Protestë e paqtë, Veliaj urim dhe ironi

AKTUALITET


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka përgëzuar kreun e Partisë  Demokratike, Lulzim Basha për protestën paqësore që zhvilloi. Por urimi ironik i Veliajt e kishte bishtin prapa: sipas tij protesta e te premtes tregoi se kush ishte autori i dhunës se mëhershme: opozita dhe askush tjetër.

Gjatë protestës të së premtes nuk pati asnjë lloj incidenti, madje munguan edhe shashkat dhe tymueset, që kanë qenë gjithmonë të pranishme në çdo protestë të opozitës. Duket se paralajmërimet e ndërkombëtarëve nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Së paku për protestën.


Veliaj e thelloi ironinë dhe e quajti protestën si “një kthesë fantastike të opozitës” për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2021 si pjesë e alternativave të reja, pasi për 30 qershorin, tha ai, tashmë nuk bëhet gjë. Partia Socialiste do të futet e vetme në zgjedhje, por edhe pse pa kundërshtar, ato janë plotësisht të ligjshme, për komunitetin ndërkombëtar, OSBE dhe Shtetet e Bashkuara.

“Urime PD Shqipëri dhe Lulzim Basha  për protestën e parë paqësore – provë se dhuna dhe paqja në Tiranë varet nga ju e nga askush tjetër! Një kthese fantastike që krijon hapësira për ide e alternativa për Zgjedhjet 2021. Ndërkohë në 30 Qershor jemi njësoj, gishtat lart nr.2”, shkruan Veliaj.




Skip to toolbar