Vritet me thikë djali i ish presidentit

Djali i ish Presidentit gjerman Richard von Weizsäcker është qëlluar për vdekje me thikë në një spital në Berlin. Fritz von Weizsäcker, 59-vjeç, ishte mjek dhe gjatë sulmit sapo kishte dalë nga një leksion me studentët e tij. Policia arrestoi një 50-vjeçar si autor të sulmit, por nuk dihen motivet që çuan në vrasjen e djalit të ish presidentit.

Një polic jashtë shërbimit gjithashtu u plagos rëndë, kur ndërhyri për të neutralizuar sulmuesin. Pavarësisht përpjekjeve për të shpëtuar mjekun Von Weizsäcker, ai vdiq në vendin e ngjarjes.

Babai i tij, Richard von Weizsäcker shërbeu si President i Gjermanisë Perëndimore nga 1984 në 1990.

Vrasja horror me çekiç, burg shqiptarit në Gjermani

E përplasi me makinë dhe më pas i mori jetën duke i gjuajtur me çekiç. Kjo ngjarje makabre ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes mes dy shtetasve kosovarë në Gjermani.

Autori një 38-vjeçar kosovarë mori hakun e vrasjes së të atit, duke përplasur me makinë bashkëkombësin e tij 58-vjeçar dhe më pas e gjuajti me çekiç. 38-vjeçari përplasi me një makinë me targa gjermane shtetasin Deme Lulaj, 58 vjeç. Më pas doli nga makina dhe goditi Lulajn disa herë me çekiç. 58-vjeçari vdiq një ditë më vonë në spital.

Ngjarja ka ndodhur në 2017 në Wintersëijker të Gjermanisë për gjakmarrje. Si viktima dhe agresori u rritën në Kosovë. I dënuari, në moshën 12-vjeçare ishte dëshmitar i vrasjes së babait të tij nga i vëllai i Deme Lulaj me një copë druri në kokë.

Autori u dënua me 18 vite burg, ndërsa gjatë dhënies së vendimit gjykatësi tha se  “Hakmarrja e gjakut është një fenomen i papranueshëm dhe i padëshirueshëm, për të cilin nuk ka vend në këtë shoqëri. Kjo është arsyeja pse vetëm dënimi me burgim të gjatë është i përshtatshëm”.

Gjykata tha se vrasja ka qenë e mirëmenduar, pasi makina e 38-vjeçarit ishte parë disa herë në rrugën ku banonte viktima përpara vrasjes. Autori postoi një foto në Facebook ditën e vrasjes, për ta pasur si alibi se ishte në Zvicër. Gjithashtu gjurmët e ADN-së së viktimës u gjetën në xhaketën e 38-vjeçarit, ndërsa makina që përdori për përplasjen, ishte e regjistruar në emër të autorit. Për gjykatën këto ishin prova të mjaftueshme bindëse për të dënuar 38-vjeçarin.

Masakrohet shqiptari, e hedhin në kanal dhe e mbulojnë me gjethe

Një 27 vjeçar shqiptar është gjetur i masakruar dhe i hedhur në mes të pyllit në qytetin e Dölauer Heide në Gjermani. Sipas hetuesve i riu është qëlluar me thikë dhe armë dhe më pas është hedhur në një gropë duke e mbuluara me gjethe. Trupi është gjetur para 3 ditësh, ndërsa nuk jepen ende detaje se prej sa kohësh ishte i vdekur.

Viktima u arrit të identifikohej përmes ADN-së, ndërsa policia vijon hetimet për zbulimin e autorit dhe arsyet e vrasjes së tij makabre.

Karuseli ngjan me “Swastikan” naziste, mbyllet parku në Gjermani

Një karusel i vendosur në një park zoologjik, është mbyllur për vizitorët, pasi gjatë kohës që ai rrotullohej në ajër, krijonte imazhin  e “Swastika”, simboli famëkeq nazist. Parku ndodhet në qendrën Loffingen afër Freiburg, ndërs karuseli i pagëzuar “Eagle Fly”, është hapur për vizitorët vetëm dy javë më parë.

Sipas raportimeve të mediave, u desh një video e shpërndarë në rrjetet sociale, për të kuptuar se platforma gjatë kohës që bënte rrotullime në ajër, kishte ngjashmëri të mëdha me simbolim famëkeq nazist. Një zëdhënës i parkut është shprehur se askush nuk e vuri re ngjashmërinë e diskutueshme të karuselit, deri sa u publikuan pamjet.

