I bllokuan rrugën Ramës, mbetet në burg kreu i PD Librazhd, lirohet ish-deputeti

Pasditen e të dielës në Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë për 7 drejtues të Partisë Demokratike në Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas, të cilët penguan eskortën e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbajtjes së takimeve elektorale në këto qytete tre ditë më parë. Kështu, Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 4 nga 7 të arrestuarit, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar burg për 5 prej tyre.

Në burg ka mbetur kryetari i Degës së PD-së në Librazhd,  Bujar Vreto; kreu PD-së në Prrenjas, Arjan Kariqin si dhe dy prej mbështetësve të PD-së, Bujar Kojku, 54 vjeç, nga Librazhdi dhe  Dashamir Boja, 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik.

Ndërkohë, për ish-deputetin e PD-së, Aurel Bylykbashi është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Po me këtë masë, janë lënë të lirë edhe disa drejtues të tjerë të PD-së. Konkretisht detyrim paraqitje nga gjykata e Elbasanit është vendosur edhe për sekretarin e PD-së në Librazhd, Erlind Gurra dhe për sekretarin e PD-së në Prrenjas, Leonard Ozuni.

Rama: Meta merr shembull nga Maqedonia (jo skenari maqedonas)

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar nga Bashkia e Pustecit deklaratën e Presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski. Ky i fundit, të shtunën kërkoi nga vendet anëtare të BE, që vendi i tij të trajtohej veç Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Pas kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter ku shprehte habinë për deklaratën e kreut të shtetit fqinj, duke theksuar ndër të tjera se Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhënë kontribut në progresin e Maqedonisë së Veriut. Këtë të diel, Edi Rama ishte në Pustec, bashki e përbërë kryesisht nga popullsi me orgjinë maqedonase në rrethin e Korçës. Rama tha se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin e Maqedonisë, me të cilin ishte sqaruar për deklaratat që ai kishte bërë.

“Presim çeljen e negociatave por ndryshme nga Maqedonia, Shqipëria është në përpjekje për t’i shpëtuar një kurthi nga brenda që nuk duan negociatat. Presidenti i Maqedonisë kishte bërë një deklaratë ku nënkuptonte se mund të ndahen në trajtimin e tyre. Presidenti më shkroi dhe u sqaruam lidhur me këtë deklaratë, por e vërteta është që ka një dallim të rëndë për të ardhur keq për ne. Presidenti i Maqedonisë është pjesë e përpjekjes së popullit të tij për të bindur vendet anëtare, KiE-në, ndërsa Presidenti i Shqipërisë është pjesë për të kundërtën, për të krijuar një dyshim që të kthehet në bindje te disa nga vendet, apo te ata që duhet ti bindim së bashku. Presidenti na bën të ndihemi të turpëruar. Ai duhet të merret me qetësimin e fallxhores dhe të ndalonte kafen turke në Shqipëri deri në 30 qershor dhe qetësimin e doktorit.”, tha Rama.

Më tej, Edi Rama tha gjatë fjalës së tij se të shtunën kishte zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, të cilit i kishte thënë se do të zhvillonte një takim elektoral në Pustec. Ai, Zoran Zaev, sipas Ramës i kishte dërguar një mesazh përmes tij, qytetarëve të Pustecit.

