I burgosuri kalon 3 kontrolle me celular me vete, arrestohen 5 policët e burgjeve

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar 5 punonjës policie për shkak se një i burgosur është transferuar nga njëri burg në tjetrin duke kaluar në 3 kontrolle dhe askush nuk i ka zbuluar telefonin që kishte me vete. Kështu në pranga kanë rënë 5 efektivët e burgjeve që nuk kanë kryer në mënyrë korrekte detyrën e tyre, atë të kontrollit të të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Shqiptarja.com mëson se një i dënuar, Dritan Velaj ka pasur celular me vete në momentin që ka kaluar nga Burgu i Peqinit në burgun 313 në Tiranë, ku gjatë transportit ka kaluar 3 kontrolle.

Bashkë me 5 policët e burgjeve, në pranga ka rënë edhe vetë i dënuari për mbajtjen e sendeve të paligjshme. Efektivët e arrestuar, në ushtrim të detyrës së tyre kanë kryer kontroll ndaj të dënuarit, por nuk kanë raportuar t’i kenë gjetur atij sende të paligjshme. Të dënuarit i është gjetur celulari gjatë kontrollit të fundit në burgun 313. Në këto kushte është bërë arrestimi në flagrancë i 5 efektivëve operacional.

Të arrestuarit janë me inicialet: A.O, L.C, B.K, D.Q, K.H, efektivët e rolit bazë në forcat operacionale, të cilët kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Kujtojmë që më herët nga ana e Hetimit në SHKBB janë bërë edhe arrestime të tjera në saj të rritjes së kontrollit në sistemin penitenciar. Disa javë më parë nga ky sektor u godit fenomeni i mbajtjes së telefonave në qeli, në IEVP Rogozhinë, si dhe në IEVP Peqin u arrestuan 6 efektivë të tjerë policie.

Sherr mes shqiptarëve dhe pakistanezëve në burg, plagosen 3 persona

Një sherr ka nisur në burgun e Chania në Kretë të Greqisë, ku janë përfshirë të burgosur shqiptarë dhe pakistanezë. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës së konsumimit të ushqimit, për arsye ende të panjohura.

Nga sherri kanë mbetur të plagosur 3 persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur.

Sipas mediave greke të plagosurit u transferuan në spitalin e qytetit, ku njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë, pasi ka marrë plagë të thella në gjoks dhe këmbë. Dy të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e burgut ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes që çoi në sherrin masiv.

Tenton të arratiset nga burgu i Rrogozhinës, donte dhe 4 muaj t’i mbaronte dënimi

Një i dënuar ka tentuar të arratiset nga burgu vetëm katër muaj para mbarimit të dënimit të tij. I burgosuri Hamid Skuqi, 42 vjeç, është kapur në flagrancë nga policia, i cili po tentonte të arratisej nga burgu i Rrogozhinës.

Si ishte dënuar me 16 vite burg, për një vrasje që kishte kryer në Itali, ndërsa donte dhe 4 muaj që t’i përfundonte dënimin dhe të ishte i lirë. Nuk dihen arsyet që e kanë shtyrë 42-vjeçarin të arratiset dhe të mos pres edhe 4 muaj.

Sa vite burg rrezikon Basha për akuzat e prokurorisë

Kreu i PD-së e refuzoi sërish thirrjen e prokurorisë për t’u njohur me akuzat e saj për paratë e përdorura nga PD për lobimin në SHBA.

Lulzim Basha dhe dy funksionarë të lartë të PD-së siç është ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi akuzohen për disa vepra të rënda penale siç janë “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë me mbi 5 vite burg.

Kjo është e parashikuar në nenin 287 dhe 190 të Kodit Penal:

Kodi Penal

Neni 287

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë Kriminale”

ç)kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 190/3

“Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Prokuroria shqiptare u ndihmua me informacion nga FBI-ja për këtë çështje. I gjithë hetimi ka nisur pasi u publikua investigimi i revistës amerikane “Mother Jones” vitin e shkuar, mbi lobimin prej 675.000 dollarësh nga Partia Demokratike, përmes kompanisë “Stonington Strategies” të lobistit Nick Muzin, ku ngriheshin dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me qendër në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Menjëherë pas këtij publikimi nisën tri hetime paralele: në SHBA, Skoci dhe Shqipëri, të cilat janë ende aktive. Prokuroria shqiptare nëpërmjet letër-porosive kërkoi ndihmë nga SHBA dhe Skocia nga ku përfitoi shumë informacione të vlefshme.

