Lirimi i Dokles, Gjonaj kallëzon gjyqtaren. KLD e Metës heshti herën e parë

Lirimi i Endrit Dokles nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka sjellë reagimin e ashpër të Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar shkarkimin e kësaj gjyqtareje nga KLGJ dhe ndjekje penale nga prokuroria, ndërkohë që ministrja Etilda Gjonaj ka denoncuar dhe faktin se e njëjta gjyqtare është denoncuar për lirimin e Genc Tafilit, por KLD, që ishte nën drejtimin e Presidentit Meta, ka heshtur ndaj këtij fakti.

Reagimin e saj, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka bërë gjatë një deklarate për mediat, duke dënuar lirimin nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle dhe duke e cilësuar vendimin si një kambanë alarmi për drejtësinë.

“Lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm është një kambanë alarmi për procesin ku ndodhet drejtësia. Ndihem e keqardhur për këtë vendim edhe pse shqetësimin e kam shprehur institucionalisht, duke kërkuar verifikim të menjëhershëm. Shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleda Hoxha është përçuar në 8 Janar 2018 pas lirimit të Genc Tafilit. I jam drejtuar Inspektoratit të Këshillit duke ndeshur në heshtje dhe papërgjegjshmëri”, deklaroi Gjonaj, duke iu referuar ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në kohën kur ministrja ishte anëtare dhe KLD drejtohej nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Po ashtu, ajo vuri në dukje se menjëherë pas lirimit të kreut të Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, rival i Lul Berishës, është kryer një verifikim i vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike. “Nisur nga analiza e detajuar rezulton se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim të hapur me kriteret e lirimit me kusht dhe Kodit Penal. Edhe pse Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca në sistemin e drejtësisë, ndjejmë detyrimin për t’i adresuar aktorëve të tjerë për të vepruar në interes të qytetarëve. Në datën 15 janar i jam drejtuar KLGJ për pezullimin e saj dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtarit. I kam kërkuar prokurorisë ndjekjen penale të gjyqtares për parandalimin e veprimeve të tilla. I jam drejtuar KPK dhe OMN për ndjekjen e rastit”, theksoi ministrja Gjonaj.

Po ashtu, ajo deklaroi se për lirimin e Dokles janë ndërmarrë dhe të gjitha hapat që ka në kompetencë Ministria e Drejtësisë, duke shkarkuar kështu dhe drejtorin e shërbimit të provës në Krujë. “Ndër vite ndaj kësaj gjyqtareje ndaj të cilës rëndojë denoncime për shkelje të ligjit dhe korrupsion. Janë marrë të gjitha masat, është pezulluar drejtori i shërbimit të provës Krujë dhe është depozituar ndjekje penale ndaj tij. Vendime të tilla të dhëna nga një individ i caktuar apo të tjerë që e kanë të qartë që nuk do e kalojnë vettingun duhen marrë masa për të kthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia. Kuvendi do shqyrtojë me urgjencë masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve KÇK”, tha Gjonaj.

Amnistia për të dënuarit, Gjonaj tregon se kush do të përfitojë

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh në “Real Story” se është duke u përgatitur drafti për amnistinë, ku pritet të përfitojnë disa kategori të dënuarisht. Gjonaj u shpreh fillimisht se drafti u shty për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa tani është duke u diskutuar me institucionet e tjera përgjegjëse.

“Presidenti nuk ka rol në amnisti, por ka rol në falje me propozim të Ministrisë së Drejtësisë. Amnistia bëhet me ligj, vjen  nga qeveria dhe i drejtohet parlamentit. Ministria e Drejtësisë në këtë process nuk është vetëm, sepse konsultohemi me të gjithë aktorët. Ne kemi disa kohë që po punojmë për një draft dhe një projekt. Ai u shty për shkak të zgjedhjeve të 30 qershorit. Jemi në diskutime në këtë moment me Prokurorinë e Përgjithshme për kategoritë që do të përfitojnë”, tha Gjonaj.