Rudiger Braun, pronari i parkut argëtues “Tatzmania”, shpjegoi se kishin folur me prodhuesin e karuselit, dhe është rënë dakord që prodhuesi të heq një nga kokat e diskutueshme, ku nga katër që janë aktualisht, të mbetet me tre shqiponja. Kështu, sipas pronarit të parkut problemi është vënë nën kontroll.

Gjermania e ka të ndaluar me ligj shfaqjen e simboleve naziste, apo çdo që lidhet me një nga periudhat më të errëta të historisë gjermane. Për këtë arsye, pronarët e parkut, për të mos shkaktuar polemika, kanë vendosur që të bëjnë ndryshime në objektin e tyre argëtues për qytetarët.

Përvoja nga Tanzania në Irlandë, ambasadori i ri gjerman vjen në kulmin e krizës në Tiranë

Këtë të martë, Peter Zingraf  ka dorëzuar  letrat kredenciale te Presidenti Ilir Meta, duke marrë zyrtarisht detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Zingraf vjen në këtë detyrë për të zëvendësuar Susanne Schütz, që la detyrën pasi i mbaroi mandati në muajin korrik. Po kush është Peter Zingraf?  Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, ka publikuar të martën në faqen zyrtare në internet, një përshkrim të shkurtër të Peter Zingraf. Ambasadori Zingraf, ka studiuar për romanistikë, histori letërsie frënge dhe italiane në Agjen, Poiteiers në Francë dhe në Firence në Itali.

Ai ka  punuar për disa kohë si bashkëpunëtor në universitetin e Aachen dhe Freiburg im Breisgau. Peter Zingraf është i martuar dhe ka dy vajza. Pjesë e politikës dhe diplomacisë, ai është bërë në vitin 1993 kur u bashkua me Shërbimin e Jashtëm, në Bonn, ku ndenji deri në vitin 1994. Në vitin 1995 ai ishte nëpunës i deleguar pranë Ministrisë së Jashtme në Itali, ndërs në vitin 1996 ai emërohet ambasador i Gjermanisë në Varshavë.

Në vitin 1999 ai rikthehet pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, duke u bërë pjesë Departamentit të Kulturës. Në vitin 2002 Peter Zingraf merr drejtimin e amabasdës gjermane në Daressalam në Tanzani. Në vitin 2005 ai rikthehet përsëri si i punësuar pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, ndërsa në vitin 2010, ai emërohet ambasador në Dublin të Irlandës. Në vitin 2013 rikthehet si këshilltar i Presidentit Federal, në departamentin e politikës së jashtme, ndërsa në 2016 rikthehet përsëri në Ministrinë e Jashme, detyrë që ka  mbajtur deri në momentin që është emëruar amabasdor i Gjermanisë në Tiranë.

Duke u nisur nga CV e pasur, Gjermania duket se ka zgjedhur një personalitet në fushën e diplomacisë, për të bërë politikat e saj në Shqipëri. Vendi ynë është prej më shumë se gjysmë viti në një krizë të paprecedent politike, me Gjermaninë dhe vendet e tjera të Quintit, që kanë kërkuar vazhdimisht zgjidhjen e saj brenda kornizës ligjore.

Peter Zingraf vjen me një mision të vështirë, por të qartë në vendin tonë, mbështetjen për thellimin e reformave, dhe padyshim futjen e politikës në rrugën e zgjidhjes së krizës. Tashmë pritet që pas Gjermanisë, Senati në SHBA të miratojë kandidaturën e Yuri Kim, e përzgjedhur nga Donald Trump, (lexo këtu) si ambasadore e SHBA-së në Tiranë.

Sillet nga Gjermania anëtari i bandës “Vakëf”, historia e vrasjes makabre

Byniamin Hajro, një nga anëtarët e bandës famëkeqe “Vakëf” në Berat është sjellë me pranga nga Gjermania, ku ishte arrestuar gjatë një operacioni të Interpol, pasi prej 21 vitesh rezultonte në kërkim për një nga masakrat më të rënda të ndodhura në Berat në vitin 1997, kur dy të rinj, u rrëmbyen, u dhunuan për 24 orë dhe në fund, ata u lidhën dhe u lyen me benzinë, duke i djegur të gjallë.

Hajro akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Arjan Avdullait dhe Eduart Pemës, ngjarje e ndodhur më datë 3 qershor 1997 në orën 10:30 në lagjen “Jani Vruho”, në Berat.

