Goditen kultivuesit e kanabisit në Mat, sekuestrohen mijëra euro

AKTUALITET


Pas gjashtë muajsh hetimesh, Policia e Matit finalizoi operacionin “Ulëza”, duke arrestuar dy shtetas në flagrancë dhe një tjetër u shpall në kërkim. Sipas policisë, dy të arrestuarit u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të një shume eurosh dhe lekësh, të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Në pranga janë vënë shtetasit R.T., 32 vjeç dhe N. T., 33 vjeç, banues në Ulëz, Mat. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. Ll, 29 vjeç, banues në Baz, Mat. Këta shtetas u kapën në flagrancë në afërsi të shkollës së mesme të Njëisë Administrative Baz, në momentin që po shkëmbenin një sasi lekësh me njëri- tjetrin, e cila dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.


Këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin, dyshohet se janë autorë të disa rasteve të tentativës për të kultivuar bimë narkotike në zonat malore të njësive administrative Ulëz dhe Baz, të cilat janë asgjësuar më parë nga Policia gjatë kontrolleve të territorit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 6 400 euro, 24 100 lekë, 45 gram lëndë narkotike, 1 orë dore dhe 1 aparat celular. Policia e Matit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, po punon intensivisht për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.




Skip to toolbar