“Drejtësia po goditet nga të gjitha anët”. Cilën anë godet Xhafaj?

Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësisë, Fatmir Xhafaj ka vlerësuar hapin e hedhur për emërimin e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese për funksionimin e drejtësisë së re, por nga ana tjetër, ai ka deklaruar se drejtësia e re po goditet nga të gjitha anët, duke dhënë një mesazh të tërthortë, jo vetëm për kreun e shtetit dhe opozitën, që e kanë sulmuar këtë proces, por edhe për të tjerët.

“Urime Artës, Elsës dhe Fionës anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese! Janë aty në saj të një procesi tërësisht kushtetues e të pandikuar politikisht. Integriteti dhe profesionalizmi i spikatur që mbartin iu dha atyre nderin dhe përgjegjësinë për të ushtruar këtë funksion të lartë publik. Shpresëplotë se ato do të dinë të dëshmojnë objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm në vendimmarrje, në shërbim të ligjit dhe interesit qytetar! Një hap tjetër pozitiv në çuarjen përpara të Reformës në drejtësi! Drejtësia e Re po krijohet. Me vështirësi, me pengesa dhe goditje nga të gjitha anët. Gjithsesi po ecën përpara. Është koha e saj për tu ngritur, vepruar dhe gjykuar!”, shkruan Xhafaj në Tëitter menjëherë pas votimit në Kuvend të dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese.

Por pse vjen ky mesazh i Xhafajt, i cili ka qenë në krye të komisionit për reformën në drejtësi, ku vihet re se ai ka mënjanuar urimin për anëtarin e dekretuar nga Meta, Besnik Muçin, ndërkohë që në krye të fjalës ka vendosur Arta Vorpsin? Ndoshta është një koincidencë, por e vërteta është se Arta Vorpsi cilësohet si një ndër njerëzit e besuar të ish-ministrit të drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Madje, ajo ka punuar edhe për Komisionin e kryesuar nga Xhafaj për Reformën në Drejtësi, pasi ka qenë anëtare e nëngrupit për Reformën Kushtetuese dhe Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa në kohën e qeverisjes së mazhorancës 2001-2005, kur Xhafaj ishte ministër drejtësie, Vorpsi ka mbajtur funksionin e drejtoreshës së Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, ajo ka punuar në atë kohë lektore në Fakultetin e Drejtësisë dhe trajnere në shkollën e administratës publike. Meta e shmangu dy herë Vorpsin (herën e parë kur dekretoi Muçin dhe herën e dytë kur pezulloi procesin të premten e kaluar) dhe KED (e drejtuar nga Dvorani, një tjetër person i drejtësisë i përfolur si i afërt me Xhafën), e publikoi emrin e saj në krye të listët për zgjedhjen automatikisht në Gjykatën Kushtetuese. Dy fakte që të shtyjnë të mendosh se mesazhi e Xhafës i drejtohet kryesisht kreut të Shtetit. Por cilat janë anët e tjera për të cilat shqetësohet ish Kreu i Reformës në Drejtësi?

Të hënën në Kuvend deputetë të opozitës folën për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Metës, për Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast, ajo që do ta vërtetonte, do të ishte mosbetimi i Arta Vorpsit nga Ilir Meta dhe pranimi në heshtje i kësaj, edhe nga mazhoranca, e cila më pas do të sillte automatikisht dekretimi nga Meta të personit të katërt në listë, që do të ishte Marsida Xhaferrllari. Në këtë mënyrë Meta do të bëhej person kyç në një skemë që do sillte në Gjykatën Kushtetuese edhe një person të tij, edhe një emër të dashur për opozitën. Çka do “plotësonte” skemën që paralajmëron Xhafaj: Se në reformën në drejtësi, tashmë do t’i fusnin duart “të gjitha anët”… Realstory.al

Tahiri sulmon Xhafajn: Nuk mbajti përgjegjësi për vëllain

Ka përfunduar seanca e mbrojtjes së ish ministrit Saimir Tahiri, ndërkohë që vendimi do të jepet rreth orës 16.00 të së enjtes. Në seancën gjyqësore ish ministri Tahiri ka sulmuar pasardhësin e tij në Ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafajn, ndërsa ka thënë se “disa ministra nuk kanë mbajtur përgjegjësi për vëllezërit e tyre, dhe unë duhet të mbajë përgjegjësi se ia shita makinën vëllait të Habilajve”.

