Protestë e paqtë, Veliaj urim dhe ironi

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përgëzuar kreun e Partisë  Demokratike, Lulzim Basha për protestën paqësore që zhvilloi. Por urimi ironik i Veliajt e kishte bishtin prapa: sipas tij protesta e te premtes tregoi se kush ishte autori i dhunës se mëhershme: opozita dhe askush tjetër.

Gjatë protestës të së premtes nuk pati asnjë lloj incidenti, madje munguan edhe shashkat dhe tymueset, që kanë qenë gjithmonë të pranishme në çdo protestë të opozitës. Duket se paralajmërimet e ndërkombëtarëve nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Së paku për protestën.

Veliaj e thelloi ironinë dhe e quajti protestën si “një kthesë fantastike të opozitës” për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2021 si pjesë e alternativave të reja, pasi për 30 qershorin, tha ai, tashmë nuk bëhet gjë. Partia Socialiste do të futet e vetme në zgjedhje, por edhe pse pa kundërshtar, ato janë plotësisht të ligjshme, për komunitetin ndërkombëtar, OSBE dhe Shtetet e Bashkuara.

“Urime PD Shqipëri dhe Lulzim Basha  për protestën e parë paqësore – provë se dhuna dhe paqja në Tiranë varet nga ju e nga askush tjetër! Një kthese fantastike që krijon hapësira për ide e alternativa për Zgjedhjet 2021. Ndërkohë në 30 Qershor jemi njësoj, gishtat lart nr.2”, shkruan Veliaj.

Kriza politike, Erion Veliaj: Është koha të bëjmë një pakt për Shqipërinë

Pak orë nga mbajtja e protestës së nëntë kombëtare të opozitës të premten, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është shprehur se tashmë është koha për të bërë një pakt, për të mos cënuar imazhin e Shqipërisë.  “Është koha të bëjmë një pakt bashkë, në një kohë sfiduese për vendin, që të paktën për Shqipërinë, për Tiranën të flasim mirë. Ne mund të kemi bindje të ndryshme, opinione, parti të ndryshme, mund të kemi anëtarësi të ndryshme. Në fund të ditës, Tiranën e kemi bashkë dhe kjo që na bashkon është shumë herë më e rëndësishme se ajo që na ndan”, u shpreh Veliaj, gjatë një takimi që zhvilloi me operatorët turistik në vend.

Në këtë linjë, Erion Veliaj u shpreh se nuk ka më kohë për një 97-të të dytë. Sipas tij, zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, por pas kësaj date të gjithë do të reflektojnë dhe do të kuptojnë se se nuk është më 97-ta. “Teksa kalojmë këto ditë sfiduese, jam i bindur që pas datës 30 qershor, jo vetëm do rikthehet fuqishëm turizmi, por teksa edhe ata që me kokat e nxehta do shkojnë të freskohen në plazh, do reflektojnë dhe do kuptojnë se ky vend nuk është më ‘97”, ka thënë Veliaj.

Ditët e fundit kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, që rikandidon për një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie, ka marrë rol parësor në zgjidhjen e krizës. Ai, ndonëse i përqëndruar në kryeqytet, gjatë takimeve ka akuzuar shpesh Metën dhe Berishën si dy njerëzit kryesor që kanë prodhuar krizën politike në vend, duke theksuar jo në pak raste, se pas 30 qershorit, Beisha, Meta dhe Petrit Vasili, do të dalin në pension përgjithmonë.

Sot me operatoret Turistik te Tiranës.

Live🎥 : Me operatorët turistik të Tiranës për çfarë kemi bërë në 4 vite 🏃‍♂️ dhe çdo të bëjmë 4 vitet në vijim për #TiranënQeDuam. ✌️🗳🌹👨‍👩‍👧‍👦

Gepostet von Erion Veliaj am Freitag, 21. Juni 2019

Rama drejt Shkodrës, Veliaj flet si kryeministër

Gjatë takimit me qytetarët e njësisë 11 në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj foli me një gjuhë që në fakt të bënte përshtypje, që i ngjante gjuhës së një kryeministri. Gjatë fjalës së tij, Veliaj hodhi akuza ndaj Saliut, Bashës, Metës dhe Monikës duke i cilësuar si jë bandë që disa veprojnë në rrugë dhe disa me dekrete.  Likja, duke ju drejtuar presidenti Meta, ka bllokuar gjithçka në këtë vend me dekrete që nxjerr tha Veliaj dhe pengon çdo progres që mund të bëj vendi.

