Partia e komisionerit europian, Frans
Timmermans, arrin një fitore surprizë në zgjedhjet që u mbajtën në Holandë për
Parlamentin Europian. Kështu të paktën rezulton në exit poll të ndryshme të
publikuara nga mediat holandeze. Sipas tyre, laburistët mundën lehtësisht një
parti euroskeptike, e cila ka kryesuar sondazhet. Kandidati kryesor i socialdemokratëve
për të drejtuar Komisionin Europian, Timmermans drejtoi Partinw Laburiste drejt
suksesit, duke siguruar mbi 18% të votave dhe dyfishuar rezultatin e vitit
2014.
“Në shumë shtete kam parë nevojë për një Europë
ndryshe, që është më e përkushtuar në luftimin e krizës së klimës dhe ne si
evropianë duhet të bëjmë më shumë së bashku në fushën sociale. Shpresoj shumë
që socialdemokratët të triumfojnë në shumë vende të BE-së, në mënyrë që në të
sjellim një Europë të re për ta”, deklaroi Timmermans.
Kjo do të thotë se socialdemokratët holandezë
do të jenë një forcë më e madhe në nivel të BE-së sesa partia liberale e
kryeministrit Mark Rutte, i cili u rendit i dyti në 14 për qind, dhe Forumi
Euroskeptik i Demokracisë (FvD) i Thierry Baudet, i cili u rendit i treti me 11
për qind.
“Mendoj se do të shkojmë në Bruksel me një
delegacion të fuqishëm me mbështetjen e mbi 10% të elektoratit. Ne do të çojmë
përpara planin tonë për të ndërtuar një aleancë euroskeptike në BE”, komentoi lideri
i partisë së djathtë, Forumi Për Demokracinë, Thierry Baudet.
Sondazhi i dalë nga agjencia e votimit Ipsos
për transmetuesin holandez NOS u bazua në një mostër prej 35 vendvotimeve, të
cilat Ipsos thanë se formonin një “seksion të mirë kryq” të votimit
në Holandë. Ajo ka një diferencë gabimi prej një vendi, ose 2 pikë përqindjeje.
Përveç holandezëve, ishin dhe britanikët që
votuan të parët për rinovimin e Parlamentit Europian. Sondazhet kanë
parashikuar një fitore të gjerë të Partisë Brexit të Naizhel Farazh dhe një
humbje të thellë të konservatorëve. Megjithatë ende nuk ka një rezultat zyrtar.
Ndërkohë zgjedhjet europiane zgjasin nga data 23 deri me 26 maj.