Vrasja e Festim Latos, reagon policia holandeze: Nuk është identifikuar ende

Pas lajmit për vrasjen në Holande në një atentatet të Festim Latos, i vetëshpallur si presidenti i Republikës së Çamërisë, ka reaguar për herë të parë policia holandeze.

Në njoftimet në faqen e tyre zyrtare në Twitter, efektivët holandezë shkruajnë se viktima nuk është identifikuar ende, por dyshohet se bëhet fjalë për një shtetas polak.

“S’kemi ende një konfirmim përfundimtar. Hetimi për identitetin e viktimës po përparon, mund të jetë nga Polonia,”– shkruhet ndër të tjera në njoftime.

Lajmi se presidenti i vetëshpallur i Republikës së Çamërisë, Festim Lato është ekzekutuar në Holandë nga persona ende të paidentifikuar është bërë publik nga familjarët. U përfol se Lato kishte borxhe tek kompani dhe individë privatë në shumën e miliona eurove. Ndërkohë që ende nuk kishte asnjë njoftim zyrtar nga policia holandeze për këtë lajm.

Vritet në Holandë Presidenti i vetëshpallur i Republikës së Çamërisë, Festim Lato?

Festim Lato, i vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ është vrarë në Holandë. Në lidhje me ngjarjen nuk ka asnjë informacion zyrtar as nga autoritete holandeze dhe as ato shqiptare. Vrasja e tij është bërë me dije nga miqtë dhe familjarët e tij në rrjetet sociale.

Ali Aliu, i vetëshpallur si “Kryeministri i Republikës së Çamërisë”, ka shkruar në rrjetet sociale se Festim Latos i është bërë atentat në Holandë, ndërsa familjarët e tij janë lajmëruar nga policia holandeze. Në statusin e tij, Aliu e cilëson krimin për motive politike.

“Në Holandë nga vrasës të paidentifikuar, iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për vrasjen e Festim Latos, sot familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqëve dhe shokëve të tij. Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, Festim Lato është vrasje me motive politike. Festim Lato është heroi i parë Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë t u bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm” shkruan, Ali Aliu

Ndërsa i vëllai i viktimës, Xhemil Lato tha për mediat se ishte kontaktuar mbrëmjen e të shtunës nga autoritetet holandeze për t’i dhënë lajmin e vrasjes në një atentat, ndërsa tha se nuk ka asnjë detaj tjetër për ngjarjen.

Festim Lato jetonte në Holandë prej vitesh dhe ishte vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’. Lato ka edhe një histori të gjatë me drejtësinë. Ai është dënuar disa herë për mashtrim me mijëra euro, pas denoncimeve nga shumë persona në Shqipëri dhe Kosovë, para që i merrte nga qytetarët me justifikimin për kauzën e Çamërisë.

Negociatat me BE, Gent Cakaj takon homologun holandez Stef Blok

Shqipëria vijon lotimin pranë vendeve anëtare, për të marrë votën “pro” të Këshillit të Europës për çeljen e negociatave. Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaja ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Holandë, vendi që është shprehur kundër vendit tonë për hapjen e negociatave me BE, por edhe më radikale në nismat e saj, për rikthimin e sistemit të vizave me Shqipërinë.

Sipas një deklarate të shpërndarë nga zyra për shtyp e MEPJ, Cakaj është pritur nga homologu i tij holandez Stef Blok. Po sipas komunikatës, mësohet se mes dy zyrtarëve të lartë, janë diskutuar marrëdhëniet bilaterale, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmbushejn e pesë prioriteteve kyçe, në kuadër të hapjes së negociatave me BE.

Ministri në detyrë Cakaj dhe homologu i tij holandez nënvizuan arritjet e reformave të Shqipërisë veçanërisht në fushën e drejtësisë. Progresi i Shqipërisë është i padiskutueshëm edhe sipas vlerësimeve të palës holandeze. Po ashtu, në mënyrë që të adresohen shqetësimet e ndërsjella, përfshirë shqetësimet në fushën e migracionit të parregullt, u vlerësua jashtëzakonisht bashkëpunimi bilateral midis mekanizmave të rendit dhe sigurisë, si dhe u dakordua për bashkëpunim të mëtejshëm strategjik në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gjithashtu, sipas MEPJ, Cakaj mësohet të ketë theksuar nevojën e një vendimi pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, që do të ishte një mesazh pozitiv për Shqipërinë.

Ministri Cakaj theksoi nevojën për një vendim pozitiv të Këshillit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, i cili do të ishte një mesazh inkurajues për Shqipërinë, rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën Evropiane të tij. Për më shumë, një proces i tillë do të kontribuonte në thellimin e momentumit të reformave të nisura nga Shqipëria në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Zgjedhjet europiane, në Holandë fitojnë Timmermans dhe europianistët

Partia e komisionerit europian, Frans Timmermans, arrin një fitore surprizë në zgjedhjet që u mbajtën në Holandë për Parlamentin Europian. Kështu të paktën rezulton në exit poll të ndryshme të publikuara nga mediat holandeze. Sipas tyre, laburistët mundën lehtësisht një parti euroskeptike, e cila ka kryesuar sondazhet. Kandidati kryesor i socialdemokratëve për të drejtuar Komisionin Europian, Timmermans drejtoi Partinw Laburiste drejt suksesit, duke siguruar mbi 18% të votave dhe dyfishuar rezultatin e vitit 2014.

“Në shumë shtete kam parë nevojë për një Europë ndryshe, që është më e përkushtuar në luftimin e krizës së klimës dhe ne si evropianë duhet të bëjmë më shumë së bashku në fushën sociale. Shpresoj shumë që socialdemokratët të triumfojnë në shumë vende të BE-së, në mënyrë që në të sjellim një Europë të re për ta”, deklaroi Timmermans.

Kjo do të thotë se socialdemokratët holandezë do të jenë një forcë më e madhe në nivel të BE-së sesa partia liberale e kryeministrit Mark Rutte, i cili u rendit i dyti në 14 për qind, dhe Forumi Euroskeptik i Demokracisë (FvD) i Thierry Baudet, i cili u rendit i treti me 11 për qind.

“Mendoj se do të shkojmë në Bruksel me një delegacion të fuqishëm me mbështetjen e mbi 10% të elektoratit. Ne do të çojmë përpara planin tonë për të ndërtuar një aleancë euroskeptike në BE”, komentoi lideri i partisë së djathtë, Forumi Për Demokracinë, Thierry Baudet. 

Sondazhi i dalë nga agjencia e votimit Ipsos për transmetuesin holandez NOS u bazua në një mostër prej 35 vendvotimeve, të cilat Ipsos thanë se formonin një “seksion të mirë kryq” të votimit në Holandë. Ajo ka një diferencë gabimi prej një vendi, ose 2 pikë përqindjeje.

Përveç holandezëve, ishin dhe britanikët që votuan të parët për rinovimin e Parlamentit Europian. Sondazhet kanë parashikuar një fitore të gjerë të Partisë Brexit të Naizhel Farazh dhe një humbje të thellë të konservatorëve. Megjithatë ende nuk ka një rezultat zyrtar. Ndërkohë zgjedhjet europiane zgjasin nga data 23 deri me 26 maj.

Skip to toolbar