“Dje pata një komunikim me kryeministrin e Maqedonisë dhe i thashë që sot do të isha në Pustec dhe kërkoi t’u lexoja një mesazh që më çoi në telefon, që po e lexoj tani ‘Maqedonia dhe Shqipëria janë dy partnerë të ngushtë, ne punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve tanë, shumë shpejt do të jemi aleatë në NATO dhe e ardhmja jonë është në BE. Dy kombe dhe njerëz të afërt, maqedonasit dhe shqiptarët. Ne jetojmë së bashku, respektojmë njëri tjetrin, dallimet tona, dhe qëndrojmë krah për krah në të mirë dhe të keq. Unë besoj se shoku im (Rama) është i angazhuar për të respektuar identitetin kulturor të maqedonasve në Shqipëri. Ashtu sikundër dihet se unë jam i angazhuar të mbroj trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Maqedoni. Unë besoj se ai (Rama) do të punojë bashkë me ju për të përmirësuar shërbimet dhe për të sjellë rritje dhe progres për secilin, ashtu sikur unë në Maqedoni. Të fala Zoran Zarev” ishte mesazhi i tij.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij Edi Rama u shpreh para banorëve të Pustecit që në zgjedhjet e 30 qershorit të votojnë kandidatin e Partisë Socialiste, Pali Kolevskin, i cili vjen nga radhët e popullsisë maqedonase në Pustec. Edhe në këtë takim elektoral, kreu i qeverisë ka sulmuar opozitën se kërkon destabilitet të vendit, me qëllim që ti shpëtojë reformës në drejtësi.

Rama: Progresi Maqedonisë falë ndihmës tonë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasditen e kësaj të shtune në lidhje me deklaratat e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili kërkon që vendi i tij, të trajohet i ndarë nga Shqipëria në lidhje me vendimin për çeljen e negociatave me BE-në.

Edi Rama ka shkruar një koment në Twitter, ku përmend direkt presidentin e fqinjit tonë lindor, ku i shkruan:  “Presidenti Pendarovski favorizon “ndarjen nga Shqipëria” për negociatat? E çuditshme kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë dhe shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe rrugën europiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”, shkruan Rama në Twitter.

Kreu i shtetit fqinj, Stevo Pendarovski u shpreh më herët se: “Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar”, thotë ai.

Lexo këtu deklaratën e Steven Pedarovski

Sarkazma e Ramës: Presidenti “pordhi” mbi datën e zgjedhjeve

Me dekretin e çdekritmit të datës së zgjedhjeve, Ilir Meta “lëshoi një re nga pantallonat“, u shpreh Edi Rama ndër të tjara gjatë fjalës së tij në parlament. Sipas Kryeministrit, kriza politike që ka kapur vendin, e shtuar tashmë edhe nga shfuqizimi i datës së zgjedhjeve, dëmton vendin, ekonominë, investimet dhe turizmin.

Për të gjithë ata që duan një situatë sa të qartë aq dhe konfuze, sa të kuptueshme  aq dhe absurde. Çfarë interesi vetjak kam unë, që të jem kaq i patundur,  nga bindja që nuk është koha për kompromis, por është koha për fushatë për zgjedhje. Qeveria ka një mijë e një probleme për të adresuar, ekonomia goditet nga ky tension, turizmi dëmtohet. Qetësimi i situatës duke shfrytëzuar edhe skandalin e dekretimit të zgjedhjeve, duket dicka më e lehtë”.

Një dhimbje jo e vogël koke, në kushte jo normale, drejt përpara në rrugën e 30 qershorit, kur s`ka asnjë lloj interesi të ngushtë pragmatist, kthehet në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur edhe zgjedhjet të shtyheshin në pafundësi. Po të isha i shqetësuar për karrigen time dhe për qeverinë do isha më i lumtur, që presidenti lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat mbi datën e zgjedhjeve”.

Ja lija fajin Ilirit për ndërprerjen brutale të fushatës, duke i thënë jazëk të qoftë zoti president. U zhduk data e zgjedhjeve nga horizonit dhe dilja si një burrë i urtë dhe i pafajshëm. Shpëtoja dhe unë bashkë me Partinë Socialiste nga zgjedhje të tjera më vonshme. Me ëktë budallallëk na jepet mundësia të thoshim nesër se nuk duam zgjedhje”, tha Rama.

Haxhiu: Rama përballë Metës dhe delfinëve të tij në PS

Presidenti Meta foli si hoxhë, ose si prift – e jo si president.