“Po më dënoni vetëm se i kam shitur makinën njërit prej vëllezërve Habilajt. Këtu ka ministra që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit unë të mbaj përgjegjësi për vëllezërit e atij që i shita makinën”, tha Tahiri për rastin që i ka shitur makinën Artan Habilajt, ndërkohë që vëllai i tij Mojsi Habilaj akuzohet dhe gjykohet si kryetar i një bande të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

“Dhe sikur të isha Saimir Habilaj s’do më dënonit për vëllezërit”, tha Tahiri.

Gjatë dëshmisë në seancë Tahiri ka përmendur edhe Edi Ramën duke thënë se më 23 prill ka qenë në një drekë me të dhe jo me Habilajt.

“Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i Brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. S’ka asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuze kriminale. Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vellezerit merren me drogë. Unë kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku jane titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën (nxjerr një foto marrë nga shqiptarja). Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Me kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki ne burg vetë nëse më vërtetohen akuzat”, tha Tahiri.

Ndërsa avokati i tij Maks Haxhia kërkoi që çështja të pushohet, pasi sipas tij nuk ka vepër penale.

Megjithatë gjykata do ta japë vendimin rreth orës 16:00, ndërkohë që prokuroria ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për ish ministrin, por në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3).

Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Në përfundim të seancës së të enjtes Tahiri është pritur para gjykatës nga dhjetëra qytetarë simpatizantë të tij.

Ish ministri nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, duke e pritur me heshtje vendimin e gjykatës.

Vëllai i ish ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj akuzohet nga PD si trafikant droge në Itali, akuza këto që janë hedhur poshtë nga Xhafaj. Por ish ministri Xhafaj nuk dha dorëheqjen nga posti edhe pas akuzave të PD-së. Ndërkohë që kur mbajti postin e ministrit të Brendshëm, fill pas largimit të Tahirit në disa raste deklaroi në media se gjatë kohës së Tahirit segmente të caktuara të policisë u bënë njësh me drogën. Duket se përgjigjen ia ka kthyer sot Tahiri./realstory.al

Xhafaj: Sulmi ndaj Reformës në Drejtësi do të jetë më i ashpër…(për shkak të frikës)

Ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha të hënën se sulmi i egër ndaj Reformës në Drejtësi do të vazhdojë dhe do të jetë edhe më i ashpër se deri tani dhe shkak është frika që ndjejnë disa për zbatimin e kësaj reforme.

“Një sulm i egër e ka shoqëruar dje hartimin e reformës në drejtësi dhe sot procesin e zbatimit të saj. E sigurt kështu do të vazhdoj edhe nesër. Do të jenë gjithmonë e më pak, por e sigurt më të ashpër.

Në asnjë moment nuk kam pritur dhe as pres të kundërtën. Është ndeshja e dy botëve, një përballje e dy qëllimeve diametralisht të kundërta.

Padyshim që në themel të të gjithë këtij sulmi ka qenë dhe mbetet paranoja e pasiguria apo frika nga drejtësia, nga ndëshkimi”, tha Xhafaj, i cili shpjegoi se shkak për sulmet është fakti se politika nuk ka asgjë në dorë për përcaktuar drejtësinë e re.

Ai i ktheu përgjigje edhe kritikave që vijnë si nga Presidenti Meta ashtu edhe nga opozita në lidhje me vonesat në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.

“Dikush qan hallin e drejtësisë së vonuar duke kujtuar numrin e madh të dosjeve në rafte, disa të tjerë nuk dinë se çfarë kërkojnë dhe çirren se reforma po kapet!

Harrojnë që deri dje që Gjykata e Lartë ishte aty e tëra dhe ishin mijëra çështje në raftet e saj prej vitesh ashtu sikundër janë me mijëra dosje në pritje dhe me vite vonesë apo në zvarritje dekadash në shkallët e tjera të gjyqësorit. Sigurisht më mirë një vit vonesë se sa një drejtësi e blerë dhe e shitur si mall nën pushtetin e fuqisë së pushtetit apo të fortit të parasë apo krimit.

Ndërkohë që deri dje gjykata kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe çdo institucion i sistemit dhe vet karriera e gjyqtarëve e prokurorëve përcaktohej nga politika, nga vullneti i pushtetit të radhës ndërsa drejtësia e re që po ngremë përmes kësaj reforme garanton që qëndrueshmëria, karriera dhe promovimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe pushtetin, po me vlerat dhe integritetin”, nënvizon Xhafaj.

