Pas dorëheqjes së Sakos, nënkryetari Zhylien Varfaj, në krye të Durrësit

Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako dha dorëheqjen të dielën pas një lapsusi në media në lidhje me pasojat e tërmetit. Megjithatë, dorëheqja e saj erdhi në një moment jo të përshtatshëm, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që po kalon Durrësi.

Ndaj, për të mos lënë bashkinë pa kreytar, sipas ligjit për pushtetin lokal, Këshilli Bashkiak i Durrësit u mblodh në mënyrë urgjente të dielën për të emëruar kryetarin e ri të bashkisë. Vendin e Valbona Sakos e zuri Zhylien Varfaj, që mbante postin e nënkryetarit.

Ai është komanduar në këtë detyrë dhe pritet të drejtojë bashkinë deri në zgjedhjet e ardhshme të pjesëshme për keryetarin e bashkisë. Postin e nënkreytarit të bashkisë, Varfaj e mban prej vitesh edhe gjatë mandatit të Vangjush Dakos.

Humbën jetën në Durrës, zbulohet identiteti i dy vëllezërve nga Kosova

Tërmeti i së martës i mori jetën edhe dy vëllezërve nga Kosova, të cilët ishin në një nga hotelet e shembur në Durrës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacoli publikoi identitetin e dy vëllezërve nga Kosova.

Bëhet fjalë për Shemsedin dhe Isa Abazin nga Gjilani. Pacoli i ka shprehur ngushëllime familjes së dy vëllezërve.

“Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj”, shkruan Pacolli.

Makina përplas këmbësoren, vdes rrugës për në spital

Një grua humbi jetën pasi u përplas për vdekje me makinë nga një 24-vjeçar. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “ish-këneta” në Durrës, ku gruaja me iniciale SH.V., por tentonte të kalonte rrugën.

Mjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin H.K., 24 vjeç, përplasi këmbësoren, e cila ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Policia arrestoi të riun dhe po heton për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Durrës, arrestohen dy persona, një ishte në kërkim ndërkombëtar

Policia e Durrësit arrestoi një 29-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas një njoftimi zyrtar, mësohet se në pranga është vënë shtetasi me inicialet R.Z., 29 vjeç banues në Durrës, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata Bergamo në Itali, ka lëshuar Urdhër Arresti, për kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve, parashikuar nga nenet 73 dhe 80 të Dekretit Presidencial nr.309/1990 “Për drogat” dhe nenet 81 dhe 110 i Kodit Penal Italian.

Po nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi B.H., 37 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë Durrës gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 32 gr lëndë narkotike e llojit cannabis sativa. Ky shtetas dyshohet se lëndën narkotike do ta shpërndante në doza të vogla.

Aksidenti horror në Durrës, një shofer lirohet, tjetri dënohet

Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë për dy drejtuesit e mjeteve që përplasën për vdekje dhe tërhoqën zvarrë trupin e 25-vjeçarit te ura e Shkozetit. Gjykata dënoi me 20 ditë burg drejtuesin e fugonit, Ferdinant Torozi, i cili morri zvarrë për rreth 50 metra trupin e të riut që ndodhej në rrugë pas aksidentit që pati me autobusin. Ai tha para gjykatës se nuk e kishte parë trupin dhe as e kishte ndjerë që kishte ngecur tek makina, për këtë arsye ka vazhduar ecjen dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa për shoferin e autobusit, Petrit Topalli, i cili ishte i pari që aksidenti të riun me motor tek ura e Shkozetit, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Drejtuesi i autobusit ka rrëfyer se nuk e ka parë viktimën, por ka dëgjuar vetëm zhurmën në momentin e përplasjes. Nga aksidenti motori mbeti poshtë autobusit dhe trupi në rrugë.

Ramazan Bata, 25 vjeç, që punonte si shpërndarës picash gjeti vdekjen në një aksident horror, pasi u përplas nga autobusi dhe më pas u mor zvarrë për 50 metra nga fugoni.

Plagosi me thikë 19-vjeçarin, arrestohet shoku i tij

Një 20-vjeçar ka përfunduar në pranga si autor i plagosjes së dy adoleshentëve në qytetin e Durrësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një sherri banal mes të rinjve, miq mes tyre, ku 20-vjeçari ka plagosur me thikë 19-vjeçarin me inicialet K. Q. si dhe me sende të forta D. M. 16 vjeç.

Policia ka vënë në pranga shtetasin me iniciale J.M., 20 vjeç si autor të plagosjes me thikë dhe po heton në gjendje të lirë shtetasin me iniciale A.T., 34 vjeç, si bashkëpunëtor të tij.

Sherri ndodhi më 27 tetor në lagjen nr. 17 të Durrësit, ku dy adoleshentët u paraqitën në spital të plagosur me thikë duke marrë mjekimin e menjëhershëm. 19-vjeçari i plagosur me thikë është mbajtur në reanimacion deri në kalimin e gjendjes kritike për jetën.

