Vizita e Dritan Dajtit te dentisti në Bllok, furtunë shkarkimesh në Burgje

Nxjerrja nga burgu i Dritan Dajtit për një vizitë mjekësore në zonën e Bllokut në Tiranë, ka shkaktuar një furtunë shkarkimesh në burgje me vendim të Ministrisë së Drejtësisë për shkelje të rëndë nga ana e tyre. Një vizitë te dentisti i Dritan Dajtit i ka kushtuar postin drejtorit të Policisë së Burgjeve Bardhyl Kaçorri, drejtorit të IEVP-së Peqin, Emin Shpata si dhe shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici, të akuzuar për shkelje të rënda. Gjithashtu është shkarkuar nga puna mjeku i burgut të Peqinit, Andi Andoni, ndërsa janë paralajmëruar mjekja e DPB, Ermira Qirinxhi si dhe inspektori i IEVP Peqin, Mefat Shehu.

Në vendimin e marrë nga Ministria e Drejtësisë thuhet se strukturat drejtuese dhe të kujdesit shëndetësor në burgun e Peqinit si dhe strukturat shëndetësore e policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë ndjekur procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme për vlerësimin e kërkesës së të dënuarit për kontrolle mjekësore jashtë institucionit të burgjeve.

Duke qenë se stafi nuk ka kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës dhe nuk është kryer procesi i vlerësimit të riskut dhe mundësinë e kryerjes së vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike, “është konkluduar qartazi se në lidhje me rastin e Dritan Dajtit ka shkelje flagrante me ligjin.”

Nga hetimi është konkluduar se është shkelur neni 33 i ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, dhe i nenit 106 të rregullores së përgjithshme të burgjeve parashikohet se të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek i zgjedhur nga ata. Por kjo kërkesë vlerësohet nga strukturat përkatëse duke vlerësuar mundësitë për marrjen e trajtimit të specializuar të të dënuarit nga spitali i burgjeve dhe organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Pavarësisht mundësisë së marrjes së këtij shërbimi në organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë duke përfshirë spitalet publike, asnjë nga strukturat përgjegjëse nuk e ka vlerësuar dhe konsideruar kontrollin mjekësor në strukturat publike shëndetësore, por është dhënë aprovimi për kontrollin mjekësor në një klinikë private okulistike”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të 4 oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Por me vendimin e Apelit të tre gjyqtarëve që i pranuan gjykimin e shkurtuar, rrjedhimisht e shpëtuan atë nga burgimi i përjetshëm, dënimi u ul në 25 vjet heqje lirie.

Gjykata e Posaçme rrëzon SPAK: Të rihetohen gjyqtarët që ulën dënimin e Dritan Dajtit

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Kundër Korrupsionit, vendosi të mos pranojë kërkesën e SPAK për të pushuar hetimin ndaj 3 gjyqtarëve të çështjes Dritan Dajti. Sipas Balkanweb, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërksen e SPAK, duke kthyer për hetim çështjen ndaj gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, duke e dënuar me 25 vite heqje lirie. Prokuroria e Posaçme (SPAK) arsyetoi se për tre gjyqtarët, Skënder Damini, Petrit aliaj dhe Aleks Nikolli, nuk janë gjetur elementë të veprës penale.

Për ta nisi hetimi pasi dënimin e përjetshëm për Dritan Dajtin e kthyen në 25 vite burg. Ndaj tyre pati dyshime për korrupsion, por akuzat nuk u provuan. Dritan Dajti është i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009, gjatë një aksioni për kapjen e tij. Ai i shpëtoi burgimit të përjetshëm pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda nga trupa gjykese me tre gjyqtarët e akuzuar për korrupsion. Kjo trupë gjykuese pranoi gjykimin e shkurtuar duke e dënuar me 25 vite burg Dritan Dajtin. Ai akuzohet për vrasjen e katër policëve, Faton Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj, gjatë operacioni për kapjen e tij.

Në atë aksion u plagos dhe vetë Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku, ndërsa mbeti i vdekur Ledio Mara. Për këtë ngjarje, Dritan Dajti u dënua me katër burgime të përjetshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas një kalvari të gjatë gjyqesh. Por, Apeli e uli dënimin në 25 vite, duke pranuar gjykimin e shkurtuar ndaj tij. Ky vendim nuk u prit mirë nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj që kërkoi hetim ndaj gjyqtarëve që dhanë këtë vendim. Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit kurse gjyqtarëve iu bë kontroll në banesa.

Skip to toolbar