Ai bëri të qartë se Reforma në Drejtësi është hartuar dhe po zbatohet nën monitorimin dhe asistencën e vazhdueshme të SHBA dhe BE, ndërsa tha se institucionet e reja që dalin prej saj do të vazhdojnë të jenë nën monitorim ndërkombëtar.

“Prokuroria e djeshme ishte e mbërthyer nga drejtues të paaftë, të korruptuar dhe shërbëtorë militantë politikë dhe nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me institucionet e reja të drejtësisë penale, me SPAK dhe BKH të formuar me gjyqtarë, prokurorë e polic të skanuar në filtrat e vetingut, të emëruar mbi një proces konkurimi pa asnjë pikëlidhje me politikën dhe kryesorja nën një monitorim të fortë ndërkombëtar nga misionet e asistencës të SHBA e BE, (OPDAT dhe EURALIUS) dhe akoma më shumë në një periudhë të paktën dy vjeçare me mandat kushtetues asistence, trajnimi dhe monitorimi prej tyre!”, theksoi Xhafaj.

Ish-Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, mori pjesë në prezantimin e dy volumeve të kolanës së botimeve parlamentare për reformën, aktivitet i organizuar me rastin e 3-vjetorit të miratimit të reformës nga parlamenti.

Ngritja e SPAK, Xhafaj: Vettingu në punë dhe në gusht

Reforma në drejtësi në Shqipëri prej disa vitesh po prodhon debate të forta, në fillim me hartimin dhe me pas me zbatimin. Sot bashkëhartues dhe miratues të saj si dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit. Opozita dhe presidenti mendojnë se reforma është deformuar në zbatim dhe nuk i përmbahet tekstit kushtuetues të miratuar me unanimitet, dhe se po shkon drejt kapjes politike të sistemit. Eksponentë të PS në qeveri, si dhe ekspertë pjesmarrës në hartimin e reformës sjellin argumenta të kundërta. Vështirësitë në zbatim kanë sjellë mosfunksionimin e Gjykatës kushtetuese dhe Gjykatës së lartë. Mimoza Picari raporton nga Tirana.

Reforma në drejtësi u miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016. Ajo u parapri nga debate të forta, për më shumë se një vit dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.

Ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi ka patur ulje ngritje dhe autorë të hartimit dhe miratimit të saj si dhe ekspertë të sistemit kanë këndvështrimë të ndryshme për rezultatet, 3 vjet pas miratimit.

“Kjo është një periudhë e vështirë tranzicioni, edhe sikur idealisht kjo periudhë tranzicioni të shkonte sipas mënyrës që u ideua, aq komplekse sa ishte, do kishte vështirësitë e veta teknike”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Nuk do të them, a është sukses apo është dështim, por mund t’ju them se nëse do të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë sekond nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese”- shprehet Ilir Meta, President i Shqiperisë.

“Shqiptarët kishin nevojë për reformën në drejtësi, si ujët e pakët. Por mënyra se si bëhët reforma në drejtësi është thelbësore. Ne kemi një sistem që është rrënuar tashmë, dhe ndërkohë nuk është ngritur ende i riu”- pohon Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.

“Nëse do të shohim kushtetuën në dispozitat tranzitore, aty janë vënë ca afate. Nëse do të ishin respektuar me atë consensus që u miratua kushtetuta, sigurisht që ne nuk do ishim në këtë gjendje, ku ka problematikë përsa i përket funksionimit të organeve”- pohon Sokol Sadushi, Drejtor i shkollës së magjistraturës.

Ndarja mes palëve nisi menjëherë pas miratimit me konsensus të reformes. Në gusht 2016, nuk u arritën afatet e miratimit të 7 ligjeve të emergjencës sic u quajtën ato për ngritjen e organeve qeverisëse të sistemit, përfshi dhe Vettingun rivlerësimin e gjyqatrëve dhe prokurorëve.

“Nga ana tjetër ne kemi faktin që ligjet sot kanë ndryshuar në thelb sistemin e drejtësisë që u miratua në datën 22 korrik 2016. I vetmi ligj që miratua me consensus ishte ai për ngritjen e SPAK”- sqaron Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.