Dy të rinjtë janë marrë peng nën kërcënimin e armëve më 3 qershor 1997 në Berat. Ata janë mbajtur një natë duke u keqtrajtuar në një garazh dhe të nesërmen, në mes të Beratit, trupat e tyre janë lyer me benzinë, janë lidhur dhe u është vënë flaka. Viktima të krimit makabër ishin Arjan Avdullai dhe Eduart Pema.  17 vjet më vonë, katër persona dërgohen në gjyq të akuzuar për ngjarjen e rëndë. Prokuroria e Beratit ka ngritur akuzë ndaj shtetasve Kudret Zhuka (i arrestuar në dhjetor 2013), Kastriot Frashëri, Byniamin Hajro dhe Gazmend Hoxha, të cilët i akuzon për ngjarjen e rëndë të vitit 1997.

Sinjali i parë që solli rihetimin e ngjarjes u mor nga një efektiv policie që mësoi se familjet e disa prej autorëve të masakrës së ndodhur në Berat ishin larguar jashtë Shqipërisë nga frika e gjakmarrjes. Megjithatë, prova vendimtare që siguroi prokuroria, provë e cila zbardhi edhe krejt ngjarjen, ishte dëshmia e shtetasit Ronaldo Pema. Vëllai i njërit prej viktimave (Eduart Pemës), kishte qenë bashkë me të vrarin në momentin kur makina e autorëve ndaloi aty dhe të akuzuarit me armë në kokë e detyruan të riun të hipte në mjetin e tyre për ta çuar te vendi i keqtrajtimit. Prokuroria bën me dije se ka pasur vështirësi të mëdha në hetimin e ngjarjes, pasi viktimave me vështirësi u janë gjetur edhe varret.

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë e mundur kryerja e veprimeve hetimore për shkak të vitit 1997. Hetimi për ngjarjen nisi një vit më vonë, më 1998. Pas shumë përpjekjesh, më 17 prill 2012 është vendosur rifillimi i hetimeve për shkak të deklarimeve të dhëna nga shtetasi Bledar Pema (ndryshuar emri në Ronaldo Pema). Ai ka thënë se më 2 qershor 1997, rreth orës 17:00 të pasdites ka qenë me vëllain, Eduart Pema, duke ndenjur në trotuarin e rrugës që të çon në lagjen “Vakëf”, afër spitalit “Befotrof”.

Gazeta Panorama ka risjellë të plotë dëshminë e dhënë në polici nga vëllai i njërit prej viktimave, Ronaldo Penama.