“Likja, ky që bllokon çdo punë në këtë qytet, çdo progres në këtë vend, çdo avancim me dekret. Në fakt këta funksionojnë si bandë kudo, njëra që bën krimin në rrugë dhe njëra që bën krimin me letra. Për çdo punë të mirë nëse është një shkollë, nëse është një kënd lojërash apo nëse janë zgjedhjet, rrugaçët në rrugë dhe Likja me dekret.” – tha Veliaj

Situata e tensionuar në Shkodër, ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes së Veliaj, i cili tha se qytetarët shkodranë të mos përçahen nga kjo situatë, pasi Shkodra nuk është as Voltana dhe as e Voltanës apo e disa militantëve që u vejnë zjarrin shkollave. Shkodra është shumë më tepër, është Shkodra e disa prej njerëzve më të mençur të Shqipërisë.

Kush mendon që zjarrëvënia e shkollave filloi pardje me Voltanën e ka gabim, këta kanë bllokuar çdo projekt tonin për hapur një shkollë. Por qytetarët të mos përçahen, Shkodra nuk është e Voltanës por është e Gjergj Fishtës, Marubit etj.” u shpreh Veliaj.

Këto deklarata të Veliaj, erdhën në një kohë kur kryeministri Rama ishte nisur për të zhvilluar një takim elektoral në Shkodër.

Veliaj: Bulevardi ‘Zogu i Parë’ do kthehet një zonë komerciale

Bulevardi ‘Zogu i Parë’ do kthehet në zonë komerciale tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë prezantimit të projekteve për 4 vitet e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik. Veliaj tha se një nga zonat që do të marrë zhvillim është Bulevardi “Zogu i Parë”.  Përveç rikonstruksionit, rruga do të kthehet në një zonë ku lokalet dhe firmat e njohura të modës do të kenë filialet e tyre, për ta kthyer në zonë të ngjashme me rrugët komercialet në qyteteve të ndryshme të Europës.

Duam ta kthejmë në një distrikt shopping-u, kjo është arsyeja pse duam të fillojmë investimin, që mos të dallojë cilësia nga sheshi “Skënderbej” deri te Bulevardi i Ri, ku ka qenë stacioni i trenit. Tirana ka shumë atraksione në qendër, por nuk ka mjaftueshëm hapësira këmbësore, ku ti bën shooping dhe kalon kohë, ke të gjithë restorantet. Duam që i gjithë “Zogu i Parë” të kthehet në një hapësirë të tillë komerciale, tërheqëse. Kush është në ato linja biznesi, si restorantet apo dyqanet e modës, do t’ju këshilloja sa s’ka filluar investimi, ky është momenti ideal për të investuar tek Zogu i Parë, duke qenë se duam ta punojmë me një cilësi të jashtëzakonshme atë investim. Në fakt, o do ta bëjmë siç duhet, që të jetë aty 100 vjet, ose nuk do të bëjmë më arna në këtë qytet.” – tha Veliaj

Një tjetër nismë do jetë edhe krijimi i Zonës së Lirë Ekonomike. Veliaj tha se procesi i aplikimit pranë qeverisë shqiptare është në përfundim dhe shumë shpejt do t’i hapet drita jeshile nisjes së punës për këtë projekt zhvillimor të biznesit. Po ashtu, ai foli edhe për projektin tjetër, krijimin e tregut të ri agro-ushqimor, i cili po ashtu ndikon pozitivisht te biznesi dhe fermerët. Unaza e re, zgjerimi i Lanës dhe përfundimi i Bulevardit të Ri janë tre projektet e tjera të Bashkisë së Tiranës për 4 vitet në vijim.

Veliaj: Kush prek zgjedhjet shkon në burg

Pas disa takimeve në zona të ndryshme rurale, Erion Veliaj ka zhvilluar pasditen e të dielës një takim elektoral edhe me banorët e Zall-Bastarit. Gjatë fjalës së tij, ku premtoi më shumë investime për fshatrat dhe ngritjen e një tregu agroushqimor publik, Veliaj u shpreh se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. Madje, kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se kush do të cënojë zgjedhjet, do të përballet me ligjin dhe ndalimin e udhëtimit drejt SHBA-së dhe BE-së.

