Bardhi nga Shkodra: Qeverinë e largojmë me protesta (si në 2019) por s`kemi datë

Pasi i shmangu protestat për gjysmën e dytë të vitit 2019, Partia Demokratike po mendon të rikthehet te skenari i shkurtit të vitit të kaluar. Pas një takimi që pati me strukturat e PD në Shkodër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi u shpreh se PD do të rikthehet te protestat.

“Pa asnjë diskutim që objektivi gjatë vitit 2019 është i njëjti objektiv që kemi edhe për vitin 2020: largimi i qeverisë, jo si dëshirë e opozitës, por si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugë zhvillimit të vendit. Pa asnjë diskutim, çdo mjet demokratik që sjell largimin e kësaj qeverie, përfshirë edhe protestat popullore, janë një mundësi reale për ditët në vijim”, tha Bardhi.

Megjithatë, data e protestave ende nuk është vendosur. Numri dy i PD u shpreh për mediat se sapo të ketë një datë për nisjen e tubimeve në shesh, ajo do të bëhet publike. “Jo, nuk ka një datë konkrete për protestë. Sigurisht, kur të ketë një datë konkrete, ne do ta bëjmë publike. Është një vendim që merret nga Kryesia e partisë. Por, unë ju garantoj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që është një mjet demokratik, i cili nuk përjashtohet të aplikohet në ditët e ardhshme”, tha Bardhi.

Nga Shkodra, Gazmend Bardhi akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se po vonon dërgimin e letërporosisë së Prokurorisë shqiptare te autoritetet italiane për verifikimin e Mark Babanit. “Dua të sqaroj opinionin që kjo vonesë ka ardhur për shkak të bllokimit nga ministria e drejtësisë, prej një muaji e gjysëm letërporosia e përgatitur nga prokuroria nuk i është dërguar autoriteteve italiane duke sjellë një zvarritje dhe duke lejuar një njeri në konflikt me ligjin të ushtrojë një funksion publik”, tha Bardhi.

Më tej, i pyetur për reformën zgjedhore, Bardhi tha se PD është gati për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste, por sipas tij, ata nuk kanë bërë asnjë hap në këtë drejtim. “Ne jemi duke punuar në mënyrë intensive për reformën zgjedhore, kemi drejt finalizimit të gjithë propozimet tona dhe pyetja nuk shtrohet nëse do marrim pjesë apo jo ne sepse kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore. Deri në këtë moment PS nuk ka hedhur asnjë hap duke tentuar të vonojë realizimin e reformës zgjedhore”, tha Bardhi.

Në fund, Gazmend Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë SPAK dhe BKH. Por sipas tij, për të ruajtur imazhin e kësaj strukture, “do të duhet që prokurorët, integriteti i të cilëve është vënë në pikëpyetje ose për shkak se janë shërbëtorë të regjimit kominist siç është drejtuesi i SPAK ose për shkak se janë vegla të Ulsi Manjës siç njëri nga prokurorët, do të duhet ti hapin rrugë zgjedhjes së prokurorëve të rinj me integritet dhe që gëzojnë besimin e të gjithëve për ti dhënë imazhin e nevojshëm dhe besueshmerinë e nevojshme SPAK”, tha Bardhi.

Videomesazhi i Ramës, reagon PD: Propagandë kundër opozitës. S`jemi fasadë e pushtetit

Pas videomesazhit të Kryeministrit Edi Rama, që e cilësonte mungesë përgjegjësie refuzimin e Lulzim Bashës për tu ulur në një tryezë për situatën e krijuar nga tërmeti, reagoi dhe Selia Blu. Gazmend Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i PD, u shpreh se Edi Rama vijon të bëjë propagandë kundër opozitës, ndërsa tha se Kryeministri dështoi të menaxhojë situatën.