Nga prizmi moral nuk mund të flasë presidenti që moralin nuk e ka pasur asnjëherë virtyt dhe as model të komunikimit publik.

Pajtohem me Tony Blair kur thotë se ka dëshirë që kundërshtarët politikë t’i pensionojë nga politika me garën e zgjedhjeve, por jo t’i futë në burg për gabimet e bëra gjatë mandatit qeverisës. Mirëpo, kur gabimet rrezikojnë kushtetutshmërinë e shtetit, çfarë të bësh me ata liderë?

Presidenti i Shqipërisë me vendimin e tij të sotëm tregoi zvetënimin moral të funksionit të kreut të shtetit. Vendosi ta bëjë një rrëfim të tij në zyrën e të parit të shtetit sikur mes djeshmes dhe të sotmes të kishte rënë një perde e hekurt. Sikur të mos e kishim jetuar kohën politike të para disa viteve.

Ilir Meta na trajton kujtesën sikur të mos kishim qenë ne ata që i kemi përjetuar vendimet politike të kohës dhe sjelljet e tij nëpër ekrane dhe përgjime. Ai bën rrëfim presidencial sikur njerëz dhe sende e situata kanë ndryshuar brenda natës. Ky rrëfim i sotëm është një narracion i dhunshëm që përmbys gjithçka të arritur në politikën shqiptare.

Duke u thirrur në rrezikun që i kanoset pluralizmit dhe parashikimit për përplasje civile, Presidenti thirret në emër të Unitetit dhe rrezikut që po i kanoset pluralizmit.

Pluralizmi si koncept është keqkuptuar me intriga dhe keqshpjeguar me padije nga Presidenti. Për ata që e kanë një pikë shije politike dhe lexueshmëri elementare, pluralizmi nuk parasheh heqjen dorë të partive politike nga procesi zgjedhor.

Pluralizmi si koncept është dhënie e mundësive të barabarta në jetën shoqërore për pjesëmarrje në zgjedhje. Ikja nga procesi zgjedhor është vendim politik, po aq sa është edhe pjesëmarrja. Prandaj, interpretimi me padije i një situate e lë vendin pa të ardhme dhe pa sistem politik. E lë pa institucione. Krijimi i precedentëve të rrezikshëm është më i rëndë për shtetin sesa mospjesëmarrja e PD-së dhe LSI-së në zgjedhje.

Sikur ky vendim të aprovohej, a mund ta merrni me mend se çfarë do të ndodhte me sistemin politik në Shqipëri?

Paramendojeni që në emër të pluralizmit të cilin e pretendon Presidenti të mos marrin pjesë në zgjedhje partitë e pakicës greke, apo çamët. Apo edhe vetë Partia Socialiste. Ku shkon shteti me këtë kapadaillëk fjalësh presidenciale, të njeriut që për një kohë është bërë promotor i të parit që shkel gjithçka që ka të bëjë me institucionin e presidentit?

Ai me padije përmend përplasjen civile. Le ta marrë përgjegjësinë Presidenti për këtë ide të dhunës së paragjykuar, të shtruar në opinion nga zyra e tij.

Po mundohem që të përshkruaj se çka përfaqëson kjo ide dhe ky rrëfim (me qëllim e them “rrëfim”, sepse konferenca e tij për shtyp s’ka të bëjë me një vendim presidencial). Ai po hyn në garën e njëanshmërisë politike. Bashkë me Berishën, ai flet pakuptimtë për fërkimet e të gjitha llojeve, për intrigat që i kanë krijuar vetë duke sfiduar rendin dhe ligjin, keqkuptimet për gjerat më të thjeshta, që janë bërë si dukuri normale e Ilir Metës. Liderët që kanë qëllime primitive të pushtetit mund t’i sfidosh vetëm me gjuhën që ata e kuptojnë dhe të veprosh me ta me mjete që ata i njohin.

Pse?