Ajo u shpreh se dy kategoritë që pritet të përfitojnë më shumë janë gratë dhe të miturit. “Unë planifikoj që në këtë projekt të propozojmë të ketë një amnisti me kritere më lehtësuese për gratë dhe të miturit. Janë disa vepra penale që nuk amnistohen. Ne jemi mundur të parashikojmë kritere lehtësuese për gratë”, u shpreh Etilda Gjonaj.

Në fund ajo shtoi se edhe për të moshuarit do të ketë përfitime, ndërsa drafti do të duhet të kalohet nga Qeveria dhe më pas në Kuvend. “Drafti që jemi duke përgatitur parashikon diçka edhe për të moshuarit. Unë do ta propozoj që të kalojë me vendim në Qeveri, më pas është fjala e fundit e Kuvendit”, tha ministrja./Realstory.al/

PD nuk bindet: Gjonaj gënjen, hoteli është paguar për një person

Pas reagimit të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që përgënjeshtroi lajmet për çmimet e kripura të biletave të udhëtimit jashtë vendit dhe hoteleve ku është akomoduar, ka reaguar Partia Demokratike. Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, ka shkruar në rrjetet sociale, se Gjonaj gënjen. Sipas Vokshit, ministrja ka fjetur vetëm në hotel, që sipas saj vërtetohet nga faturat e publikuara,  të cilat “janë në emrin e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj”. Gjithashtu, po sipas Vokshit, ‘dhomat kanë qenë teke, ndërsa është paguar për 1 person, ku normalisht nuk mund të gjente strehë gjithë delegacioni, siç mashtron ministrja e Edi Ramës”, shkruan Vokshi.

Më tej, Albana Vokshi shkruan se askush nuk e ka detyruar “Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje”, që sipas ish-deputetes demokrate nuk janë kryer në kohë ‘bumi turistik’, që të mos ketë dhoma. “Edhe kontrollin e brendshëm e ka porositur sa për të larë duart me opinionin publik, që e refuzon luksin e qeverisë së vendit më të varfër në Europe! Askush nuk e ka detyruar Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje gjatë vizitave të saj, vizita të cilat nuk rezultojnë në kohë bumi turistik, që Etilda të mos gjejë një dhomë të zakonshme, pa shumë luks dhe komoditete të tjera speciale”.

Në fund, Vokshi ka dhe një tjetër pretendim, duke u shprehur se ministrja Gjonaj ‘gënjen’ për kohën e publikimit të lajmit. “Dhe, së fundi, zonja ministre e një qeverie hajdute gënjen edhe për kohën e publikimit të lajmit, i cili është shpërndarë parmbrëmë, jo para 24 orësh, siç përpiqet të mashtrojë Etilda, në mënyrë që të justifikojë heshtjen e gjatë për shpenzimin e parave publike si t’i kishte fituar në bixhoz”.

Mazhoranca i kthehet Arta Markut: Duam rezultate konkrete

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në seancën e së enjtes ka kërkuar që prokuroria të kryejë me përgjegjësi hetimin e veprave penale, kryesisht ato që cënojnë rendin kushtetues dhe sigurinë. Teksa në seancën e së enjtes diskutohen propozimet e qeverisë për disa ndryshime në Kodin Penal, ministrja Gjonaj theksoi domosdoshmërinë për hartimin e një Kodi të ri Penal për ta bërë sa më efektive luftën kundër kriminalitetit.

“Një kod i ri penal është një domosdoshmëri e kohës për te harmonizuar me mire dispozitat e Kodit penal të ndryshuara në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur e cila ka krijuar jo pak probleme ne harmonizimin e tij te brendshëm”, tha Gjonaj e cila më pas iu drejtua prokurorisë duke kërkuar punë më cilësore prej saj.