“Duhet të pranojmë që PD hyri e sforcuar në konsensusin e 140 votave të Kuvendit. Një vit u vonua Vetting-u në proçesin e zbatimit. 6 muaj ju desh me ankimin në Gjykatën Kushtetuese dhe 6 muaj nga çadra. Sepse vetëm pas marrëveshjes së majit të 2017-ës u bë e mundur që të ngriheshin institucionet e Vetting-ut, për arsye sepse mosardhja e përfaqësuesve të PD e bëntë proçedurialisht të pamndur proçesin”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Askush nuk mund të guxojë të thotë pa u skuqur, që vonesë shkaktoi opozita pse dërgoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin e Vetting-ut për shkeljet që i ishin bërë kushtetutës së 22 korrikut. Kjo është e drejtë e pamohueshme e kujtdo” – argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

Sipas kryetarit të komisionit për hartimin e reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, bllokimi i ngritjes së organeve të Vetting solli bllokimin e Këshillit të emërimeve në drejtësi për nje vit.

“Këshilli i emërimeve në Drejtësi solli efektin tek Gjykata Kushtetuese. Të mos harrojmë ping-pongun mes presidencës dhe kuvendit apo konfliktin me prokurorinë për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pra një sërë proçesesh. Por nga ana tjetër nuk e përjashtoj faktin, që me pak kujdes dhe me më shumë vëmendje mund të kishtë një ritëm shumë më të mirë”- sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“E gjithë beteja sot është se kush do të kontrollojë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse e kontrollon kryeministri Edi Rama, jo vetëm do të rrëzojë dekretet e Presidentit, jo vetëm do të shkarkojë presidentin e republikës, por do t’i vërë vulën e Gjykatës Kushtetuese të gjitha ligjeve, siç është ligji i teatrit apo konçensionet skandaloze nëse shkojnë në Gjykatë Kushtetuese”- argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së saj, lidershipi i PD ka funksionuar mbi bazën e kontrollit politik të sistemit. Në mentalitetin e tyre ishte që sistemi është i kontrolluar. Vetë sistemi është ndërtuar pikërisht për të shmangur kontrollin politik”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Kushtetuta u transformua, u ndryshua, u dhunua për të prodhuar sistemin që do të prodhojë kapjen dhe sot Vetting-u është një instrument qartazi, ku ata që i duhen PS selektohen dhe kalojnë për miratim në organet e tjera”- shprehet Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Këtë nuk mund ta thotë opozita për një fakt fare të thjeshtë. Opozita ka qenë bashkëpjesmarrëse në përzgjdhjen e emrave të komisionerëve të organave të Vetting-ut. Emrat janë votuar edhe nga PS edhe nga PD edhe nga LSI”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Presidenti i republikes ILir Meta ish-kryetar i LSI, ka shprehur rezerva të forta për reformën në drejtësi duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin i ndihmuar nga një kor i strukturuar ndërkombëtarësh, si është shprehur ai.

“Unë kam bërë çdo përpjekje, ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos mbetet bëhët një vend qesharak. As para së të bëhej reforma në drejtësi, edhe për zbatimin e reformës, e cila është kthyer në një ramaformë, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese që u miratua me konsensusin e të gjithëve nuk do ishim në këtë situatë”- shprehet Ilir Meta, President i Republikës në një komunkim me median.

“Presidenti dhe partia që ai ka drejtuar para së të zgjidhej president, kanë votuar 7 ligjet kuadër të reformës në drejtësi, pra do të thotë që ka patur vullnetin e plotë në proçesin e hartimit dhe miratimit të këtyre 7 ligjeve. Nëse sot janë në opozitë dhe ka gjykim tjetër, nëse sot ka një interes tjetër, kjo është çëhtje tjetër. Po i them Presidentit dhe kujtdo tjetër në këtë vend, kush të dojë Fatmir Xhafaj, Edi Rama Ilir Meta mund të shohin ëndrra për ta kapur sistemin, por nuk kapet më ky sistem”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“E kam thënë dhe herë tjetër kur politika të kuptojë se nuk do të ketë më dorë mbi sistemin e drejtësisë atëherë do të këtë dhe acarimin”- shprehet Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Reforma e Drejtësisë në fakt është zbatuar në përputhje më kushtetutën dhe legjislacionin vendas. Ky është një proçes kompleks. Reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme”- u shpreh Luigi Soreca, Ambasador i BE në Shqipëri.

Sot tre vjet pas miratimit të reformës në drejtësi Gjykata kushtetuese ka vetëm një anëtare të cilës i ka mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për vendime. Vettingu, ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në systemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë dhe prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme.

