Reja, me kontratë të re para Andorrës e Francës?

#NËRADAR


“Tani duhet të ulemi për të folur me trajnerin Reja për projektin e së ardhmes”, tha ndër të tjera presidenti i FSHF-së Armand Duka pas fitores 4-0 të kombëtares ndaj Moldavisë. “Unë dëshiroj të vazhdoj punën këtu. Skuadra më jep sinjale pozitive për të vazhduar”, tha trajneri Edy Reja, para së njëjtës ndeshje. Deklaratat e dhëna në publik, tashmë janë futur në rrugën e bisedimeve zyrtare.

Një burim i Realstory.al pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, konfirmoi se trajneri i kuqezinjve, Edy Reja do të vijë në Shqipëri në datën 7 nëntor, që përkon dhe me nisjen e përgatitjeve të dy ndeshjeve të fundit të kombëtares, atë ndaj Andorrës në 14 dhe Francës në 17 nëntor.


Megjithatë, para këtyre dy ndeshjeve, pritet që kreu i FSHF-së Armand Duka dhe trajneri italian Edoardo Reja, të ulen e të diskutojnë projektin e ri Kuq e Zi. Palët pritet të diskutojnë rreth detajeve të kontratës për termat financiar, dhe kohëzgjatjen e saj. Trajneri Edy Reja është shprehur më herët se në jetën e tij kurrë nuk firmos kontratë më të gjatë se një sezon, ndaj mbetet për tu parë se si do të jetë ky bashkëpunim.

Ndërkohë, nga deklaratat publike të Presidentit të FSHF-së, pritet që bashkëpunimi me trajnerin Reja të përfshijë kualifikueset e Botërorit të vitit 2022, si dhe Nations League. Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Reja ndryshoi rrenjësisht ekipin tonë kombëtar. Reja debutoi në krye të stolit të kombëtares në qershor të këtij viti, në takimin ndaj Islandës ku kuqezinjtë u mundën me rezultatin 1-0 në transfertë.

Më pas fitoi në Elbasan ndaj Moldavisë me rezultatin 2-0, ndërsa në shtator u mundëm nga Franca 4-1 dhe fituam ndaj Islandës 4-2. Në dy ndeshjet e fundit, kuqezinjtë treguan një përmirësim të dukshëm në lojë, pasi pavarësisht se u mundëm 1-0 për një gabim të portierit, skuadra bëri një ndeshje të mirë. Ndërsa në ndeshjen ndaj Moldavisë, Shqipëria shënoi katër gola duke fituar bindshëm, e njëkohësisht, duke treguar se grupi i krijuar është premtues për të ardhmen.




Skip to toolbar