Policia
kufitare në Doganën e Kapshticës sekuestroi një shumë monetare prej 25 mijë
eurosh, ndërsa janë proceduar penalisht dy persona. Sipas një informacioni
zyrtar, mësohet se gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare të Kapshticës, në dalje
nga Shqipëria, u krye kontrolli ndaj dy shtetasve.
Konkretisht,
gjatë kontrollit të shtetasit me inicialet J.R. 46 vjeç, nga Memaliaj, rezident
në Greqi dhe shtetases bullgare me inicialet D.D., 31 vjeçe, u gjetën 25 mijë
euro.
Gjatë
kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me
shërbimet doganore, këtyre shtetasve iu gjet një sasi prej 25000 eurosh, të
fshehura në trup, të cilat nuk i kishin deklaruar para autoriteteve.
Veprimet
në lidhje më këtë rast janë kryer nga specialistët e Seksionit të Krimit
Ekonomik në DVP Korçë, të cilët kanë filluar procedimin penal ndaj këtyre
shtetasve.
Policia
Kufitare e Kakavijës ndaloi dy shtetas gjatë kontrolleve për goditjen e
paligjshmërisë. Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, në pikën
Kufitare të Kakavijës u sekuestrua mjeti “Renault” me drejtues shtetasin
shqiptar E.X., 21 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Greqi. Mjeti i këtij
shtetasi rezultoi me ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë.
Po
në vijim të kontrolleve u kap shtetasi me inicialet V. G., 49 vjeç, lindur në
Sarandë dhe banues në Greqi, të cilit gjatë kontrollit në automjet iu gjet një
sasi prej 70900 eurosh, të cilat i kishte fshehur në automjet, me qëllim
shmangien e kontrollit.
Në
cilësinë e provës materiale u bllokuan 1 automjet dhe një sasi prej 70900
eurosh. Veprimet e para hetimore për këto raste u kryen nga DVP Gjirokastër,
për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarim
i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe materialet në ngarkim të dy
shtetasve i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Pas gjashtë
muajsh hetimesh, Policia e Matit finalizoi operacionin “Ulëza”, duke arrestuar
dy shtetas në flagrancë dhe një tjetër u shpall në kërkim. Sipas policisë, dy të
arrestuarit u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të një shume eurosh dhe lekësh,
të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Në pranga janë vënë
shtetasit R.T., 32 vjeç dhe N. T., 33 vjeç, banues në Ulëz, Mat. Si dhe u
shpall në kërkim shtetasi E. Ll, 29 vjeç, banues në Baz, Mat. Këta shtetas u
kapën në flagrancë në afërsi të shkollës së mesme të Njëisë Administrative Baz,
në momentin që po shkëmbenin një sasi lekësh me njëri- tjetrin, e cila dyshohet
se është përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.
Këta shtetas në
bashkëpunim me njëri – tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa rasteve të
tentativës për të kultivuar bimë narkotike në zonat malore të njësive
administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga Policia gjatë
kontrolleve të territorit.
Në cilësinë e
provës materiale u sekuestruan: 6 400 euro, 24 100 lekë, 45 gram lëndë
narkotike, 1 orë dore dhe 1 aparat celular. Policia e Matit, në bashkëpunim me
Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, po punon intensivisht për arrestimin e
personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet
hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën
penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar nga
Banka e Shqipërisë, pasditen e të enjtes janë prezantuar seritë e reja të kartëmonedhave
të lekut shqiptar. Banka e Shqipërisë ka ndryshuar pothuajse tërësisht pamjen e parë të kartëmonedhave për
prerjet 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekë. Këto kartëmonedha do të kenë pamje tjetër,
por nuk do të ndryshojnë në vlerën monetare. Risia e kartëmonedhave të reja të
prezantuar nga Banka e Shqipërisë, është fakti se ato ngjajnë shumë me kartëmonedhat
euro.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së
Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se duke nisur nga 30 shtatori do të hidhen në
treg kartëmonedhat e reja, të cilat do të
përdoren së bashku me të vjetrat, derisa ato të hiqen nga tregu.
“Më 30 shtator do të hidhen prerje të reja.
Dizanji i ri garanton siguri dhe cilësi më të lartë. Ceremonia e sotme mbahet
pas një pune 4-vjeçare. Jam i nderuar që sot të prezantoj serinë e re. Tematika
e kartëmonedhave nuk kanë ndryshuar, por kanë ndryshuar konfigurimi.
Kartëmonedhat do të kenë kurse ligjor. Kartëmonedhat e reja do jenë në
qarkullim me ato ekzistuese. Ekzistueset do të tërhiqen me kohën nga Banka
Qendrore e Shqipërisë”, tha Sejko.