Ligji është i qartë: kush bllokon rrugë, kush bllokon zgjedhjet, kush gris listat, do të shkojë në burg, do dënohet, e jo vetëm kaq, por për herë të parë SHBA dhe BE thonë: Do t’ju heqim vizat! Pyetja ime është: a ja vlen të shkatërrosh jetën e familjes tënde, për të rregulluar jetën e familjes së atyre që në fakt i kanë punë vaj? Ja vlen mos me dal kurrë nga Shqipëria, me fis e farefis, për sa kohë që shkon dhe bllokon zgjedhjet? Ja vlen të prishesh me komunitetin tënd, ku shumica e njerëzve mezi pret që pas 4 vitesh të japë mendimin e tij, votën, se si do të vazhdojnë punët në këtë vend”, u shpreh Veliaj.

Sipas Erion Veliajt, data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet, pasi ajo është e paligjshme dhe e palogjikshme. “Jemi në kohë vere, është koha e korrjeve, imagjino dikujt t’i jetë bërë gruri ose misri për t’u korrur, a frutat për t’u vjelë, edhe thotë: po përtoj tani, a ta lej për nga Tetori, Nëntori se është një çik më freskët? Por, ka afat, duhet të bëhet tani. Çdo gjë ka afat në jetë, nuk mund të themi: ua sa shpejt ikën këto 4 vjet, a ta shtyjmë, t’i çojmë 5 vjet zgjedhjet? Nuk funksionon kështu, ka një kontratë, ka një marrëveshje, është lënë me date, me afat”, tha kandidati socialist.

Kryebashkiaku shtoi se pala tjetër ka zgjedhur vetë të mos konkurrojë dhe kjo nuk i bën zgjedhjet jo demokratike. Ai u shpreh se në garë në Tiranë ka edhe kandidat tjetër dhe 41 forca të tjera politike. “Fakti që jam numri 2, do të thotë që është edhe njëri me numrin 1, fakti që partia jonë është numri 30, do të thotë që janë edhe 30 parti të tjera të paktën, se në fakt në total janë 42. Do të thotë që në qoftë se disa parti nuk vijnë në fushën e betejës, nuk do të thotë se do lemë lojën. Edhe për një ndeshje futbolli, kush nuk vjen në fushë, fiton pala tjetër; edhe në një takim, kush nuk paraqitet për një intervistë, fiton ai që paraqitet. Për të gjitha këto arsye, të gjithë bashkë do të zbresim në fushë në datën 30, në fushën e kutive të votimit masivisht”, shtoi Veliaj.

Veliaj: 30 qershori, referendumi për të çuar opozitën në shtëpi

Kryebashkiaku Erion Veliaj nga Peza, u bëri thirrje qytetarëve  të dalin në votime dhe ta cilësojnë 30 qershorin si një ditë referendumi për të larguar 30 vitet e politikës së mbrapsht që ikën dhe të mendojnë për të ardhmen.

Kemi vetëm 15 ditë që e gjithë Peza, që e gjithë lugina e Erzenit, i gjithë fshati të ketë një mobilizim të jashtëzakonshëm për 30 qershorin duke treguar që nëse ata janë me gurë ne jemi me përqafime, nëse ata janë me molotov ne jemi me asfalt, nëse ata janë me fishekzjarrë ne jemi me institucione arsimore, nëse ata duan sherr ne duam familjet tona dhe njëri-tjetrin. Nëse ne bëjmë diferencën data 30 qershor është një referendum për të larguar 30 vitet që ikën dhe për të menduar 30 vitet që do të vijnë bashkë me familjet tona. Iu them të gjithë demokratëve; ata i kanë rregulluar punët e tyre” – tha Veliaj.

Ai iu drejtua me një mesazh edhe të gjithë atyre ish simpatizantëve dhe militantëve të PD-së duke u thënë se PS është e vetmja forcë që i qëndron besnike qytetarëve dhe që nuk i ka zhgënjyer asnjëherë. 