“A do kishte largime kaq të mëdha. Kjo është një çështje që nuk mund të mendohej nga askush. Si mund të mendohej, përsa kohë që nuk kishte të dhëna objektive, fakte”- pohon Sokol Sadushi drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Kam qenë i vetëdijshëm që një pjesë e mirë e atyre që shërbenin në sistem do të dilnin nga sistemi, por deri në këto përmasa, që të jem dhe unë i sinqertë nuk e kam menduar”- pohon Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Vettingu po shkakton një situatë që ne e kemi paralajmëruar, do të krijojë një gropë të madhe”- thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Opozita ka parlajmëruar vetëm një gjë që nuk e do reformën në drejtësi. Nuk them që nuk ka probleme, por janë të përkohshme, dhe si të tilla të justifikuara në raport me atë cfarë presim të ndërtojmë në këtë shoqëri” –argumenton Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Në gjykatën Kushtetuese sot ka 108 cështje që presin gjykimin, ndërsa në gjykatën e lartë mbi 32 mijë cështje që do te duan sipas ekspertëve disa vite të shqyrtohen.

“Më garanto drejtësinë thotë qytetari shqiptar, që kur të shkojë në gjykatën e shkallës së parë mundësisht të mbaroj punë që aty, pa shkuar në shkallët e tjera”- thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.

“Ne kemi aktualisht 5 çështje të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gerdecit. Në Gjykatën e lartë ne nuk kemi ende një mundësi për t’u gjykuar, sepse presim të shprehet kjo gjykatë e cila është bllokuar”- pohon Dorjan Matlia, avokat.

“Midis gjyqësorit me disa njerëz që e kishin kthyer në pazar dhënien e vendimeve, dhe një gjyqësori që respekton ligjin dhe vetëm ligjin, unë do të preferja të zgjidhja këtë të dytin edhe sikur për pak kohë të mungonte i pari”- shprehet Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Drejtor i shkollës së magjistraturës porta furnizuese e sistemit me gjyqtarë dhe prokurorë thotë se janë thuasje trefishuar kandidatët me qëllim plotësimin e boshllëqeve dhe shpreson se deri në vitin 2026, kur është parashikuar të përfundojë Vettingu i afro 700 gjyqtarëve dhe prokurorëve sistemi do ta ketë marrë veten. Ndërsa Z. Fatmir Xhafaj shpreson se shumë shpejt Gjykata kushtetuese dhe ajo e lartë do jenë funksionale.

“Organet e Vetting-ut duhet të punojnë me prioritet për organet e reja të sistemit që do të thotë se organet e Vetting-ut nuk kanë luksin të bëjnë pushime, dhe as të zvarrisin çështjet, sepse prandaj paguhen shumë shumë herë më tepër se kushdo tjetër në këtë vend, pikërisht për këtë gjë. Së dyti KED vetë duhet të ketë një ritëm tjetër”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

Autoritetet thonë se së shpejti priten të ngrihen dhe të zgjidhen dhe organe të tjera pjesë të reformës në drejtësi si Inpsktori i drejtësisë Prokurori i përgjithshëm dhe Njësia e posacme e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, ose Spak sic njihet ndryshe, që do të hetojë dhe gjykojë zyrtarët e lartë dhe politikanët, Por a ka vend për shpresë në përfundimin me sukses të reformës në drejtësi,

“Abuzohet shpeshherë me faktin, 3 vjet çfarë u bë? Unë besoj që bëhet në mënyrë të qëllimshme nga kundërshtarët e këtij proçesi dhe nga ata që kanë një pritshmëri të lartë”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.

“Drejtësinë komplet ramaformë, tani të marrë dhe gjithë pushtetin vendor dhe të gjithë të dalin në diell dhe t’i bien dajres. Bukur shumë bukur”- shprehet me ironi Ilir Meta President i Republikës gjatë një konference për shtyp.

“Ne nuk duhet ta shohim më trishtim. Ju e dini që shkaku kryesor pse nisi reforma në drejtësi ishte korrupsioni”- thotë Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës.

“Në duam të shohim zbatimin e ligjeve dhe njerëz në burg. Të gjithë politkanët të kuptojnë vlerën që ka mbështetja e kësaj reforme që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur”- pohoi Genoveva Calavera, në fjalën e saj në Samitin e Poznamit në Poloni.

“Unë pres me padurim ngritjen e SPAK-ut. Mundet të jetë një pritshmëri e gabuar por e presim të gjithë. E presim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nganjëherë dhe ajo që nuk është e mirë, është më mirë të shkojë para se sa të mbetet në lluc”- thotë Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi./VOA/

Skip to toolbar