Rama publikon foto: Del në dritë bulevardi “Ismail Qemali”

Mbrëmjen e të enjtes Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga transformimi që po i bëhet Bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë. Shefi i qeverisë në një postim në rrjetet sociale, shkruan se “pak nga pak po del në dritë dhe Bulevardi “Ismail Qemali”, i cili ka qenë prej dekadash në degradim dhe zymtësie të pistë.

“Pak nga pak po del në dritë edhe Bulevardi “Ismail Qemali” në Vlorë, ku pas dekadash degradimi e zymtie të pistë, po rritet fuqia tërheqëse e qytetit turistik, vlera e apartamenteve e njësive tregtare, mundësitë e punësimit e të vetëpunësimit përmes shërbimeve, interesi për investime të mëdha private në turizëm”, shkruan Rama.

Më tej, kryeministri Edi Rama shprehet se “gur gur bëhet mur”, duke përballuar padurimin e vlonjatëve, ndërsa paralajmëron një tjetër investim të madh për qytetarët e Vlorës. “Gur gur bëhet mur e mur mur bëhet kalaja, duke përballuar padurimin epik të vlonjatëve dhe sharjet e përqeshjet e atyre që për çdo punë kanë një llaf të keq për të thënë. Së shpejti Sheshi i Ri i Flamurit dhe të tjera akoma…Vlora që Duam, Shqipëria që Duam”, shkruan Rama.

Bashkia e Tiranës nis rehabilitimin e bulevardit “Zogu I”. Ja si devijon trafiku

Bashkia e Tiranës do të nisë transformimin e Bulevardit  “Zogu I”  për t’i dhënë jo vetëm një pamje të re, por edhe një impuls ekonomik gjithë kësaj zone.  Krahas punës për rikonstruksionin e këtij Bulevardi, projekti parashikon edhe rehabilitimin e fasadave në të dy anët e saj, krijimin e lulishteve të vogla etj,. Për mbarëvajtjen e punimeve, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit kanë organizuar një plan masash për realizimin në kohë të këtij projekti.

Bashkia e Tiranës informon qytetarët se ka nisur kufizimi i qarkullimit të automjeteve për një afat kohor prej 18 muajsh, në segmentin “Bulevardi Zog I nga rruga “Urani Pano” deri në rrugën “Asim Vokshi”.

Gjatë punimeve të ndara në disa faza, qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të kryhet sipas planit të lëvizjes si më poshtë:

Gjatë fazës së parë ndalohet qarkullimi në segmentin nga rruga “Urani Pano” deri në kryqëzimin me rrugën “Dervish Hatixhe”. Qarkullimi do të kryhet me dy sense lëvizjeje sipas drejtimit veri-jug.

Ndërkaq, do të pezullohen hyrje-daljet në rrugën “Ferit Stermasi” deri në përfundim të fazës së punimeve. Gjithashtu do të pezullohet parkimi në segmentin nga rruga “Dervish Hatixhe” deri në kryqëzimin me rrugën “Urani Pano” ku do të bëhet dhe qarkullimi sipas drejtimit veri-jug.

Gjatë fazës së dytë do të ndalohet qarkullimi në segmentin nga rruga “Dervish Hatixhe” deri në kryqëzimin me rrugën “Asim Vokshi”. Qarkullimi do të bëhet me dy sense lëvizje dhe drejtimi sipas drejtimit veri-jug.

Do të lejohet akses lëvizjeje hyrje-dalje në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” deri në përfundim të fazës së punimeve.

Gjithashtu, do të pezullohet parkimi në segmentin nga rruga “Asim Vokshi” deri në kryqëzimin me rrugën “Dervish Hatixhe” ku do të bëhet qarkullimi sipas drejtimit veri-jug.

Gjatë fazës së tretë ndalohet qarkullimi në segmentin nga rruga “Urani Pano” deri në në kryqëzimin me rrugën “Dervish Hatixhe”. Qarkullimi do të kryhet me dy sense lëvizje sipas drejtimit jug-veri.

Pezullohen hyrje-daljet në rrugën “Maliq Muço” deri në përfundim të fazës së punimeve.

Pezullohen parkimi në segmentin nga rruga “Urani Pano” deri në kryqëzimin me rrugën “Dervish Hatixhe” ku do të bëhet edhe qarkullimi sipas drejtimit jug-veri.

Në fazën e katërt do të ndalohet qarkullimi në segmentin nga rruga “Dervish Hatixhe” deri në kryqëzimin me rrugën “Asim Voksh”. Qarkullimi do të kruhet me dy sense lëvizjeje sipas drejtimit jug -veri.

Në këtë fazë do të pezullohet parkimi në segmentin nga rruga “Asim Vokshi” deri në kryqëzimin me rrugën “Dervish Hatixhe” ku do të bëhet dhe qarkullimi sipas drejtimit jug -veri.

Veliaj vazhdon fushatën, premton rikonstruksionin e bulevardit ‘Zogu i Parë’

Pavarësisht krizës politike dhe përplasjeve për datën e zgjedhjeve, kryebashkiaku i Tiranës vazhdon fushatën zgjedhore në kryeqytet. Sot Veliaj është takuar me banorët e njësisë 9 ku edhe ka premtuar nisjen e punimeve në bulevardin Zogu i Parë.

Veliaj tha se investimet në këtë njësi kanë sjellë jo vetëm një infrastrukturë më të mirë për banorët, por edhe kanë rritur vlerën e pronës në këto zona.

“Na ka ecur puna shumë mirë. Ka pasur ngarkesë, nuk është mentalitet i lehtë, por e di çfarë? Kur njerëzit shohin që punohet, thonë se duke punuar, fiton edhe besim. Në lagje këtu i kemi bërë të gjitha ndërhyrjet, edhe rruga nuk ka dalë keq.  Tani do fillojmë bulevardin e “Zogu i Parë”, do rregullohen edhe të gjithë fasadat”, tha Veliaj.