Ai shtoi se seria e re e kartëmonedhave përmban elemente të kujtesës historike shqiptare, traditës, kutlurës, që përbëjnë identitetin tonë kombëtar. “Monedha shqiptare mbetet kujtesë historike e kombit shqiptar. Monedha përbën element të rëndësishëm të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Monedha ka si synim pasqyrimin e historisë së Shqipërisë, duke treguar portretet më të ndritura të kombit shqiptar. Ajo përmban të gjitha periudhat historike, që nga lashtësia. Seria që prezantojmë sot përbën seri të re. Monedha shqiptare do vijë me pamje të re”, u shpreh Sejko.
Mihal Kokëdhima, nuk e ka ditur me siguri, se
personi që tentoi të dhunonte të premten e javës së kaluar, ishte as më pak e
as më shumë, por një biznesmen i rëndësishëm spanjollë, me të paktën 310 milion
euro pasuri. Eugenio Galdon Brugarolas, dhe familja e tij kishin nisur prej
disa javësh një tur turistik në vende të Ballkanit. Dy javët e fundit kishin
zgjedhur të qëndronin në Himarë, ku së bashku me guidën shqiptare, po shijonin
bregdetin e Jonit. Por të premten e javës së kaluar, familja e milionerit
spanjoll, zgjodhi të drekonte në një lokal, “Panorma” në Porto Palermo. Pronari
i lokalit, Mihal Kokëdhima, tentoi të dhunonte familjen spanjolle, pasi ata u
larguan nga lokali i tij, sepse nuk mbetën të kënaqur me ushqimin.
Kokëdhima u mbajt për tre kilometra përpara kofanos së furgonit ku ndodhej familja spanjolle, duke goditur herë pas here me grushte xhamin e përparëm të mjetit. Fatmirësisht, na ngjarja nuk pati të lënduar, ndërsa Mihal Kokëdhima u arrestua nga policia dhe ndodhet në burg. Por, këtë të hënë, mediat spanjolle kanë publikuar lajmin në vendin e tyre, për atë që i ndodhi biznesmenit të njohur spanjoll. Eugenio Galdon Brugargolas nga Kartagjena, është një biznesmen spanjoll, i diplomuar në Ekonomi.
Galdon është themeluesi i ONO dhe ishte presidenti i saj deri në nëntor të vitit 2008. Midis viteve 1973 dhe 1982, Galdon ka mbajtur poste të ndryshme në administratën publike spanjolle, përfshirë dhe Shefin e Kabinetit të Kryeministrit të Qeverisë së Spanjës. Nga viti 1983 deri në vitin 1997, Galdon drejtoi disa nga grupet më të mëdha të komunikimit në Spanjë si: Cadena Ser, Grupo Prisa, Cadena COPE.
Që nga viti 1992, Galdon është president dhe
aksionar mazhoritar i Multitel, një grup biznesi që ai themeloi për të
investuar në projektet që lidhen me median dhe telekomunikacionin në Spanjë. Në
vitin 2014, ai i shiti kompaninë e tij, ONO, gjigandit Vodafonë për 7.2 miliardë
euro. Ndërkohë, Eugenio Galdon, është shprehur se do ta vizitojë përsëri Shqipërinë,
pavarësisht ngjarjes së pakëndshme në Himarë.
Një sipërmarrës nga San Dona del Piave, Itali, është akuzuar për mashtrim tatimor duke shmangur pagesat e taksave. Sipërmarrësi Alberto Vazzoler, 40 vjeç, kishte fshehur 40 mijë euro në furrën e sobës, deri sa t’i gjente një vend më të sigurt. Mirëpo paratë e grumbulluara në fakt patën një fund edhe më të trishtë. Gruaja e tij, e cila nuk dinte gjë, i ka djegur aksidentalisht gjatë gatimit. Mund t’ju duket si një histori filmash komedi, por në fakt është e vërtetë.
Paratë e djegura vërtetojnë dyshimet e policisë se sipërmarrësi kishte sasi të mëdha të ardhurash, të padeklaruara, në shtëpi.
Ngjarja ka ndodhur në 2016, por u zbulua pas përgjimit të një telefonate të gruas së tij, Silvia Moro, e cila është gjithashtu nën hetim nga policia. Ajo i tregonte të motrës për paratë dhe faktin që nuk i pa kur vuri tavën për të pjekur në furrë.
Edhe Shqipëria do të ndihmojë Francën për rindërtimin
e Notre-Dame. Qeveria mori sot vendimin për t’i dhuruar Francës 100 mijë euro
për rindërtimin e Katedrales së Parisit.
Më herët, edhe Kosova është bërë pjesë e
listës së dhuruesve, por pa dhënë një shifër konkrete. Aktualisht, deri më tani
janë grumbulluar rreth 1 miliardë euro, por ekspertët kanë vlerësuar se për
rikthimin e Katedrales në gjendjen e mëparshme, nevojitet një shumë më e madhe.
Katedralja e famshme 850 vjeçare e Parisit dy ditë më parë u përfshi nga flakët duke shkatërruar një pjesë të mirë të saj. Autoritetet kanë thënë se zjarri ka qenë aksidental, ndërkohë që presidenti francez ka premtuar rindërtimin e saj brenda 5 viteve të ardhshme.