Veliaj: Meta dhe Mona e kanë Kasharin transit për Rinas ose Gjirin e Lalëzit

Gjatë takimi me banorët në zonën e Kasharit, kryebashkiaku Erion Veliaj nuk la pa përmendur edhe presidentin Meta dhe Monikën, duke iu drejtuar qytetarëve nëse i kishin parë ndonjëherë ato në këtë zonë për t’i ndihmuar apo dëgjuar hallet e tyre. “I keni parë ndonjëherë Ilirin në Kashar, Monikën në Kashar? E kanë tranzit, ikin o në Rinas, o në Gjirin e Lalëzit. Po, ndalojnë vetëm kur ndajnë lekët e fushatës.”

Veliaj nuk la pa përmendur edhe ish kryeministrin Berisha dhe PetritVasili duke thënë se atyre iu është refuzuar viza për në SHBA dhe më 30 qershor do i hiqet viza njëherë e mirë të gjithë politikanëve që mbajnë peng vendin. “Në 30 qershor i heqim vizën Saliut, Vasilit dhe politikanëve që na mbajnë peng. I heqim vizën edhe protestës edhe prostatës.” 

Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe nuk do të ketë trazira tha Veliaj pasi “nuk besoj se ka ngelur njeri sot që të japë jetën për Berishën”, duke kujtuar se kush prek zgjedhjet dënohet me burg dhe hyn në listën e zezë të SHBA.

Veliaj: Shqipëria s`do të digjet për paratë ruse të Lulit dhe Saliut

Gjatë një takimi elektoral në Ndroq, kandidati që aspiron një mandat të dytë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se më 30 qershor shqiptarët kanë një shans për ti thënë Sali Berishës dhe Petrit Vasilit, shkoni pleqëroni. “Por, siç tha me të drejtë Blerina në datën 30 kemi një mundësi që këtyre të prostatës t’i themi shkoni pleqëroni, shkoni zgjidhni hallet tuaja por ju nuk mund ta mbani më Shqipërinë peng”, u shpreh kryebashkiaku. Erion Veliaj u shpreh gjithashtu se Basha dhe Berisha janë të vetmit që bëjnë llogarinë e financave, që s`po përballojnë dot protestën, ndaj, sipas Veliajt, ata duhet të marrin lekë te rusët. Për këtë arsye, Erion Veliaj u shpreh se Tirana nuk do të digjet për hallin e Berishës dhe të Bashës.

Sot të vetmit që janë duke bërë llogarinë e financave që s’po përballojnë dot protestë, protestë, protestë dhe që duhet të marrin lekë nga rusët janë Saliu dhe Luli; për hallin e Saliut dhe Lulit do të djegim Ndroqin? Për hallin e Saliut dhe Lulit do djegim Vaqarrin? Për hallin e Saliut dhe Lulit do djegim Pezën? Do djegim Tiranën, do djegim gjithë punët që kemi bërë për këta të dy?”, u shpreh Kryebashkiaku.  Ai ka ironizuar edhe zëvendës kryetarin e LSI-së Petrit Vasili, duke e cilësuar këtë të fundit një personazh komik, që ka harruar të plaket. Sipas Veliajt, për sa kohë të jenë Berisha dhe Vasili në politikë, PS do të fitojë edhe 30 herë të tjera ndaj tyre.

Nuk i dhanë vizë as Petrit Vasilit, një tjetër personazh komik, një tjetër plak që nuk di të plaket dhe në fakt, ne s’duhet të bëjmë llogaritë e tyre, se për sa kohë që është Saliu dhe Tit Vasili si kovë pusi, sa herë që ata flasin humbasin nga 10%, por ne s’e kemi llogarinë me ta, ne ata i kemi mundur tre here, e jam i sigurt që kurdo do t’i mundim edhe 30 herë. Ideja e tyre që duhet të na kthehet në hall familjar fakti që Tit Vasilit i kanë hequr vizën, është ideja më idiote në botë, e çfarë po na duhet se nuk shkoi Titi në Las Vegas, se nuk shkoi Titi në Nju Jork, se nuk shkoi në Havai, se nuk shkoi Titi në Majemi. Çfarë mendojnë ata, se shqiptarët hanë bar dhe nuk kuptojnë që halli i Titit, i Saliut, i prostatës, i protestës, problemet e tyre nuk janë problemet tona? Problemet tona janë shkollat, janë rrugët, janë bujqësia, janë tregu, problemet tona janë si do mundësohen, se çdo i ri të eci përpara”, tha Veliaj në fjalën e tij.