Ditën e hënë më datë 17 qershor, Lulzim Basha duhej të paraqitej në prokurorinë e Tiranës, por ai e refuzoi sërish thirrjen e prokurorisë duke e cilësuar atë në shkelje të ligjit.

Trafikonin klandestinët, burg për 5 të arrestuarit në Elbasan

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë për 8 personat, të cilët u arrestuar për kalimin e paligjshëm të klandestinëve që vinin nga Siria, Turqia dhe Iraku drejt vendeve të BE.

Gjykata ka dhënë masën “arrest me burg” shtetasit me iniciale E.M, F. S., D. Q., R. H dhe shtetasi turk U.Ç, ndërsa për tre personat e tjerë është dhënë masa “detyrim paraqitje”.

Këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin, vepronin si grup kriminal, duke organizuar transportin  e klandestinëve te huaj nga Kufiri i Gjelbër me shtetin grek në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Mal të Zi. Klandestinet paguanin shuma të konsiderueshme eurosh tek organizatori i këtij trafiku.

PD i bllokon rrugën, Rama u kujton: 1-5 vite burg për pengimin e fushatës

Militantët e Partisë Demokratike e kanë pritur kryeministrin  Rama me protesta, ku kanë tentuar edhe t’i bllokojnë rrugën, në hyrje të qytetit të Librazhdit, ku Rama vijon fushatën elektorale.

Për rastin, Rama reagoi gjatë fjalës së tij me qytetarët e Librazhdit, ku tha se personat që tentuan t’i bllokojnë rrugën shkelën ligjin pasi pengimi i fushatës zgjedhore për një subjekt përbën vepër penale dhe dënohet nga 1-5 vite burg. “Kam dëgjuar shpesh që thonë 1997, 1997! Por me kë do ta bëjnë? Me ato 100 mjeranë atje që kishin zënë rrugën dhe gjuanin me gurë dhe kapsolla të drejtuar nga politikanë qorra që u shërbejnë, Metës, Bashës, Saliut dhe Monikës?!” Sot shkelën një nga nenet, pengimin e fushatës dhe dënohen nga 1-5 vite këtë njerëz. Sakrifikojnë lirinë e tyre, për kë? Hallin e katër aventurierëve që e çuan opozitën në drejtim të paditur.”

Gjithashtu Rama rikonfirmoi 30 qershorin përmes fjalëve të ndërkombëtareve, ndërsa përmendi edhe heqjen e të drejtës për të hyrë në SHBA nëse dhunojnë zgjedhjet. “ Në 30 Qershor ne do të vijojmë rrugën dhe kush do të guxojë të na dalë përpara do të përballet me ligjin, jo vetëm shqiptar. Qeveria amerikane i drejtoi gishtin me emër dhe mbiemër, Bashës dhe Kryemadhit që do të jenë përgjegjës, se qartësisht se atyre që vijojnë këtë rrugë do u hiqet e drejta për të hyrë në SHBA. E dëgjuat vetë nga Presidenti i KE-së dhe të gjithë europianët janë për zbatimin e ligjit në 30 Qershor.”

Dy shqiptarë zënë në gjumë italianët, arratisen nga burgu i sigurisë së lartë

Dy shqiptarë të dënuar në Itali kanë arritur të arratisen nga një burg i sigurisë së lartë, duke përfituar nga pakujdesia e autoriteteve vendase. Ervis Markja, 26 vjeç dhe Adriatik Gega, 28 vjeç,  janë arratisur nga burgu i sigurisë së lartë “Novelli” në Carinola , rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm. Nuk dihet ende dinamika e ngjarjes, por nga mediat italiane deklarohet se kanë arritur të presin hekurat e dritares së qelisë për tu arratisur.

Ervis Markja u arrestua në janar 2016 së bashku me dy persona të tjerë, të identifikuar pas një arratisjeje në të cilën kishin sulmuar një makinë policie. Ai u arrestua në Carinola për mbajtje të mallrave të vjedhura dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë.

