. Vendimet nuk diskutohen vetëm se zbatohen. Ajo që kemi thënë është që institucionet e reja të drejtësisë, Kushtetuesja apo e Larta duhet të kenë në përbërje personalitete të drejtësisë që nuk kanë asnjë mangësi në pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale. Më mirë një gjykatë Kushtetuese me katër anëtarë sesa me shejtanin brenda. Askush nuk mund të rrijë në detyrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Presidenti ka krijuar një konflikt kronik për të penguar reformën në drejtësi. Presidenti të reflektojë dhe ta kthejë në shina” tha Balla.

Taulant Balla paralajmëroi se mazhoranca do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për Kushtetuesen, ashtu siç rekomandoi më herët ambasada e SHBA dhe ambasadori italian Cutillo.

“Ne si Kuvend në ditët në vijim duhet të marrim hapat për shtimin e mekanizmave zhbllokues sa herë që një individ apo institucion ndërmerr hapa për të penguar reformën në drejtësi” deklaroi Balla.

Muçi merr kot: Nuk njoh vettingun, nuk iki

Besnik Muçi nuk e ka pranuar vendimin e Kolegjit të Apelimit për shkarkimin e tij duke thënë se nuk e liron zyrën në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë pas vendimit të KPA, Muçi tha për mediat se nuk e njeh shkarkimin pasi sipas tij që në momentin kur është betuar tek Presidenti mandati i tij si prokuror ka përfunduar dhe tashmë ai ka thënë se do të vijojë punën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Besnik Muçi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga presidenti Meta dhe betimin pra tij duket se e paska edhe më të shenjtë se vetë Kushtetuta që është betuar të zbatojë, duke mbajtur zyrën në Gjykatën Kushtetuese edhe pse procesi i vettingut vendosi ta përjashtojë përfundimisht nga drejtësia.

Vendimi i sot nuk mund ti shtrijë kompetencat mbi anëtarët e zgjedhur në anëtarët e Kushtetueses. Në momentin që kam bërë betimin e kam humbur statusin e prokurorit. Jam anëtarë i Kushtetueses. Kolegji i Apelimit nuk ka pasur të drejtë. Në momentin që ka përfunduar statusi im, unë nuk jam subjekt pasi ata nuk kanë kompetenca. E thotë qartë Kushtetuesja” tha Muçi para mediave.

Besnik Muçi gjithashtu ka sqaruar se kush janë shkaqet që Kolegji i Posaçëm i Ankimimit vendosi shkarkimin e tij si dhe numëroi “mëkatet” e atyre që e zgjodhën si kandidat të Kushtetuese dhe më pas e dekretuan. Ai e quajti një mosveprim kriminal, atë të kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi, që pas lirimit të vendit të tij si prokuror nuk ka njoftuar dhe se tashmë ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese me një status tjetër.

“Shkaku i parë i ankimit është diferenca financiare të 4 vitet, 2003-2006 në shumë e 6 mln lekë të vjetra. Të llogaritura sipas Komisioneri Publik dhe të pranuar nga KPA në kundërshtim me ligjin. Shkaku i dytë është mosdeklarimi i tokës bujqësore që bashkëshortja ime ka marrë në pronësi në vitin 1991. Bashkëshortja ime është larguar nga familja para 22 vitesh, është një pasur me burim të ligjshëm. Shkaku tjetër i ankimit ka qenë mosdeklarimi i një banese, të ndërtuar në vitin 1985, të ndërtuar nga familja e bashkëshortes, kur ajo ka qenë e mitur. Ai truall 170 metër në atë fshat e ka sot vlerën 200 mijë lekë. Një shkak ankimi për 40 mijë lekë të vjetra.

