Trajneri Edy Reja ishte të hënën në Tiranë, ku së bashku me trajnerët e kombëtareve të moshave, zhvilluan një takim me Presidentin e FSHF-s, Armand Duka. Reja ende nuk ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me FSHF për të drejtuar kombëtaren, pavarësisht se akordi është arritur në parim.
Megjithatë, mungesa e firmës në letër, bëri që në mediat italiane, Reja të lakohej si një emër i mundshëm për të zëvendësuar Ancelottin te Napoli. Por tekniku 74-vjeçar sqaroi për mediat të hënën se nuk ka pasur asnjë kontakt nga Napoli. Ai tha se shkon shpesh në atë qytet, pasi ka miqësi me shumë njerëz përfshirë dhe presidentin e klubit, por nuk ka pasur asnjë bisedë për të marrë drejtimin e klubit të Napolit.
“Në Napoli unë kthehem gjithmonë. Sepse më presin shumë gjëra të bukura, kam shumë miq, madje kam raporte të mira me presidentin, qyteti më pëlqen shumë”, tha Reja. Ndërkohë, takimi i të hënës me Presidentin Duka, kishte në fokus rinovimin e kontratës. Edy Reja pranoi se ishte folur në takim për rinovimin, ndërsa tha se “nuk kemi nevojë për letra dhe shkrime”.
“Është e vërtetë që takimi i sotëm, ka të bëjë me rinovimin, por ne nuk kemi nevojë për letra dhe shkrime. Kemi folur praktikisht, sepse akordin është gjetur prej kohësh. Sot, jam së bashku me kolegët e mi të kombëtareve të moshave për të folur me Presidentin Duka dhe për të dëgjuar nëse ai është është i kënaqur nga ne apo jo. Kam darkuar me të dhe besoj se ai do bëjë gjërat e mira dhe konkrete”, tha Reja.