Bindja Demokratike ka zgjedhur një mënyrë të
re për të rivalizuar mazhorancën në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nëpërmjet
një video, koordinatori i BD, Astrit Patozi shprehet se partia e tyre nuk do të
organizojë fushatën me mitingje në sheshe, por do të shkojnë të përulur tek qytetarët
për t’i dëgjuar.
“Ne kemi hyrë në këtë garë për të mundur dhe
rivalizuar kandidatët e Partisë Socialiste, kudo ku marrim pjesë. Sepse nuk gjejmë
asnjë ndryshim mes qeverisë së korruptuar në Tiranë dhe zgjatimeve të saj në të
gjitha bashkitë e vendit”, shprehet Patozi në videon e publikuar.
Sipas tij, edhe pse forcë e re politike, BINDJA vjen si një ofertë serioze për 30 qershorin, në kontrast të fortë me “Rilindjen” e konsumuar, që kemi përballë, por edhe me të vjetrit e tjerë, që kanë ikur nga procesi. “Bindja Demokratike shpall refuzimin për mitingjet acaruese të politikës së lodhur, të cilat janë, sa të sforcuara, aq edhe poshtëruese për zgjedhësit. Le ta theksojmë që në formë diferencën e thellë që kemi me “Rilindjen” dhe modelin e saj të shëmtuar, duke qenë një ofertë e re për Shqipërinë dhe për qytetet tona. Mos iu bind Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë, që duan t’ju përdorin sërish për interesat e tyre të mbrapshta”, deklaron Patozi në mesazhin e tij.