Vidhnin varëset e të moshuarave, pranga dy hajdutëve

Policia e Durrësit arrestoi dy persona, të cilët janë autor të disa vjedhjeve me forcë të varseve të florit. Sipas një njoftimi të Policisë së Durrësit, mësohet se dy shtetasit kishin kryer të paktën 7 vjedhje me dhunë, duke u marrë varëset e floririt nga qafa e grave të moshuara.

Konkretisht, në prangat e policisë janë vënë shtetasit me inicialet E.T., 34 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Durrës si dhe shtetasi A.G., 35 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Kavajës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale të vjedhjes.

“Këta shtetas në mesditën e datës 10.12.2019 në lagjen Nr. 16, Durrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në hyrje të pallatit i kanë marrë me forcë një varëse floriri shtetases I. T., 68 vjeçe dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin tip “Opel” që e përdornin për të realizuar vjedhjet.

Nga veprimet hetimore të kryera duke përdorur edhe metodat proaktive rezultoi se po këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë dy muajve të fundit kanë realizuar disa vjedhje të varëseve në lagje të ndryshme të qytetit dhe konkretisht:

-Më datë 12.12.2019, në lagjen Nr. 5, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases P. G., 64 vjeçe;

-Më datë 04.11.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e floririt të shtetases D. M., 66 vjeçe;

-Më datë 27.10.2019, në lagjen Nr. 13, Plazh, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases F. T., 67 vjeçe;

-Më datë 23.10.2019, dyshohet se i kanë vjedhur varësen e floririt shtetases H. A., 68 vjeçe;

-Më datë 15.10.2019, në lagjen Nr. 12, Durrës, kanë vjedhur varësen e shtetases T. B., 71 vjeçe;

-Më datë 10.10.2019, në Rrashbull, kanë vjedhur varësen e floririt shtetases V. H.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti tip “Opel” që e përdornin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pranga 6 ‘ekspertëve’ të vjedhjeve në Itali

6 shqiptarë përfunduan në pranga, pasi ishin kthyer në tmerrin e provincës së Modenës në Itali, për shkak të vjedhje të shumta që kryenin. Hetimet për hajdutët shqiptarë zgjatën rreth një vit, duke habitur edhe vetë policinë italiane në lidhje me mënyrën “eksperte” se si ato vepronin. Shumicën e vjedhjeve shqiptarët e zhvillonin gjatë orëve të natës, “nën hundën” e viktimave të tyre, pra kur të zotët e shtëpisë ndodheshin në banesë. Ato plaçkitnin objekte me vlerë, bizhuteri, para dhe largoheshin me makinën e “viktimave” të tyre, që binin pre e grabitjeve.

Nga hetimet policia arrestoi 6 shqiptarë dhe po ndjek në gjendje të lirë 9 persona të tjerë. Zbulimi i tyre ishte i vështirë, pasi ato ndërronin shpesh makinat e vjedhura dhe i lënin ato në qytete të tjera, larg zonës ku e kishin vjedhur, për të humbur gjurmët. Vjedhjet e tyre ishin kaq të shumta sa llogaritet që vetëm gjatë dimrit të kaluar grabitën mbi një milion euro, përfshirë para dhe sende me vlerë.

Grupi profesionist i hajdutëve u zbulua pas hetimeve dhe përgjimeve për rreth një vit dhe denoncimeve të shumta nga banorët, që kishin rënë pre e tyre.

Hajdutët e vegjël, policia kap “mat” tre të rinj në Kavajë

Policia e Kavajës arrestoi në flagrancë tre të rinj, të cilët tentuan të vidhnin lekët e xhiros ditore të një dyqani ushqimor në Kavajë. Sipas një komuniate zyrtare, mësohet se në pranga janë vënë tre të rinjtë me inicialet A.B., 18 vjeç., A.A., 17 vjeç dhe E.Xh., 15 vjeç.

Këta shtetas, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, pasi hapën forcërisht me anë të thyerjes derën e dyqanit ushqimor të shtetasit B. T., hyrë brenda dhe tentuan të vidhnin një sasi lekësh.

Pasi mori informacionin, policia shkoi menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë në ikje e sipër tre autorët, të cilët pasi kishin kryer vjedhjen po tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestuar shuma e lekëve të vjedhura në dyqanin ushqimor të shtetasit B. T., një pistoletë zhurmuese dhe sendet e përdorura nga autorët për vjedhjen me thyerje të dyqanit.

Në vijim të veprimeve të para hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjes së dy banesave ndodhur gjatë muajit shtator në Kavajë. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.

Skip to toolbar