Veliaj: Kush prek zgjedhjet shkon në burg

POLITIKË


Pas disa takimeve në zona të ndryshme rurale, Erion Veliaj ka zhvilluar pasditen e të dielës një takim elektoral edhe me banorët e Zall-Bastarit. Gjatë fjalës së tij, ku premtoi më shumë investime për fshatrat dhe ngritjen e një tregu agroushqimor publik, Veliaj u shpreh se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. Madje, kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se kush do të cënojë zgjedhjet, do të përballet me ligjin dhe ndalimin e udhëtimit drejt SHBA-së dhe BE-së.

Ligji është i qartë: kush bllokon rrugë, kush bllokon zgjedhjet, kush gris listat, do të shkojë në burg, do dënohet, e jo vetëm kaq, por për herë të parë SHBA dhe BE thonë: Do t’ju heqim vizat! Pyetja ime është: a ja vlen të shkatërrosh jetën e familjes tënde, për të rregulluar jetën e familjes së atyre që në fakt i kanë punë vaj? Ja vlen mos me dal kurrë nga Shqipëria, me fis e farefis, për sa kohë që shkon dhe bllokon zgjedhjet? Ja vlen të prishesh me komunitetin tënd, ku shumica e njerëzve mezi pret që pas 4 vitesh të japë mendimin e tij, votën, se si do të vazhdojnë punët në këtë vend”, u shpreh Veliaj.


Sipas Erion Veliajt, data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet, pasi ajo është e paligjshme dhe e palogjikshme. “Jemi në kohë vere, është koha e korrjeve, imagjino dikujt t’i jetë bërë gruri ose misri për t’u korrur, a frutat për t’u vjelë, edhe thotë: po përtoj tani, a ta lej për nga Tetori, Nëntori se është një çik më freskët? Por, ka afat, duhet të bëhet tani. Çdo gjë ka afat në jetë, nuk mund të themi: ua sa shpejt ikën këto 4 vjet, a ta shtyjmë, t’i çojmë 5 vjet zgjedhjet? Nuk funksionon kështu, ka një kontratë, ka një marrëveshje, është lënë me date, me afat”, tha kandidati socialist.

Kryebashkiaku shtoi se pala tjetër ka zgjedhur vetë të mos konkurrojë dhe kjo nuk i bën zgjedhjet jo demokratike. Ai u shpreh se në garë në Tiranë ka edhe kandidat tjetër dhe 41 forca të tjera politike. “Fakti që jam numri 2, do të thotë që është edhe njëri me numrin 1, fakti që partia jonë është numri 30, do të thotë që janë edhe 30 parti të tjera të paktën, se në fakt në total janë 42. Do të thotë që në qoftë se disa parti nuk vijnë në fushën e betejës, nuk do të thotë se do lemë lojën. Edhe për një ndeshje futbolli, kush nuk vjen në fushë, fiton pala tjetër; edhe në një takim, kush nuk paraqitet për një intervistë, fiton ai që paraqitet. Për të gjitha këto arsye, të gjithë bashkë do të zbresim në fushë në datën 30, në fushën e kutive të votimit masivisht”, shtoi Veliaj.




Skip to toolbar