“Edi Rama vazhdon të bëjë show mbi tragjedinë e 26 Nëntorit, duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e qeverisë së tij me propagandë të shëmtuar kundër opozitës. Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, këto 3 javë provuan se vendi drejtohet nga një kryeministër i dështuar. Edi Rama dështoi të menaxhojë situatën pas tërmetit, dështoi t’u japë qytetarëve sigurinë për banesat e tyre, dështoi të mbrojë interesin publik, duke mbrojtur paturpësisht 150 milionë dollarë që u jep oligarkëve për koncesionet korruptive të firmosura prej qeverisë se tij”, shprehet Bardhi.

Sipas Bardhit, dështim i Ramës është dhe përgjegjësia për vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë, ndërsa shton se Kryeministri dështoi të shndërrojë PD në fasadë të pushtetit.

“Dëshmi e dështimit të Edi Ramës është edhe përgjegjësia direkte për vdekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit”.

“Dështimi më i madh i Edi Ramës është se nuk shndërroi dot Partinë Demokratike dhe opozitën në fasadën e pushtetit të tij të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ai e ka të lidhur fatin me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn, ndërsa ne me qytetarët shqiptarë”.

“Në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita. Ne nuk përfituam politikisht nga tragjedia, ne nuk u tallëm me viktimat dhe as nuk i përdorëm të prekurit nga tërmeti, siç po përpiqet prej ditës së parë, Edi Rama, i cili shpiku edhe fejesën e të birit për t’u viktimizuar para shqiptarëve që ia kanë hequr vizën me kohë”, përfundon sekretari i PD.

PD shmang protestat: “Zgjedhorja” dhe BE më të rëndësishme

Opozita paralajmëroi javë më parë, se pas datës 18 tetor, kur do të vendosej për hapjen ose jo të negociatave me BE, do të rikthehej te protestat. Por ndonëse kaloi një javë nga ajo datë, opozita nuk ka vendosur për protestat. Gazmend Bardhi lë të kuptohet se ato do të jenë të largëta, të paktën për momentin, pasi sipas tij, opozita do të fokusohet për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave.  “Opozita, PD, ka thirru protesta, edhe në të ardhmen do thërrasë protesta, sa herë të jetë e nevojshme për të sensibilizuar shqiptarët e ndërkombëtarët mbi atë që ndodh në vend. Ende nuk ka një datë për protestat, për shkak se ne gjykojmë që duhet të përqendrojmë energjitë tona në përmbushjen e kushteve që Shqipëria të afrohet sa më parë me BE”, u shpreh numri dy i PD.

Pak ditë pasi u publikua drafti i ekspertëve të thirrur nga Komisioni i Reformës Zgjedhore në Kuvend, PD pritet të propozojë pika të tjera në lidhje me financimin e partive, fushatave zgjedhore dhe administrimin e procesit, në vazhdën e punës për reformën zgjedhore. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, u shpreh se PD ka gati platofrmën e saj. “Kemi gati platformën tonë mbi financimet e partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe administrimin zgjedhor, por është përcaktuar edhe kalendari për çështje e tjera. Ne kemi gati dy nga çështjet, por reforma ka më shumë  se nga këto dy çështje, Ajo që është e rëndësishëm është që palët duhet bëhen bashkë për ta bërë reformën”, tha Gazmend Bardhi.

Gazmend Bardhi u shpreh se kjo reformë duhet të jetë vullnet i të gjitha partive. “Reforma zgjedhore nuk mund të jetë i njërës palë, por produkt i të gjitha partive politike. Në këtë këndvështrim ne jemi të gatshëm, dhe ne presim palën tjetër të tregojë vullnet politik. Të dyja palët duhet të gjejnë konsensusin për një produkt të caktuar”.

Megjithatë, duke iu përgjigjur Taulant Ballës, që deklaroi se reforma do të kalojë në Komisionin e Kuvendit, Bardhi u shpreh se “kjo është një tentativë e qartë për t’i bërë partnerët ndërkombëtarë dhe shqiptarët për budallenj. Para se të flasim për një proces teknik, ne duhet të flasim në nivel politike. Duhet gjetur vullneti për ta realizuar reformën zgjedhore që duan të gjithë shqiptarët. Opozita politike në vend, nuk janë anëtarë në Komisionet Parlamentare, sepse ne nuk jemi në parlament dhe ne kemi thënë se Kuvendi është ilegjitim, për të gjitha arsyet që në kemi propozuar”, tha Bardhi.