Vendimi i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Metës, për t’i çdekretuar zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk është vetëm një veprim i rënde antikushtetues, por edhe një ndërmarrje e mirë-planifikuar politike në bashkëpunim të ngushtë me PD-në dhe LSI-në.

Së pari, Presidenti i Shqipërisë nuk gëzon asnjë kompetencë ligjore e as kushtetuese për t’i çdekretuar zgjedhjet. Presidenti ka vetëm rol simbolik në dekretimin e tyre, por assesi ndonjë mundësi ligjore për çdekretimin e tyre. Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë se Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca tjera përveç atyre që në mënyrë shprehimore janë përcaktuar me kushtetutë. Koncepti i çdekretimit, ndërkaq, nuk figuron askund në Kushtetutën e Shqipërisë. Për më tepër, data 30 qershor është data e fundit që mund të garantojë plotësimin 4 vjeçar të të zgjedhurve në ushtrim të mandateve të pushtetit vendor. Pas plotësimit të mandateve, të zgjedhurit më nuk mund t’i vijojnë aktivitetet e tyre dhe, si rrjedhojë, do të bllokohet gjithë veprimtaria e pushtetit vendor në Shqipëri. Ky veprim, pra, nuk është në funksion të rikthimit të unitetit politik, por realisht në shërbim të thellimit të krizës institucionale në Shqipëri.

Së dyti, Presidenti i Shqipërisë ka demonstruar një nivel të paprecedentë papërgjegjësie politike në Shqipëri.

Vetëm dy javë para vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Ilir Meta ka vendosur ta shpie vendin në një krizë të thellë duke i anuluar zgjedhjet lokale. Në vazhdën e gjitha sulmeve të orkestruara që PD dhe LSI kanë ndërmarrë kundër Shqipërisë gjatë tërë kësaj periudhe për ta pamundësuar hapjen e negociatave, Ilir Meta ka zgjedhur momentin më delikat për t’i zhbërë zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Me këtë veprim Ilir Meta ka pushuar së qeni përfaqësues i unitetit të popullit, por është pozicionuar qartazi si një aktor i anshëm politik.

Ai tashmë sillet si burri i Monika Kryemadhit, por jo si President i Republikës së Shqipërisë. Me këtë veprim ai ka parashtruar mundësinë për delegjitimim të procesit demokratik të 30 qershorit dhe krijim të një situate të paparashikueshme pas saj.

Kështu, Ilir Meta nuk ka mbyllur thjesht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve me 30 qershor, por ka filluar një luftë të hapur me Qeverinë. Veprimi i tij nuk është thjesht problem në vetvete: veprimi i tij tash imponon edhe marrjen e një sërë veprimeve plotësuese në vijim të çdekretimit të zgjedhjeve. Tani, Meta nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve, do ta vazhdojë kontestimin e Qeverise në çdo takim dhe vazhdimisht do të punojë kundër Qeverisë, duke cenuar drejtpërdrejtë edhe Shqipërinë. Kësisoj, nëse Parlamenti i Shqipërisë nuk i fillon menjëherë procedurat e shkarkimit të Metës, atëherë Meta krizën politike në Shqipëri do ta zgjerojë në një krizë institucionale dhe shtetërore.

Ilir Meta duhet të shkarkohet gjithsesi nga posti i Presidentit.

Ai ka abuzuar edhe me numrin e paktë të kompetencave kushtetuese që ka, gjithnjë në përpjekje për t’u faktorizuar politikisht. Meqë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka parë të arsyeshme të ketë një konflikt të hapur me institucionin e Presidentit, ai ka toleruar vazhdimisht sjelljen abuzuese te Presidentit. Presidenti në mënyrë antikushtetuese nuk e ka dekretuar fillimisht Ministrin e Brendshëm, e pastaj e ka bërë të njëjtën edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për ta maskuar agjendën e tij të ngushtë dhe meskine politike, Ilir Meta ka mobilizuar narrativa nacionaliste dhe ka shitur një sjellje kinse prej një personaliteti parimor në publik. Duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta nëpërmes veprimeve arbitrare gjithmonë ka kryer veprime në shërbim të PD-së dhe LSI-së.

