Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas nuk do
të presë më. Për shkak të bllokadës në politikën e refugjatëve, ai propozon
iniciativë për shpërndarjen e refugjatëve që shpëtohen në Mesdhe me vendet që
duan të ndihmojnë.
“Ne duhet tani të ecim përpara me ato shtete,
që janë të gatshme të pranojnë refugjatë – të gjithë të tjerët janë të ftuar të
marrin pjesë”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Gjermania
është e gatshme, të japë një kontribut substancial dhe të garantojë që të
pranojë gjithmonë një kontingjent të caktuar të të shpëtuarve”. Maas
kërkoi një “aleancë të vendeve të gatshme për ndihmë për një mekanizëm të
detyrueshëm shpërndarjeje”. Sorollatja në det të hapur duhet t’i përkasë
me këtë hap të shkuarës, sipas Maas.
Ujdia për shpëtimin në Mesdhe nuk duhet të
dështojë më, për shkak të grindjeve për shpërndarjen e tyre. “Kësaj bllokade
duhet t’i jepet fund”, kërkoi Maas. As të shpëtuarit dhe as ata që
shpëtojnë nuk mund të presin aq gjatë deri sa të jetë i gatshëm edhe vendi i
fundit në BE, theksoi ministri i Jashtëm gjerman. Heiko Maas pret që partnerët
europianë , të hedhin një hap vendimtar përpara lidhur me këtë temë”.
Të enjten e javës së ardhshme ministrat e
Punëve të Brendshme të BE dhe ata të Drejtësisë takohen për këtë çështje në
Helsinki. Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer ka bërë
të ditur, se do të angazhohet „për një zgjidhje humanitare dhe praktike për
sfidat aktuale të migracionit përmes Detit Mesdhe”.
Grindje e pafund
Shpëtimi i refugjatëve në Mesdhe dhe
shpërndarja e tyre kanë shkaktuar një grindje të fortë në BE. Në javët e
kaluara anijet e organizatave humanitare me refugjatë të shpëtuar në bord u
penguan të futeshin në portet e Italisë dhe Maltës. Rregullisht refugjatët
mbyten në Mesdhe, shumica në përpjekjen për të kaluar nga Libia në një vend të
BE-së.
UNHCR bën fjalë për „kalimin detar më
vdekjeprurës të botës”. Sipas Organizatës Botërore të Migracionit, IMO që
nga fillimi i këtij viti kanë humbur jetën 682 emigrantë, 426 prej tyre e kanë
lënë jetën në itinerarin detar nga Libia në Europë. Javën e kaluar një
motobarkë me 80 emigrantë u fundos në Mesdhe. Numri i viktimave është rritur në
72 vetë, sipas njoftimit të Gjysmëhënës së Kuqe Tuniziane. /DW