KQZ paralajmëron Voltanat e opozitës: Tre herë në burg nëse bllokoni zgjedhjet.

Bllokimi i KZAZ-ve nga militantë të PD-së me urdhër të kryebashkiakëve të djathtë është cilësuar në kundërshtim me kompetencat e qeveritarëve vendorë dhe në shkelje me ligjin e Kodin Zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje të martën, kryebashkiakëve që të mos tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor sepse do të marrin përgjigjen sipas ligjit.

Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha tha se “KQZ do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit, duke cituar tre veprat penale për të cilat do të padisë kryebashkiakët dhe personat për cenimin e një procesi të qetë zgjedhor në KZAZ”.

Shpërdorim detyre, pengim i subjekteve zgjedhore, dëmtim me dashje i materialit zgjedhor, – citoi zëdhënësja e KQZ-së duke thënë se këto janë vepra penale të parashikuara në ligjin për dekriminalizimin.

“Disa kryetar bashkie i janë drejtuar KZAZ ku kanë kërkuar lirimin si dhe ndërprerjen e afishimit të listave të zgjedhjeve në shkolla, në administrim të bashkive.

KQZ vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave për vetëqeverisjen vendore.

KQZ ripërsërit kërkesën për reflektim dhe për të shmangur pengimin e procesit zgjedhor, cenojnë kompetencën e KQZ, KZAZ, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuara në kodin zgjedhor”, tha Hoxhaj e cila përmendi edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi, që inkurajon zbatimin e ligjit për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor.

Por fill pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i KQZ-së, Klement Zguri që është përfaqësues i PD-së në KQZ, i cili thotë se nuk ndan të njëjtin qëndrim me 4 anëtarët e tjerë të komisionit. Ai thotë se kjo deklaratë e zëdhënës së KQZ-së është mendim vetëm i 4 anëtarëve të tjerë të KQZ-së dhe jo i tij.

Kujtojmë se Zguri braktisi mbledhjen e KQZ-së kur u diskutua dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve duke thënë se nuk futet në brendësi të dekretit dhe ta komentojë atë, por e ka për detyrë vetëm ta zbatojë. Ndërkohë që 4 anëtarët e tjerë të KQZ-së e cilësuan nul dekretin pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe vendosën që të vazhdojnë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Deklarata e plotë e KQZ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, urdhërimet e Kodit Zgjedhor, në parimet dhe përcaktimet e kuadrit ligjor që regullon veprimtarinë e organeve administrative, në përmbushje të misionit, detyrave dhe përgjegjsive, vijon punën për administrimin e procesit zgjedhor, të datë 30 qershor 2019.

Disa kryetarë bashkie me shkresa drejtuar KZAZ-ve kanë kërkuar, lirimin e mënjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave të Zonave të administrimit Zgjedhor, të caktuara me vendime nga KQZ, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në institucionet arsimore parashkollore dhe parauniversitare (çerdhe, kopshte, shkolla), në administrim dhe pronësi nga këto bashki.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Në vijim të deklaratës së datës 14.06.2019, KQZ ripërsërit kërkesën për të reflektuar dhe shmangur veprime që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, veprime të cilat cënojnë kompetencat dhe të drejtën e KQZ-së dhe KZAZ-ve,pjesë ë administratës së saj, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuar nga Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës, datë 10.06.2018:

– ka shprehur mbështetjen për qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor duke inkurajuar KQZ të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore, të datës 30 qershor 2019, në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10 928, datë 5.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”;

 i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkon ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendorë të datës 30 qershor 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit, datë 10.06.2019, për shfuqizimin e Dekretit nr. 10928, datë 5.11.2019, dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çdo kërkesë apo veprim për të cilat, Ligji 139/2015, nuk i parashikon në kompetencë Organeve të Qeverisjes Vendore, të cilat shkelin në thelb Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe parimet e përgjithshme parashikuar në nenin 3 të tij, i konsideron cënim të veprimtarisë institucionale, marrëdhënieve juridike të vendosura me ligj, mospërmbushje të regullt të detyrës nga ana e tyre, me pasoja të rënda për  interesat e zgjedhësve dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të datës 30 qershor 2019, dhe do t’i drejtohet organeve kompetente për të garantuar zbatimin e ligjit.

Ju kujtojmë se, veprime të tilla përbëjnë vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326/a “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Penalizimi për këto vepra, është edhe shkak për moszgjedhje/mosemërim në funksionet publike, sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimi).

Duke kërkuar mos ndërhyrjen për çështje që janë kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shprehim besimin për angazhimin në përputhje me misionin e vetëqeverisjes vendore për të siguruar qeverisje të efektshme, efikase dhe në një nivel sa më afër qytetarëve nëpërmjet respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të  sanksionuara në Kushtetutë dhe ligje të tjera.

Skip to toolbar