Të tjera shkaqe ankimi ishin huatë e marra nga familja ime. Huaja e marrë nga babai, vëllai e motra ime, nga xhaxhai im, 400 mijë lekë të reja, të cilat unë i provova tej çdo ndryshimi. Deklarova që familja ime ka pasur të ardhura të tjera përveç tokës bujqësore. KPA pavarësisht se kishte një verifikim nga KPK, rikërkoi edhe një herë dokumentet, dhe asgjë nuk rezultoi. Zoti Ibrahimi, me mosveprim kriminal nuk ka njoftuar asnjë anëtar tjetër, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor. Janë veprime të institucioneve kushtetuesve. Ky vendim nuk ka efekt! Kam qenë tepër i ngarkuar emocionalisht kur bëja gjykimet këtu, kurse sot ndihem tepër i liruar. Më thoni ju një gjyqtar pasuria e të cilit mos ketë probleme me qindra mijëra euro. E kam thënë edhe diku tjetër, kam zgjedhur të bëhem prokuror, me ndershmëri e pasion duke zbatuar ligjin pa asnjë masë disiplinore, mëkati i vetëm që bëra para dy vitesh, aplikova për anëtar i Gjykatës Kushtetuese, mendoja se plotësoja kriteret. Mëkatin tjetër e bëri Dvorani, më listoi të tretin në listë, mëkatin tjetër e bëri Meta që më emëroi anëtar të Kushtetueses. Tani më thoni ç’mund të bëjë një jurist e gjyqtar që punon me pasion e përkushtim e kërkon të bëjë karrierë?”, deklaroi Muçi.

KPA refuzon provat “greke e turke” të Besnik Muçit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu vendimin për gjyqtarin e sapozgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i cili u rikthye në Vetting pas ankesës së Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik dyshon se ish-prokurori, tashmë gjyqtar i dekretuar në kushtetuese, nuk justifikon pasurinë e tij, ku nga viti 2003 deri në vitin 2006 si dhe në vitin 2016, ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara.

Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Besnik Muçit nga radhët e drejtësisë. Në seancën e të hënës, Besnik Muçi, paraqiti disa prova të reja, duke i kërkuar trupit gjykues marrjen e tyre në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Por, trupi gjykues refuzoi të marrë në konsideratë disa prova të paraqitura nga Besnik Muçi, të cilat ishin në gjuhën greke dhe turke. Sipas njoftimit të KPA, këto prova, në gjuhë të huaja, nuk ishin të legalizuara në rrugë diplomatike ose me vulë apostile, ndërkohë që mori disa prova të tjera shkresore.

Për këtë arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i kërkoi Komisionerit Publik të paraqesë një vlerësim në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet në datën 7 nëntor.

Kujtojmë se pak kohë më parë Ilir Meta e dekretoi Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ai ishte renditur i treti me pikë. Argumenti kryesor i presidentit për emërimin e Muçit si anëtar të kushtetueses, ishte fakti se ish-prokurori ishte i gjinisë mashkull.

Muçi betohet te Meta, Vettingu rrezikon anëtarin e “Kushtetueses”

Besnik Muçi betohet si anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese, që vjen nga listat e presidentit Meta për vakancat. Betimi i tij ndodhi para presidentin Meta në prani të përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Besnik Muçi do të jetë kështu anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese duke iu bashkuar Vitore Tushës, e vetmja që kishte mbetur pas procesit të vettingut, duke i hapur rrugën krijimit dhe funksionimit të kësaj gjykate.

Muçi u zgjodh dy ditë më herët nga Meta me arsyetimin që “emërimi të bëhej pa vonesë me qëllim që t’i hapë rrugë Kuvendit për të mos pasur përplasje mes kandidatëve të zgjedhur nga dy institucionet”, duke qenë se të njëjtit persona kanë kandiduar edhe në listën e Kuvendit, edhe në listën e Presidentit , ndërsa ishte i fundit i renditur në listë në bazë të pikëve.

Megjithatë vetë Muçi nuk e ka kaluar ende fazën e dytë të vettingut dhe ndodhet në proces rivlerësimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik. Muçi kaloi fazën e parë të vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gusht të 2018. Por ky vendim është apeluar nga Komisioneri Publik pasi sipas tij KPK nuk bëri një vlerësim të plotë të ligjshmërisë së të ardhurave dhe se subjekti rivlerësues nuk arrin të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive.


