Shembja e HEC te kanioni i Holtës, Rama: Bëjmë atë që themi, durim ju lutem!

AKTUALITET


Të premten paradite në digën e hidrocentralit që po ndërtohej në grykën e kanionit të Holtës, janë shfaqur disa makineri të rënda. Në fakt, makineritë nuk janë shfaqur jo për të vijuar punimet e lëna në mes, pasi ishin ndërprerë pas pezullimit, por për të shkatërruar betonin e hedhur deri tani, duke i rikthyer banorëve të zonës dhe turistëve, një atraksion të rëndësishëm që rrezikonte shkatërrimin. Për ngjarjen në fjalë, pasditen e të premtes ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.

Me një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet se “bukuria e magjishme e kanionit të Holtës nuk mund të preket dhe nuk do të preket”. Ai tregon se ishte vullneti i qeverisë për të ndalur këtë  investim privat, që rrezikonte të zhdukte një bukuri natyrore si kanioni i holtës. “Për ne Po-ja është Po dhe Jo-ja është Jo. Dhamë fjalën publikisht që Jo, ky HEC nuk do të ndërtohej aty dhe Po, ky HEC nuk do të ndërtohet aty. Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Duhet vetëm pak më shumë durim në përgjithësi, ju lutem”, shkruan Rama.


 Kujtojmë se kanioni i Holtës është një nga bukuritë e rralla të natyrës, që ndodhet në zonën midis Gramshit dhe Shpatit (Gjinar-Zavalinë). Ky kanion ka vlera të mëdha natyrore për shkak të relievit dhe bukurive të krijuara në miliona vjet. Jo vetëm kanioni, si pjesë e bukurive natyrore, por pranë tij ndodhen dhe disa shpella shkëmbore, që kanë vlera të rralla me stalaktite dhe stalakmite nga më të bukurit që mund të gjenden në vendin tonë. Këto, por dhe dy kala të vjetra ilir sipër kanionit të Holtës, e kanë shndërruar atë një atraksion të turizmit të aventurës dhe jo vetëm, pasi brenda në kanion, ka dhe burime të ujërave termale.




Skip to toolbar