Ai sqaroi edhe disa nga projektet e tjera madhore të Bashkisë së Tiranës, ku përfshiu edhe Unazën e Madhe.

“Tani po punojmë te blloku i “Casa Italia”-s, kemi edhe rrethrrotullimin te “Shqiponja”. Do bëhet edhe rruga te Astiri. Ti u thua po të shpronësoj, po të jap një banesë sociale, kurse ata thonë për ideal të partisë do rri këtu. Atyre ju ka dalë llotaria, po bëjnë shtëpi, janë bërë 10 familje bashkë dhe po bëjnë pallate ngjitur me Unazën e Madhe të Tiranës, që është rruga më e shtrenjtë. Pra, u ka rënë bingo, nuk janë për hall. Atyre është për t’u thënë, vazhdo te partia, por rruga do të bëhet. Kështu shpëton “Casa Italia”, Dogana dhe gjithë rrethrrotullimi ‘Shqiponja’”, shtoi Veliaj.

Gjendja e bulevardit pas protestës

Ajo që mbeti pas protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte një katrahurë letrash, banderolash, shishes dhe tymuese e shashka që protestuesit hodhën më herët. Gazetarët e realstory.al në terren raportuan gjendje që protestuesit lanë pas, ku gjithçka duket e qartë në foto.

I menjëhershëm ka qene edhe reagimi i Bashkisë Tiranë, që është vënë në aksion për pastrimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me një postim në Facebook kryebashkiaku Veliaj falënderon kolegët që e kanë “bërë xixë sërish” bulevardin.

Faleminderit kolegëve, qyteti xixë serish. ✨ #TiranaBackToNormal 👍🇦🇱

Gepostet von Erion Veliaj am Samstag, 25. Mai 2019

“Të fortët dhe kalamajt e politikës po pengojnë Bulevardin”

Pas tensioneve dhe përplasjeve me policinë tek Bregu i Lumit, ka reaguar kryebashkiaku Erion Veliaj i cili akuzon “fëmijët e llastuar të politikës” si bllokues të projektit për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.

Veliaj ka marrë pjesë sot në konferencën “Smart City Solution”, ku edhe ka folur për domosdoshmërinë e zhvillimit jo vetëm të qendrës por edhe periferisë së kryeqytetit.

“Ju e dini fare mirë, ky është një qytet që ka vështirësitë e veta. Teksa flasim, po ecim me punimet per tek piazza e fundit e Bulevardit të Ri, por ka ende fëmijë teveqelë e te llastuar politikanesh dhe të fortësh të politikës shqiptare, që i bëjnë rezistencë ndryshimit, por ndryshimi do vijë. Edhe i paevitueshëm. Në mos do e sjellim ne, do e sjellë dikush që vjen pas nesh. Po më mirë ta sjellim ne që e kemi në dorë, sesa t’ia lëmë gjithmonë si gjobë një gjenerate tjetër”, tha Veliaj.

Më herët gjatë ditës, me policinë te bregu i lumit u përplas edhe ish deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Nderkaq, Kreu i Bashkisë u shpreh se kryeqyteti është i destinuar që të rritet. “Duam apo s’duam ne, në të gjithë botën, përfshirë dhe Hungarinë, dhe Shqipërinë, dhe Ballkanin, dhe Europën Qendore, dhe çdo vend tjetër, ka një tendencë nga periferia për në qendër. Pra njerëzit në periferi të Shqipëri duan të vijnë të gjithë në Tiranë, njerëzit në Ballkan që është periferi e Europës duan të shkojnë më në qendër të Europës. Kështu që kemi dy mundësi, ose na kaplon histeria për këto lëvizjet demografike, ose themi ky është një realitet të kohëve tona moderne të cilët ne duhet ta përballim, dhe hajde të mësojmë nga më të mirët.

Ne nuk i ndërtojmë dot mure qyteteve tona, siç ishte në kohët e lashta, ku qytetet rrethoheshin prej muresh. Muret tani janë financiare, muret janë mure të pamundësive, dhe kjo është arsyeja pse ne nuk ndërtojmë dot mure në Tiranë, se na vijnë 25 mijë veta çdo vit. Që nga koha kur jam zgjedhur kryetar bashkie kanë ardhur 100 mijë veta në Tiranë. Do të thotë që duhet të përgatitemi për apartamente që mund të përballojnë. Por për sa kohë që rritja është e qëndrueshme, është inteligjente me konceptet e “Smart Cityt” është e gjelbër me konceptet e pyllit orbital, apo xhepat e parqeve, apo mikro-hapësirave ku po ndërhyjmë, atëherë ky është një lajm i mirë.  Nuk është një fatkeqësi, por është një privilegj, fakti që qytetet tona shtohen si në Budapest dhe në Tiranë me çuna dhe goca që vijnë nga rrethe të tjera, kanë talent”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Çfarë po ndodh te Bregu i Lumit? Gurë e shkopinj kundër policëve

Banorët e Bregut të Lumit janë përplasur sot me forcat e policisë teksa kanë kundërshtuar shembjen e banesave të tyre për ndërtimin e Bulevardit të ri.

Në mbështetje të banorëve kanë dalë edhe ish deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Klevis Balliu. Madje Partia Demokratike e ka pasqyruar protestën me video në faqen e saj në Facebook. Gjatë protestës banorët e zonës kanë gjuajtur me gurë dhe shkopinj ndaj policëve, ndërsa ish deputeti Balliu ka kërkuar dëmshpërblim për banorët. “Banorëve u premtuan edhe banesa sociale, por rezultoi se ishte një mashtrim”, tha Balliu.

Skip to toolbar