Më tej, ai shtoi se pikërisht sepse Partia Socialiste ka ditur gjithmonë të bëjë shtet dhe të zbatojë me përpikëri ligjet e këtij shteti dhe se hallet dhe problemet e qytetarëve duhet të trajtohen çdo ditë, nuk mundet të pranojë kurrsesi që të zgjedhjet të mos mbahen në datën e caktuar. “Ajo që nuk tolerojmë dot, ajo që nuk bëjmë dot kompromis, ajo që nuk negociojmë dot kurrë është fuqia jonë për të zgjedhur një herë në katër vjet, siç e thotë Kushtetuta, me votë të lirë në fushën e betejës, në kutinë e votimit, në të gjithë territorin e Tiranës, për të  thënë se ka ardhur koha që populli të zgjedhë politikanët, jo politikanët të zgjedhin popullin”, tha Veliaj.

Veliaj: Basha nuk rregulloi dot as lagjen e tij, nuk rregulloi një rrugë

Në vijim të fushatës së tij elektorale nga njësia 8, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë në krye të Bashkisë Tiranë ka folur për transformimin e zonës së Selvisë dhe shpëtimit të Vojo Kushit, nga bingot dhe bastet që kishin mbirë si kërpudhat.

“Basha nuk arriti dot të rregullonte dot as lagjen e tij” tha Veliaj gjatë takimit më banorët, ndërsa u parashtroi atyre punë që bashkia ka bërë në këto 4 vite.

“Jemi te zemra e Tiranës, në një vend transformues, por jemi te lagjja e Lulit, i cili s’kishte asfaltuar as rrugicën e lagjes së tij. Nuk kishte mbjellë një pemë te lagjja e vet. Selvia ishte këtu edhe në kohën e Lulit, por u lirua vetëm nga Partia Socialiste. Kurse deputetët e Lulit dhe Monës erdhën që të mbronin zaptimin e Selvisë, të cilët në fakt ishin pronarë të zaptimit.” – tha Veliaj

Veliaj: Xhelal Mziu përcakton axhendën e Metës, dekonspiroi datën e zgjedhjeve

Nga Njësia 7 ku vijoi fushatën e tij elektorale, Erion Veliaj ka folur për paracaktimit të datës së re të zgjedhjeve nga ana e Presidentit Meta, por që për fat të keq u dekonspirua nga kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Veliaj tha se zbulimi i datës së re të zgjedhjeve nga kryebashkiaku i Kamzës, tregon më së miri se axhenda e Kreut të Shtetit përcaktohet nga opozita. “Pjesa që më bëri për të qeshur është që Kamza thoshte është aq e suksesshme dhe zgjedhjet për inatin tuaj nuk do jenë në datën 30 qershor, zgjedhjet tha do jenë në datë 20 tetor. E kisha dëgjuar si thashethem, nga ata njerëz që rrinë vërdallë, Presidencës  e SHQUP, por ta shihja të shkruar që axhendën e Presidentit të Republikës e paracakton Xhelal Mziu, ky është fundi i botës zyrtarisht. Xhelal sapo dekonspirove presidentin. U munduan ata të shkretët të bëjnë sikur konsultojnë partitë, edhe çfarë partish, partinë e Koços, që s’ka as deputet dhe as këshilltar, parti vulë humbura, pemëthyera që nuk kanë asnjë mandat të fituar me logon e tyre. Po konsultohen?! Dhe Xhelali ngaqë si rrihet derisa të bëjë budallallëkun e radhës sapo e dekonspiroi që ata e paskan caktuar edhe datën dhe gjithë kjo qenka një lojë”

Më herët, gjatë ditës së enjte, kreu i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu tha se zgjedhjet reale do të mbahen më 20 tetor, një deklaratë e fortë kjo kur në fakt presidenti Meta është duke bërë konsultimet me partitë për diskutimin e një datë të ardhshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Përmes një statusi të gjatë në Facebook, ku bën një krahasim të punës së tij në Bashkinë Kamëz me atë të Veliaj për Bashkinë Tiranë e ka mbyllur në fund me citimin “Zgjedhje me 30 Qershor 2019 nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrë. #ShihemiNeZgjedhjetRealeTe20Tetorit2019.”

Sipas Mziut  20 tetori është data e zgjedhjeve. Tani pritet vetëm “dekretimi” i presidentit Meta.

Skip to toolbar