Dhuna në protestë, Alibeaj: Të shkarkohet Sandër Lleshaj

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve dhe Sahit Dollapit. Ai tha se Lleshaj do të mbaj përgjegjësi ndaj urdhërit të dhënë për dhunë fizike gjatë protestës.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën kriminale të policisë kundër protestuesve të shtunën dhe kundër sekretarit organizativ Sahit Dollapi. Sandër Lleshaj, ky mbeturinë tranzicionit shqiptar do të mbajë përgjegjësi personale për urdhrat e paligjshëm që i ka dhënë policisë për goditjen e qytetarëve me gaz helmues luftarak dhe për përdorimin e dhunës fizike kundër protestuesve paqësore. Partia Demokratike disponon të dhëna të mjaftueshme për ta çuar sadistin Sandër Lleshajn para drejtësisë për shkelje flagrante të ligjit të policisë së shtetit!” – tha Alibeaj

Alibeaj i ka bërë thirrje prokurorisë të nis hetimet për dhunën që është ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, urdhër ky i dhënë me porosi të Edi Ramës sipas ish deputetit demokrat. Alibeaj kërkoi dhe shkarkimin e Sandër Lleshaj, ndaj të cilit ka prova filmike për shkelje të ligjit gjatë protestës.

“Prokuroria duhet të nisë hetimet e menjëhershme për të provuar se urdhri për dhunën shtazarake kundër qytetarëve është dhënë nga Sandër Lleshaj me porosi të Edi Ramës. Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe krimineli tjetër me uniformë Arben Baro duhet të shkarkohen nga detyra dhe të hetohen menjëherë. Ka prova filmike se Sandër Lleshaj, i cili në shkelje të ligjit komandon operacionet e policisë kundër opozitës, është duke u larguar si hajdut nga dera dytësore e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi njoftohet të shtunën në mbrëmje për zhvendosjen e protestës së opozitës.” – tha Alibeaj

Bashkëshorti i Felaj prokuror, Alibeaj: Ushtar i Ramës në drejtësinë e deformuar

Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, gjatë një deklarate për shtyp, e cilësoi si antikushtetues, emërimin si prokuror të Bledar Valikaj, bashkëshort i deputetes socialiste, Ermonela Felaj. Valikaj u caktua prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë.

“Reforma në Drejtësi është një nga rastet, kur dështimi për të ngritur një sistem të pavarur drejtësie, në mënyrë që ligji të veprojë njësoj për të gjithë, vuloset nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me votën e Gent Ibrahimit, i cili përfaqëson interesat e Edi Ramës në organin më të lartë vendimmarrës për prokurorinë, në sistem është emëruar, në mënyrë antikushtetuese dhe pa vetting, bashkëshorti i ish ministres së Edi Ramës, Ermonela Felaj.” – ka thënë Aliebaj

Alibeja cilësoi gjithashtu se një person nuk mund të bëhej prokuror nëse nuk ka mbaruar magjistraturën dhe për më tepër nuk ka kaluar procesin e vettingut për të konfirmuar pastërtinë dhe integritetin e tij.

“Emërimi i burrit të deputetes socialiste është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi në të paktën 2 pika. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk e ka përfunduar këtë shkollë. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të vettingut. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk ka kaluar në vetting.” – tha për shtyp ish deputeti.

Alibeaj e mbylli fjalën e tij duke thënë se për shkak të këtij “vettingu” politik e të korruptuar mbi 63 % e shqiptarëve nuk besojnë në reformën në drejtësi.



Skip to toolbar