“Protestat e dhunshme të opozitës nuk janë thjesht disa veprime kriminale të zakonshme por cenojnë edhe sigurinë e punonjësve me uniformë. Nevoja për mbrojtjen e mjedisit me rritjen ekonomike ka reaguar se legjislacioni sektorial ka nevojë për plotësime. Ndryshime të tjera lidhe me sigurinë ushqimore e cila meriton një vëmendje të veçantë. Këto ndryshime propozohen edhe në vijim të ndryshimeve ligjore të miratuara pak kohë më parë. Lufta ndaj kriminalitetit është gjithë përfshirëse. Jam e vetëdijshëm për shqetësimet se Kodi Penal ka pësuar shumë ndryshime por ka ardhur koha të përgatitet një Kod i ri penal. Ai është një domosdoshmëri e kohës. Kjo iniciativë kërkon një analizë të plotë të situatës aktuale si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e BE”.  

“Për këtë qëllim, roli që luan çdo prokuror, në ndjekjen penale, veçanërisht të veprave penale që cënojnë rëndë rendin publik, apo edhe punonjësit e policisë së shtetit, duke ulur në këtë mënyrë, perceptimin e përgjithshëm për mirëfunksionimin e shtetit, është shumë i rëndësishëm. Vetëm nëpërmjet profesionalizmit të prokurorëve, për të ndjekur penalisht të gjitha veprat penale, veçanërisht ato që cenojnë institucionet kushtetuese, pavarësisht se kush është organizatori apo nxitësi i këtyre veprave penale, Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë rezultate të jashtëzakonshme në luftë kundër kriminalitetit”, 

Në seancën e së enjtes janë diskutuar propozimet e qeverisë për ashpërsimin e dënimeve për disa vepra penale që lidhen me dhunën ndaj efektivëve të policisë. Rama më parë e kishte premtuar se kush prek me dorë policët do të dënohet ashpër dhe ky premtim është përkthyer në ndryshim në kodin penal.

Gjonaj: Do zbulojmë pasuritë kriminale të fshehura në vendet e tjera

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është shprehur se në fokus tani është zbulimi aseteve kriminale të zyrtarëve publikë të fshehura në vendet e treta. Deklaratën ministrja e ka bërë në konferencën e GRECO ku mori pjesë me ftesë të Ministres Franceze së Drejtësisë, Nicole Belloubet.

“Gjatë 10 viteve të ardhshme duhet të nxitet më tej bashkëpunimi në zbulimin e aseteve kriminale të fshehura në vendet e tjera dhe që kanë prejardhjen nga korrupsioni dhe veprat e tjera penale që lidhen me shpërdorimin e funksioneve publike”, tha Gjonaj në fjalën e saj.

Ministrja gjithashtu vlerësoi rolin që Këshilli i Evropës dhe mekanizmat e krijuara prej saj, siç është edhe GRECO, që luajnë në forcimin e legjislacionit dhe praktikave të mira, në të gjitha vendet anëtare. Ministrja ka vlerësuar veçanërisht rolin që rekomandimet e GRECO kanë luajtur në Shqipëri në forcimin e integritetit të deputetëve, zyrtarëve publik dhe gjyqtarëve e prokurorëve. Ministrja nënvizoi faktin se, falë rekomandimeve të GRECO, Kuvendi arriti të miratonte edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, si një instrument që përmirëson përgjegjshmërinë e të gjithë deputetëve.

Gjonaj ka theksuar se Shqipëria ka përmbushur plotësisht një pjesë të rekomandimeve të GRECO, veçanërisht ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, forcimin e integritetit të nëpunësve të nivelit të lartë dhe agjencive ligjzbatuese, si dhe përmendi rolin që këto rekomandime kanë luajtur në hartimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi, veçanërisht parimet që lidhen me llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministrja i informoi të pranishmit edhe mbi rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi, veçanërisht ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe rezultatet e Task Forcës Kundër Korrupsionit, si një nga mekanizmat që synon të luftojë dhe parandalojë korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës publike.

Skip to toolbar