Ruçi falënderon Sorosin, mesazh Metës: Asnjë negociatë për Reformën në Drejtësi

AKTUALITET


Kuvendi ka përkujtuar të hënën 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi ndërsa ka promovuar botimin parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka falënderuar përfaqësuesit e Fondacionit SOROS për ndihmën e tyre në këtë drejtim, ndërsa i ka dhënë një mesazh të qartë presidentit, Ilir Meta, se Reforma në Drejtësi nuk do të negociohet.

“Dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tim personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Për arsyen e thjeshtë se ajo është e dëshiruar për të gjithë qytetarët dhe se destinacioni europian, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të negociohen. 


Por ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit”, tha Ruçi.

Përmes një analize, kreu i Kuvendit sqaroi se Kushtetuta dhe Ligjet janë themeli i demokracisë që pravalojnë mbi çdo dialog dhe kompromis politik.

“Duket sikur demokracia liberale dhe kushtetueshmëria kufizojnë njera-tjetrën.  Nuk kanë munguar as në realitetin shqiptar këto kohë interpretime mbi të ashtuquajturin kufizim të demokracisë për shkak të këmbënguljes për kushtetutshmëri e ligjshmëri.

Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria nuk janë vargonj për demokracinë, por kolonat ku mbështetet ajo, janë kufizime që demokracia vendos ndaj vetes, me qëllim që të shpëtojë prej anarkisë, destabilitetit dhe pasigurisë.

Demokracia është, padyshim, edhe arti i kompromisit. Por ndërsa kushtetueshmëria është themeli, kompromiset përbëjnë kthinat e demokracisë. Kushtetuta dhe ligjet janë rrënjët, ndërsa kompromiset politike degët e një sistemi demokratik.  Dhe të gjithë jemi të një mendimi që rrënjët dhe themelet prevalojnë mbi kthinat dhe degët.

Përvoja jonë në realizimin e reformës në drejtësi na ndihmon të reflektojmë dhe të pajtohemi me modelin demokratik, sipas të cilit udhëharta e veprimeve tona politike duhet të jenë Kushtetuta dhe ligjet”, tha kreu i Kuvendit, i cili edhe njëherë theksoi se reforma në drejtësi është realizuar dhe është bërë realitet falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, si edhe ambasadat, misionet dhe ekspertët nga të gjitha vendet partnere.

Kujtojmë se më herët, presidenti Ilir Meta e ka sulmuar ashpër reformën në drejtësi të cilën e ka cilësuar si “Ramaforma” për të akuzuar kapjen e saj nga kryeministri Rama i mbështetur nga ndërkombëtarët veçanërisht nga ambasada amerikane. Presidenti Meta gjithashtu ka akuzuar Sorosin se përmes ndikimit të tij në Shqipëri dhe në reformën në drejtësi po krijon një “deep state” ose një shtet paralel në Shqipëri, akuza këto të rrëzuara përmes një deklarate nga fondacioni Soros. Përmes qëndrimit të së hënës të kreut të Kuvendit, presidenti Meta merr një tjetër mesazh nga maxhoranca se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas dhe as nuk është objekt për negociata për kompromis politik.




Skip to toolbar