Negociatat, Bushati: Ndani interesin kombëtar nga politika ditës

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kritikuar politikën shqiptare që të ketë si objektiv parësor të saj integrimin e vendit dhe jo interesat e tyre politike. Për Bushatin në çështjen e integrimit duhen ndarë interesi kombëtar nga politika e ditës dhe kërkon një angazhim politik e shoqëror për të ecur drejt demokratizimit dhe modernizmit të vendit.

“Anëtarësimi në Europë është e vetmja shpresë për vendin tonë” tha Bushati, pasi për të kjo rrugë “do fuqizojë demokracinë, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”.  Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Parlamentare Ndërkombëtare, “Dialogu i Dubrovnikut” në Catvat të Kroacisë, Bushati tha pavarësisht qëndrimeve skeptike të disa vendeve ndaj procesit të zgjerimit, kjo nuk duhet të frenojë dhe ngadalësojë motivimin e  Shqipërisë për të ecur para me reformat transformuese.

Teksa javës tjetër presim nga Vendet Anëtare të BE-së përcaktimin e datës për fillimin e bisedimeve të pranimit, në përputhje me Konkluzionet e BE-së të Qershorit 2018, është me rëndësi që qëndrimet skeptike e frenuese ndaj procesit të zgjerimit të mos ngadalësojnë motivin tonë për të vijuar me procesin e vështirë të reformave transformuese. Evropa, si projekt i shpresës është e vetmja rrugë për të fuqizuar demokracinë, për të projektuar një model të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror.

Kjo nuk është çështje kapitujsh e ligjesh në letër, por çështje e Shqipërisë së nesërme. Pavarësisht qëndrimit që mund të ketë sot Franca, nesër Holanda apo pasnesër një vend tjetër anëtar i BE, duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga jonë do të jetë e përpjetë. Ndaj, na duhet një Pakt për Evropën dhe angazhim i njëmendtë politik e shoqëror për të ndarë interesin e epërm kombëtar nga politika e ditës. Procesi i anëtarësimit në BE duhet të korrespondojë gjithnjë e më shumë me modernizimin, demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë së nesërme.”- tha Bushati

Përplasja me Ballën, Bushati: Valdrinin nuk e solla unë, nuk iki nga PS

Deputeti socialist Ditmir Bushati ka reaguar pas deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm socialist, Taulant Balla, i cili thoshte se kandidaturën e Valdrin Pjetrit në Shkodër e propozoi ai. Bushati, përmes një interviste për Zërin e Amerikës, nuk pranoi të mbante këtë përgjegjësi duke u shprehur se “Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë”. Bushati ka refuzuar të ketë propozuar kandidaturën e Pjetrit, ndonëse ishte ai vetë që e ka promovuar Valdrinin si ‘djalë të Shkodrës’ e duke kërkuar mbështetje për të, duke vepruar me një standard të dyfishtë. Përkundrazi, ashtu si në mbledhjen e kryesisë së PS, Bushati ja delegon sërish përgjegjësinë partisë së tij madje duke thënë edhe se “kjo parti ka nevojë për filtra të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë.”, ndërsa ka kërkuar edhe një reformim të brendshëm të partisë.

Është e rëndësishme fillimisht që të ndajmë përgjegjësinë ligjore e cila në çdo rast është individuale për çdo person që ka shkelur ligjin dhe çdo person duhet të përballet me drejtësinë, me përgjegjësinë politike që ne e kemi si politikan dhe si forcë politike. Përgjegjësia politike në këtë rast mund të ushtrohet përmes një reformë politike, që do të sillte në qendër të vendimmarrjeve tona, anëtarin e PS-së. Nga eksperienca ime politike dhe në drejtim të qarkut Shkodër, kam kuptuar që disa vendimmarrje është me rëndësi që t’ua besojmë komuniteteve. Është me rëndësi që t’ia besojmë bazës së partisë, në mënyrë që të sigurojmë që kemi zgjedhur personat e duhur dhe në mënyrë që gara që duhet të zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste në këtë rast, të sjellë jo vetëm ofertën më të mirë politikë, programatike, shoqëruar me një vizion përkatës, por t’i krijojë mundësi në radhë të parë anëtarësisë së PS-së dhe më pas komuniteteve lokale për të ushtruar një mbikëqyrje më të madhe në lidhje me integritetin e çdo kandidati që synon që të ketë një karrierë politike.” është shprehur Bushati, i cili shprehet se PS është një parti që ka kapacitete të mëdha për t’u vetëkorrigjuar dhe të jetë forcë e ndryshimit dhe rritjes së demokracisë së brendshme.

Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetëkorrigjuar. Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira.” tha Bushati.

Pavarësisht mohimit se ai ka propozuar kandidaturën e Pjetrit, i pyetur nga gazetari se në fakt ishte ai që e promovoi dhe kërkoi mbështetjen e tij nga shkodranët, Bushati tha se nuk e ka përjashtua veten nga përgjegjësi të tilla dhe është pikërisht ky rast që e shtyn atë të mendoj se PS ka nevojë për një mentalitet të ri, më perëndimor.

Natyrisht, nuk kam përjashtuar asnjë çast as veten nga përgjegjësi të tilla, edhe kur kam thënë që, ne nuk kemi pse mos të guxojmë të kërkojmë ndjesë për vendimmarrje të gabuara dhe kur kam deklaruar që askush prej socialisteve e progresisteve shqiptarë nuk ka pse të ndjehet i ligështuar prej vendimmarrjeve të gabuara nga ana jonë. Por, pikërisht eksperienca e Shkodrës, më shtyn të mendoj që ne duhet të fillojmë të veprojmë seriozisht me një mentalitet të ri perëndimor, 30 vjet pas shembjes së regjimit komunist, duke krijuar garë të vërtetë brenda nesh, duke krijuar rregulla loje që duhet të respektuar brenda nesh, një sistem merite dhe vlere, modele frymëzuese.”- tha Bushati.

Në lidhje me lajmet se nëse ai do të largohej nga PS për t’ju bashkua Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, Bushati i hodhi kategorikisht poshtë këto zëra duke thënë se nuk as asnjë arsye apo ambicie për të lëvizur nga PS dhe se këto lajme janë të rreme dhe nuk ka në plan të krijojë një matrice neo-jugosllave.

Kjo është një tollovi treditore e krijuar kryesisht nga teknologët politikë dhe distributorët e lajmeve të rreme. Unë besoj që ne nuk e kemi luksin të jemi një matricë neo-jugosllave. Nuk kam asnjë arsye, e jo më ambicie për të lëvizur nga Partia Socialiste të cilën e konsideroj familjen më të madhe politike në vend. Jam mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar në të gjitha funksionet e mia, si Ministër i Jashtëm por edhe në funksionet politike, nga kolegët, nga anëtarësia e Partisë Socialiste dhe sot më shumë se kurrë mendoj që ne kemi nevojë për të hedhur një tjetër hap drejt demokratizimit të mëtejshëm të PS-së, për të dëshmuar që jemi në gjendje për tu vetë-korrigjuar.” u shpreh Bushati.

Lexoni këtu intervistën e plotë

Qëlluan këshilltarët me shishe uji, arrestohet kreu i FRPD Shkodër

Pas përfundimit të protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike, gjatë kohës që zhvillohej mbledhja për konstituimin e këshillit bashkiak në Shkodër, policia e këtij qyteti ka arrestuar kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të këtij qyteti, Arvit Bushati. Arrestimi i Bushatit ka ardhur pas përplasjeve dhe tensioneve të krijuara mes protestuesve dhe policisë së Shkodrës.

Në fund të protestës, militantët e Partisë Demokratike kanë gjuajtur me shishe uji deputetin Tom Doshi dhe anëtarët e këshillit të ri bashkiak të Shkodrës. Ndërkohë, gjatë arrestimit të Arvit Bushatit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka pasur një debat verbal me punonjës të Policisëm duke u kërkuar të mos e arrestonin Arvit Bushatin. “Ndalimi i Arvit Bushatit është i paligjshëm. Ishte i paligjshëm nga policë pa mandat dhe shenja dalluese” ka thënë ndër të tjera Bardh Spahia.

Gjatë paradites të së hënës në bilbliotekën e universitetit të Shkodrës u bë konstituimi i i këshillit të ri bashkiak të Shkodrës. Ndërkohë, prej nisjes së konstituimit të këshillit deri në përfundim të mbledhjes, militantët e Partisë Demokratike kanë protestuar duke e cilësuar të “paligjshëm konstituimin e këshillit”.

