HEC-et në Vjosë, Meta thirrje qeverisë: E ardhmja s’është shkatërrimi

Presidenti Ilir Meta ka përuruar sot Qendrën Ndërkombëtare Shkencore dhe Kërkimore për Vjosën. Kreu i shtetit pohoi se do të mbështesë nismën për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe shpalljen Park Kombëtar të pjesës lumore ku parashikohen HEC-et.

Në vijim të Tryezës së Rrumbullakët me temë: ‘‘E ardhmja e Lumit Vjosa – Ndërtim digash apo Park Kombëtar”, të mbajtur dje në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit dhe në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tiranës, Meta përuroi sot këtë qendër. Në ceremoninë e organizuar, merrnin pjesë Kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof.Spiro Drushku, profesori i Universitetit të Vjenës, z.Fridrich Schiemer, drejtues vendorë dhe përfaqësues institucionesh e të shoqërisë civile. Në fjalën e rastit, Presidenti Meta theksoi se mbështet krijimin e një Parku Kombëtar dhe jo ndërtimin e digave mbi lumin Vjosa.

“Është kënaqësi të takohemi së bashku këtu në Tepelenë për një ngjarje mjaft pozitive, përurimin e Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Vjosën. Hapja e kësaj Qendre Kërkimore ndërkombëtare është bërë e mundur në sajë të bashkëpunimit mes Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Universitetit të Vienës dhe Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë, Austri (BOKU). Dëshiroj t’i falënderoj këto universitete për dedikimin e tyre për çështjen e lumit Vjosa dhe njëkohësisht dhe Kryetarin e Bashkisë Tepelenë, z.Tërmet Peçi, për mbështetjen e vazhdueshme që japin kësaj kauze!

Qëllimi i krijimit të kësaj Qendre është ofrimi i infrastrukturës për zhvillimin e studimeve shkencore në luginën e lumit Vjosa dhe formalizimi i bashkëpunimit mes 3 universiteteve themeluese.

Ne zhvilluam dje në Tiranë, Tryezën e Rrumbullaktë për të ardhmen e lumit Vjosa me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të shquara dhe shkencëtarëve nga vende të ndryshme të Europës.
Dua të vë në dukje kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në mbrojtje të lumit Vjosa, si lumi i fundit i egër në Europë, që rrjedh i pandërprerë në të gjithë gjatësinë e tij.
Lumi Vjosa është një pasuri natyrore kombëtare por edhe ndërkombëtare, që ne kemi fatin ta kemi këtu, por që në të njëjtën kohë është i rrezikuar nga planet për ndërtimin e hidroçentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit.

Edhe pse në kohë të vështira, siç jemi tani në situatën e COVID-19, jemi mbledhur për të diskutuar mbi këtë çështje të rëndësishme në një moment kyç për të ardhmen e luginës së Vjosës – para lëshimit të Deklaratës mjedisore nga Ministria e Mjedisit për hidrocentralin e Kalivaçit.
Unë shpresoj që qeveria të marrë në konsideratë serioze si peticionin e nënshkruar nga 776 shkencëtarë nga e gjithë botë, në mbrojtje të lumit Vjosa, ashtu edhe konkluzionet e nxjerra nga tryeza e djeshme, që iu dorëzuan Presidentit të Republikës dhe që do të dërgohet pranë të gjitha institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me këtë çështje.
Unë do të vazhdoj të mbetem në mbështetje të nismës në mbrojtje të lumit Vjosa, dhe ky aktivitet, i organizuar në këto dy ditë, është vetëm i pari i shumë të tjerave, që do të organizohen në mbështetje të kësaj kauze, por dhe kauzave të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

Uroj dhe shpresoj që tryeza e djeshme dhe hapja sot e Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Vjosën, të mundësojnë e lehtësojnë dialogun e munguar mes shkencëtarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve, duke bërë të mundur që të dëgjohet zëri i shkencëtarëve që studiojnë lumin Vjosa prej vitesh!

Zhvillimi i qëndrueshëm i vendit arrihet vetëm duke rritur vlerat e pasurive të tilla të jashtëzakonshme siç është Lumi Vjosa dhe lugina e tij, duke mbështetur ekonominë e gjelbër, duke zhvilluar agro-turizmin dhe ekoturizmin në zona me vlera të rralla natyrore siç janë ato të Kalivaçit e Poçemit.
E ardhmja e Vjosës nuk mund të jetë kurrësesi shkatërrimi i saj përmes ngritjes së hidrocentaleve, por shpallja si Park Kombëtar, duke sjellë kështu impakt pozitiv dhe zhvillim të qëndrueshëm për zonën dhe komunitetin për sot dhe për gjeneratat e ardhshme.”, -theksoi Presidenti Meta.

Shembja e HEC te kanioni i Holtës, Rama: Bëjmë atë që themi, durim ju lutem!

Të premten paradite në digën e hidrocentralit që po ndërtohej në grykën e kanionit të Holtës, janë shfaqur disa makineri të rënda. Në fakt, makineritë nuk janë shfaqur jo për të vijuar punimet e lëna në mes, pasi ishin ndërprerë pas pezullimit, por për të shkatërruar betonin e hedhur deri tani, duke i rikthyer banorëve të zonës dhe turistëve, një atraksion të rëndësishëm që rrezikonte shkatërrimin. Për ngjarjen në fjalë, pasditen e të premtes ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.

Me një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet se “bukuria e magjishme e kanionit të Holtës nuk mund të preket dhe nuk do të preket”. Ai tregon se ishte vullneti i qeverisë për të ndalur këtë  investim privat, që rrezikonte të zhdukte një bukuri natyrore si kanioni i holtës. “Për ne Po-ja është Po dhe Jo-ja është Jo. Dhamë fjalën publikisht që Jo, ky HEC nuk do të ndërtohej aty dhe Po, ky HEC nuk do të ndërtohet aty. Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Duhet vetëm pak më shumë durim në përgjithësi, ju lutem”, shkruan Rama.

