Kryeprokurori, lista e KLP drejt Kuvendit

Të martën e javës së ardhshme, Kuvendi pritet të marrë listën me tre kandidatët e përzgjedhur nga KLP për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pasi u bë intervistimi dhe renditja e tre kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ky institucion pritet të dërgojë emrat e Olsian Çelës, Arta Markut dhe Fatjona Memçaj, për votim në Kuvend.

Sipas Ora Tv, asnjë nga kandidatët nuk do të bëjë apelim të renditjes në listë në Gjykatën Administrative. Arsyet lidhen me faktin se kandidatët janë njohur vetëm me pikët dhe renditjen, por pa u njohur se në cilin kriter kandidatët kanë pasur vlerësime jo të mira. Megjithatë, ligji u lejon tre ditë afat kandidatëve për kryeprokuror për të bërë ankim për listën dhe pikëzimin e KLP.

Në rastin konkret, dy kandidatet Arta Marku dhe Fatjona Memçaj kanë deri të hënën afat për të bërë ankim në Gjykatë Administrative. Nëse kjo gjë nuk ndodh, KLP i dërgon në mënyrë të menjëhershme listën me renditjen e tre kandidatëve Kuvendit.

Më pas parlamenti do të duhet të votojë me shumicë prej 84 votash një nga tre emrat e listës së KLP për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pavarësisht renditjes që bën KLP, Kuvendi ka të drejtën të zgjedh një nga tre emrat e listës, prokurorit Olsian Çela, Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe kandidates Fatjona Memçaj.

Sfidantja “jashtë liste”, sfidon Arta Markun. Memçaj: Po persekutojmë të dobëtit, të fortët, të lirë

Pas Arta Markut, ishte radha e Fatjona Memçaj për të shpalosur platofrmës e saj përpara KLP-së si kandidate për Prokurore e Përgjithshme. Memçaj e nisi fillimisht duke prezantuar karrierën e saj në sistemin e drejtësisë dhe jashtë tij, si dhe formimin, ku theksoi studimet në universtietet britanike, ku kishte fituar dhe gradën Dr.Shkencash.

“Nga Janari i vitit 2018 kam qenë në drejtorinë juridike në presidencë. Më pas kam qenë në kabinetin e Prokurorisë së Përgjithshme. Më pas me dekret të presidentit kam qenë prokurore në Prokurorinë e Apelit. Kam gradën Dr. shkencash. Kam 18 vite eksperiencë, kam dhënë mësim në Universitete private e publike, kam qenë anëtare e bordit të magjistraturës. Platforma ime është e ndërtuar mbi strategji e politika që duhet të ndiqen, përfshi burimet njerëzore e finaciare. Kërkohet autoritet lidership të demontsrojë atë që njerëzit presin, implementimin e Reformës në Drejtësi. Duhet të renditemi me dinjitet me të gjithë partnerët tanë në botë po ashtu në luftën kundër krimit”, tha Memçaj.

Indirekt, Fatjona Memçaj shigjetoi dhe Prokuroren e Përgjithshme të Përkohëshme Arta Marku. Memçaj u shpreh se nuk dinte nëse prokurori i përgjithshme kishte raportuar për gjendjen e aktuale të prokurorive, që sipas saj kanë mbingarkesë. Gjithashtu, ajo u shpreh se zgjidhja duhet të vijë me debat dhe jo formalizma, ndërsa deklaroi se në parlament duhet të shkohet për të folur për ato që ka realizuar dhe jo përse nuk u realizuan.

“Në qoftë se ka komunikim asgjë nuk është e vështirë edhe me intitucionet e reja të reformës. Prokuroria e Përgjithshme ka detyrë të raportoj para KLP e parlamentit mbi aktivitetin që kryen.  Marrëdhëniet me KLP nuk janë formale por bashkëpunuese. Nuk di nëse prokurori i Përgjithshëm ka raportuar për gjendjen aktuale të prokurorive. Kemi prokurori me mbingarkesë pune. Nuk më pëlqen formalizimi, për të gjetur zgjidhje ka nevojë për debat. Prokurori i Përgjithshëm duhet të shkojë në parlament të flas për atë që ka realizuar, jo përse nuk u realizua. Për funksionimin e një prokurorie është i rëndësishëm buxheti. Shpresojmë që ILD të ngrihet deri në fundvit. ”, tha kandidatja për kryeprokurore.  

E pyetur nga anëtarët e KLP-së nëse do të vinte nën përgjim një prej këtyre anëtarëve apo prokurorët që dyshohet se shkelin ligjin, Memçja u shpreh: “Ju falënderoj zoti Baze. Është një pyetje, pasi pavarësisht specifikimit, ju thatë? A do të guxojë që unë ta shkel ligjin. Unë e gjykoj veten se jam prokuror i mirë që të mos shkel ligjin. Pra kjo s’do të thotë se është mungesë vullneti apo pasje frike. Do të thotë se ligjin e quaj të shenjtë”.

“Shkeljen e tij nuk ja lejoj vetes ta bëj. Aq më shumë aty ku ka të bëjë me të drejtat e interesave të individit. Prokuroria shqiptare deri më tani është sulmuar për këtë që nuk respekton të drejtat e njeriut. Po akuzohemi se favorizojmë te fortët dhe sulmojmë të dobëtit! Para ligjit janë të gjithë të barabartë, dhe nese e bëj unë i them çdo qytetari se po ke të drejtë të shkelni ligjin”, tha ndër të tjera Memçaj. /Realstory.al/

Skip to toolbar