“21 janari”, ish-kreu i SHISH: Politika gjen gjithmonë shkaqe si për fitore dhe humbje

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi tha se klasës politike në vend i mungon logjika dhe për këtë arsye gjen gjithmonë shkaqe kur humbasin po si të vijnë në pushtet dhe këtu përdorin dhe protestat e dhunshme. Gjatë diskutimi për ngjarjet e 21 janarit 2011 në emisionin  “Real Story” në News 24, Klosi tha se klasa politike e të dyja palëve është shumë e fortë për shkak të korrupsionit dhe për këtë hetimet ndaj tyre gjithmonë mungojnë.

“Ka ndodhur gjithmonë dhe do ndodhë kur janë dy kampe kundërshtare që shkojnë përtej logjikës. Mbështeten mbi logjikën e forcës, pala tjetër është gabuar.

Në politikën shqiptare nuk ka logjikë. Gjejnë shkaqe pse humba, gjejnë shkaqe që të vijnë para në pushtet. Arsyeja është korrupsioni pse politika shqiptare është e fortë. Pushteti të jep shumë favore, pushteti të jep forcë” ,tha Fatos Klosi.

Fatos Klosi: Berisha rrezikohet nga SPAK, ka zhdukur mjaft dokumente, por do e fundosin bashkëpunëtorët

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi është i bindur se SPAK do të merret edhe me ish kryeministrin Sali Berisha. Ai deklaron se Berisha ka ditur të fshehë dokumente që e implikojnë dhe se asnjëherë nuk ka firmosur vendime që nuk janë kolektive, por gjithsesi SPAK do të përdorë mekanizma të tilla që ta zbulojë. Madje, thotë Klosi, do të jenë bashkëpunëtorët e tij që do ta fundosin Berishën.

“Unë them që Berisha duhet të jetë i rrezikuar nga SPAK, pastaj është apo jo këtë nuk e kam shumë të sigurt sepse ai është vërtet një burrë shumë i zoti. Berisha është sipas asaj fjalës së urtë: Di të vjedhësh? Di. Di të fshehësh? Nuk di. Mos vidh pra. Berisha është i zoti, ai nuk ka lënë dokumente. Ai, edhe në Këshillin e Ministrave kur ka qenë në pushtet, ka firmosur vetëm vendime kolektive. Kështu që Berishën nuk e kap dot. Por ka mekanizma të tjerë plot. Nëse ka krim në valle, krimi nuk është vetëm tek një njeri. Nuk e bën dot një njeri i vetëm. Ajo që ka ndodhur ka implikuar edhe emra të tjerë dhe mbase kështu dalin edhe emrat e atyre që kanë qenë të zotë të fshehin gjurmët”, deklaroi Fatos Klosi në një prononcim për gazetën “SOT”. Pra, ish-kreu i SHISH në një farë mënyre paralajmëroi Berishën se nga drejtësia e re nuk do të shpëtojë dot, pavarësisht se ai mund të jetë treguar shumë i zgjuar në fshehjen e skandaleve.

Klosi është i bindur se Drejtësia e Re do të vijë nga ndërkombëtarët dhe se ata kanë prova dhe dosje për politikanët shqiptarë.

“Kam besim sepse shoh edhe që politikanët po tremben. Ata janë të trembur. Të gjitha sjelljet e pazakonta të të gjithë politikanëve të mëdhenj e tregojnë këtë. Është një periudhë sjelljesh të pazakonta dhe këto tregojnë që ata diçka dinë. Sigurisht që dinë diçka më shumë se neve sepse kanë kontakte dhe mbase edhe jua kanë thënë nga pak me shaka që janë të rrezikuar. Kështu që nga kjo nisem që besoj që do të bëhet. Pavarësisht trembjes së tyre, duhet thënë se politikanët nuk e ndalojnë dot reformën. Madje, nëse do të bënin tentativa për ta ndaluar në këtë periudhë, do të binin në sy akoma më shumë dhe do të tregohej qartazi që janë të trembur. Sepse natyrisht, ndërkombëtarët që i trembin kanë prova, por hetime nuk janë bërë. Fakti që janë trembur, ata e dinë më mirë se të gjithë se çfarë kanë bërë. Këto prova që janë mbledhur janë në duart e ndërkombëtarëve”, u shpreh ish-kreu i SHISH për gazetën SOT.