Edhe pas emërimit si anëtarë i Kushtetueses, Muçi me shumë mundësi mund të digjet nga Vettingu, duke e rikthyer edhe një herë nga e para procedurën e hapjes së garës për plotësimin e vakancave.

“Pasuria”, dy herë Vetting, kandidatit të Kushtetueses e SPAK

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi është paraqitur të premten në seancën dëgjimore përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rivlerësimin e tij. Ndaj Besnik Muçit, Komisioneri Publik bëri ankesë, pasi ai kaloi procesin e Vettingut më 12 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas ankesës së bërë nga Komisioneri Publik, “prokurori Besnik Muçi, gjendet në pamundësi financiare për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamajaftueshëm të pasurisë; rrjedhimisht Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”. Sipas Komisionerit Publikë, Besnik Muçi nuk justifikon vlerën e kursimeve prej 200 mijë lekësh dhe 4 hua në vlera të ndryshme të marra nga familjarët e tij ndër vite.

Gjatë seancës të së premtes, Besnik Muçi ka kundërshtuar shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i “konsideruar si të pabazuara në ligj e në prova dhe i kërkoi trupit gjykues çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja që i paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore”.  

Ndërkohë, Trupi gjykues vendosi të marrë si provë aktet e paraqitura në kuadër të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin e pasurisë, duke i konsideruar të pranueshme nga pikëpamja formale, ndërkohë që vlera e tyre provuese do të analizohet në kuadër të marrjes së vendimit përfundimtar. Megjithatë, KPA ka refuzuar të marrë si provë disa akte shkresore të paraqitura nga Besnik Muçi, që lidheshin me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, pasi konstatoi se këto akte tejkalonin shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë.

Ndërkohë, përsa i përket një kërkese që bëri Komisioneri Publik për marrjen si provë të një informacioni të përcjellë nga DSIK pranë Komisionerit Publik më datë 16.11.2018, trupi gjykues vendosi që duke qenë se nuk është pjesë e ankimit, do ta shqyrtojë vetëm pasi të njihet me dokumentacionin dhe ta analizojë atë.

Për shkak të provave të reja, të paraqitura të premten në seancë nga Besnik Muçi, trupa gjykuese e KPA-së ka vendosur që seanca e radhës të shtyhet për në datën 1 tetor, aty ku pritet të ketë dhe një vendim për Prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Kujtojmë se subjekti i rivlerësimit, Prokurori Besnik Muçi, është kandidat për tu bërë anëtar e Gjykatës Kushtetuese në vend, njëherazi kandidat edhe për tu bërë pjesë e Prokurorisë Speciale, SPAK. /Realstory.al/

Prokurori i SPAK, për herë të dytë në Vetting

Prokurori Besnik Muçi do t’i nënshtrohet për herë të dytë procesit të revlerësimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimimit të vendimit nga Komisioneri Publik.

Me përfundimin e pushimeve verore komisionerët e “Vettingut” do të kthehen në punë dhe më 3 shtator është parashikuar seanca e parë që nis me prokurorin Besnik Muçi i cili është kandidat për SPAK-un.

Muçi iu nënshtrua shkallës së parë të vettingut duke u konfirmuar në detyrë, por komisioneri Publik ankimoi vendimin dhe kërkoi shkarkimin e tij.

Më tre shtator pritet që kolegji i posaçëm i apelimit të vendosë nëse do të mbajë apo jo në detyrë prokurorin e SPAK, Besnik Muçi.

 Seanca do të jetë publike nën drejtimin e kryesuesit Sokol Çomo si dhe relator Ardian Hajdarin.

Ndërsa u përzgjodh në SPAK, Besnik Muçi kandidon edhe për gjyqtar kushtetues dhe emri i tij është konfirmuar edhe nga këshilli emërimeve në drejtësi.

Skip to toolbar