Shqipëria mbase është i vetmi vend në botë ku Presidenti flet për unitet paradite dhe gruaja e tij, zonja e parë e shtetit, hedhë mollotovë në mbrëmje. Për më shumë, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku një personalitet që shihet në një video-incizim për kusur pazari ditor të marrë guximin që prapëseprapë të vendosë t’i deprivojë shqiptarët nga mundësia e votës së lirë dhe zgjedhja e përfaqësueseve të tyre.

Shqipëria për pothuajse 30 vite nuk ka arritur të prodhojë një klimë normale elektorale dhe një ambient të favorshëm demokratik. Pikërisht për shkak të njerëzve të politikës si Meta, Berisha dhe bashkëpunëtorëve të tyre të heshtur nga radhët e PS-së, si Ditmir Bushati, Niko Peleshi dhe Arben Ahmetaj. Këta të fundit, në mënyrë të heshtur, janë në pritje të thellimit të krizës së Ilir Metës në mënyrë që t’i rifitojnë privilegjet e humbura. Në fakt, vetë Bushati kur kishte humbur detyrën kishte dërguar një letër në Presidencë tek Meta, me vulë sekrete, kundër Ramës dhe Cakajt duke gënjyer me paturpësi. I njëjti ka vazhduar të flasë me pezëm e mëri kundër Ramës e Cakajt në vizitën e tij të fundit në Vjenë në kuadër të angazhimeve të tij në OSBE.

Pse po e përmendi këtë fakt?

Pikërisht ngaqë tashmë është krijuar një rreth kundërshtarësh politikë të cilët më nuk zgjedhin mjete për t’ia gërryer Ramës terrenin politik ngadalë, por sigurt. Në këtë situatë, Rama assesi nuk duhet të përgjigjet duke bërë makinacione politike ndaj këtyre njerëzve. Në fakt, Rama thjesht duhet të bëjë veprimin më dinjitoz kombëtar në kuadër të rrethanave aktuale: shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Shqipërisë.

Me veprimin e tij për t’iu pamundësuar të drejtën shqiptarëve të votojnë, Ilir Meta i ka dhënë goditjen më të madhe pluralizmit politik në Shqipëri që nga vitet e 1990-ta. Me manipulimin e tij me çështjen e dekreteve dhe duke i kaluar kompetencat kushtetuese në vazhdimësi, Ilir Meta ka cenuar rëndë ndarjen e pushteteve gjatë gjithë kësaj kohe. Më shumë se në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese, ai është sjellë në përputhje me ëndrrën e tij prej monarku. Ai ka bërë praktikisht puç antishtetëror me çdekretimin e zgjedhjeve dhe, si rrjedhojë, ai s’meriton të jetë në atë detyrë më tutje!

Partia Socialiste dhe Edi Rama duhet ta kuptojnë se nuk mund ta shpërfillin vendimin e Presidentit për çdekretim të zgjedhjeve pa marrë masa ndaj një Presidenti që e ka humbur besueshmërinë në tërësi.

Ilir Meta ka frikë deri në palcë nga përsëritja e gjykimit për rastin ku ai është kapur duke vjedhur në xhirime drejtpërdrejt gati në shuma milionëshe.

Prandaj, për ta shpëtuar veten, ai ka zgjedhur njollosjen e reformës në drejtësi.

Prandaj, për ta shpëtuar partinë e tij, ai ka zgjedhur rrënimin e Shqipërisë.

Prandaj, për ta shpëtuar Shqipërinë, Ilir Meta duhet të largohet nga zyra e Presidentit me urgjencë.