Bushati dhe 3 ish ministra, letër BE: Çelja e negociatave pasuron Europën

Ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati së bashku me 3 homologë të tij i kanë dërguar një letër Bashkimi Europian, përmes të cilës bëjnë thirrje për vendosjem sa më parë të një date për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Letra e nënshkruar nga Bushati për Shqipërinë, ish ministri i Jashtëm, Daniel Mitov i Bullgarisë,  Jannakis Kasoulidis për Qipron dhe ish ministri i Jashtëm, Nikolaos Kotzias për Greqinë është publikuar në disa gazeta evropiane.

Ish ministrat i bëjnë apel BE-së, që pavarësisht probleme të brendshme që ka, të hapë negociatat për dy shtetet e Ballkanit, si një mesazh i qartë për reformat që ata kanë ndërmarrë por edhe si një mbështetje për demokracinë e tyre të brendshme dhe konsolidimin e këtyre shteteve.

“Komisioni Evropian prezantoi komunikatën e tij për Politikën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2019, me raportet shoqëruese të vendeve, më 29 maj të këtij viti. Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin drejtuar Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në progresin e kalendarin e miratuar në qershor 2018 nga vetë Këshilli.

Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të BE, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE.

Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbështesin rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Procesi i anëtarësimit në BE rrit mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe zhvillimin socio-ekonomik, për të siguruar të drejtat e qytetarëve në këto vende. Përmes monitorimit dhe shqyrtimit të progresit të arritur, BE do të asistojë dhe do të veprojë si partner në këtë proces.

Rritja socio-ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE do të kontribuojë vendosmërisht për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e një shteti demokratik, drejtësinë dhe lirinë e shprehjes në të dy këto vende”, shkruhet në letër.

Bushati dhe tre homologët e tij, ish ministra të jashtëm, theksojnë gjithashtu se pranimi i këtyre shteteve nuk do të thotë t’i bësh atyre nder, përkundrazi ky proces do të pasurojë unionin në tërësi.

“Nevoja për të filluar procesin e anëtarësimit për të dy vendet përkon me kërkesat e shoqërive të tyre, historisë së tyre dhe vetë rajonit. Ajo përkon, megjithatë, me nevojën e vetë Bashkimit Europian. Pranimi i tyre nuk do të thotë ti bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë Projektit Europian.

Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE, por kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende. Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, përfundon letra.

Ditën e martë, Këshilli i Europës, ndërsa vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe përmbushjen e të gjitha kushteve nga qeveria shqiptare, shtyu për në tetor çeljen e negociatave. Shkak u bënë çështjet e brendshme me të cilat po përballet vetë unioni, por edhe situata politike në Shqipëri, e cila ka ndikuar negativisht tek disa shtete anëtare të BE që duhet të japin votën pro çeljes së negociatave.

Bushati: Raporti pasqyron qartë arritjet. Opozita, e dëshpëruar

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi gjatë seancës së sotme plenare se progres-raporti pasqyron qartë të gjitha arritjet. Bushati deklaroi se dje ndjeu keqardhje nga reagimet e opozitës.

“Ka vende që edhe pse janë bërë para Shqipërisë ia lejojnë vetes të ulen në dy karrige. Nuk është rastësi që raporti identifikon mbështetjen e fuqishme të firmosjes së marrëveshjes së Prespës. Raporti ofron një pasqyrë të qartë të të gjitha arritjeve. Unë kam 10 vite në këtë sallë dhe më erdhi keq me reagimet e opozitës në lidhje me këtë sukses të Shqipërisë. Ishin pasqyrë e dëshpërimit. Kam qenë ministër i jashtëm dhe në 2016 kemi bërë një debat. Po ashtu vjet kemi bërë debat nëse rekomandimi do shtronte rrugën për hapjen e negociatave. Qeveria në këtë proces ka thjesht barrën kryesore dhe duhet të bëjë detyrat. Merita është vetëm e shqiptarëve. Mbi 90% e shqiptarëve nuk kanë asnjë dyshim për sa i përket kursit të Shqipërisë”, u shpreh Bushati.

Skip to toolbar