 Kujtojmë se kanioni i Holtës është një nga bukuritë e rralla të natyrës, që ndodhet në zonën midis Gramshit dhe Shpatit (Gjinar-Zavalinë). Ky kanion ka vlera të mëdha natyrore për shkak të relievit dhe bukurive të krijuara në miliona vjet. Jo vetëm kanioni, si pjesë e bukurive natyrore, por pranë tij ndodhen dhe disa shpella shkëmbore, që kanë vlera të rralla me stalaktite dhe stalakmite nga më të bukurit që mund të gjenden në vendin tonë. Këto, por dhe dy kala të vjetra ilir sipër kanionit të Holtës, e kanë shndërruar atë një atraksion të turizmit të aventurës dhe jo vetëm, pasi brenda në kanion, ka dhe burime të ujërave termale.

Shembet HEC-i në Kanionin e Holtës, është pasuri natyrore

Ruajtja dhe mbrojtja e pasurive natyrore kanë çuar në prishjen e HEC-it pranë Kanionit të Holtës. Fadromat kanë nisur ditën e premte prishjen e betonit të digës që ishte parashikuar të ndërtohej HEC-i, por që iu anulua leja në janar të 2019.

Me prishjen e saj, kryebashkiaku i Gramshit, Klodian Taçe tha se ky është një vendim pozitiv që ndikon në ruajtjen e pasurive natyrore, që më parë përdoreshin vetëm për qëllime personale.

Iku koha kur Bashkia e Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash. Bashkia Gramsh nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cenon pasuritë natyrore të zonës. Janë pasuri që na i ka falur zoti dhe nuk duhet të keqpërdoren.” –shkruan në Facebook Taçe, i cili falenderon edhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku që përkrahu ,brejtjen e kësaj zone dhe refuzoi ndërtimin e HEC-it. “Falenderoj veçanërisht ministren përkatëse, zonjën e nderuar Belinda Balluku e cila u përgjigj pozitivisht shqetësimit tonë, spektrin politikë ku unë bëj pjesë që na mbështetën me reagimin e menjëhershëm, banorët e zonës, aktivistët e ndryshëm që dolën në mbrojtje të një kauze të drejtë dhe të gjitha mediat që i dhanë jehonë problemit të qytetarëve të Gramshit.”

Për prishjen e HEC-it në Kanionin e Holtës ka reaguar edhe numri i dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili postoi videon ku po shkatërrohej betoni pranë lumit dhe me ironi shkruajti duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se “Si thanë gojëprishurit e opozitës rrugore dhe organi i tyre zyrtar RD që investitori është mik i Taulant Ballës?!”

LiveFB: Fillon prishja e digës së HEC pranë kanionit të Holtës. Si thanë gojëprishurit e opozitës rrugore dhe organi i tyre zyrtar RD që investitori është mik i Taulant Ballës?!

Gepostet von Taulant Balla – Faqja Zyrtare am Freitag, 23. August 2019

HEC-e mbi lumin e Kardhiqit, Bashkia Gjirokastër mohon lejet

Lejet për ndërtimin e 8 HEC-eve mbi lumin e Kardhiqit kanë shkaktuar debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës. Këshilltarët e djathtë i kanë cilësuar abuzive këto ndërtime, ndërsa Drejtori i Zyrës së Urbanistikës u shpreh se Bashkia e Gjirokastrës nuk ka konfirmuar asnjë leje për ndërtim.

Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar nga ana e Bashkisë së Gjirokastrës, që të ngrihen grupe pune për të parë në terren punimet si dhe të denoncojnë në prokurori firmën ndërtuese, e cila sipas tyre do të dëmtojë mjedisin dhe do të shteroje ata pak  burime ujore që ka zona.

“Janë prerë shelgjet i është  ndryshuar drejtimi i është marr zhavorri, rërë me vend e pa vend dhe tani kërkohet ta fusin në tuba ujin ne me këtë i themi njerëzve ikni që aty nuk do të ketë vlerë edhe rruga që po ndërtohet”.

“E ka marrë një leje për hidrocentrale ta supozojmë në ministri po ne ku jemi, e kontrollojmë ne vendin tonë apo jo sepse nuk bëhet fjalë për një kioskë por për një vepër që do të lere pa ujë njerëzit. Përderisa janë 8 hidrocentrale në kaskadë do të sigurohet ai ujë që duhet që ka qenë deri tani. Të themi që nuk e dimë është absurde sepse ne kemi njerëz aty nuk janë kot njerëzit”.

“Unë them që inspektorati i ndërtimit, zyra përgjegjëse dhe një grup këshilltarësh të shkojnë në vend,  të mbajnë procesverbale të rregullta dhe ti jepet prokurorisë për këtë problem” thanë këshilltarët demokratë.

Ndërkohë, nga ana tjetër Drejtor i Zyres së Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Ilir Cumaku, shprehet se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këto punime, pasi sipas tij nga ana e bashkisë nuk është dhënë asnjë leje për ndërtimin e HEC-ve në zonën e Kardhiqit.

“Këto që kam shkruar unë në dokument janë për të shfrytëzuar ujin  jo për të ndërtuar hidrocentral  lejen e jep bashkia e Gjirokastër. Jo nuk e kanë marrë lejen kush tha se po punon, në qoftë se po punohet Inspektorati i Ndërtimit duhet të bëjë punën e tij” tha Ilir Cumaku, drejtor  i Zyrës së Urbanistikës  në Bashkinë e Gjirokastrës.

Skip to toolbar