Klosi: FBI do ndihmojë SPAK për arrestimet dhe zbardhjen e pasurive

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka bërë të ditur se FBI do të japë asistencë në Shqipëri në ndihmë të SPAK për arrestimin e politikanëve të korruptuar dhe për zbardhjen e pasurive të fshehura të tyre.

Ish numri një i SHISH deklaron se shumë politikanë kanë filluar të dridhen nga ky fakt. Sa i takon parave të pushtetarëve të korruptuar, të cilët i kanë fshehur jashtë, Klosi deklaroi se misioni i SPAK dhe agjencive të tjera ligjzbatuese për t’i gjurmuar dhe konfiskuar ato nuk është një mision i pa mundur.

“Unë them që FBI dhe ekspertët ndërkombëtarë do të ndihmojnë goxha. Unë mendoj që SPAK-u të bëjë punën e vetë. Pastaj do të vijë puna tek arrestime “Vip”. Unë uroj që SPAK të bëj punën dhe të bien në rrjetën e tij të gjithë ata që e meritojnë. Pra, janë peshq të mëdhenj apo jo, nuk ka rëndësi.

Ata njerëz ose më saktë ata zyrtarë që kanë fshehur pasuritë nuk janë njerëz të thjeshtë, në kuptimin që për sa kohë kanë arritur në nivele të larat në politikë, administratën shtetërore, apo instancë tjetër të shtetit.  Ata që kanë vënë dorën në pasurinë e shtetit ose që janë të korruptuar duke marrë dhe dhënë ryshfete nga biznesmenë të pandershëm, nga kriminelë, etj. Ata përpara e kanë menduar se si do t’i fshehin pasuritë e tyre. Kështu që, procesi është një proces i vështirë. Por megjithatë nuk është i pamundur. Implikimi i partnerëve tanë shumë të rëndësishëm sikundër janë amerikanët dhe evropianët, e lehtëson këtë problem dhe bëhet më e lehtë identifikimi i pasurive të të korruptuarve. Kjo edhe nisur nga fakti që ka kohë që në sistemin bankar kanë ndryshuar shumë rregulla dhe shumë ligje sa i takon llogarive të pa prekshme. Kështu që, unë besoj se nuk ka asnjë të pamundur në këtë pikë” , është shprehur Klosi në një intervistë për gazetën Sot.

Ai gjithashtu bën të ditur se në vend ka shumë politikanë që janë të shqetësuar dhe nuk e duan reformën në drejtësi.

“Unë besoj se ka shumë politikanë të shqetësuar nga reforma në drejtësi. Kjo reformë natyrisht e rëndësishme ishte për vetë sistemin e drejtësisë. Sa i takon pyetjes së a po punojnë në prapavijë kundër reformës në drejtësi, nuk besoj. Të paktën këtë bindje kam krijuar unë se në këtë fazë problemi ka dalë nga duart e politikës. Politika e ka bërë punën e vetë, politika i aprovoi dhe votoi të gjitha ligjet e nevojshme për të realizuar reformën në drejtësi. Kështu që, politikanë s’kanë më në dorë që të influencojnë mbi reformën”, është shprehur Klosi.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më herët Këshilli i lartë i Prokurorisë përzgjodhi listën me 15 kandidatët për anëtarë të SPAK dhe pritet që kjo strukturë të jetë funksionale në shtator. Pra në vjeshtë pritet të kemi arrestime zyrtarësh të lartë, kusht ky që duhet plotësuar për çeljen e negociatave me BE-në.

Klosi: Akuzat e Berishës janë sajesa, në ’97 u kërcënua Kristaq Kume

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi ka folur për sulmet reale që janë bërë ndaj kryetarit të KQZ në 1997 Kristaq Kume. Klosi tha se në atë periudhë, ndaj Kumes janë bërë dy atentate për ta përplasur me makina të mëdha. “Sigurisht që qëllimi nuk ishte ta vrisnin, por ta frikësonin” – tha Klosi, i cili në atë periudhë ka qenë ish-nënkryetari i KQZ. Këto atentate tha Klosi, bën që Kume të kërkoj pasaporta diplomatike për familjarët e tij për shkak se ndihej i kërcënuar me jetë. Klosi madje shtoi se e dinte shumë mirë se nga vinin këto kërcënime.