Takimi Rama-Mogherini: Rezultatet e reformave të prekshme

Kryeministri Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Bruksel, është pritur në takim nga shefja e politikës së Jashtme, Frederica Mogherini. Ka qenë vetë zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic, e cila përmes një postimi në Twitter tha se në takim u diskutua për rekomandimin e KE ku vlerëson rezultatet e prekshme të reformave, në veçanti ajo e reformës në drejtësi.

“Frederica Mogherini mirëpret në takim Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Bruksel, pas rekomandimit të Komisionit Europian për të hapur negociatat, duke pranuar rezultate të prekshme reformash, në veçanti me reformën e drejtësisë.”

Rama pritet që të takohet edhe me kreun e Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe presidentin e KE, Jean-Claude Juncer, ku përveç kërkesës për hapjen e negociatave për Shqipërinë edhe kriza politike pritet të jetë pjesë e bisedimeve mes Ramës dhe krerëve të BE-së.

Baze: Sikur Rama të kërkojë divorcin e Gridës nga Salianji si kusht për zgjedhjet 2021?

Arsyetimi kryesor që Ilir Meta dha për anulimin e zgjedhjeve ishte që opozita nuk do të hyjë në zgjedhje pasi ka disa kushte.

Jemi të qartë që kushtet e opozitës janë Kushtetutë për Ilir Metën.

E dimë që ai është Presidenti dhe kryeopozitari njëkohësisht. Por nëse ja pranojmë këtë marrëzi Ilir Metës çfarë ndodh nëse. Edi Rama më 2021 nuk do të hyjë në zgjedhje.

Mund të ketë kushte për Lulzim Bashën të distancohet nga Berisha ose kusht që Grida duke të ndahet nga Salianji.

Domethënë marrëzira të ngjashme si këto të opozitës sot. Atëherë Ilir Meta duhet të anuloj 2021 dhe duhet të pres t’i mbushet mendja Edi Ramës që të shpallë datë të re zgjedhjesh.

Kështu Edi Rama mund të shpallet monark se nuk ikën kurrë. Dhe biem rehat nga zgjedhjet. Fal Ilir Metës

Vendimi i Metës, Rama kërkon mbështetjen e ambasadorëve

Kjo e hënë nisi me zhvillime të rëndësishme vetëm pak pasi lindi dielli. Presidenti i Republikës Ilir Meta doli siç kishte parashikuar në konferencë për shtyp në orën 08:00, duke folur për më shumë se 40 minuta, kur renditi, sipas tij, argumentet kushtetues dhe moral, për shfuqizimin e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Direkt pas kësaj lëvizje, Kryeministri Rama, që gjithashtu ditën e ka nisur më herët se zakonisht këtë fillim jave, mblodhi në selinë Rozë Kryesinë e Partisë Socialiste, ku ndër pikat e diskutuara ishte pikërisht mbajtja e një seance të jashtëzakonshme paralamentare të enjten, ku do të diskutohet dhe nis procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Lajmin për këtë vendim e dha zëdhënsja e Qeverisë Elisa Spiropali, e cila konfirmoi se Ilir Meta nuk e meriton më të jetë në zyrën që ka. Më tej, Kreyministri Rama ka planifikuar një takim me ambasadorët e vendeve partnere, i cili do të mbahet në orën 11:00 në Kryeministri, ku padyshim, fokus do të jetë kriza politike në vend dhe lëvizja e paparashikuar e Ilir Metës. Sakaq, ambasadorët e vendeve anëtare të BE, do të zhvillojnë një takim paraprak me ambasadorin e BE Luigi Soreca.