Sipas Gazmend Bardhit, nëse zgjedhjet do të zhvillohen në kushte të barabarta, opozita i fiton ato. Ai shprehet se për PD nuk është problem Edi Rama. “Zgjedhjet e viteve të fundit kanë treguar se Rama nuk ka vullnet për të përmbushur atë që duhet të përmbushë çdo kryeministër në një proces zgjedhor. Nëse palët marrin pjesë në barazi në një proces zgjedhor, PD dhe koalicioni opozitar mund PS dhe padyshim edhe Edi Ramën. Pra, nuk është problem për ne Rama”, u shpreh Bardhi.

Opozita duket sikur lëshon pe, sa i përket kushtit për zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht se shprehet se sa më parë të mbahen aq më mirë do të ishte. Por, sipas Gazmend Bardhit, për Partinë Demokratike nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por standardet. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë sa më shpejt të jetë e mundur janë mundësia e vetme që jo vetëm vendi të dalë nga kriza, por t’u jepet mundësi edhe qytetarëve për një qeveri që punon për interesin e tyre. Detyra e opozitës është të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk është problem koha kur mbahen zgjedhjet, por e rëndësishme është të jenë të ndershme e të lira”, u shpreh ai.

Protesta tek “Astiri”, Bardhi: Lleshaj nuk e kupton qëndresën

Partia Demokratike zhvendosi protestën nga “Unaza e Re” te Drejtoria e Policisë së Tiranës, pas ndalimit të ish-deputetit Klevis Balliu dhe 7 protestuesve, që bllokuan rrugën. Për këtë akt, reagoi Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u shpreh se “Policia e Shtetit nuk do të përballet me fëmijët, por as nuk do të lejohet pengmarrja e qytetit nga njerëz të parapolitik”. Gjithashtu, Ministri u shpreh se “drejtues të Partisë Demokratike u fshehën pas fëmijëve dhe grave, duke i përdorur ata”. Pas këtyre deklaratave, reagoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.

Ai shprehet se “Sander Lleshaj nuk mund ta kuptojë qendresën e burrave, grave dhe fëmijëve në mbrojtje të shtëpive të tyre nga fadroma e korrupsionit të shefit të tij Edi Rama, sepse Sandër Lleshaj nuk ka derdhur ndonjëherë djersë për shtëpinë e tij.  Ai jeton në dy shtëpi të padeklaruara. Për njërën ka marrë kredi të butë nga qeveria që në 2009 dhe, në mënyrë të paligjshme, nuk e ka përdorur deri në vitin 2018, sa janë të dhënat zyrtare”. 

“Shtëpia tjetër ku Sandër Lleshaj jeton është në Lalz, por ajo nuk figuron askund. Të gjithë e dinë që ministri katil, që nxjerr policinë kundër grave dhe fëmijëve, por nuk lufton krimin, jeton sa pranë qendrës së Tiranës, aq në Gjirin e Lalzit, në shtëpi të padeklaruara”, shprehet Bardhi. Klevis Balliu dhe 7 protestues u ndaluan pas përfundimit të protestës së zhvilluar të dielën pasdite në Unazën e Re në zonën e “Astirit”. Ata bllokuan rrugën duke sfiduar thirrjet e policisë për të mos e bërë një gjë të tillë.

