Viktima e Kokëdhimës, milioner dhe ish funksionar i lartë spanjoll

AKTUALITET


Mihal Kokëdhima, nuk e ka ditur me siguri, se personi që tentoi të dhunonte të premten e javës së kaluar, ishte as më pak e as më shumë, por një biznesmen i rëndësishëm spanjollë, me të paktën 310 milion euro pasuri. Eugenio Galdon Brugarolas, dhe familja e tij kishin nisur prej disa javësh një tur turistik në vende të Ballkanit. Dy javët e fundit kishin zgjedhur të qëndronin në Himarë, ku së bashku me guidën shqiptare, po shijonin bregdetin e Jonit. Por të premten e javës së kaluar, familja e milionerit spanjoll, zgjodhi të drekonte në një lokal, “Panorma” në Porto Palermo. Pronari i lokalit, Mihal Kokëdhima, tentoi të dhunonte familjen spanjolle, pasi ata u larguan nga lokali i tij, sepse nuk mbetën të kënaqur me ushqimin.

 Kokëdhima u mbajt për tre kilometra përpara kofanos së furgonit ku ndodhej familja spanjolle, duke goditur herë pas here me grushte xhamin e përparëm të mjetit. Fatmirësisht, na ngjarja nuk pati të lënduar, ndërsa Mihal Kokëdhima u arrestua nga policia dhe ndodhet në burg. Por, këtë të hënë, mediat spanjolle kanë publikuar lajmin në vendin e tyre, për atë që i ndodhi biznesmenit të njohur spanjoll. Eugenio Galdon Brugargolas nga Kartagjena, është një biznesmen spanjoll, i diplomuar në Ekonomi.


Galdon është themeluesi i ONO dhe ishte presidenti i saj deri në nëntor të vitit 2008. Midis viteve 1973 dhe 1982, Galdon ka mbajtur poste të ndryshme në administratën publike spanjolle, përfshirë dhe Shefin e Kabinetit të Kryeministrit të Qeverisë së Spanjës. Nga viti 1983 deri në vitin 1997, Galdon drejtoi disa nga grupet më të mëdha të komunikimit në Spanjë si: Cadena Ser, Grupo Prisa, Cadena COPE.

Që nga viti 1992, Galdon është president dhe aksionar mazhoritar i Multitel, një grup biznesi që ai themeloi për të investuar në projektet që lidhen me median dhe telekomunikacionin në Spanjë. Në vitin 2014, ai i shiti kompaninë e tij, ONO, gjigandit Vodafonë për 7.2 miliardë euro. Ndërkohë, Eugenio Galdon, është shprehur se do ta vizitojë përsëri Shqipërinë, pavarësisht ngjarjes së pakëndshme në Himarë.




Skip to toolbar