Ndërsa Adriatik Gega u arrestua në vitin 2012 në krahinën e Beneventos. Asokohe ai ishte rreth 20 vjeç akuzohej se ishte pjesë e një bande të specializuar për grabitje në shtëpi së bashku me tre të tjerë të bllokuar me të. Ai u arrestua në Caserta për mbajtje të mallrave të vjedhura, rezistencës ndaj zyrtarëve publikë, lëndimeve personale dhe vjedhjes .

Kontrolle janë duke u ushtruar nga forcat e policisë  në  stacionet hekurudhore dhe ato të transportit publik në përgjithësi, kjo sepse dyshohet se ata mund të përpiqen të largohen me tren ose me autobus. Gjatë natës patrullat dhe pikat e kontrollit u ngritën në Carinola dhe përgjatë rrugëve kryesore të rrethinës.

Sekuestrohet drogë dhe telefona në burgun e Drenovës dhe Peqinit!

Ministria e Drejtësisë ka shpërndarë një komunikatë këtë fundjavë, ku njofton se gjatë kontrolleve të kryera në dy burgje të vendit, ku sipas njoftimit, mësohet se janë sekuestruar 22 doza narkotike dhe 4 aparate celularë.

“Në kuadër të rritjes së kontrolleve e sigurisë në sistemin e burgjeve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e SHKBB-së, u konstatua se në datë 18.05.2019 në IEVP Korçë, i dënuari B. L, i sapo kthyer nga leja shpërblyese kishte transportuar 22 doza narkotike, në qese plastike, duke i gëlltitur. Pasi u krye ekografia u konstatua se në stomak ka edhe doza të tjera”.

“Veç masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e burgut, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Policia e Shtetit, po kryejnë veprimet proceduriale dhe hetimore për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodi Penal dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Më tej, në vijim të komunikatës, mësohet se nga i njëjti kontroll rutinë në burgun e Peqinit, janë gjetur dhe sekuestruar 4 aparate cecularë, të cilët ishin fshehur në pajisjet elektroshtëpiake.

“Në po këtë datë, në vijim të kontrolleve në sistemin penitenciar nga ana e Policisë së Burgjeve, në IEVP Peqin, u krye kontroll në disa qeli në sektorin e sigurisë së lartë dhe u gjetën 4 aparate celular të fshehura në pajisjet elektroshtëpiake të të dënuarve D. H dhe E. H”.

“Pas masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e IEVP-së, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje po kryen veprimet e para proceduriale dhe hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal”.

Tjetërsuan pronat në bregdet, burg për 9 ish-zyrtarët

Gjykata e Kavajës ka dhënë një total prej 13.4 vitesh burg për 9 zyrtarët e akuzuar për tjetërsim pronash në plazhin e Spillesë.

Gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit duke dhënë masat:

-Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg

-Andi Gjeçi, jurist në ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim

-Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim

-Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim

-Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim

-Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim

-Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim

-Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim

-Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar

Ish zyrtarët e Hipotekës në Kavajë u akuzuan për tjetërsim të 36 hektarëve tokë shtetërore përmes shit-blerjeve të dyshimta.

“Klevis Balliu mbahet në burg me urdhër politik”

I pranishëm në qytetin e Pogradecit, ku ka zhvilluar takime me qytetarët, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë për burgosjen e ish deputetit Klevis Balliu. Basha tha se Klevisi është burgosur me urdhër politik të Ramës.

“Na mungon dikush sot, na mungon, sepse Edi Rama ka vendosur të kthejë burgun politik. Na mungon Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik vetëm e vetëm, sepse qëndroi në kah të qytetarëve,e që po i dhunonte policia. Unë jam krenar për Klevis Balliun, e di që edhe ju jeni krenar për Klevis Balliun. Dhe mesazhi që ju çon është që të qëndrojmë edhe më fort, edhe më të bashkuar në krah të njerëzve, në krah të kauzës tonë për liri dhe demokraci. ta tregojmë veten. Ky është mesazh për të gjithë ju e në veçanti për rininë e Pogradecit, ta tregojmë veten fuqimisht të shtunën më 11 maj në Tiranë”, tha Basha. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu u arrestuar dy ditë më parë për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të rrugës dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë

Skip to toolbar