PD dorëzon dokumentet për Kajmakun, Prokuroria: Po i përkthejmë nga greqishtja

Partia Demokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, dokumentet, që sipas Selisë Blu, vërtetojnë akuzat e saj për dënimin që ka Agim Kajmaku në shtetin grek. Zyra e shtypit e PD ka njoftuar se të dhënat për Kajmakun ‘i janë dërguar prokurorisë, përmes dy letrave të ndryshme, njëra ditën e hënë me dokumentat e bëra publikë sipas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës greke, tjetra me dokumentin e nxjerrë nga TIMS, që tregon se Agim Kajmaku është i njëjti me personin Jorgo Toto, i arrestuar në në Greqi në 2003 dhe me numër pasaporte Z 0148497”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Ndërkohë, nëse i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme dokumentat që disponon për Agim Kajmakun, PD ankohet për procedurën që po ndjek organi akuzës për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Vorës. “Partia Demokratike dhe shpreh shqdetësimin e thellë të PD për procedurën antiligjore që po ndjek prokuroria për marrjen e shenjave të gishtërinjve”, shkruhet në reagimin e PD, e cila vijon më tej duke shprehur mosbesimin te depozitimi i shenjave të gishtërinjve të Agim Kajmakut. Sipas Selisë Blu, kjo procedurë e ndjekur nga organi akuzës, ngre hije dyshimi për manipulim të rezultatit të verifikimit.

“Procedura e ndjekur nga ana juaj, përveçse shkakton vonesa të panevojshme në procesin e verifikimit, ngre edhe dyshimin e arsyeshëm për një tentativë të mirëorganizuar për manipulimin e rezultatit të verifikimit. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi apo tentativë për manipulimin e saj, përveçse do të dështojë, përbën edhe një konfirmim të rreshtimit në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”.

Megjithë mosbesimin e Partisë Demokratike ndaj organit të akuzës, mësohet se Drejtoria e Dekriminalizmit në Prokurorinë e Përgjithshme është duke mbledhur prova që vërtetojnë ose jo akuzat e ngritura nga PD në drejtim te Agim Kajmakut. Këtë gjë, e bën të ditur vetë Prokuroria në letrën dërguar PD, ku i kërkon dokumentacionin për Agim Kajmakun. Në këtë letër thuhet ndër të tjera se “ka kërkaur nga KQZ formularin e vetëdeklarimit të Agim Kajmakut”, ndërsa procesi për verifikimin e tij është duke u zbatuar ‘sipas afateve ligjore’, citohet nga letra e Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, më herët, të premten e javës së kaluar, një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme i tha Realstory.al, se pas mbërritjes së kërkesës së PD për verifikimin e Kajmakut, organi i akuzës do të niste letërporsi pranë autoriteteve greke, për të kërkuar prova rreth akuzave që ka ngritur PD për kryebashkiakun e Vorës. Mësohet se hetimet janë në proces e sipër, pasi Prokuroria, menjëherë pas marrjes së vendimit të vënë në dispozicion nga PD për shtetasin Jorgo Goro, që selia Blu pretendon se është i njëjti me Agim Kajmaku, ka nisur përkthimin e tij nga gjuha greke në shqip. Nëse akuzat e PD do të vërtetohen, Agim Kajmaku nuk rrezikon vetëm postim e kryetarit të bashkisë, por dhe burgun për shkak të mashtrimit në formularin e dekriminalizimit.

Arrestimi në Itali? Pjetri-Bardhit: Të përgjigjet prokuroria, më pas unë

Sekretari i Përgjithshëm  i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, ka shkruar një status në rrjetet sociale, ku flet për ‘heshtjen e Valdrin Pjetrit për akuzat e bëra nga PD, për verifikimin e figurës së  tij nga Prokuroria’. “Dje ndodhi ajo që prisja. Valdrin Pjetri, që kërkon të uzurpojë bashkinë e Shkodrës, heshti. Ai bëri sikur nuk e dëgjoi kërkesën e Pastisë Demokratike drejtuar Prokurorisë për të verifikuar, nëse ai ka fshehur te kaluarën me formularin e dekriminalizimit.  Valdrin Pjetri hesht dhe nuk i shpjegon as atij 6 përqindshit të stërpakicës që e votoi në Shkodër pse ka gënjyer me formularin e dekriminalizimit”, shkruan Bardhi.

Nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, që ka folur për një media në vend. Ai është shprehur se “jam i hapur” për çdo verifikim të figurës së tij nga Prokuroria, duke i kërkuar Arta Markut që t`i kthejë përgjigje Gazmend Bardhit për kërkesën që ka publike të PD, që kërkon verifikimin e Valdrin Pjetrit.

