Tërmeti në Korçë, shqyrtohet mundësia për ndërtimin e një lagje të re në fshatin Floq

Korça vijon të jetë nën makthin e lëkundjeve të tokës, të cilat ende nuk kanë pushuar plotësisht. Megjithatë, duket se pjesa më e vështirë ka kaluar, dhe tashmë ka nisur puna për verifikimin e dëmeve dhe sigurimin e strehimit për banorët. Këtë të enjte pasdite në Prefekturën e Korçës është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile, ku është diskutuar rreth situatës dhe ecurisë së vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Prefekti i Korçës Dhori Spirollari është shprehur se në total janë dëmtuar 290 banesa, ndërsa 121 shtëpi janë dëmtuar plotësisht dhe nuk mund të banohen. “Nga tërmeti në Korçë janë dëmtuar 290 banesa. 121 shtëpi të dëmtuara plotësisht dhe nuk mund të banohen. Godina e ish-maternitetit të Korçës në funksion të banorëve”, ka thënë fillimisht Spirollari.

Më pas ai ka folur edhe për verifikimin e dëmeve dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara të banorëve. Sipas Dhori Spirollarit, në terren kanë ardhur ekspertët e sizmiologjisë për të verifikuar situatën, ndërsa po mendohet ndërtimi i një lagje të re në fshatin Floq, nëse në vendin e banesave ekzistuese nuk mund të bëhen rindërtim objektesh.

Në Floq kanë ardhur ekspertë të studimeve sizmologjike. Do vlerësohet nëse do rindërohet aty ku ishin banesat. Për momentin zgjidhja më e mirë ishin çadrat. Do vlerësohet mundësia për ndërtimin e banesave në vende të tjera, nëse është i pamundur ndërtimi në vendodhjen aktuale. Specialistët po bëjnë përllogaritjet për vlerën e dëmeve. Me përfundimin e verës të gjitha banesat do të jenë të rindërtuara”, ka thënë Dhori Spirollari.

Rama viziton familjet e prekura nga tërmeti: Në vjeshtë do futeni në banesat e reja

Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në fshatrat e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë në Korçë. Kreu i Qeverisë ka vizituar fshatin Floq dhe Qafëzezë, ku ka parë nga afër gjendjen e banorëve, të cilëve u janë dëmtuar banesat nga lëkundjet e tokës.

“Kjo është një e keqe që do sjellë të mirën e vet, se ne do t’i rindërtojmë të gjitha shtëpitë dhe sigurisht që do jenë edhe më mirë se sa ishin dhe do t’ju kompensojmë me dëmet çfarë ka brenda, që mund të jetë dëmtuar”, – tha kryeministri Rama në bisedën që pati me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, duke siguruar se para vjeshtës banorët do jenë në shtëpitë e tyre.

Floqi është fshati më i prekur, ku 75 shtëpi janë të pabanueshme dhe rreth 100 të tjera kanë dëme më të lehta. Për familjet e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ofrohet edhe shërbimi i kujdesit shëndetësor 24 orë dhe trajtimi ushqimor.

Sistemimi i qytetarëve nëpër shkolla dhe ambiente më të përshtatshme banimi ka filluar. “Kemi bërë atë bilancin e parë të të gjithë dëmeve dhe ndërkohë kemi bërë gati dhe planin e ndërhyrjes, kështu që besoj që shumë shpejt do fillojmë të bëjmë ndërhyrjet në mënyrë që brenda periudhës së verës të kemi zgjidhur të gjithë problematikën dhe patjetër me fillimin e vjeshtës ju të jeni nëpër shtëpi e të mos rrini më jashtë”, – u tha kryeministri Rama banorëve të prekur. 

Skip to toolbar