Në dy vjet nga nisja e vettingut, u hoqën 125 gjyqtarë e prokurorë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cituar nga Balkanweb, bëri një bilanc të procesit të Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Që prej momentit të fillimit të këtij procesi dy vite më parë, në sitën e vettingut kanë kaluar 223 gjyqtarë dhe prokurorë. Ata janë vlerësuar për pastërtinë e figurës, pasurisë dhe përgatitjen profesionale. Sipas këtij Komiteti, procesi i vettingut ecën me ritme të ngadalta, pasi deri më tani janë kaluar në “skaner” vetëm 27 përqind e subjekteve në fazën e parë të vettingut.

Nga analiza e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezulton se pas dy viteve janë larguar nga sistemi i drejtësisë 125 gjyqtarë e prokurorë. 83 magjistratë janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur u Kualifikimit, ndërsa 42 janë larguar pasi kanë dhënë dorëheqjen apo kanë dalë në pension. KPK ka shkarkuar 50 gjyqtarë, 31 prokurorë dhe 2 ndihmës ligjorë.


Ndër arsyet e shkarkimit dominon pasuria e pajustifikuar, pasi 35 magjistratë janë shkarkuar për këtë; 1 magjistrat është shkarkuar për kriterin e pastërtisë së figurës dhe 47 janë shkarkuar për më shumë se një kriter.

2 vjet pas fillimit të vettingut; 97 magjistratë kanë kaluar të gjitha verifikimet e janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit; 40 prej tyre janë gjyqtarë dhe 48 janë prokurorë.

Ndërsa në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit janë kryer 102 ankime. Pjesën më të madhe të ankimeve në Kolegj e kanë bërë vetë subjektet e rivlerësimit, 73 raste; ndërsa Komisioneri Publik ka ankimuar 29 vendime të shkallës së parë, KPK.

Që prej fillimit të punës Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë 46 vendime. Në 32 raste KPA ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vetëm në 9 raste Kolegji e ka ndryshuar këtë vendim.


“Në 2020 nuk cenohen Rama, Basha dhe Meta”, Minxhozi: Ndryshimi vjen nga drejtësia

Analisti Skënder Minxhozi u shpreh në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se gjatë vitit 2020 në Shqipëri nuk do të cenohet pushteti i Kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe nuk do të cenohet as mbiemri “Meta” në LSI. Megjithatë, për Skënder Minxhozin e vetmja dritë në fund të tunelit është vënia në funksion e institucioneve të reja politike. Sipas Minxhozit, kasta aktuale politike nuk ka fuqi për të bërë ndryshimin.

“Kur analizojmë vetëpastrimin e partive politike shqiptare, unë mendoj që gjatë 2020 duhet t’i përgjigjemi tre pyetjeve të thjeshta. A do të cenohet pushteti i Ramës? A do të cenohet pushteti i Bashës dhe a do të cenohet mbiemri Meta? Përgjigja ime është jo. Ndaj kjo më jep të kuptoj se proceset e reja politike shtetformuese, si ndryshimi i Kodit Zgjedhor, etj”, tha Minxhozi


“Unë jam i bindur se opozita me një imponim më të fortë se sa ky, opozita do të kishte një rezultat më të madh, ku në këtë emergjencë të madhe jo ti jepte dorën Ramës, por të ballafaqonte idetë. Në kushtet ku ndodhemi, unë them se drita në fund të tunelit është ajo që ka qenë në fund të vitit 2014. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë janë i vetmi element i ri që janë futur në Shqipëri. Ky faktor do të jetë e vetmja dritë në fund të tunelit. Kasta politike shqiptare nuk ka fuqi për ndryshim”, tha Minxhozi. /Realstory.al/


Njela: Drejtësia, do çlirojë Shqipërinë nga korrupsioni

Nga Spartak Ngjela

Korrupsioni i lartë shtetëror është energjia e errët e shoqërisë shqiptare në njëqind vjet. Korrupsioni ka qenë motivi kryesor i pushtetit në Shqipëri, por sot po i vjen fundi… Ky, në fakt, ka qenë dhe mbetet një fenomen shqiptar. Reforma në Drejtësi besohet se do ta eliminojë më në fund energjinë e errët në gjirin e shoqërisë shqiptare.


Ja cila është gjendja sot, kur Refotma në Drejtësi sapo ka nisur

l.

Në Shqipëri sot konstatohet:

Një qeveri që nuk kuptohet se me çfarë skeme po punon në drejtimin politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Një opozitë e dalë jashtë parlamentit për të destabilizuar Shqipërinë. Një kryeministër në hall, që po flet jashtë sensit normal në trajtimin e gjëndjes shoqërore në Shqipëri.

