Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e diel me një artikull të revistës amerikane Wired për Shqipërinë dhe për bunkerët e ndërtuar gjatë regjimit komunist. Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar shkrimin si një “artikull për atraksionet e veçanta që ofron Shqipëria dhe e bërë një destinacion për të mos u humbur”.
Revista shkruan se këto bunkerë u ndërtuan nga diktatori Enver Hoxha, por që nuk u përdorën kurrë dhe se pas viteve 90 një pjesë e tyre filluan të shkatërroheshin nga njerëzit.
Në shkrim theksohet se pavarësisht prishjes së tyre, një pjesë u ruajt dhe u shfrytëzua për turizmin duke i kthyer në hotele me mëngjes për turistët, në dyqane të vogla, qebaptore etj.
“Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga qebaptore, në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. “E dija se ishte temë e pazakontë dhe do të ishte një projekt i veçantë fotografik. Besoj se popullata vendase ka humbur mundësinë për të qenë mbrojtëse e kujtimit të atyre që kanë vuajtur nën regjimin e Enver Hoxhës, duke i mohuar vetes në të njëjtën kohë një burim të madh të ardhurash nga turizmi”, shprehet Hackman.”
Shkrimi thekson edhe kthimin e tyre ne muze nga qeveria shqiptare Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2 kanë tërhequr kuriozitetin e madh për turistëve për atë periudhë të historisë së vendit.
“Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”, përfundon artikulli.