 “Vjen nga lagjja ‘Vakëf’ një makinë veturë e tipit ‘Benz’, ngjyrë e bardhë, me targa Berati, numrat nuk i kam të fiksuar. Makina ndaloi para këmbëve tona. Prej saj zbresin 4 persona, që arrita t’i njihja. Ishin: Byniamin Hajro, banor i lagjes ‘Kushtrim’, Kudret Zhuka, banor i lagjes ‘Kushtrim’, Kastriot Frashëri, banor i lagjes ‘Kushtrim’, aktualisht mbahet në Burgun e Kosovës në Lushnjë, dhe Gazmend Hoxha, banor i lagjes ‘Kushtrim’. Të gjithë personat, kur zbritën nga makina në duar mbanin automatikë kallash. Makinën e drejtonte Byniamin Hajro. Këta persona afrohen drejt nesh me automatikë në duar. Sa mbërrin aty Byniamin Hajro së bashku me Kudret Zhukën, i thonë Eduartit ‘futu në makinë’. Ai nuk kundërshtoi, por u fut në makinë menjëherë, u ul në sediljen mbrapa mes Gazmend Hoxhës dhe Kastriot Frashërit. Makina iku në drejtim të shtëpisë së Byniamin Hajros. Unë nuk reagova pasi në atë kohë isha vetëm 13 vjeç dhe personat ishin të armatosur. Shkova në shtëpi. Aty gjeta mamanë, Hamiten, babain, Novruzin, dy vëllezërit, Sokol dhe Haxhi Pema. U thashë se Eduartin e morën nën kërcënimin e automatikëve Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha. Familjarët u shqetësuan, por duke pasur parasysh me kë kishin të bënin, nuk bënë asnjë veprim konkret. Më pas, unë, pasi pashë se nuk po vinte vëllai, u nisa për të shkuar drejt shtëpisë së Byniamin Hajros. Ora ka qenë rreth 17:30 e datës 2 qershor 1997 dhe pashë te garazhi i Byniaminit vëllain tim Eduartin të lidhur me tel me gjemba me duar mbrapa, të shtrirë në tokë dhe që katër personat e morën dhe e qëllonin me qytë automatiku. Garazhi ishte i hapur, qepeni ishte i ngritur lart. U tregova familjarëve për atë që kisha parë. Ata u shqetësuan dhe thane që ‘nuk kemi çfarë t’u bëjmë atyre se ata të vrasin’. Policia nuk funksiononte. Të nesërmen u ngrita në orën gjashtë të mëngjesit, shkova te garazhi i Byniaminit për të parë nëse ishte vëllai aty apo jo. Dera e garazhit ishte e hapur, brenda tij pashë Bynaimin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Të shtrirë në dyshemenë e garazhit të lidhur me tela me gjemba pashë vëllain tim Eduartin dhe Arjan Avdullain. Katër personat, Bynaimin Hajro, Kudret Zhuke, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha lidhën me një tel te ganxha e rimorkimit nga mbrapa të një makine ‘Golf’ me ngjyrë si gri me targa Berati, numrat nuk i mbaj mend, dy trupat e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullajt. Mbasi i lidhën, katër personat hipën në makinë, si shofer hipi Gazmend Hoxha, në sediljen e parë si pasagjer u ul Kastriot Frashëri, ndërsa Kudret Zhuka dhe Byniamin Hajro hipën në sediljen e pasme. Ndezën makinën dhe u nisën drejt sheshit të lagjes ‘Vakëf’, dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin ‘Vakëf’. Unë nuk iu ndava nga mbrapa makinës që i tërhiqte zvarrë deri te sheshi. Aty makina ndaloi, zbritën prej saj Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha, të gjithë me automatikë në dorë. Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha shkuan dhe zgjidhën telin te ganxha e makinës. Mbasi i zgjidhën telin këta të dy hapën derën e bagazhit të makinës e nxorën prej saj një shishe qelqi, me sa kam të fiksuar, mund të ketë qenë njëkilëshe, dhe me lëngun që kishte ajo spërkatën dy trupat e Eduartit dhe të Arjanit. Mbas spërkatjes, Kastriot Frashëri dhe Gazmend Hoxha iu vunë flakën. Trupat morën flakë dhe në këtë moment Arjan Avdullaji u ngrit në këmbë dhe filloi t’i shante Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazment Hoxhën. Në këtë kohë Gazmend Hoxha gjuajti me automatik me breshëri drejt Arjan Avdullajt dhe e la të vrarë në vend. Mbasi bënë këtë veprim Byniamin Hajro, Kudret Zhuka, Kastriot Frashëri dhe Gazment Hoxha u larguan. Kufomat e të dyve vazhduan të digjen. Unë në këtë kohë shkova në shtëpi dhe u thashë pjesëtarëve të familjes për ngjarjen që kishte ndodhur”, ka dëshmuar vëllai i viktimës.

Gjermani, bllokohet një miliard euro kokainë në doganë

Një sasi e madhe kokaine është bllokuar në doganën e Hamburgut në Gjermani. Droga ishte fshehur në kontejnerët në të cilën shkruhej “produkte soje”. Policia, gjatë kontrollit, arriti të zbulonte 4.5 ton kokainë, e ndarë në 221 çanta me ngjyrë të zezë, me nga 4200 pako secila.

Sipas autoriteteve kjo ishte sasia më e madhe e drogës e bllokuar ndonjëherë, prejardhja e së cilës mendohet të ishte nga Uruguai. Nëse droga do të dilte në treg do të arrinte një vlerë prej 1 miliardë euro.

Policia e Hamburgut vijon hetimet për zbardhjen e rrjetit të trafikimit dhe destinacionin përfundimtar të drogës.

Shqiptari vritet me 5 plumba nga shoku i tij, autori largohet i qetë për në shtëpi

Një 21-vjeçar shqiptar nga Kosova është vrarë me 5 plumba nga shoku i tij. Ngjarja ndodhur pranë një “Fast Food-i” në Kassel të Gjermanisë, ndërsa policia ka arrestuar shokun e tij, 26 vjeç, si autor.

Policia arrestoi 26-vjeçarin pas dëshmive të shumta, por ai ende nuk e ka pranuar fajin. Pas vrasjes së shqiptarit me 5 plumba, autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar në shtëpi. 21-vjeçari ka ndërruar jetë menjëherë. Ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes të rinjve për motive ende të panjohura.