Por, ka edhe një kërcënim amerikan antikorrupsion, dhe një humbje të toruas politike në funksion të së ardhmes që vjen shpejt. Kuptohet qartë se të gjithë janë të kërcënuar nga ajo që pritet të ndodhë. Jemi në një pikë historikë sot, ku tragjedia e të korruptuarve është e mira maksimale e shqiptarëve. Por kjo tragjedi e ndierë nga korrupsioni i lartë shtetëror, në pushtet apo në opozitë, krijon, për çdo ditë e më shumë, reaksion antireformë në Shqipëri. Kjo, në fakt, e ka sjellë vonesën në ecurinë e likuidimin të energjisë së errët shqiptare.

ll.

Çfarë është energjia e errët shqiptare?

Përderisa ka një energji të errët (dark energy) në univers, ne mund ta huazojmë si koncept për të thënë se ka një energjia të errët edhe në shoqëri. Ne na duhet të themi se kjo ndodh edhe në një shoqëri sepse, edhe aty, brenda saj, ka një energji të errët e cila krijon ligësinë njerëzore si psikologji, dhe korrupsionin e lartë shoqëror si krim.

Energjia e errët e universit zgjeron universin, kurse energjia e errët e shoqërisë zmadhon të keqen njerëzore nëpërmjet motivit për pushtet. Pasurohu dhe krijo mjerim kombëtar: kjo është shtysa e energjisë së errët për afër tridhjetë vjet në Shqipëri. Izolo Shqipërinë dhe krijo mjerim kombëtar për pushtetin tënd: kjo ka qenë energjia e errët e Enver Hoxhës. Just the same. Reforma në Drejtësi do ta eliminojë dhe bllokojë energjinë e errët të shoqërisë shqiptare.

lll.

Çfarë ka krijuar energjia e errët në shoqërinë shqiptare? Dhe, si do të mund ta mbyllë përfundimisht Reforma në Drejtësi këtë fenomen që vjen nga ligësia njerëzore? Energjia e errët ka krijuar në historinë njëqindvjeçare të shtetit shqiptar pushtetarë të korruptuar dhe kryeministra që, për interesin e vet material dhe atë të pushtetit, kanë shitur interesin kombëtar tek pushuesit e Shqipërisë natyrore, duke goditur mjaft rëndë etninë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Ky korrupsioni enorm dhe shitja e interesit kombëtar kanë krijuar varfërinë shqiptare, por edhe përçarjen shoqërore të etnisë shqiptare në njëqind vjet rresht. Luftë klase, i tha Enver Hoxha të gjithë tragjedisë që krijoi terrorin shtetëror shqiptar, izolimin tërësor të Shqipërisë dhe braktisjen tërësore të etnisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Integrim me Bashkimin Evropian, e quajti mjerimin shqiptar korrupsioni i lartë shtetëror në tridhjetë vjetët e paskomunizmit në Shqipëri. Kjo është gjendja, dhe këtë gjendje e eliminon vetëm zbatimi i ligjit. Ligji është monarku absolut që do të krijojë Reforma në Drejtësi dhe, ky monark, do ta çlirojë shoqërinë shqiptare nga një e keqe shekullore.

Domethënë, shpresa e shqiptarëve është funksionimi i ligjit si goditje penale antikorrupsion dhe, respektimi i ligjit, si mbarëvajtje shoqërisë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Kjo do të krijojë realisht në Shqipëri drejtësinë e munguar. Këtë kërkon të krijojë Reforma në Drejtësi, tanimë e nisur dhe e kompletuara ligjërisht. Është një kushtetutë e miratuar me konsensus të të gjitha palëve, dhe janë rreth 12 ligje organikë që rrjedhin nga kërkesat e kushtetutës për të krijuar pemën institucionale të vetë reformës.

Shqipëria më në fund po ndodhet në pragun e ndryshimet të madh, për të kaluar në moralitetin e drejtimit shtetëror. Po, a ka një forcë reale që e garanton këtë? Po, ka. Politika amerikane i është zotuar shqiptarëve botërisht për këtë garanci, dhe po shihet qartë që ajo po ua jep shqiptarëve të vuajtur këtë garanci. Madje me forcë…


Ruçi falënderon Sorosin, mesazh Metës: Asnjë negociatë për Reformën në Drejtësi

Kuvendi ka përkujtuar të hënën 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi ndërsa ka promovuar botimin parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka falënderuar përfaqësuesit e Fondacionit SOROS për ndihmën e tyre në këtë drejtim, ndërsa i ka dhënë një mesazh të qartë presidentit, Ilir Meta, se Reforma në Drejtësi nuk do të negociohet.

“Dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tim personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Për arsyen e thjeshtë se ajo është e dëshiruar për të gjithë qytetarët dhe se destinacioni europian, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të negociohen. 


Por ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit”, tha Ruçi.

