Rama: Meta do konflikt, por zgjedhjet janë në 30 qershor

AKTUALITET


Për Kryeministrin Edi Rama, vendimi i Ilir Metës për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, është përçarës dhe konflikt-nxitës. “Ajo që ka bërë dje është përçarëse, konflikt-nxitëse, nga pikëpamja politike është vetëvrasje dhe një turp që do ti mbetet atij”, u shpreh Kryeministri. Nga Dibra, ku mbajti një takim elektoral, Edi Rama tha se vendimi i Ilir Metës erdhi pas goditjes që i dha SHBA. “Dje doli dhe Presidenti, për shumë kënd i papritur, por jo për mua, doli në një moment kur protesta e tyre po binte dhe morën një goditje nga SHBA, Meta doli dhe tha; po anuloj zgjedhjet”, tha Rama.

Më tej, Rama shtoi se me aktin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve, Ilir Meta i ka vendosur në një pozitë të vështirë, ndaj sipas kreut të Qeverisë, Meta nuk meriton më të jetë në zyrën që mban. “Ai u shfaq si lider i opozitës, duke na vendosur në pozitën më sëkëllditëse. Nga dje Ilir Meta nuk meriton më zyrën ku rri”, u shpreh Kryeministri.


Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Në këtë linjë, gjatë fjalës së tij, Edi Rama solli në kujtesën e banorëve të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë, situatën dhe krizën politike të dy viteve më parë. Ai tha se ish-presidenti Bujar Nishani, paçka krahut politik, aso kohe i këroi Lulzim Bashës dhe Kryeministrit, vetë Ramës, që të dy të bënin një kërkesë me shkrim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve brenda Kushtetutës dhe të vinte si kërkesë konsensuale nga të dy liderët.

“Bujar Nishani, president i asaj kohe, mund të themi çfarë të duam por kjo është e vërteta, ai e kërkoi me shkrim dhe vulë, timen dhe shokut tim Lulzim Bashës, që ti kërkonim presidentit atë shtyrje brenda kushtetutës si kërkesë konsesuale. Nuk mund dot kurrë presidenti që të vendos dot shtyrjen e zgjedhjeve pasi i ka vendosur”, tha Kryeministri. Pavarësisht kësaj deklarate, Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur, se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen, dhe sipas tij, ato do të shërbejnë për ndarë të shkuarën nga e ardhmja.

“Ka akoma njerëz që pyesin, po ua them të gjithëve, më 30 qershor ne do të zgjedhim të gjithë kryetarët e bashkive të Shqipërisë. Më 30 qershor Shqipëria do të zgjedhë rrugën e të ardhmes, jo të së shkuarës”, shtoi Kryeministri nga Dibra.




Skip to toolbar