Basha, fushatë brenda partisë: Kur të qeverisim, garantojmë mirëqenie për të gjithë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vazhduar turin e takimeve me strukturat e PD-së në qytete të ndryshme të vendit, ku gjatë të premtes është ndalur në Delvinë ku ka premtuar mirëqenie për të gjithë kur PD të vijë në pushtet.

Lulzim Basha tha në Delvinë “se angazhimi i tij madhor është t’ua kthejë mirënjohjen shqiptarëve me vepra konkrete për mirëqenien e tyre, kur PD të marrë drejtimin e vendit”.

Në fushatën që Basha ka ndërmarrë brenda partisë fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit që u zhvilluan dhe pritet të certifikohen të shtunën nga KQZ, kreu i PD-së vazhdon të deklaroje se zgjedhjet janë nul.

“30 qershori është nul dhe i pavlefshëm. Çdo produkt i tij është nul dhe i pavlefshëm”- tha kreu i opozitës duke u shprehur mirënjohës për çdo banor të Delvinës që iu bashkua shumicës absolute të 85 përqind të shqiptarëve, të cilët duan ndryshimin.

Nëse i referohemi deklaratës së Arben Ristanit, duket se Basha po bën atë që ish numri dy i PD paralajmëron, “po e çon PD me verbëri drejt humnerës”, pa  bërë asnjë reflektim për veprimet e ndërmarra nga partia që ai drejton. Ristani shkruan se zgjedhjet u zhvilluan përkundër premtimeve të PD-së dhe tani nuk mund të ecet me të tjera premtime në tym, por lidershipi i PD-së duhet të reflektojë dhe të marrë masa për të ringritur partinë. Por duket se Basha nuk i ka aspak në mendje këshillat e Ristanit, vazhdon të mohojë 30 qershorin dhe të bindë të vetët se PD ka fituar.

Gjykata u jep mandatin kryetarëve të rinj në Sarandë, Delvinë dhe Finiq

Të enjten Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë, ka konfirmuar ligjshmërinë e mandateve për tre të zgjedhur vendor në zgjedhjet e 30 qershorit. Konkretisht, bashkiaku i ri i bashkisë Finiq Kristo Kiço, Majlinda Qilimi për bashkinë Delvinë dhe Adrian Gurma për bashkinë Sarandë, kanë marrë mandatin edhe nga gjykata.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar te enjten, nuk është pranuar kërkesa e palëve të opozitës për të qenë palë të treta në këtë proces.

Ndaj, avokati i opozitës, Robert Harxhi e ka quajtur  pengimin e tyre  për të marrë pjesë në seancat gjyqësore, si shkelje ligjore.

Vendimi i Gjykatës së Sarandës vjen një ditë pasi Gjykata e Durrësit refuzoi të njihte mandatin e Valbona Sakos. Megjithatë, pritet që të paktën 50 nga 61 të zgjedhur vendor  në zgjedhjet e 30 qershorit, të njihen edhe nga gjykatat në vend.

Ndërkohë, në disa rrethe, pritet të ketë bllokim të mandateve të të zgjedhurve vendor nga gjykatat. Refuzimi i njohjes së mandatit të Valbona Sakos nga Gjykata e Durrësit, ishte procesi i parë, që pritet të pasohet edhe në disa gjykata të tjera në vend.

Delvinë, bie nga lartësia, humb jetën 42-vjeçarja

Një 42-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi prej 20 metrash. Viktima, Valentina Kotolloshi, ka qenë duke rregulluar një tub uji në fshatin Vergo të Devollit, kur ka rrëshqitur e ka rënë nga lartësia.

Ajo është transportuar menjëherë në spital, por për shkak të plagëve të marra në kokë nuk ka mundur dot të mbijetojë.

Skip to toolbar