Rama: Meta do konflikt, por zgjedhjet janë në 30 qershor

Për Kryeministrin Edi Rama, vendimi i Ilir Metës për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, është përçarës dhe konflikt-nxitës. “Ajo që ka bërë dje është përçarëse, konflikt-nxitëse, nga pikëpamja politike është vetëvrasje dhe një turp që do ti mbetet atij”, u shpreh Kryeministri. Nga Dibra, ku mbajti një takim elektoral, Edi Rama tha se vendimi i Ilir Metës erdhi pas goditjes që i dha SHBA. “Dje doli dhe Presidenti, për shumë kënd i papritur, por jo për mua, doli në një moment kur protesta e tyre po binte dhe morën një goditje nga SHBA, Meta doli dhe tha; po anuloj zgjedhjet”, tha Rama.

Më tej, Rama shtoi se me aktin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve, Ilir Meta i ka vendosur në një pozitë të vështirë, ndaj sipas kreut të Qeverisë, Meta nuk meriton më të jetë në zyrën që mban. “Ai u shfaq si lider i opozitës, duke na vendosur në pozitën më sëkëllditëse. Nga dje Ilir Meta nuk meriton më zyrën ku rri”, u shpreh Kryeministri.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Në këtë linjë, gjatë fjalës së tij, Edi Rama solli në kujtesën e banorëve të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, situatën dhe krizën politike të dy viteve më parë. Ai tha se ish-presidenti Bujar Nishani, paçka krahut politik, aso kohe i këroi Lulzim Bashës dhe Kryeministrit, vetë Ramës, që të dy të bënin një kërkesë me shkrim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve brenda Kushtetutës dhe të vinte si kërkesë konsensuale nga të dy liderët.

“Bujar Nishani, president i asaj kohe, mund të themi çfarë të duam por kjo është e vërteta, ai e kërkoi me shkrim dhe vulë, timen dhe shokut tim Lulzim Bashës, që ti kërkonim presidentit atë shtyrje brenda kushtetutës si kërkesë konsesuale. Nuk mund dot kurrë presidenti që të vendos dot shtyrjen e zgjedhjeve pasi i ka vendosur”, tha Kryeministri. Pavarësisht kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur, se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen, dhe sipas tij, ato do të shërbejnë për ndarë të shkuarën nga e ardhmja.

“Ka akoma njerëz që pyesin, po ua them të gjithëve, më 30 qershor ne do të zgjedhim të gjithë kryetarët e bashkive të Shqipërisë. Më 30 qershor Shqipëria do të zgjedhë rrugën e të ardhmes, jo të së shkuarës”, shtoi Kryeministri nga Dibra.

Si Real Story lajmëroi lëvizjen e Metës (dhe Rama nuk e besonte)

Gjatë emisionit Real Story të enjten, Sokol Balla ia paralajmëroi Kryeministrit lëvizjen e Presidentit, ndërsa Rama kërkoi që mos të aludohej për sa kohë, kreu i shtetit kishte qenë i qartë me deklaratat e tij.

“Presidenti nuk ka ndërmend ta bëjë këtë gjë, nga ato që ka thënë deri tani. Se tani u bëmë shiko përgjime e futu në mendjen e njerëzve, nuk mund të flasim me hamendësime. Presidenti ka qenë shumë korrekt kur ka bërë një propozim që ja ka lënë në dorë palëve. Duhet të jenë palët dakord dhe prapë është shumë e shtrënguar.” – ka thënë Rama në Real Story.

Sërish duke ju referuar po deklaratave të së enjtes në Real Story, Rama u shpreh se ishte tre lëvizje përpara të tjerëve. Por a e ka menduar Rama këtë kur tha se ishte tre lëvizje para?

Një gjë dihet, me lëvizjen e Metës, Basha mori një fitore të vogël. Sigurisht nga ato fitoret e tij si gjithmonë në tavolinë. 5 muaj proteste prodhuan vetëm dekretin e aleatit te tij politik Meta. Siç e tha dhe vete: “protesta jonë solli sot një fitore. Presidenti Meta anuloi dekretin për zgjedhjet.”  E tha dhe ishte serioz, përkrah kishte gruan e Ilirit.

Skip to toolbar