“U njoha nëpërmjet kërkesës së Bardhit i cili bazohet dhe firmos mbi “Indicie Publike”. Sigurisht që jam i hapur mbi cdo verifikim timin por jo mbi  “Indicie Publike”. Askush më mirë se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të kthejë përgjigje kërkesës së  z. Bardhi dhe cdo personi tjetër të interesuar apo kurioz. Pasi institucioni i ngarkuar nga ligji për të kryer verifikimet e kërkuara të ketë kthyer zyrtarisht përgjigje, nga ana ime do ketë një prononcim publik mbi këtë kërkesë të z.Bardhi të bërë në emër të partisë Demokratike”, ka thënë Pjetri.

Lëvizje brenda PD, Basha largon Nokën nga Shkodra dhe ia beson Gazit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi më herët se nuk do të ketë pushime për opozitën në aksionin e saj “Rama Ik”. Ky aksioni opozitar do të vijojë gjatë gjithë verës deri në largimin e kryeministrit Rama. Kjo vërtetohet edhe nga një shkresë zyrtare që Basha i ka dërguar të gjithë demokratëve për lajmimin e ndryshimeve të bëra në koordinatorët e deleguar në degët e saj në rrethe.


Ajo që vihet re në shkresë është se Basha ka vendosur të largojë Flamur Nokën nga Shkodra dhe t’ia besojë atë Gazmend Bardhit.

Gazmend Bardhi do të jetë koordinatori i ri i PD në Shkodër, e ndërsa Flamur Nokën do të jetë në qytetin e Elbasanit.

Në shkresë përcaktohen detyrat e degëve të PD në të gjithë vendin për periudhën 15 korrik- 31 gusht. Vendim vjen pas një analize që është bërë nga kryesia e kësaj force politike dhe në përshtatje me kuadrin e  ri opozitar ku Basha paralajmëroi se aksioni ‘Rama ik” nuk do të jetë më me fjalë, por me vepra.

PD merr në mbrojtje Metën, Bardhi: Shkarkimi telenovelë e Ramës

Partia Demokratike del hapur në mbrojtje të Presidentit Ilir Meta, duke e quajtur “telenovelë vere të Edi Ramës”, ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij. Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi ka bërë një deklaratë në rrjetin e tij social, ku i del hapur në mbrojtje Ilir Metës, duke i cilësuar veprimet e kreut të shtetit si “kompetencë kushtetuese”.

“Për të mbuluar vjedhjen e shqiptarëve, vjedhjen e votës, vjedhjen e taksave, vjedhjen e pasurive, Edi Rama ka nisur shfaqjen për herë te parë te telenovelës “Parlamenti i krimit kundër Presidentit”, ku vetë është regjisor, vetë skenarist, vetë producent, vete aktor. Edi Rama e ka të qartë se telenovela me shkarkim presidenti është vetëm nje sajesë vere dhe abuzim me fondet publike”.

“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur në një sistem demokratik dhe pluralist. Duke shfaqur telenovelën bajate, me aktorë kryesorë personazhet e dosjeve 184 dhe 339 të blerjes së zgjedhjeve me krimin, Edi Rama do që të mos flitet për krimet e tij ndaj shqiptarëve”, shkruan ndër të tjera numri dy i PD-së.

Po, a është kompetencë kushtetuese vendimi për të çdekretuar një dekret? Sigurisht që Bardhi e di mirë që nuk është kompetencë kushtetuese një gjë e tillë, pasi është jurist. Dhe në Kushtetutë nuk ka një nen ku theksohet se “Presidenti mund të anulojë dekret që nxjerr vetë”. Megjithatë, Gazmend Bardhi vijon duke u shprehur në fund të tij se “votimet moniste të 30 qershorit, siç shprehet edhe OSBE/ODIHR, u mbajtën pa e marrë fare në konsideratë intersin e qytetarëve”, shkruan sekretari i PD-së.

