Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar përkohësisht intervistat për vizat imigruese në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën, në një tjetër masë të administratës për forcimin e kontrolleve ndaj imigracionit.
Departamenti i Shtetit e ka konfirmuar masën, duke e lidhur atë me një program të ri trajnimi për zyrtarët konsullorë. Sipas autoriteteve amerikane, trajnimi synon të sigurojë që aplikantët të vlerësohen në mënyrë më të plotë dhe të njëtrajtshme, veçanërisht sa i përket mundësisë që ata të varen nga përfitimet publike në SHBA.
Vendimi është zbatuar në ambasadat dhe konsullatat amerikane që nga fillimi i gushtit. Aplikantët që kishin intervista të planifikuara kanë marrë njoftime për anulimin ose shtyrjen e takimeve dhe u është bërë e ditur se do të informohen për data të reja. Deri tani, Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë një datë të qartë për rifillimin e intervistave.
Administrata Trump e ka vendosur në qendër të politikës së re kriterin e njohur si “public charge”, sipas të cilit autoritetet mund të refuzojnë një vizë nëse vlerësojnë se një person ka gjasa të bëhet i varur nga ndihma publike amerikane.
Departamenti i Shtetit ka deklaruar se po rishikon procedurat e kontrollit për të garantuar që emigrantët të jenë financiarisht të vetëqëndrueshëm. Në fillim të gushtit, departamenti njoftoi gjithashtu një program pilot që lejon kërkesën për një garanci financiare (“Public Charge Bond”) për kategori të caktuara aplikantësh.