Emigrantët në Lampeduza tensionojnë marrëdhëniet Gjermani – Itali

Emigrantët tentojnë të rrisin sërish tensionet dhe grindjet mes Gjermanisë dhe Italisë. Anija gjermane e shpëtimit, “Alan Kurdi”, ka marrë në bordin e saj 65 emigrantë që i gjeti në det të hapur dhe është duke i transportuar ato në portin më të afërt, ishulli Lampeduzës.  Në bordin e anijes “Alan Kurdi”, 39 nga 65 emigrantë janë ende minoren, më i riu është 12 vjeç. Autoritetet italiane i kanë ndaluar zbarkimet e emigrantëve. Ministri populist i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini ka theksuar, se “Alan Kurdi” nuk mund të hyjë në Itali me emigrantë dhe kërkoi nga ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer të marrë përgjegjësi për anijen.

Ndërsa organizata humanitare gjermane ka deklaruar se “ishulli italian është porti më i afërt që gjendet. Aty të shpëtuarit mund të çohen më në fund në një vend të sigurt, sepse kështu e kërkon e drejta ndërkombëtare”. Kjo situatë përsëritet pas rastit me kapitenen e Sea Watch, Carola Rackete, e cila u arrestuar pse ankoroi në portin e Lampeduzës për të lënë emigrantët që kishte gjetur në det të hapur.

Ligj i ri për punësimin në Gjermani

Fakti se shumë shqiptarë kanë interes për punësimin në Gjermani, miratimi së fundi në parlamentin gjerman i një ligji të ri për punësimin merr një rëndësi të veçantë.

Kështu Deutsche Welle njofton se Ligji i ri për luftimin e punës në të zezë dhe abuzimit me përfitimet sociale pritet të kalojë të premten 28.06.209 instancën e fundit, që është Dhoma e Landeve, para se të nënshkruhet nga Presidenti.

Ai përmban dy elemente kryesore: Elementi i parë ka të bëjë kryesisht me shtetasit e BE-së, që vijnë në Gjermani vetëm për të marrë shpërblimin për fëmijët (afro 190 euro për fëmijë). Me ligjin e ri, shpërblimi për fëmijët nuk jepet menjëherë, por vetëm pasi ke jetuar tre muaj në Gjermani dhe kur je me konratë pune.

Elementi i dytë ka të bëjë me punëtorët mëditës, që rrinë diku, në një vend të caktuar, dhe presin që të vijë t’i marrë punëdhënësi. Tani ata mund të gjobiten edhe nëse nuk kapen duke punuar në të zezë, mjafton dyshimi.  Dhe gjobat mund të shkojnë deri në 5000 Euro.

Qarku Koordinativ kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (KOK) me seli në Berlin, e kritikon këtë masë, sepse siç thotë për DW Eva Kübelbeck, referente e kësaj shoqate, “ligji në këtë rast godet personat që janë në hall, në vend që të merret me trafikantët e tyre.”

Edhe Enti që merret me luftën e punës në të zezë e ka të parasysh këtë fakt, prandaj, siç i tha DW një zëdhënës i tij, kjo gjobë do të vihet vetëm në raste ekstreme. Ai shpjegon se deri tani policia nuk kishte asnjë mundësi të parandalonte këtë lloj punësimi me mëditje, ku në të shumtën e rasteve njerëzit sillen në mënyrë të organizuar nga vendet e Evropës Juglindore prej personave që bëjnë si ndërmjetësues dhe duan thjesht t’i shfrytëzojnë. “Qëllimi  ynë është që t’i nxisim migrantët që të kërkojnë punë legale”, thotë zëdhënësi. Ndër të tjera ai vë në dukje se, edhe për ato raste kur migrantët janë ilegalë dhe nuk kanë një kontratë pune, ata kanë të drejtë ta hedhin në gjyq punëdhënësin, nëse ky abuzon me ta.

Sigurisht që kjo kërkon një avokat, por ndoshta ia vlen llogaria.  Dikush që ka punuar në të zezë në Gjermani, dhe nuk është paguar nga punëdhënësi, ka të drejtë ta hedhë atë në gjyq dhe t’i kërkojë dëmshpërblim. Në praktikë, migrantët nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi, nga frika se mos paditen për punë në të zezë. Por, kjo në praktikë nuk ndodh, sepse, përgjegjësia për punësimin ilegal bie mbi punëdhënësin dhe jo punëmarrësin, thonë ekspertët.

Skip to toolbar