Bardhi zbulon skemën e PD: Ja si do qëndrojë në zyrë Voltana dhe Xhelali

Partia Demokratike, po mundohet të gjejë çdo mënyrë, për të delegjitimuar 30 qershorin. Pas kërkesës së dërguar KQZ-së nga Gazmend Bardhi, ku të martën i kërkonte materialet zgjedhore për zgjedhjet, të mërkurën PD ndërmerr një tjetër hap. Është Gazmend Bardhi ai që tregon një tjetër mënyrë, se si PD do të veprojë për të mos njohur zgjedhjet. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD, janë dy mënyra për të bërë të paligjshme mandatet e kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve. Gjyqtarët, ku kandidatët e votimeve të shfuqizuara me dekretin e Presidentit, do të paraqiten për të marrë mandatin e paligjshëm, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm. Gjyqtarët të mos vërtetojnë si të vlefshëm mandatet, ose të pezullojnë gjykimin derisa dekreti i presidentit të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Gazmend Bardhi.

Megjithatë, kjo duket se do të jetë karta e fundit që opozita do të përdor, përpara se kryebashkiakët e PD dhe LSI të detyrohen të lirojnë zyrën deri më 12 gusht. Në fakt, Bardhi ka lënë të kuptohet, se kjo do të jetë lëvizja e fundit dhe e vetme, duke pamundësuar njohjen e mandateve të bashkiakëve të rinj në rrugë ligjore, por, gjithsesi pengim me forcë të futjes në zyrë të kryebashkiakëve të rinj nuk do të ketë. “Kjo është pengesa e fundit institucionale mes demokracisë dhe diktaturës!

Është pengesa e fundit institucionale që Edi Rama të marrë nën kontroll të plotë, me votime të paligjshme, edhe hallkën e fundit të pushtetit në vend, pushtetin lokal. Ne nuk kemi për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit”, shprehet Bardhi, duke hequr dorë nga dhuna, dhe përdorur hapësirat ligjore për të nxjerr të pavlefshëm mandatet e bashkiakëve të rinj të zgjedhur më 30 qershor.

Basha ‘harron’ krizën, i buzëqeshur në Kavajë

Ndërsa Monika Kryemadhi ka marrë frenat e aksionit opozitar dhe është bërë më aktive në daljet e saj publike për protestën e 8 korrikut, Lulzim Basha duket më i relaksuar krah Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi. Të dy liderët kryesor të PD-së, kanë qenë për një vizitë të paplanifikuar në Kavajë (raporton zyra e shtypit të kësaj partie). Basha dhe Bardhi kanë takuar kryebashkiakun në largim të bashkisë së Kavajës, dhe së bashku me disa simpatizantë kanë ecur në shëtitoren e këtij qyteti, deri sa në fund janë ndalur në një bar. Ajo që të bën përshtypje, është entuziazmi i kreut të PD-së në takimin që ka pasur në Kavajë.

Në njoftimin e PD-së, shkruhej se “Basha është shprehur se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka njohur kthim pas derisa kjo betejë të fitohet. Lideri i opozitës shorehu mirënjohjen për këdo që i është bashkuar kësaj beteje dhe tha se është shumë e rëndësishme që protestës së 8 Korrikut t’i bashkohen sa më shumë shqiptarë nga ata që refuzuan Edi Ramën”, thotë ndër të tjera lajmi i shpërndarë nga PD.

Në krahun tjetër, Monika Kryemadhi ka pasur një ditë të ngarkuar takimesh, telefonatash dhe dalje televizive, ku ndër të tjera u shpreh se “opozita do të dialogojë me Ramën, vetëm si kryetar i PS, jo si Kryeministër”. Ndërkohë, pas kësaj deklarate, Monika bëri një tjetër deklaratë nga takimi që pati me strukturat e LSI, duke e cilësuar Ramën si “armik virtual”. Këto tone të zbutura të Kryemadhit, duket sikur tregojnë se deri të hënën më 8 korrik, PD dhe LSI, do të artikulohen dhe më butë, nën efektin e të “nxehtit” veror, për të gjetur rrugën e dialogut.

Skip to toolbar