Dy herë i kanë bërë atentat Kristaq Kumes, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 1997-s, e kanë përplasur dy herë me makinë. Më pas Kristaqi u detyrua të kërkojë pasaportë diplomatike për fëmijët dhe familjen. Unë në atë kohë kam qenë nënkryetar i KQZ-së dhe e di shumë mirë këtë punë se nga i vinin kërcënimet. Kam shkuar unë te Bashkim Fino, ku i kemi kërkuar pasaportë diplomatike për familjen e Kumes. U aksidentua dy herë, me fuoristrada të mëdha, goditën makinën e kryetarit të KQZ-së me makina të rënda. I prisnin rrugën natën, kur ai shkonte për në shtëpi. Kuptohet se nuk ishte qëllimi për ta vrarë, por për ta trembur, sepse ishte ideja se Kristaqi nuk ishte shumë konsekuent në luftën që po bënte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por Kristaqi nuk kishte se çfarë të bënte, zbatonte ligjin, por ne kishim shumicën dhe ai nuk ndikonte dot në vendimmarrje.” –  tha Klosi në një intervistë për Panoramën.

Akuzat e ish-kryeministri Berisha se ai kishte urdhëruar  të sulmonin banesën e tij me bombë, Klosi i quajti sajesa absurde. Ish kreu i SHISH tha se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë dhe se nuk mban mend që Berisha të jetë kërcënuar ndonjëherë, përveç një rasti gjatë fushatës zgjedhore në Sukth të Durrësit. Klosi tha se kjo ka ndodhur gjatë fushatës zgjedhore të 1996, dhe është një rast publik që dihet nga të gjithë.

Të gjithë e dinë se gjatë fushatës elektorale të 1996-s, kur Berisha ishte President, në kohën që ai ishte duke folur në një miting elektoral në një fshat të Sukthit, dikush që ishte prezent iu afrua dhe hodhi një bombë, e cila nuk shpërtheu. U bë një gjurulldi e vogël, personin e kapën. Këtë rast mbaj mend t’i ketë ndodhur Berishës, jo ndonjë rast tjetër.”- tha Klosi, i cili shtoi se çdo kërcënim tjetër që Berisha nxjerr nga goja i ka sajesa të çmendura që nuk meritojnë as përgjigje.

Ky njeri nuk heq dorë nga çmenduritë e tij. Nuk meriton asnjë përgjigje, janë absurde këto që nxjerr nga goja. Kjo që thotë ai, se unë kam vënë një njeri që t’i hidhnin atij bombë, më bën vetëm të qesh me çmendurinë e tij. Nuk hoqi dorë nga këto sajesa. Unë kisha detyrë të mbroja Berishën gjatë kohës që kam qenë në krye të SHISH-it dhe pse ai ishte kryetar i opozitës. Pastaj, Berisha kishte roje të panumërta dhe s’bënte vaki të ndodhte një sulm i tillë. Nuk i afroheshe dot Berishës si President.” – tha Klosi

Klosi foli edhe për masën e marrë ndaj kreu të KQZ, Klement Zgurit duke e cilësuar atë si të nevojshme, pasi ka njerëz të çekuilibruar që kërkojnë të bëjnë protagonistin duke përmendur edhe rastin e Fatos Lubonjës. “Fatosi për mua duhet të kërkojë ndihmë në Polici, sepse Fatos Lubonja është dikush, është person publik dhe nëse kërkon mbrojtje, Policia duhet t’ia japë mbrojtjen.”

Fatos Klosi: Palët kanë rënë dakord, zgjedhjet do të bëhen në tetor

Teksa opozita vijon me protesta të dhunshme, ish kreu i SHISH-it, Fatos Klosi thotë se ka një marrëveshje mes Ramës e Bashës që zgjedhjet lokale të shtyhen dhe të zhvillohen në tetor. Ndërsa zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen vitin e ardhshëm.

Këtë deklaratë Klosi e bëri mbrëmë në emisionin “360 Gradë” në Ora news.

“Zgjedhjet do të bëhen në tetor, kanë rënë dakord. Zgjedhjet lokale, të Kuvendit mbase janë vitin tjetër.

Do bëhen në tetor dhe kanë rënë dakord. Në gjithmonë kemi “ngrënë” me njëri-tjetrin dhe pastaj kemi dalë bllof se të tjerë vendosin dhe ne bëjmë debate, mundohemi te arsyetojme”, është shprehur Klosi, ndërsa ka shtuar më pas se PD do të humbasë në këto zgjedhje sërish.

Skip to toolbar