Përmes një analize, kreu i Kuvendit sqaroi se Kushtetuta dhe Ligjet janë themeli i demokracisë që pravalojnë mbi çdo dialog dhe kompromis politik.

“Duket sikur demokracia liberale dhe kushtetueshmëria kufizojnë njera-tjetrën.  Nuk kanë munguar as në realitetin shqiptar këto kohë interpretime mbi të ashtuquajturin kufizim të demokracisë për shkak të këmbënguljes për kushtetutshmëri e ligjshmëri.

Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria nuk janë vargonj për demokracinë, por kolonat ku mbështetet ajo, janë kufizime që demokracia vendos ndaj vetes, me qëllim që të shpëtojë prej anarkisë, destabilitetit dhe pasigurisë.

Demokracia është, padyshim, edhe arti i kompromisit. Por ndërsa kushtetueshmëria është themeli, kompromiset përbëjnë kthinat e demokracisë. Kushtetuta dhe ligjet janë rrënjët, ndërsa kompromiset politike degët e një sistemi demokratik.  Dhe të gjithë jemi të një mendimi që rrënjët dhe themelet prevalojnë mbi kthinat dhe degët.

Përvoja jonë në realizimin e reformës në drejtësi na ndihmon të reflektojmë dhe të pajtohemi me modelin demokratik, sipas të cilit udhëharta e veprimeve tona politike duhet të jenë Kushtetuta dhe ligjet”, tha kreu i Kuvendit, i cili edhe njëherë theksoi se reforma në drejtësi është realizuar dhe është bërë realitet falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, si edhe ambasadat, misionet dhe ekspertët nga të gjitha vendet partnere.

Kujtojmë se më herët, presidenti Ilir Meta e ka sulmuar ashpër reformën në drejtësi të cilën e ka cilësuar si “Ramaforma” për të akuzuar kapjen e saj nga kryeministri Rama i mbështetur nga ndërkombëtarët veçanërisht nga ambasada amerikane. Presidenti Meta gjithashtu ka akuzuar Sorosin se përmes ndikimit të tij në Shqipëri dhe në reformën në drejtësi po krijon një “deep state” ose një shtet paralel në Shqipëri, akuza këto të rrëzuara përmes një deklarate nga fondacioni Soros. Përmes qëndrimit të së hënës të kreut të Kuvendit, presidenti Meta merr një tjetër mesazh nga maxhoranca se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas dhe as nuk është objekt për negociata për kompromis politik.


Evazion fiskal me shifra rekord në Europë, kapet në Shqipëri iraniani

Policia kufitare në doganën e Kapshticës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka bërë arrestimin e një shtetasi iranian, me inicialet A.H, banues në Angli. Ky shtetas është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, pasi është i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Evazion fiskal në 199” raste, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.

Njoftimi i Policisë së shtetit:


Kapshticë

Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të “Evazionit fiskal në 199 raste”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Interpol Tirana, bënë arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, të shtetasit:

A.H, 39 vjeç, lindur në Irak dhe banues në Angli.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Augzburg, Gjermani, ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar ndaj tij, për veprën penale “Evazion fiskal në 199 raste” kryer në kuadrin e organizatës kriminale, parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.


Elisabeta Imeraj: Çfarë po ndodh me SPAK

Në një takim me studentët e Juridikut, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka folur për reformën në Drejtësisë dhe ngritjen e strukturës së posaçme SPAK, që do të hetojë rastet e korrupsionit në nivelin e lartë të administratës. Imeraj ka shprehur ambicien e saj për të qenë pjesë e kësaj strukture.

“Për produktin ne duhet të presim. E rëndësishme është që të gjithë mekanizmat e përfshirë në zbatimin e këtij legjislacioni të ndryshuar, pra në zbatim të reformës në drejtësi, të bëjnë punën e duhur, në mënyrë që produkti si SPAK të dalë në mënyrë të duhur. Kjo pritet për t’u parë në varësi të punës që po bën secili nga institucionet përkatëse.


Fakti që prokurorët hetojnë edhe raste korrupsioni të kolegëve të tyre tregon se vullneti i tyre për punë të ndershme ekziston. Nga kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh ne kemi disa të hetuar, të gjykuar e të deklaruar fajtorë, edhe pse janë kolegët tanë” – tha Imeraj në këtë takim.

Ajo bëri të ditur se prej shumë vitesh ka hetuar krimet e rënda dhe tani që drejton prokurorinë e Tiranës e quajti si hap të natyrshëm kandidimin e saj për t’u bërë pjesë e strukturës speciale anti-korrupsion SPAK.

Imeraj i krahasoi këto struktura të reja speciale kundër korrupsionit sot në 2019 si një domosdoshmëri njëlloj si ishte e nevojshme ngritja e gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda në 2004, pra si një kundërpërgjigje ndaj krimit në periudha të ndryshme kohore.


Skip to toolbar