Tërhoqën zvarrë të riun pas përplasjes, pranga 2 drejtuesve

25-vjeçari që humbi jetën në zonë e Shkozetit në Durrës, pati një vdekje të tmerrshme duke u tërhequr zvarrë në rrugë nga dy makina njëra pas tjetrës. I riu, i cili punonte si shpërndarës picash, u përplas me motorin e tij fillimisht nga një autobus dhe më pas nga një makinë, që i kaloi sipër trupit të tij duke e marrë zvarrë disa metra në rrugë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e  26 tetorit, ndërsa policia vuri në pranga dy drejtuesit e mjeteve. 25-vjeçari që po udhëtonte me motorin “Dajang”, ku u përplas nga një autobus tip “Skania” që drejtohej nga qytetari me iniciale P.T. 49 vjeç, dhe më pas trupi i tij u godit nga mjeti tip “Fiat Dukato” që drejtohej nga shtetasi F. T., 54 vjeç.

54-vjeçari u largua me shpejtësi nga vendngjarja, por u arrestua pak metra më tutje. Poshtë autobusit u gjend edhe mortori me të cilën udhëtonte i riu, ndërsa në trupin e tij plagët ishin të shumta duke i marrë jetën menjëherë.

Tmerr në Durrës, motoristi u tërhoq zvarrë pas përplasjes

Mbrëmjen e të shtunës ndodhi një aksident i rëndë në Durrës. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, rreth orës 20:10 të mbrëmjes, në aksin rrugor Tiranë-Durrës, një mjet ende i paidentifikuar përplasi për vdekje një motoçikletë, dhe si pasojë ndërroi jetën drejtuesi i saj.

Policia njofton se viktima është një shtetas rreth 40 vjeç, por ende nuk është identifikuara. Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte kjo, viktima i përplasur për vdekje dhe i mbetur i shtrirë në asfalt, është goditur dhe nga një tjetër mjet, i cili e ka tërhequr zvarrë në rrugë për rreth 50 metra.

Ndërkohë, policia shoqëroi në komisariat drejtuesin e mjetit të dytë që përplasi viktimën, ndërsa është duke punuar për identifikimin e drejtuesit të mjetit të parë. Paraprakisht dyshohet se viktima është një shpërndarës picash, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e identitetit të tij.

Përplaset për vdekje shpërndarësi i picave në Durrës, dy të plagosur në Tiranë

Rrugët e vendit janë përgjakur mbrëmjen e të shtunës në Durrës e Tiranë. Në qytetin bregdetar, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, një mjet aksidentoi për vdekje një person, i cili drejtonte një motor. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se personi që humbi jetën nga përplasja, është një shpërndarës picash.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes duke ndaluar drejtuesin e mjetit, i cili dyshohet se është personi që aksidentoi motoristin. Viktima ende nuk është identifikuar, ndërkohë policia është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti me pasoja tragjike. Ndërkohë, nuk jepen detaje për emrin e personit të ndaluar.

Gjithashtu, rreth orës 19:50, një aksident ndodhi dhe në Tiranë. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, mësohet se një mjet goditi një shytllë tensioni. Shtylla më pas ka goditur një tjetër mjet në aksin rrugor Tiranë-Durrës.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë të dy drejtuesit e mjeteve, shtetasit me inicialet J.B dhe D.H. Ata janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërkohë që efektivët Blu të Policisë Rrugore po hetojnë shkaqet e aksidentit.

Operacioni për pronat në Durrës, emrat e drejtorëve dhe zyrtarëve në pranga

Pas arrestimeve të bujshme të 18 personave, dhe tre të tjerëve të shpallur në kërkim për abuzim me pronat në Durrës, janë zbardhur dhe emrat e personave që ranë në pranga. Ata janë: Ardjan Iljazaj, 35 vjeç, ish-Drejtori i ZVRPP Durrës, Edlira Nova, 34 vjeçe, ish-Drejtoreshë e ZVRPP Durrës, Adrian Kona, 47 vjeç, ish-Drejtori i ZRPP Durrës, të tre të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Gjithashtu në pranga janë vënë dhe: Sulejman Ibrahimi, 51 vjeç, ish-Kryetari i Komunës Ishëm, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjon Bushi, 56 vjeç, ish-Kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokës në  Bizë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Bledar Zerba, 37 vjeç, ish-jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, Malvina Deçka,  34 vjeçe, ish-jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës.

Rovin Zeqja, 34 vjeç, ish-hartograf në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, i dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës” (e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë).

Lafit Mullai, 68 vjeç, anëtar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në  Bizë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Ledi Bushi,  35 vjeç, përfitues toke, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”. 

Gjon Proja,  59 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” paragrafi 2, 3 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” i  kryer në bashkëpunim. Gjon Bushi, 57 vjeç,  përfitues, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i  kryer në bashkëpunim.

Albert Doda, 31 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” i  kryer në bashkëpunim. Lekë Ndoj, 68 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” paragrafi 2, 3 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” i  kryer në bashkëpunim.

“Detyrim paraqitjeje” para Oficerit të Policisë Gjyqësore, për shtetasit: Anila Çunaj, 40  vjeçe,  banues në  Vlorë, përfituese, e dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, Shaqir Aruçi, përfitues, e datëlindjes 10.02.1966, banues në Maminas, Durrës, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, Dorian Gollaj, 34 vjeç, jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës.

Skip to toolbar